More
    KreuLetërsiBibliotekë"Amerika pa Amerikë", tregim nga Roland Gjoza

    “Amerika pa Amerikë”, tregim nga Roland Gjoza

    Llui i thërrisnin Luanit, pronarit të pesë Burger King-ëve në zemër të Manhattan-it. Më erdhi çudi në fillim, as që doja ta besoja, por pikërisht Llui, i pabesueshmi dhe i tejheshturi, që s’njihej fare në komunitetin shqiptar të Nju-Jorkut, më mori në punë pasi u sorollata shtatë muaj sa andej-këtej pa ma varur njeri torbën. Kisha një muaj që piqja patate, mish, peshk, mbushja frigoriferin përplot me ushqime të ngrira e të paketuara, po Lluin ende s’ma kishin zënë sytë.

    Atëherë botoja ndonjë tregim te gazeta Iliria dhe nuk e di pse më kishte hipur të shkruaja diçka për mirëbërësin tim. Një ditë isha poshtë në bimsa dhe po pastroja e sistemoja kartonët. Atje ishte qetësi, bënte fresk dhe diku poshtë elevatorit që transportonte pakot me patate lart, çarku sapo kishte zënë një mi. Ai cijaste me inat dhe pikëllim, bënte përpjekje të dilte, por qe e pamundur, kështu që herë-herë fashitej për fare, i rraskapitur nga përpjekjet e dëshpëruara pa dobi. Dikush po e këqyrte, ishte një elektricist që po merrej me diçka në impiantin e pijeve freskuese. Ai qe veshur çuditërisht me një bluzë si ato tonat, bojëqielli, me inicialet e Burger King-ut. Mbante pantallona doku të zeza, të ngjashme me ato të miat, këpucë të rëndomta, të ngrëna te shuajt.

    Isha mësuar të qëndroja vetëm në bimsa në atë temperaturë vjeshte, ndërsa lart ishte një i nxehtë tropiku (50 gradë celsius) që të asfiksonte. Po ky ç’do këtu, mendova, vjen pa marrë leje. Megjithatë nuk e hapa gojën, duke iu bindur edhe në këtë rrethanë tejet banale asaj që përpiqesha të më udhëhiqte në letërsi; mendohu pesë herë përpara se të hedhësh një hap. Pikërisht ai njeri aq i ndrojtur që kur iku më përshëndeti me dashamirësi, ishte Llui, shpëtimtari im. Pastaj pashë makinën e tij, një Bujk i vjetër, pothuaj i shpartalluar, që kur nisej apo frenonte për të ndaluar përballë dyqanit në Avenjunë e Pestë, 44 Street, rrapëllinte si një i çmendur. Ne qeshnim, mezi e mbanim gazin që s’na ndahej sa herë vinte ai, si një klient i ndrojtur, me po ato rroba të ronitura e të hallakatura që i vishnim edhe ne kur fillonim punë dhe sa herë largohej, na thoshte t’i bënim gati tre-katër hamburgerë, që i merrte me vete, përshëndetej me të gjithë pa fjalë, por duke na tundur kryet, dhe hiqte e vuante gjersa zinte vend në atë shkatarraqen e tij cit më cit me gjithfarë rraqesh.

    Pastaj dëgjonim si rënkonte e rrapëllinte Bujku plak duke lëshuar një re të dendur tymi poshtë rrokaqiejve të bankave të mëdha.

    O Zot, ç’ishte ky njeri?

    Bir i një emigranti nga Dibra. Arratisur nga Shqipëria para 40 vjetëve. Vuri pasuri: dy ndërtesa shtatëkatëshe në Manhattan dhe dy pallate të mëdha në Ozon Park, Queens.

    Para se të vdiste, kishte lënë për bijtë një testament të çuditshëm:

    Pasurinë ta ndanin në mënyrë të barabartë.

    Në punë të merrnin shqiptarë.

    S’do të shisnin asnjë pronë.

    Nuk do të martoheshin me të huaja.

    Mallkimi i tij do t’i zinte në qoftë se nuk e shtonin pasurinë.

    Të kursenin, ndryshe do të falimentonin.

    Shqipërinë të mos e harronin.

    Të lidheshin me fëmijët e vëllait të tij, të xhaxhait të tyre të nderuar, dhe t’i ndihmonin ata, se kur kishte ikur i kishte lënë në mjerim.

    Më shtohej kurioziteti për këtë njeri. Ja, ç’kishte ndodhur:

    Dy djemtë e xhaxhait nga Shqipëria kishin mbërritur, më në fund, në Nju-Jork. Llui doli dhe i priti në aeroportin JFK me rrangallën e tij. Pas dyzet vjetësh ai shikonte dy burra shtatlartë, që mbaheshin me të madh, ndërsa ata këqyrnin me një shije aspak të këndshme një punëtor të rëndomtë që iu buzëqeshte me përvuajtje. Ata ishin veshur shik dhe kur u futën në atë magazinë rraqesh, hoqën të zinjtë e ullirit, por nuk e hapën gojën. Veç një e qeshur përplot mahi u mbeti në fytyrat buçkane.

    Ai i solli drejt e në Burger King-un tonë. Ata porositën peshk, sallatë dhe akullore. Po nuk i prekën. Nesër ju pres në shtëpi, u tha Llui, po atje s’kam njeri, gruaja dhe fëmijët janë në Florida. Ju do të flini në krevatin e madh. Jo, nesër je i ftuar nga ne, ia kthyen ata. Dhe i lanë në dorë një kartëvizitë: Hotel Hajat, Avenju e Gjashtë.

    Ata kishin zënë vend në një nga hotelet më të shtrenjta dhe dreka që hëngrën atje të nesërmen u kushtoi 2834 dollarë. Ç’do tjetër? e pyesnin të dy duke qeshur. Ç’kostum që mbante Llui! Si të paveshur ndonjëherë. Të prerë si për një tjetër. Kravata jo e modës, e hollë, i rrinte shtrembër. Sa pak që fliste! Vështronte si një delikt pjatat dhe pjatancat që vinin njëra pas tjetrës dhe s’pushonin. Jo, ai s’kishte ngrënë asnjëherë gjëra të tilla, tejet grandioze e finoshe e me kaq tepri. Ndërsa dreka që iu shtroi ai në Burger King vajti aty te 26 dollarët. Ata nuk i shkuan në shtëpi, por gjithmonë e prisnin te Hotel Hajat apo në ndonjë vend tjetër ku kishte spektakle dhe striptizë. Kishin marrë me qira një Ferrari të fundit dhe e çuan në disa qoshka të arta që ai s’i kishte parë asnjëherë.

    Ishin presidentë firmash ndërtimi në Tiranë, kështu i thanë, kishin plot pallate moderne, jo si këto “vjetërsirat demode të Manhattan-it” dhe disa fabrika pijesh në autostradën Tiranë-Durrës.

    U ndanë në hollin e Hotel Hajat, se ata nuk donin që ai t’i përcillte me shkatarraqen e tij në aeroportin JFK. Në fund dy vëllezërit i thanë se, po të kishte nevojë të hapte biznes në Shqipëri, do ta ndihmonin për gjithçka, veç të hapte gojën dhe këtë ia përsëritën me ton autoritar, siç mund t’ia shqiptojë një rival një tjetri, kur do t’i bëjë një sfidë prej së cilës ka vuajtur një jetë të tërë.

    Ata nuk e dinin që Llui pikërisht atë ditë kishte fituar 20 milionë dollarë në kursin e aksioneve në Wall Street. Kur u larguan, më në fund, ai u ndje i lehtësuar dhe me mend bëri një zbritje të vogël në llogari, por gjithsesi të kënaqshme, karburantin e makinës nga Avenju e Gjashtë në aeroportin JFK.

    Dhe i harroi krejt.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË