More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Leximi i poezisë “Letër Hamurabit” si monolog dramatik 

    Alisa Velaj: Leximi i poezisë “Letër Hamurabit” si monolog dramatik 

    Pranuar njëzëri si kryevepra poetike e Sadik Bejkos, vëllimi “Letër Hamurabit” u botua për herë të parë në vitin e largët 1996. Pjesë e vëllimit është dhe poezia me të njëjtin titull, e cila përbëhet nga gjashtë strofa katër vargëshe dhe mund të lexohet fare mirë si një monolog dramatik. Teoritë moderne të letërsisë e shpjegojnë monologun dramatik si  një formë të poezisë të shkruar në vetën e parë. Poezia rrëfehet nga këndvështrimi i një personazhi imagjinar që i drejtohet një publiku të padukshëm. (1) Kjo letër e Bejkos e shkruar çuditërisht në kohën e pergamenit duket se është konceptuar si e tillë jo pa shkak. Drama ekzistenciale që ajo përcjell është e njëjtë për njeriun e të gjithë kohërave, prej antikitetit e deri në bashkëkohësi. 

    Është drama universale e shpirtërave të rrënuar në të njëjtën mënyrë, si në epokën e pergamenit, si në epokën e shpikjeve të mëdha teknologjike. Pavarësisht u të bujshme e vezulluese në dukjen e jashtme të dukurive, ajo tjetra, bota e brendshme mbetet përherë e njëjtë, e pandryshueshme, njësoj tragjike, njësoj e brishtë. Murgari i shpellës Aram është një personazh imagjinar dhe publiku i tij i padukshëm perceptohet si i tillë falë dy funksioneve të poezisë; së pari sepse publiku nuk i përket vetëm një kohe apo një vendi, edhe pse në leximin e parë të poezisë duket se mesazhi poetik adresohet drejt epokës së Hamurabit, mbretit të gjashtë amorit të perandorisë së lashtë babilonase, ndërsa në të vërtetë publiku real është qenia humane e gjithëkohësisë, dhe së dyti, sepse murgari e shkruan letrën në vetminë e një shpelle dhe ia drejton mbretit të tij. Në rastin e dytë publiku kamuflohet dhe fshihet pas një personazhi të vetëm, mbretit Hamurab. Letra e shkruar në vetmi është monologu i poetit filozof që deshifron të vërtetat e hidhura të një shoqërie pa ligje. 

    Në rrafsh sintagmatik, poezia mund të lexohet edhe si poezi satirizuese për problemet e shoqërisë shqiptare të pas viteve ‘90. Një zë i së vërtetës në shëmbëllimin e një murgari që shkruan ligje që do të mbeten veç në letër, për një shoqëri që ka marrë të tatëpjetën në udhëtimin prej diktaturës në anarshi politike  e morale. Është po aq imagjinar zëri i së vërtetës këtu dhe po aq i padukshëm publiku i supozuar shqiptar. 

    Duke qenë se dy nga tri karakteristikat e një monologu dramatik janë perspektiva e vetrrëfyesit dhe publiku i heshtur (2) të dyja të realizuara mjeshtërisht në këtë monolog të murgarit me veten dhe dialog me të tjetrin/të tjerët “e pagojë”, na mbetet të hetojmë udhën nëpër të cilën monologu kryen zbulimin e ngadaltë të karakterit (3) të atij që rrëfen veten me përvujtni e tronditje madhështore.

    Në strofën e parë të monologut drama zë fill me pyetjen: “Nga budallallëku im pse më nxorre?”. Murgari sapo e ka kryer misionin për hartimin e ligjeve dhe prapë se prapë nuk ndjen gëzim. Përqafimi i ligjeve nga njerëzit e atdheut të tij i duket utopi. Vetë jeta e tij si simbol i dijes, dritës, diturisë i përngjan një realiteti joreal për të tjerët jashtë shpellës. Vargu i strofës së dytë “Jam shpella ime e përvojtur imzot..” e përfon edhe më tej mendimin e patundshëm të murgarit për të tjerët jashtë habitatit të tij. Deklarata se jam shpella ime e përvojtur nënkupton të vetmuarin e pashoq në kufijtë e një përndritje që të tjerët nuk munden ta kuptojnë. Murgari rrëfen për “pak dritë, pak ujë, pak vaj”, ndërkohë që na shfaqet i pangopur me dituri.

    Strofa e tretë nis me deklaratën: “Uji, uji është drita është drita e eshtrave të mia të thara”. Përsëritja dy herë e shenjuesit “ujë, ujë” duket se bie ndesh me deklaratën e parë pak ujë. Lexuesi model zbulon se më parë ai “pak ujë” apo pak etje, duke u vënë në antitezë me pangopjen për dituri, vendos të parin shpirtin në raport me çdo gjë tjetër jashtë tij, ndërsa në strofën e tretë uji shndërrohet në simbolin e ekzistencës njerëzore. Uji si rrjedhë e dritës, uji si rit pagëzimi i të vërtetave që ngjizin kuptimin e vërtetë të ekzistencës. Uji që mungon në shpirtërat e tharë të të tjerëve jashtë habitatit të murgarit filozofi.

    Strofa e katërt dhe e pestë vazhdon të shtjellojë më tej argumentin zanafillor të monologut dramatik: njerëzit janë me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru. Është aq tragjike padija e tyre sa fjala dhe logjika nuk do të arrijë t’i shpëtojë dot. Ndoshta duhet përdorur dhe kamzhiku i xhelatit…Zvetënimi ka prekur çdo qelizë të njeriut dhe shoqërisë. Murgari trembet se as këshilltarët dhe gjeneralët e urtë të mbretit s’do munden ta kuptojnë. Monologu dramatik i mëshon një gjendje pa rrugëdalje të rrëfimtarit. Përmes përvujtnisë dhe vetmisë së tij, ai na skalit portretin e një shoqërie në kufijtë e absurdit apokaliptik. 

    Letra e tij për mbretin e një vendi që u shkatërrua dhe nuk u rindërtua më asnjëherë (ashtu si edhe ishte parathënë në Shkrimet e Shejta) shndërrohet në testamentin poetik të njeriut vizionar që parandjen shkatërrimin e një ideali, e një atdheu, e një epoke vlerash të përmbysura pa kthim pas.


    Poezia e Sadik Bejkos

    Letër Hamurabit nga murgari i shpellës Aram

    Imzot Hamurab, mua plakun e përvojtur
    pse më nxore nga shpella ime,
    nga budallallëku im pse më nxore?!
    Nën dritat e shandanëve me arin e gjithë botës
    sot po e shkruaj rreshtin e fundit në kode.

    Jam shpella ime e përvojtur, imzot…
    eshtrore, e gurtë… Më mjafton pak dritë.
    Ha tullat e librave, i brej si brejtësit.
    Më mjafton pak ujë.
    Pak vaj dua për kandilin, pak bukë.
    Më mjafton plasa e mekur e diellit në mur.
    Thinjat e mia trembin gjeneralët e tu,
    këshilltarët e tu të urtë.

    Uji, uji është drita e eshtrave të mija të thara.
    Ç’më duhen teatrot, hipodromet,
    stadiumet e vulgut… lumë, djersë dhe gjak?
    Imzot Hamurab, nuk e mbaj dot shpatën.
    Lavirhanet e tregut e të valleve
    për gjakun tim të mpakur
    nuk ngrenë dot rrjeta, as lak.

    Pse më torturon, zoti im, me sjellje të këso bote?
    Njerëzit këtu janë me nga një bodrum të zi,
    me nga një hambar terri mbi shpinë dhe nën tru.
    Kur ata bien nga shpellat në bodrumin e vetes,
    për ta s’ka më nënë, bir, mik e të dashur,
    janë më të ftohtë se një gur,
    më të thatë se një dru.

    Në atë bodrum ata shqyhen egër mes veti.
    Ti më kërkon të vë ligje për ta, të gdhend kode, imzot.
    Ata duan dhëmbët e qenit, shkopin e xhelatit,
    Imzot Hamurab, ata s’i ndreq që nuk i ndreq dot.
    … Ja, t’i hartova ligjet, merri kodet e tua,
    për mua zoti, zoti im me ligjin e tij të pamort.

    Imzot Hamurab, më i madh se qytete dhe muret,
    te shpella ku kthehem, le të mbulohem krejt me pluhur.
    Dhe uroj: në hipodromet, stadiumet, lavirhanet e tua
    nga bodrumet e zinj të njerëzve,
    u derdhtë më pak gjak dhe lot i purpurt.

    ————————————————

    (1) Howard, Claud, The Dramatic Monologue: Its Origin and Development, Studies in Philology, Vol. 4, University of North Carolina Press, 1910.

    (2) Po aty.

    (3) Po aty.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË