“Asnjëherë s’gabojnë të vërtetën thonë fjalët/ Prej tyre s’ka më mashtrim/[…] Ajo dhe buzët e saj besëlidhëse/ Gjithë të fshehtat gjithë buzëqeshjet/ Dhe çfarë petkash zemërgjerësie/Për ta përfytyruar krejt lakuriq.”[1]
Këto vargje të poetit frëng Pol Elyar do të më vërtiteshin pambarim në kokë, ndërsa humbesha e përhumbesha në strukturat e universit poetik të vëllimit “Ave Aelia”.[2] Po çfarë shenjon vallë ky titull aspak i zakontë në një lexim të parë? Po t’u referohemi historisë dhe mitologjisë, hasim në emrin AeliaKapitolina, ku Aelia rrjedh prej emrit të perandorit romak Adrian (Aelius), ndërkohë që Kapitolina do të thoshte se qyteti i ri i ndërtuar prej këtij perandori i kushtohej JupiterKapitolinusit. Jupiteri (zot i qiejve, bubullimave dhe mbreti i zotave) ishte hyjnia kryesor për romakët, para se krishterimi të bëhej fe mbizotëruese në këtë perandori. Adriani i kushtoi Jupiterit një tempull që u ndërtua mbi rrënojat e tempullit të vjetër hebre kur pushtoi Jeruzalemin. Ky i fundit do të njihej me emrin e vjetër Aelia deri në përhapjen e krishterimit atje.
Aelia pra është trajta femërore e emrit mashkullor Aelius. Pa Aeliusin nuk do të kish lindur Aelia, sikurse Eva nuk do të kishte lindur dot, nëse Zoti nuk do të kish krijuar më parë prej pluhurit Adamin. Vëllimi “AveAelia” vendos në qendër të tij zanafillën biblike të krijimit të njeriut për ta shndërruar atë përmes përpunimit poetik në zanafillën e lindjes së dashurisë. Poeti Sarë Gjergji përshkruan me një mjeshtëri të rrallë përmasën erotike të jetësnjerëzore, duke i ngritur dashurisë një nga himnet më të bukura të poezisë shqipe. Për të,Adami mbetet i njëjti përmes rrjedhës së kohërave, ndërsa secila femër mbart patjetër nga pak Evëbrenda saj. Zbulimi i botës femërore dhe mashkullore në Librin e Zanafillës apo mëkati biblik i përjetimit të epshit (këtu nën gjykimin hyjnor), rimerret prej poetit si mëkati më i bukur dhe ëmbëlak. Miti biblik përdoret kështu thjesht si strukturë formale,ndërsa brendia e tij transformohet me një bukuri poetike të pashoqe, duke e parë erosin në përmasën e tij fizike, psikologjike dhekozmike.
“Palmuç, me gurin flas
N’vallëzim me erën
përtejqiejve të kokës sime
nën vetulla më varet muzgu!”
Erosi është trandja dhe përmbytja e burrit, qielli nën të cilin frymon qenia e tij. Dashuria, si alfa dhe omega e jetës njerëzore, përcakton strukturat e jetës dhe botës. Çdo mashkulli i duhet një Evë për t’u vetëshpallur perandor i dashurisë. Femra (erosi) shndërrohet kështu në domosdoshmërinë absolute të ekzistencës sëmashkullit. Ashtu si Aeliusi (emri mendohet se rrjedh nga Helios – Diell) ngre një tempull kushtuar perëndisë Jupiter dhe e quan Aelia qytetin e pushtuar mbi të cilin ngre tempullin, ashtu çdo Adam ka për zotërim të tijin një Evë, mbi qenien e së cilës ka ngritur tempullin e dashurisë. Shën Eva, Shën Aelia, apo Shën Diellza e Adamit shumëfishohet në një mijë, dhjetë mijë, njëqind mijë, një milion eva, aelia apo diellza të tjera, për aq mijë apo milionë adamë që jetojnë qyteteve të botës.Shën Diellza apo Shën Dashuria është për mashkullin domosdoshmëri dhe zotërim, luftë dhe paqe. Gjergji zbërthen psikologjinë e botës mashkullore me një kthjelltësi dhe qartësi solomonike. Në vargjet e tij endet erëmimi dhe etja erotike e Këngës së Këngëve, zjarrmia e shpirtrave dhe trupave që shkrihen nga pasioni kopshteve të dashurisë marrafrymëse.
“Aromë frutash
si një frymë hyjnore
ndjehet në Eden
ekockat e mia shenjtërisht m’i ndez
ti që mban e thyen boshtin e universit”.
Në një tjetër kontekst, thuajse të mezidukshëm edhe për një lexues model, ndryhen frikërat e nëndheshme të një shqetësimi thellësisht tokësor. Subjekti poetik (perandori Adam) druhet se mund ta humbasë diku dikur perandorinë e tij, Ave-Evën. Në fund të fundit të gjitha perandoritë zhduken një ditë. Aelia është harruar me kohërat. Po a nuk është kaq e dhimbshme të humbasësh atë qe e ke ndërtuar si shtëpinë tënde, si zotërimin tënd?!
“Eva lindi në kopsht/ Shtëpi e Adamit u bë…”
Ky vëllim poetik mund të lexohet dhe si një reminishencë biblike e rrugëtimit të qenies njerëzore, apo nostalgjisë edenike që fillojmë ta ndiejmë në shpirtrat tanë, sa herë ndiejmë pikëllimin për këtë botë përherë e më pak të përsosur ku jetojmë.
“Në dheun e Nodit
Adami ndien
se shpirtit frymën trupi ia zë.”
Shembja e një dashurie rimerret sërish përmes alegorisë biblike, ku rebelimi i së dashurës, ose përmbytja e Shën Adamit vjen para lexuesit si tronditja e themeleve të një qytetërimi. Ajo, mëkatarja e pakohë, Eva rebelohet kundër mashkullit dhe vetvetes njëherësh. Ajo, brinja e brinjës humbet madhështinë, duke braktisur tragjikisht vetveten dhe atdheun e saj qiellor! Mashkulli i mohuar prej dashurisë nuk e braktis kurrë diellin e tij nostalgjik, duke i shëmbëllyer një perandori të hutuar, në gërmadhat e qytetit që e pushtoi me pasion pushtuesi, për ta humbur një ditë krejt papandehur. Duket si një mallkim i dyfishtë. Ajo braktis Adamin, kur dhe vetë ai ka braktisur me parë të njëjtin atdhe me të sajin. Në qeniet dashurore qenkemi përherë kështu, me një papërmbushje të pambarimtë, për sa kohë besuam në një besëlidhje të përkohshme, tokësore, dhe i kthyem shpinën besëlidhjes hyjnore. Ndaj shpirtrat e dashuruar do të ndiqen përherë nga një hije shpagimi dhe gjendje paplotnie.
“Eva, shpalljen kundër qiellit shkruan: Adami vdiq
Ky, në shpirt e ruan: diell…”.
Atëherë duke kaluar në një sferë filozofike shtrojmë pyetjen: Përse do të na vlente braktisja e një besëlidhjeje të vjetër, nëse një besëlidhje e re, jo vetëm që nuk do të na bënte më të lumtur, por do të na shpinte drejt mpakjes së lirisë? Vetëm kur dashuria të vijë si mision i çdo kohe në ikje dhe në ardhje, e tashmja e evave dhe adamëve do të endet si mall zemre dhe frymë dashurie në ujërat mes tokës dhe qiellit.
[1] Pol Elyar, shkëputur nga poezia “E kaltër toka si portokalle”, vëllimi poetik “E kaltër toka”, Përkthyer nga Ilia Lëngu, Vëllezërit Tafa, Tiranë, 2004, f. 31.
[2] Sarë Gjergji, “Ave Aelia”, Adonis, Durrës, 2018.