Kreu Të ndryshme Alba Kepi: Kalabria ky “kopësht ekzotik”!

Alba Kepi: Kalabria ky “kopësht ekzotik”!

“Kalabria është një kopësht i madh, një nga vendet më të bukura që mund të gjesh mbi tokë”, shkruante më 1847 piktori e shkrimtari anglez, Edward Lear, i cili udhëtoi për 40 ditë rreth e qark tokës kalabreze, duke ndjekur rrugëtimin antik romak Egnatia, që e solli më pas deri në Shqipëri.

Pak vite më vonë thuhet, (dhe pse nuk ekziston një dokument letrar i shkruar, por kalabrezëve i pëlqen aq shumë sa nuk e vejnë më në dyshim), se simboli i dekadentizmit europian Gabriele D’Annunzio do ta përshkruante si “kilometrin më të bukur italian”, një vijë bregdetare rreth 800 km që harkon majën e “çizmes” së Gadishillut Apenin.

Sot dhe pse nuk është më e njëjtë si në kohën e udhëtimit këmbësor të Lear, Kalabria vazhdon të jetë po kaq e “ekzotike” siç e përshkruante ai, e kalabrezët ruajnë ende shpirtin e pandotur nga veset qytetare borgjeze me krenarinë e të qënit “meridonal” (jugor) si dikur kur intervistoheshin nga “intelektuali skandaloz” i ‘900 italiane, Pier Paolo Pasolini.

“Në Kalabri, do shkruante Pasolini, është kryer krimi më i rëndë , për të cilin nuk do mban përgjegjësi askush. Është vrarë shpresa puro (e pastër) pak anarkike e fëminore e atyre që jetuan para historisë e kanë ende përpara tërë historinë.”

E Pasolini kishte të drejtë sepse ky territor që sot quhet Kalabri 15 shekuj para lindjes së Krishtit quhej Italia, e banohej nga fisi antike Itali. E këtë fakt historik kalabrezët nuk e harrojnë e kur biseda është shtruar e ngacmimi inelektual prek sedrën e tyre, ata përgjigjen “jemi kalabrezë para se të jemi italianë”.

Kur mbërrin në Kalabri si nga toka apo nga deti mendon se natyra ka qënë kaq zemërgjerë me të. Male e lugina me bimësi mesdhetare të larmishme e të rralla sa janë qytezat e banorët që e popullojnë, deti Jon e deti Tirren formojnë gjire, golfe e plazhe të fshehura që banorët i konservojnë me xhelozi nga turizmi i masës e dëshmi të një multikulturalizmi të imponuar nga historia por që kalabrezët e kanë vlerësuar në pasuri sociale të popullsisë së tyre të hershme e të sotme.

Qifti shqiptar në zemër të Parkut më të madh natyror

Në këtë perimetër tokësor, unik, ku fliten 4 gjuhë zyrtare (italishtja, arbërishtja, gjuha greke e oçitane) e dhjetra dialekte që ndryshojnë zanoret nga një provincë në tjetrën, gjëndet një nga magjitë natyrore të jugut të Europës. Është Parku i Pollinos, parku më i madh natyror në Itali, parku më i shtrirë (i gjerë) i Europës e pasuri e Uneskos. Në zemër të tij jetojnë rreth 1000 banorë që Kalabrinë e quajnë Kalavri e për veten thonë “jemi arbëreshë nga Shqipëria e kalabrezë prej motë’c”.

Janë banorët e qytezës Qifti apo Civita në gjuhën italiane. Mes pllajave të larta deri në 2200 metra, qyteza arbëreshe shfaqet si një relike mesjetare urbane, të cilën vendalinjë e zonës e thërrasin “qyteza mes shkëmbijve.”

Kanë kaluar mbi 5 shekuj që ata ndodhen mes shkëmbesh, në një tokë që e duan po aq sa dhe Arbëria e tyre.

Sa më shumë i afrohesh këtij parku aq më gjigand e shkëmbor duket Mali i Pollinos prej të cilit ka marrë dhe emrin. Pishat antike mbi 1200 vjecare krijojnë guidën e parë natyrore drejt “qytezës mes shkëmbinjve”- Mbi 400 metra mbi detin, Civita shqiptar ka një reliev natyror magjepës, i rrethuar nga kanionet e lumit Raganello, nga bimësia e pllajës së Pollinos e mban kurorë mbi krye Malin Raza (Rrëza).

Civita është një nga 50 komunat arbëreshe që janë të pozicionuara në 5 rajone të ndryshme italiane. Arbëreshët, katundin e tyre e thërrasin Qifti, fjalë që mban kuptimin “vetë i dytë” në shqip, por me versione të ndryshme të historisë së emrit.

Shumë e lidhin me dy lagjeve kryesore të saj; San’Antonio e Magazeno, të tjerë me morfologjinë e fjalës qifti-shqiponja, apo me fjalën latine civitas-qytete. Të tjerë interpretojnë vendodhjen gjeografike me historikun e banorëve, e që ky emër mund të kujtoj folenë e shqiponjave. I fshehur mes shkëmbinjeve e mjaft pranë kanioneve ishte vendi ideal për t’i shpëtuar barbarisë së ushtrisë turke, që pas vdekjes së Gjergj Kastriotit, detyroi mijëra arbëreshë të braktisin atdheun e tyre.

Vizita në qytezën arbëreshe është surpriza e parë që të rezervon ky krah i Kalabrisë. Emrat e rrugëve, shkollat, ndërtesave publike, janë në dy gjuhë; shqipe e italiane. Në mes të katundit, në sheshin “Skëndërbe”, ndodhet Bashkia në ballkonin e së cilës valëviten flamuri italian dhe ai europian. Është një ndërtesë e rëndësishme trekatëshe që dallon nga ndërtesat e tjera, e përballë së cilës ndodhet Kroji i katundit. Nuk ka qytezë arbëreshe pa kroin e vet, vendi i preferuar i gjitonisë.

Në krahun e djathtë të Bashkisë, mbi një piedestal gurash e në një vend strategjik që sheh nga Mali i Pollinos, ndodhet busti i Skëndërbeut. Është orar dreke e një grup fëmijësh janë ulur buzë monumentit e bisedojnë vesh më vesh sikur t’i ruhen qetësisë së tij. Jeta rjedh shtruar në rrugicat e katundit, të ngushta e gjarpërushe me sytë kureshtarë e të rezervuar të banorëve. Rugicë pas rrugice shpreson të gjesh në ato sy qiftjotin e moshuar, fotografia e të cilit kokëulur e në këmbë, ndësa priste të shiste arkat me kajsitë e mbledhura në kopështin e tij, mori me mijërsa klikime në internet e meritoj faqen e parë të një prej gazetave më të rëndësishme kombëtare.

Një nga “bizhuteritë” historike të katundit Qifti: Muzeu Etnik Arbëreshë.

Muzeu Etnik nuk ka dry e as celësa. Ai ruhet nga të gjithë me portën hapur në çdo orë të ditës. Që në prag dëgjohet muzika e këngëve arbëreshe që mbushin të dy katet e tij. Gjen aty kostumet arbëreshe burrash e grash të periudhave të ndryshme kohore, harta të vjetra të Arbërsisë antike, objekte të zakoneve të jetës së përditshme arbëreshe, libra të vjetër, fotografi e dokumente historike të banorëve të parë të kësaj qyteze se Qifti mori jetë më vitin 1471 e nisi të popullohet me banorët e parë në harkun kohor të viteve 1470-1490.

Profesor Vincenzo Bruno është një historian i respektuar i zonës, është dhe kujdestari i këtij Muzeu. “Nuk jam drejtor thotë, cdo gjë e bëjmë me punë vullnetare e për këtë muze kemi punuar të gjithë ciftjotët.i Ai thotë se ka rreth 30 vite që u ndërtua bërthama e parë e këtij muzeu. “Është një vandecum për komunitetin tonë arbëreshë, shprehet ai, janë prova të jetës tonë të përditshme, elementë të ezkistencës arbëreshe në këtë territor, “Ky muze , shton, u krijua me një financim të Komunitetit Europian, por më pas e deri më sot pasurohet, ruhet e kujdeset nga kontributi vullnetar i banorëve të Qiftit.

Një nga evente kulturore më tipike e të rëndësishme për këtë qytezë arbëreshe është Festa e Valles. Ajo festohet cdo vit në ta martën e parë pas Pashkëve dhe evokuar fitoren e heroit tonë kombëtar Skëndërbe kundër Turqve për clirimin e Krujës më 24 prill 1467. Sipas kalendarit të kohës kjo ditë përkonte me të martën e parë pas Pashkëve. “Në festën e Valles, thotë Profesor Bruno, vashat e gratë e Qiftit veshin të kostumet tradicionale arbëreshe që ruhen në cdo shtëpi. Këndojnë, vallëzojnë, gjarpërojnë nëpër rrugë, e imitojnë kapjen e robërve sic bëri Skëndërbeu me turqit në betejën e Krujës. Këndojnë këngët tona arbëreshe si Kënga e Skënderbeut, Kënga e Doruntinës, etj.”

Prej qershorit të vitit 2019 Muzeu etnik arbëreshë është etiketuar si Muzeu me interes strategjik rajonal, fakt që e bën të jetë pjesë e rrjetit institucional të muzeve në të gjithë rajonin e Kalabrisë, e që favorizon aktivitetin e tij . Njëherësh është një vlerësim për cilësinë e tij, akseset e standartet e sigurisë të përcaktuara në nivel kombëtar.

Dhe pse në Civita si pothuajse në të gjitha komunat arbërshe flitet gjuha shqipe, mungesa e mësimit të saj korrekt nëpër shkolla preokupon banorët. Profesor Vincenzo Bruno thotë se “aktualisht mësimi i gjuhës shqipe nuk është i detyrueshëm nëpër shkolla. Por mund të realizohen projekte një vjecare për mësimin e saj dhe në orët e lira pasdite, pas shkolle.”

“Shtëpitë folëse!-Shtëpitë “Kodra”

Një karaktersitikë unike e arkitekturës urbanistike të qytezës arbëreshë janë “shtëpitë folëse”, banesa të vogla pjesa ballore e të cilëve me dritaret, portën e oxhakun krijon idenë e pamjes së fytyrës së njeriut. Njihen ndryshe dhe si “shtëpitë Kodra” për shkak të ngjashmërisë së tyre primitive me stilin artistik të piktorit të madh shqiptar Ibrahim Kodra. Porta qëndrore kujton buzët, dy mini dritaret në katin e dytë ngjajnë me sytë e oxhaku që shfaqet në relievin e fasadës është hunda që merr forma e madhësi të ndryyshme.

Qyteza arbëreshe Qifti ka hyrë në listën e fshatrave më të bukura italiane si dhe është vlerësuar me Flamurin e Verdhë, për cilësinë turistike e ambientale, cmim ky i përcaktuar nga Shoqata kombëtare Touring Club Italia, e cila promovon turizmin në tërë territorin italian.

“Udha e Bulervet”, (“Via dei Nobili” në gjuhën italiane) të drejton në pllajën e Pollinos, një spektakël natyrir që të lë pa frymë. Një grup turistësh gjermanë shoqërohen nga Mikele giuda e zonës- “Kjo qytezë arbëreshe, thotë ai, ndodhet në portën hyrëse të Parkut të Pollinos. Nga këtu pasi kalon kanionet e lumit Rganello e pllajën e Polinos, mbërrin në majat më të larta të Italisë Jugore sic është Maja “Dolcedorme” e lartë 2267 metra. Qifti arbëreshë, thotë ai, është pozicionuar në territorin më të madh natyror, pasuri e UNESKO-s. E jo vetëm kaq, në rreth 200 mijë hektarë tokë që mbulon Parku i Pollinos, ndodhen gjithsej 8 komuna arbëreshe.

“Codex Purpureus Rossanensis” / Memory of the world

Vetëm pak kilometra larg Qiftit arbëreshë, Kalabria të servis një dëshmi unike të historisë së saj. Në Komunën e Rossano-s është zbuluar Ungjilli më antik në botë, i klasifikuar në kategorinë “Memory of the World” pasuri e Uneskos.

“Codex Purpureus Rossanensis”, Kodi i purpurtë, ruhet në Muzeun Dioqezan i Arit të Shenjtë të qytetit e është një dorëshkrim biblik në gjuhën greke që përmban Ungjillin sipas Matteos e Markut e një letër të peshkopit e shkrimtarit antik grek Eusebio. Kodiku i i Rossano-s quhet i Purpurtë për shkak të fletëve ngjyrë të purpurtë që ai ka, ku shfaqen një seri figurash në miniaturë që ilustrojnë jetën e predikimet e Jezusit të shoqëruara me tekse të shkruara në ar e argjendë.

Kodiku i purpurt u gjet nga teologu gjerman Adolv Von Harnack më 1879 në katedralen e Shën Mërisë së Shenjtë të Rossano-s. Konsiderohet një nga dorëshkrimet më antike të Testamentit të Ri të Biblës së Krishterë i shkruar në shekullin V-VI të e.s

Ari jeshil i Kalabrisë

Nuk mund të thuash se ke vizituar “kopshtin ekzotik” te Lear pa shijuar, pijen cedrata, analkolike, freskuese me aromën natyrale të frutit të qitros.  

Një rivierë qindra hektarësh me pemë qitro rrethojnë Kalabrinë, favorizuar nga klima e terreni. E quajnë “ari jeshil i Kalabrisë” e ka konsorciumin e saj zyrtar në qytezën Shën Maria e Qitros (Santa Maria del Cedro. Me një prodhim prej mijëra kunital në vit, ky fryt është një nga produktet me një eksport të konsiderueshëm në territor, e që përdoret mjaft në industrinë farmaceutike, kozmetike, në pasticeri, kuzhinë, por dhe në kultin fetar të hebrenjve, të cilët e konsiderojnë frutin më të bukur mbi tokë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Durs Grünbein: Fjalët, çfarë janë ato, miq apo armiq?

Intervistoi Arno Widmann(botuar më 30.10.2020, në Frankfurter Rundschau) Përktheu nga gjermanishtja Valon Veliqi Z. Grünbein, cila...

“E verdhë mbi të zezë”, cikël poetik nga Nafije Zogaj

GJETHE TË GJELBËRTA FILLUAN TË BININ dielli u shkëput nga yjetqë i rrinin larg zërit të zi të natësu...

“Kush ma gjen lisin e moçëm?” tregim nga Mehmet elezi

1. Qyteti dhe vetë kalaja mbi lumë u mpakën prej tute. Çka po u shihnin sytë, nuk ishte parë...

“Paris mon amour”, tregim nga Roland Gjoza

Nuk e di a beson në Krisht e, nëse beson në Krisht, beson dhe te Viktor Hygoi, i cili ta dëgjon fjalën...

KATEGORITË