More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Fëmijërimi dhe absurdi në poetikën e Nafije Zogajt

    Alisa Velaj: Fëmijërimi dhe absurdi në poetikën e Nafije Zogajt

    Vëllimi me poezi “Hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes” i poetes Nafije Zogaj sjell para lexuesit shqiptar një poezi me një optikë ndryshe në morinë e botimeve me poezi në tregun e librit në Shqipëri e Kosove. Zogaj ka një filozofi të vetën për lumturinë dhe tragjiken, vdekjen dhe jetën, ekzistencën dhe absurdin, çka u jep këtyre vargjeve një lloj përsiatje të thellë e befasuese. E gjithë poetika e autores frymon në kufijtë mes fëmijërimit si kohë e patjetërsuar në përjetimet e unit lirik dhe absurdit si kohë ekzistenciale. Fëmijërimi apo përmasa e pafajësisë dhe e së panjohurës, me të cilën poetja ngjiz shumë nga poezitë e saj që lidhen me zbulimin e botës dhe vdekjes, është pafajësia që nuk duhet ta kemi humbur ende, nëse duam të mësohemi herëdokur me mungesën e dukshme të dashurisë. Pafajësia fëmijërore, e mbartur si një diell gjatë moshimit tonë, ajo që na ndihmon të ruajmë në themelet e qenies, shpirtin e dritësuar të atyre ditëve, kur vdekja jo vetëm ishte ende larg, por ende nuk kish hyrë si realitet në orbitën e ekzistencës sonë, përtërihet në vargje prej asosacioneve, dhimbjeve dhe habisë ende të qashtër të poetes. 

    Poezitë që kundrojnë vdekjen në sy, nuk kërkojnë të ndërtojnë një tjetër realitet paralel, ku vdekja mohohet, zvetënohet apo zëvendësohet me sadopak përjetësi. Aspak madje! Në poezi me një leksik të zgjedhur, por fare të drejtpërdrejta në pamje të parë, duket sikur vdekja është ende një eufemizëm gjuhësor, kur në fakt, në një lexim më të kujdesshëm, vdekja është ndërgjegjësimi më i arsyeshëm për të përkapur vezullimet e jetës. Nuk ka nota elegjiake për humbjet e të dashurve dhe te njohurve. Ka zbulim të mungesës së dashurisë, që dikur ishte pjesë e horizontit të paanë, ndërsa krejt papritur ekzistenca e unit mpaket nga shtegtimet e papritura të atyre që i paskemi ditur se do t’i kemi përherë pranë vetes, ashtu si dita ka diellin, apo natyra qiellin. Zogaj ndërton një botë poetike të papërgatitur nga ardhja e vdekjes dhe ku kjo e fundit fashit çdo gjë me fanitjen e saj të papritur, qenia rizgjohet me një tjetër kuptim për sendet dhe dashurinë.

    Babai

    gjithnjë zgjohej herët

    vishej shpejt

    largonte perdet

    hapte dritaret

    të qëllonte gati

    në rast se vdekja

    sillej aty pari

    Vdekja dhemb për gjërat e pathëna mes poetes dhe të dashurve të ndjerë. Ndaj dhe poezitë e saj nuk kanë kujë të pashpërthyer nga honet e pikëllimës, por një etje të papërmbajtur për ta mbushur me britma jete e klithma drite kohën e heshtur të të pathënave. Vdekja si shkak për të lindur sa më shumë jetë, është një mundësi për të parë më shumë ngjyra, aty ku gjithkush do të shquante vetëm zbehtësi. Ndërkohë koha e absurdit vjen si kundërshti e plotë e procesit të fëmijërimit në materien tonë shpirtërore dhe psikologjike. Absurdi i pjek frutat e veta me shpejt sesa fëmijërimi dhe me një vetëmohim për t’u pasur zili. Kjo na bën më shumë lëndorë, më pranë sendeve se pranë shpirtit. Poezia antologjike “Kur i afrohej ndonjë i gjallë” është një shumatore e mrekullueshme e çdo indi absurd të poetikës së Zogajt. E marra alegorike i trembet të gjallëve, ndërkohë që kërkon të ringjallë peshqit e vdekur. Frikë nga jeta apo frikë nga të gjallët fantazmagorikë? Frika përjetohet për më tepër pranë ujërave të peshqve të vdekur. Si një jetësim shpirti larg tjetërsimit absurd, ku zbehja quhet ngjyrë dhe ngjyrat vezullojnë zbehtë.

    Fëmijërimi dhe absurdi kanë secili regjistrat e vet gjuhësorë në truallin e poetikës së Zogajt. Gjuha e fëmijërimit evokon pezmin trishtëmbël kundrejt fenomeneve jetësore (edhe ata e kishin një të vdekur). Uni lirik shfaqet para lexuesit me bebëza të zmadhuara prej habisë. Madje, madje duket sikur rrëfimi poetik është një lloj monologu me zë të lartë, ku lexuesi, si ai shtegtari i një nate të gjatë, ka ndalur papritur në trojet e fëminisë së një të panjohure dhe dëgjon plot kërshëri zërin engjëllor të vajzukes së dikurshme, që tanimë shpërthen prej kraharorit të gruas së pjekur. Gjuha e fëmijërimit te poetja jonë ka brenda dhimbjen e fëmijës dhe pjekurinë e gruas-fëmijë.

    fëmija e pa se si nëna buzëqeshi

    dhe me këmbë drite

    iku përmes krishkave të mollës

    si nëpër shkallë  

    (“Kishte kohë që engjëjt e prisnin”)

    Për sa i përket gjuhës së absurdit, ajo ngjizet përmes një pezmatimi plot ironi. Ironia nuk vë në lojë dukjen reale të fenomeneve absurde, por konstaton si “normale” pasojat e shkakësive dukshëm anormale. Në këtë kontekst, themi se ironia e Zogajt është ironi e absurdit ekzistencial. Habitati poetik ku gjuha e fëmijërimit dhe absurdit shkrihen në një, janë poezitë ku poetja shkruan për luftën e Kosovës. Nuk ka aty patriotizëm të thekur, apo anësi për aktorët e secilës palë. Ka vetëm hone dhimbjeje për jetët e shuara. Uni lirik është i tëri një hon tragjik, ku ulërijnë e shtrigërojnë stuhitë e marra të humanëve johumanë që shpërfillin apoteozën e dritës në brigjet e tokës. Kjo tokë mund të jetë Bellanica, por mund të jetë dhe tokë e gjithkujt. Tokë ku nuk ka rëndësi kombësia e atij që rënkon nga plagët e luftës, por absurdi pa pra që na çon drejt rënkimeve të trupit e shpirtit.

    Toka e askujt

    në fshatin tim

    është një lëndinë e madhe

    dhe një mal i madh

    që nuk janë të askujt

    në atë mal

    lisat priten veç për dërrasa varri

    dhe veç për varre hapen gropa

    në lëndinë

    Në këtë poezi, poetja flet për një tokë pa zot diku në vendlindjen e saj. Simbolikisht kjo është toka që ka gjithkush pranë ndërgjegjes së vet. Është toka e njerëzimit, atdheu ynë planetar. Me këtë mit vendlindjeje në tru, ku çastet e jetës ecin natyrshëm përkrahu me vdekjen, ne do të mundemi t’i ndalim dramat e luftërave, për tokën time, tokën tënde, tokën e ndarë në ngastra me emra pronarësh. Sepse në fundit jemi pronarë të përkohshëm të një toke të përjetshme, në të cilën do të tretemi herët a vonë. Kaq drama, vrasje makabre, fëmijë të gjymtuar për një tokë atje ose këtu që është pronarja jonë (vendprehja jonë), ndërsa ne kujtojmë se jemi zotëruesit e saj.

    Të njëjtat imazhe statike që reflektojnë shpirtin, të njëjtat imazhe reflektojnë dhe absurdin. Nuk kemi pra imazhe të ndryshueshme në vargjet e Zogajt. Ylberi i ashtnorit poetik e paraqet jetën dhe vdekjen me të njëjtin ylber ngjyrash. Gjithçka tjetër është pjesë e optikës ndryshe që në duhet të mbjellim në ndërgjegje, për të qenë sa më pranë pasqyrave të mirënjohjes. Imazhet e njëjta, por të para ndryshe për shkak të optikës gjeneruese feksin që në titullin e vëllimit. Hëna nuk meket pranë të verdhës së vdekjes, por vezullon. Sepse vezullimi e mund asgjënë, ndërsa zbehja vdes në një tjetër vdekje absurde. Dhe poetja nuk e pranon kurrsesi absurdin, ndaj para tij ajo vezullon imazhet e dritës.


    POEZI NGA NAFIJE ZOGAJ

    HËNA VEZULLONTE NË TË VERDHË TË VDEKJES

    e hapi dritaren

    ishte hera e dytë që

    brenda së njëjtës natë

    u zgjua nga i njëjti ankth

    ku nëna

    siç ishte nënë i bëhej fëmijë

    dhe teksa i jepte gji

    shndërrohej e tëra në qumësht

    që i rridhte nga duart

    nga gishtërinjtë

    hëna vezullonte në të verdhë të vdekjes

    toka bënte sikur po flinte


    KUR I AFROHEJ NDONJË I GJALLË

    e kishte shprehi të fliste me zë

    t’i zhyste të dy këmbët në lumë

    me fustan t’u zinte pritë

    peshqve të ngordhur

    t’u jepte gji

    e kur i afrohej ndonjë njeri

    e përshëndeste

    ajo trembej si vremç

    pastaj e shikonte në sy

    duke buzëqeshur

    pa zë

    niste e qante


    KA EDHE NJERËZ TË MIRË

    Në këtë botë ka edhe njerëz të mirë,

    që për shembull,

    zogun me gjithë kafaz nuk e mbajnë brenda shtëpisë,

    por e nxjerrin në kopsht,

    përballë detit që vlon me zogj,

    ku është i lirë të këndojë

    sa herë të dojë

    të ushqehet me grimca dielli

    e të lahet në flladin që fryn

    nga mali prapa.

    E nëse ndodh që zogu të varë veten në këngën e tij,

    a të bjerë pa ndjenja kokrrat e diellit pa i prekur,

    njerëzit e mirë nuk vonojnë,

    e zëvendësojnë atë mosmirënjohës

    me një të ri.


    DIKUSH IA KISHTE VJEDHUR ZËRIN

    një zog përpëlitej

    degë më degë

    qiell më qiell

    me kthetra i grithte

    me kokë u binte

    e hapte sqepin

    e çante

    gjak i rridhte nga të dyja anët

    as edhe një pikë zë

    krejt çka mbante në mend ishte

    se një ditë më pare

    kishte notuar aq shumë në lumenjtë e diellit

    si i vdekur

    kishte fjetur

    në kokërr të shpinës

    me sqepin hapur

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË