More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Polisemantika e vdekjes në poezinë e Fatos Arapit

    Alisa Velaj: Polisemantika e vdekjes në poezinë e Fatos Arapit

    Për Fatos Arapin, poetin që u thirr ta përmbushte misionin e shtegtimeve poetike, krah për krah me tragjedinë, vdekja nuk pati asnjëherë deri në fund një kuptim shterues. Qe shpesh pikëllim i natyrshëm njerëzor, kur familjarë të shumëdashur apo miq të çmuar zemre fluturonin drejt qiejve. Në poezinë “Ku është ai plak”, Arapi do e shprehte më mirë se askund ndërgjegjësimin për vdekjen, në vargjet: “Ai u nis e iku…/ i ndërgjegjshëm si lodhja e kohës/ i ndërgjegjshëm si shuarja e dritës…”. Në të vërtetë, çdo poet fillon të rebelohet më fuqishëm se humanët e tjerë (megjithëse “pa vetëdije”) kundër vetëdijes për domosdoshmërinë e vdekjes.[1] Rebelimi i poetit, kur drita tokësore shuhet në sytë e  nënës, atit, motrës apo miqve të dashur, edhe pse shkrihet e bëhet një me dhimbjen e pambarimtë, duket se qetohet disi, nga besimi se kjo dritë, do të ndizetherëdokur në një tjetër dimension, ku të larguarit diellojnë jetët tona nga përtej-jeta. Sepse njeriu i dëlirë është drita e botës[2] dhe diell i përtejbotës. Njeriu si diell që shuhet (pra metafora e diellit në shuarje) në këtë jetë për t’u rilindur në një tjetër formë drite në qiejt e andejshëm, fillon vjen e mbruhet në vargjet e Arapit që në çastin e ndërgjegjësimit të vdekjes.

    Është bërë më e vogël nëna.

    sikur është ulur më nga toka.

    …………………………………

    Shkon e vjen nëpër dhomë

    e mua më duket:

    do t’i ngatërrohet këmba

    në rrezet e diellit

    që hyjnë nga dritarja

                                      nënës.

    (Për nënën time)

    Këto rreze dielli ku nëna pengohet, ashtu më e ulur drejt tokës, si drejt shtegtimit të paralajmëruar, do të jenë rrezet e vet diellit-nënë apo nënës-diell në lirikën antologjike “Diell i vogël”. Është nga lirikat më mrekullore të shkruara ndonjëherë për vdekjen në letërsinë shqipe. Ka dhimbje pa pezëm, ka jetë që ngadhënjen mbi vdekjen në emër të dashurisë. Një përmbysje e rendit vdekje-jetë, në atë përmasë, sa tragjedia shndërrohet në një bekim frytdhënës. Lulet mbijnë në varrin e nënës, sepse “është nëna ime, si një diell i vogël, atje, poshtë”, shkruan poeti. Një vdekje e tillë plot dritë, që është e aftë të përtërijë natyrën dhe botën, në të vërtetë nuk është vdekje, por përtej-jetë, në një kuptim të figurshëm për poezinë dhe pse jo, edhe në atë lloj ndjenje reale që Fatosi jo poet, i është përfalur përgjatë udhëtimit të tij tokësor.

    Arapi ka shkruar një numër të konsiderueshëm elegjish përgjatë krijimtarisë së tij. Përmendim “Elegji për babanë”, “Vdekja e gjyshes”, “Te varri i Lirisë”, “Lumit” etj. Ka shkruar gjithashtu poezi ku notat elegjiake frymojnë në kufijtë e baladës (“Nëna”), apo krijime ku fryma elegjiake është mbizotëruese, ndonëse vargjet mbartin një lloj narracioni lirik, si te poezitë “Varri i gjyshit”, “Rekuiem për H. F. Karajanin”, “Dedikim në ditarin e Ana Frankut” etj. Në elegjitë e mirëfillta, ku elegjia si lloj i lirikës është një poezi e humbjes ose e zisë[3] shohim se poeti e ndërlidh sërish vdekjen e njeriut me metaforën e diellit në tekstin poetik. Diku një diell i shuar (mbyllur kapakët e syve/ ç’diej u shuan brenda tyre), diku në varrin e së motrës terri njeh vetëm gjuhën e dritës, ndërsa në baladën e nënës që kërkon të birin, gjumi i tij i përjetshëm perceptohet si prehje diellore (prehjet diellore të birit/ peshën prej drite të tij). Ky diell i shuar në botën e prekshme dhe i rilindur në përtejbotë është një arsye thelbësore që nuk i bën të ikurit fantazma të zymta, por njerëz realë, engjëj drite, me të cilët poeti mundet të dialogojë si me të gjallët. Këtë lloj dialogimi vendos poeti me të motrën apo me vogëlushin Lumi. Nuk janë të trishtuar të vdekurit, se sa është i trishtuar vetë poeti që nuk i ka më pranë vetes të dashurit e shpirtit. Është ai që mban zi për ta, vajton me pikëllim largimin e tyre dhe i fton ta vizitojnë sërish jetën tokësore. Njëjtë si në folklorin tonë, kur një i vdekur mund të ngrihet nga varri dhe të vijë dhe të vizitojë të afërmit e tij. Mjafton të përmendim baladat “Kostandini dhe Doruntina” apo “Kënga e Ymer Agës”.

    Dhe tani dëgjo mirë, mba mend se ç’të them:

    Tani midis buzëve merr këtë gjethe ulliri.

    Kur të marrë malli,

    Kur të na marrë malli,

    lëndoje pakëz me dhëmbëzit e vegjël…

     (Lumit)

    Përveç largimeve nga jeta të njerëzve në kontekstin e një drame personale, Arapin e pikëllojnë pa cak vdekjet kolektive, ku gjithë tragjeditë mbruhen në zanafillë nga vrasja e lirisë. Poezi të tilla si “Dahau”, “Në Hortiadis”, “Përse të shkosh në Mat’hausen?” etj., janë kuja e një shpirti të shqetësuar, në ndërgjegjen e të cilit, ai Dahau vjen si një varr që ecën, udhëton.[4] Nuk ecën dhe udhëton më njeriu i lirë e plot ideale, por udhëton vdekja e tij. Liria e vrarë, liria skllave, skllavëron jetën dhe pjell varre në vend të Prometejve. Janë vdekje që poeti i ka përfytyruar dhe i njeh përpara se t’i shohë[5], pasi fytyra e tyre njihet mirë nga pamja e tmerrshme e pashpirtësisë që i pjell. Janë realitete që sado të largëta qofshin, na prekin të gjithëve, në veçanti poetët si Arapi që i ka kënduar lirisë me të tillë forcë, duke i shpërfillur krejt prangat me të cilat na prangon mungesa e saj.

    Letërsia nuk ekziston në një vakum. Shkrimtarët si të tillë kanë një funksion të caktuar shoqëror në përpjesëtim të drejtë me aftësinë e tyre si shkrimtarë.[6] Vetë Arapi do të shprehej në një intervistë, se poetët lindin me pranga në duar, por ata nuk i shohin prangat. Ata nuk i shohin prangat, sepse ata ndjekin idealet e lirisë, idealet e humanizmit, idealet e njerëzimit, të zhbirimit të shpirtit njerëzor, i cili është kaq i pasur.[7] Pikërisht bjerrja e këtyre idealeve dhe vdekja e ngadaltë e shpirtit në shoqërinë shqiptare do ta frymëzonte Fatos Arapin për të shkruar një numër të madh lirikash për Tiranën e tiranëve, duke na dhënë një panoramë tepër tragjike të zvetënimit të vlerave morale dhe shoqërore në atdheun e mërzisë.[8] Vdekjet alegorike të Tiranës shfaqen në poezi të tilla, si: “Në Tiranë ka vetëm tiranë”, “Zoti ikte nën shi”, “Ka një rrugë në Tiranë”, “Përçartje në Tiranë”, “Po gjersa ti je shoqja ime”, “Atdheu i mërzisë”, “Dashuri tiranase”, “Zot; shpëtoje Tiranën”, “Ditë e rrëpirtë tirane” etj., etj. Vdekja ndihet tejendanë këtyre poezive, ku nën qiellin universal të kësaj dhimbje të pamatë të poetit, nuk gjendet asnjë shpirt epik i gjallë.[9] Copëzat e shpirtit epik do të na bënin të paepur përpara çdo tragjedie, madhështorë në përmasën e dashurisë për njëri-tjetrin, larg vdekjeve të vogla e të pandërprera të secilit veç e veç, që në fund do të shkaktonin vdekjen e madhe të shoqërisë shqiptare. Jemi pra të gjithë nga pak fajtorë, nga pak tiranë të vegjël të fateve tona, prandaj dhe vuajmë pa e kuptuar pse. Në këtë kontekst, kënga e Arapit ngjizet me një lëndë sarkatike të tejngopur nga dhimbja, zhgënjimi dhe pezmi, kur dëgjon si flet orakulli i mbrapshtë i Tiranës[10]. Bijtëe orakullit janë ata që qeverisin dhe pikëllimin tonë, në një atdhe kur edhe rrezja e diellit përlyhet në tradhëti e krime.[11] Vdekjet alegorike të atdheut apo të Tiranës së tiranëve shënjohen në tekstet poetike nga metafora e diellit të shkërmoqur apo dy diejve të zinj (“Përçartje në Tiranë”). Regjisorët e mbrapshtë të tragjedive tona[12] janë ata që ngjizin ditët tona tirane, me anë të lirisë jo të lirë. Asaj lirie që të vret kur nuk e rrok si duhet thelbin e saj.

    Mos guxo të shohësh në sy lirinë në Tiranë, –

    Dielli i syrit shuhet, shkërmoqet e zhbëhet.

    Ti i barabartë me lirinë? – Mos e beso!

    Liria të vret.

    (Në Tiranë ka vetëm tiranë)

    Poeti i zymtuar nga varfërimi i shpirtrave, i etur për një shpirt epik të gjallë, klith tmerrshëm kur gruaja-qytet, ajo Tirana e tij e shtrenjtë nuk është më e tij, por e tiranëve. E sheh vdekjen e saj në sy, lirinë e saj në sy e ka parë të zbehet si limon dhe e vajton qytetin-grua  si vajtohet një e vdekur, në gjëmën e një burri thellësisht të humneruar në trup e shpirt prej bjerrjes së saj plotë. Përfytyrimi i Tiranës si një grua jepet në poezitë “Më duhet një Qezar në Tiranë”, “Duke u nisur për Zyrih” dhe “Dashuri tiranase”. Është ndoshta nga gjetjet më të rralla dhe të pazakonta në poezinë tonë, ku dashuria për një qytet që po vdes nga mungesa e njeriut, perceptohet si zvetënimi i një gruaje dikur të moralshme, tanimë të shndërruar në një lavire. Tirana e tiranëve është për Arapin, herë femër e tëra e tij, me gjinj të fortë epshorë intrigash (Duke u nisur për Zyrih), herë poeti është ajo dorë e shtrirë mbi gjinjtë epshorë provokues të Tiranës (Dashuri tiranase) dhe herë ëndërron për gruan-qytet Tiranë një dashuri të thellë, të pastër si loti, të bukur si dashuria e Çezarit për Kleopatrën. Një nga ata çezarë që kësaj gruaje të pandjeshme dhe intrigante do i mësonte kuptimin e dashurisë së vërtetë. Duke ia ringjallur dashurinë e vdekur për absoluten nga vdekja e dashurisë.

    Më duhet një Qezar në Tiranë,

    nga ata që kur e mbështetin kokën

    në gjoksin muzgor të Kleopatrës,

    i bëjnë qiejt të lëvizin, të ulen…

    (Më duhet një Qezar në Tiranë)

    Në lirikën e dashurisë, në aq pak Tiranë, apo kudo tjetër, nga dashuria mundet t’ia behë si rrebesh i shpirtit të pikëlluar, duke e gllabëruar e tkurrur kohën nga padurimi e malli, aq sa brenda saj mund të rrojnë edhe dashuria, edhe vdekja e saj, pikërisht aty, shpirti i dashurisë vdes e rivdes në emër të shenjtërisë së saj, duke mos e braktisur dot kurrë kryqin e vet.[13]  Epoka e tërë, e tkurrur në një çast të vetëm, dhe çasti i bymyer në epokë, kanë përherë pranë vdekjen (kujdes në këmbët tona gurgullon Akeronti). Prandaj dhe shpirti i dashurisë kryqëzohet e rikryqëzohet, për të luftuar vdekjen në emër të ringjalljes. Duhet të jetojë ai i vluari i dashurisë, që brenda tij të jetojë edhe ajo. Nëse ai do të vdesë, atëherë vdes për së dyti dhe kujtimi i asaj, i cili duket se e ka mjaft shndërrimin ciklik në dhimbje dhe në tragjedi (Si mund të bëhesh tragjedi/ në kaq pak Tiranë). Në emër të dashurisë, poeti mund të ngrihet nga varri (në poezinë “U ngrita”), duke e mundur vdekjen (…për ty unë lashë varrin) dhe të dashurojë me të tillë fuqi, sa ta ringjallë kujtimin e saj, edhe aty ku vdekja kërcënon tmerrshëm me errësirën e saj të dendur.

    Asgjë nuk është e pamundur për ta ringjallur dashurinë. Po edhe sikur poeti të mos mundte, do të vijë përherë, ajo, dashuria, për ta ringjallur poetin me dritën e saj. Është Ajo që i mund vdekjet tokësore me rrezet e saj. Rreze të ardhura nga jeta dhe përtej-jeta. Në poezinë “Kaq herë vdekja” jepet mrekullisht bukur ky lloj procesi i ringjalljes së poetit “të vdekur” nga vetë dashuria. E dashura e dielltë do ta dëgjonte kudo dhe kurdo klithmën e poetit nga pragu i paravdekjes (Në ethen e paravdekjes/ kjo klithmë e vdekur: ku je?)[14]. Një strukturë e vdekjes, me paravdekje e përtejvdekje, ku secila prej tyre shndërrohet në vdekje alegorike, për sa kohë asgjësohet nga dielli i dashurisë. Për një poet si Arapi që kapërcen kohën dhe veten për të ringjallur dashurinë, ka përherë një pamjaftueshmëri apo një peng pamjaftueshmërie në lirikat e tij (Si s’të desha pak më tepër). Ndodh kjo dukuri, jo vetëm në rastet kur dashuria vjen si rivdekje ciklike, apo elegji e tejmbarsur me mall e tragjedi, por edhe atëherë kur dashuria vjen gëzimplote e dehëse me aromat e saj. Asnjëherë nuk mjafton dhimbja. Arapi kërkon ta ribëjë dhimbjen të re. Asnjëherë nuk mjafton trishtimi. As dashuria nuk mjafton. Përherë duhet gjeneruar ca pak tjetër, pasi kështu gjenerohet shpirti njerëzor. Sepse Arapi ka fund e krye odisesë së tij poetike një nostalgji të paasgjësueshme nga kurrgjë, madje as nga vdekja, për absoluten mrekullore me kufijtë e saj të pakufij. Absoluten si frymë të endur nëpër ujërat e dashurisë, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. 

    Vlorë, gusht-shtator 2021


    [1]  Bloom, Harold. (1997). The anxiety of influence, a theory of poetryNew York, Oxford: Oxford University Press, fq, 10.

    [2]  Termi drita e botës gjendet te Mateu 5:14 në Dhjatën e Re, ku shkruhet: “Ju jeni drita e botës”.

    [3]The Princeton Encyclopedia of Poetry and Poetics. Princeton and Oxford: Princeton University Press, fq, 397

    [4]  Varg i poezisë “Dahau”.

    [5]  Perifrazim i vargjeve “Mos më flisni për Hortiadisin/ E kam njohur shumë më parë se ta shihja/ e di vdekjen e tij.”

    [6]  Ezra Pound, ABC of Reading, Faber and Faber, London and Boston, 1951, fq. 32

    [7]  Marrë me shkurtime nga intervista e Arapit në librin “Kaleidoskop i Letërsisë Shqiptare” i Vera Pelajt.

    [8]  Përcaktimi i referohet poezisë “Atdheu i mërzisë”.

    [9]  Fjalët me italic përgjatë tërë fjalisë i referohen poezisë “Asnjë shpirt epik i gjallë”.

    [10]  Varg nga poezia “Ditë e kërmilltë gazete”.

    [11]  Perifrazohen vargje të poezive “Atdheu i mërzisë” dhe “Po gjersa ti je shoqja ime” në krejt fjalinë.

    [12]  Perifrazohen vargje të poezisë “Ka një rrugë në Tiranë”.

    [13]  Ndërkallet gjithashtu në fjalinë e mësipërme dhe poezia minimaliste e Arapit “Shpirti i dashurisë/ nuk e braktis kryqin e vet”.

    [14]  Varg i poezisë “Ku je?”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË