More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAli Aliu: Bardhyl Londo “Shën Shiu”

    Ali Aliu: Bardhyl Londo “Shën Shiu”

    Libri me poezi i Bardhyl Londos “Shën Shiu” vjen i veçantë për disa arsye: rikonfirmon fuqinë krijuese të zërit lirik, dëshmon qëndrueshmërinë e vijës më të talentuar krijuese në traditën poetike të shqipes gjatë gjysmës së  dytë të shekullit që shkoi dhe në vazhdim, sjell dëshminë e pjekurisë jetësore, intelektuale dhe filozofike të autorit, dëshminë e shqetësimit konstant krijues të tij përballë botës së pandreqshme…

    Libri me poezi “Shën Shiu” përfshin në vete pesë cikle frymëzimi tematik që, secili është libër në vete: i lidh, pos ekspresionit, një shqetësim bosht e që vjen mungesë ngasëse, gri përditshmërie, pezull dhe boshësi, e në çaste edhe pasiguri dhe kërcënim latent. Vjen jehonë thellësish kjo mungesë e esencave dhe  kuptimit, e pranishme pandërprerë në rrjedhën kohë,- dje, sot, nesër…

    Cikli i pare, i librit “Shën – Shiu”, “E zeza tragjike e Ballkanit”, hapet me poezinë “Rikthimi në tempull” që kumton shfaqjen në horizont dritën e një rikthimi,- e kthimit të përhershëm. Nuk ka rendësi mëtimi dhe misioni i këtij kthimi , nëse vjen dhe e  ripushton kështjellën e ëndërruar të muzës, apo rrënjët e lashta të etnisë antike,- frymë që i përshkon edhe poezitë e ciklit vijues “E kaltra e Makit”; kthimi a rikthim vjen gjithnjë i përtërirë  si Frymë dhe Panteon njëkohësisht; është shfaqja e rikthimit si një agim i bardhë që shkrep çdo ditë e gjithnjë i ri, gjithnjë për here të pare njësoi si loja e dashurisë, rikthim që mbase është më i vështirë se kthimi në Itakë, – prandaj edhe më i bukur…

    Edhe pas mungesës, përkatësisht boshit të pranishëm në hapësirë të cilën njeriu që nga fillimet ëndërron ta përmbushë, ta kuptimësojë, vargjet e poezisë në hapje të librit, jehojnë krah-parabolë për tu kapur dhe komunikuar me akrostikun e sonetit përmbyllës të librit “Ata që erdhën dhe do të vine”, që është: “Falna Krisht Amin”, tek i cili poeti, poezia shtrydh lëng bukurie edhe nga ligësia dhe krimi që i evokon si të kaluara-të përhershëm, të pranishme dhe në rritje edhe në botën shqiptare.

    Në dy ciklet e parë, – kryesisht shtegtime reale dhe virtual të poetit, lashtësive etnike (Çamëri-Kalabri…) është kornizuar hapësira-kohë reale, e zënë në çaste ngjizjeje dashurie a përgjërimi, malli a vetmie, gëzim a pikëllim, gjithnjë në sensin e ndjenjës që lidh të tanishmen me të kaluarën. Është frymëzim ngasës që shtresimet shpirtërore, vlerat, i mbron nga korozioni i shiritit kohë. Këto vargje, kanë, po ashtu, edhe ngarkesë sociale, historike, dramën, dritën e vizionit në horizont… Vargje ku portret – kontakti me figurat e ndritura të etnisë, nuk kërkon mbështetje në të dhëna historike, formale për ta xigluar lexuesin: pamja e jashtme dhe brendia shfaqet drejtpërdrejtë  dhe evokim i shkrepshëm, si shpërthim me ndriçim estetik.

    Vargjet e këtij rrethi frymëzimi rrezatojnë  aromë thellësisht të rrënjëve dhe kanë ngarkesën e vetëdijes së kohës kur ngjizet poezia. Është pikërisht ana e fuqishme e lirikës së Bardhyl Londos, – ofron emocione dhe reflekse parabolike në kohë dhe hapësirë.

    Përballë poezisë Shën Shiu – cikli it retë i librit-, që vërshon me force lirike hapësirën, qëndrojnë edhe gjashtë poezitë e tjera, e që në fakt janë degëzim i saj. Edhe vargjet e poezisë “Maskat”, shtigjeve dhe rrugëve të shumta turren të acaruara drejt pushtimit sa më shumë hapësirë; Qentë gjithashtu përdhosin dhe kontaminojnë qytete dhe mbarë hapësirën. Shqetësimin dramatik dhe anatemën, poezitë e këtij brezi tematik e kanë vetvetiu, në vete. Poeti ndërsa, dashamirësisht apo ironikisht njësoj, vetëm në çaste, klithlutet,- le të kenë mëshirë maskat, pa le qentë…Janë vargje të thurura me fjalëngarkuarat e zgjedhuraqë vijnë ekuivalent verbal i asaj që “shihet”, që “preket”, që “dëgjohet”. Përmes autonomisë së plotë të fjalës , arrihet “zbutja”, “zotërimi”, “fisnikërimi i lëndës bruto. Prirja drejt gjuhës-bisedimore lirike e poezisë “Shën Shiu”, (me traditë majakovskiane)me këtë rast fuqimisht e thekson, brenda tërësisë së vet, poentimin poetik. Është gjuhë poetike që nuk e përjashton me çdo kusht prirjen për të rrëfyer.  Ngjashmëria e fjalëve sipas tingujve, sugjeron afërsi në sensin kuptimor, krijon hapësira dhe mundësi shtesë për variacione estetike dhe kuptimore, hapësira të reja stili gjuhësor. Poetika e tillë mëton të përfshijë të pathënën përmes konvencave, që me këtë rast arrihet përmes shtatë poezive të përfshira në ciklin “Shën Shiu”. Fjala e sfiduar këtu, nxitet, gatuhet nga një spektër e vizion, ngjashëm me vargjet e Azem Shkrelit “Lirikë me shi”, dhe “Ç’gurron guri” të Ali Podrimjes. Fjala është për aventurë poetike që ka mbështetjen e besimit: kreacioni artistik ka ngasjen e refleksit të vetëdijshëm në sens të përzgjedhjes së tingujve, të ritmeve dhe tonaliteteve, përzgjedhje fjalësh dhe fizionomi fjalësh që në poezitë e zëna ngoje fjalëformimi është ajo që e përcakton reflektimin domethënës, kuptimor. Rezultati poetic me këtë rast vjen shpërthim i sensacioneve të forta, shtrirje të ndiesive e pamjesh të fuqishme asociative. Shpërthejnë roitje të bujshme të pamjeve lidhur varg, poetikë  që sugjeron diskurs gjuhe të ngarkuar me pushtet të fuqishëm emocional.

    Ngjyrimi i aventurës poetike, spektri i emocioneve, i ngasësit të refleksioneve është i veçantë dhe dallues mes tri poezive të përmendura më sipër: Bardhyl Londo ka shqetësimin e pranisë së ligësisë në përditshmërinë tone dhe në atë mbarë njerëzore; Azem Shkreli thur mozaik magjik të një pamjeje gjithësie, të një peizazhi ujor paqësor, ëndërror në ndjellje, buisje shiu që vjen sinfoni parajsore, mbase edhe për të shuar etjen, për ta vënë në përgjumje, në qetësi engjëllore gjithësinë, mbase për të sjellë një kumt pëshpëritës nga thellësitë e rrënjëve, apo përgatitje për shiun n që shpëlan kurm e shpirt… Podrimja, gjithnjë brenda vizionit të tij të njohur  mbi etninë, sjell, përmes simbolesh, rrënjët antike të saj, të etnisë, qëndresën nëpër kohë dhe hapësirë,- gurrojnë dhe gurrojnë pa ndërprerë gurët si një ardhje me pamje sa tokësore sa qiellore, si një shtrirje pa fund e pamjes – bardhë, bardhë. Shiu i Bardhyl Londos vjen shigjetim shitues, mbase edhe ndëshkim qiellor, biblik, fajesh dhe mëkatesh. Shiu i Azem Shkrelit rrezaton qetësi dehëse që merr në dorëzim gjithësinë, që rrafshon laramanitë, vjen  pajtim e mirësi qiellore, vjen pastrim katartik. Podrimja ndjell vision idilik arbëror ndër shekuj, ndjell gurrërim të përjetshëm ndër dejt e etnisë…

    Gjithnjë në frymën e këtij stili gjuhësor, të kësaj poetike, (të kujtojmë insistimin valerian se kreativiteti poetik është prurje edhe e përqendrimit të ndërgjegjshëm) durimi i përzgjedhjes tingullore dhe ritmike, tek poezitë e këtij cikli sidomos, artikulon zë të fuqishëm poetic të Bardhyl Londos. Përshkëndijimet që me këtë rast rrezaton vargëzimi i fjalëve të përzgjedhura, vërshojnë sa si valë të vrullshme, të shkumbëzuara, që në çast të qetësohen, të frenohen sinkopueshëm, duke rrezatuar tension të brendshëm, ngulçitës. Veset dhe ligësia, të regjistruara në poezi,, me prirje shtrirjeje në hapësirë, sikur gjenden aty rastësisht, incidentalisht, pa zot. Fjalët Shtetarë- Shtegtarë përshembull qëndrojnë të përafërta si tingëllim, por të largëta, për më shumë të kundërta për nga kuptimi. Në këtë sens rrezaton refleksi poetic, në këtë frymë e nget lexuesin në monologun bisedimor. Poezia në përmbylljen e librit (Ata që erdhën dhe do të vine) vjen prandaj si një ngushëllim pikëllues me akrostikun Falna Zot Amin, për krejt mëkatat e bëra dhe të mundshme…

    Kjo mund të jetë perspective soditëse e poetit: marrosja e maskave, në një ditë marroke marsi (shqiptar), që përsëritet sipas një kalendari fatal e që sjell vizionin dhe shijen e hidhur të poezive të ciklit në tërësi, por edhe të ciklit që pason “Fluturimi i korbave” që shfaqet përmes pesë hovesh: brenda njeriut korbat lindin dhe rriten, – për të rinisur fluturimin e zi në pambarim… Në grinë e përditshme, vritemi duke e urryer njëri-tjetrin… Njëra ndër poezitë më të bukura, karakteristike edhe për profilin moral dhe estetik të njohur të këtij poeti është poezia Revolver, arma që i qëndron armiqësisht prore  e ngrehur në ballë e që kurrsesi të shkrepet: Mos u lodhni më kot, – Mua mund të më vrasin vetëm miqtë…

    Cikli i fundit i librit Shën Shiu “Dhjatë e përmbysur”, vjen dëshmi e pjekurisë jetësore dhe krijuese, dëshmi urtie e lirikut të shquar. Janë poezi që dëshmojnë fuqinë shprehëse të mundësive krijuese të poetit, mundësitë e gjuhës në duart e tij, dëshmi e pjekurisë filozofike në perceptimin e botës dhe realitetit. Shqetësimi poetik në vargjet e këtij cikli vjen urti e shtresuar natyrshëm në kohë, i heshtur zëshëm. Brezi tematik i këtij cikli (biblik) që bredh plot kërshëri dramës njerëzore që nga thellësitë mitike dhe biblike në sensin e nxjerrjes së të vërtetave, të mbështjella apo gjysmë të mbështjella mjegull thellësish, janë në frymën e prirjes për depërtim edhe tek shtresimet e papenetrueshme, gjithnjë në kontakt me një skenë dhe perspektivë prej nga njeriu gjakon deshifrim të enigmave dhe s’mundet…

    E pranojmë lirikën e tillë të Bardhyl Londos që mëton pikërisht ato thellësi të cilat kanë aromën e së tanishmes, kanë ngarkesën dhe vetëdijen për hapësirën dhe kohën në të ciën ngjizen. Është ndiesi kjo, do të thoshim, është ana më e fuqishme e kësaj lirike, poezi që ofron emocione dhe reflekse parabolike në kohë dhe hapësirë. Vargjet e përfshira në këtë cikël kanë ngarkesën e rrjedhave njerëzore në kohë, sjell përqasje e ngjashmëri personazhesh mitologjike, biblike, fiksione gjenisht të gjithëkohshme, bëma dhe pamje që nxisin buisje të asociacioneve dhe reflekse të përafërta, të gjalla, të prekshme si prani e përhershme në përditshmërinë tone. Rrezatimi i ndjesive filozofike dhe morale i kësaj poezie, formatimi estetik i saj, insitimi në poentim të heshtur, të pazëshëm, poentim që shfaqet vetvetiu, si shqetësim konstant dhe përherë i zgjuar. Janë plagë-gozhdat që njerëzimi i bart që nga fillimet, në gjakim të përhershëm për t’i shëruar, – e s’munet. Qartësia e këtij rrugëtimi dramatik në horizontin poetik të Bardhyl Londos, vetëdija e kthjelltë për këtë positë dhe perspective të tij, të njeriut, e bën të natyrshëm shqetësimin e botës krijuese të Londos. Është poezi hapje ndaj jetës që në pafundësi ndryshon dhe ribëhet. Poezi, – që nga fillimet e Bardhyl Londos, pledoaje për fisnikërimin e shpirtit, insistim për të mos pranuar rrafshimin e kufirit mes së mirës dhe së keqes, refuzim indiferencës përballë brutalitetit dhe dhunës, – në të njëjtën vale me bringën e Lasgushit – poeti është fajtor për çdo krim që ndodh në botë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË