Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe është një nga ato ngjarje madhore, që, sikundër Kongresi i Alfabetit i Manastirit, ka zënë vend tashmë jo vetëm në historinë e gjuhësisë shqiptare, por edhe në historinë e popullit shqiptar. Me të drejtë Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe Kongresi i Alfabetit i Manastirit janë parë si dy ngjarje madhore simotra në vlerat e në frymën e tyre jo vetëm shkencore e kulturore. Vlerat e mëdha të këtyre kongreseve tashmë janë të njohura e janë jetësuar në gjithë botën shqiptare.
Siç dihet, Kongresi i Drejtshkrimit sanksionoi përfundimisht fizionominë e variantit letrar (standard) të gjuhës shqipe, që ishte arritur përgjithësisht në praktikën gjuhësore disavjeçare. Mbajtja e tij nuk ishte vetëm detyrë, por edhe dëshirë e kahershme. Kush e përjetoi atmosferën që krijoi ky Kongres, sidomos gjatë punimeve të tij, e ka ndier plotësisht si delegatët po merrnin përsipër përgjegjësi e detyrim shkencor, me vullnet të lirë e me përkushtim, të vetëdijshëm për këtë vepër aq madhore e historike për popullin shqiptar. Solemniteti dhe entusiazmi drithërues që sundonin ishin të natyrshëm e të përligjur, mbi të gjitha se Kongresi i Drejtshkrimit, si institucioni më i lartë i përkujdesjes për gjuhën tonë, mishëronte e përmbushte dëshirën e bashkësisë sonë kombëtare.
Kongresi shprehu qartë idealin kombëtar të përbashkimit, i paraprirë dhe i udhëhequr nga dy ide të fuqishme: “Një komb – një gjuhë (letrare)” dhe “Gjuhë letrare e njësuar mbi bazën e bashkëveprimit ndërdialektor”. Tëdyja këto teza rridhnin vetiu nga realiteti historik e gjuhësor dhe njësoj përshkoheshin nga e njëjta frymë e bashkimit kombëtar. Konsulta Gjuhësore e Prishtinës (1968) dëshmoi gjithashtu, ndër të tjera, se praktika gjuhësore ishte e arrirë për të zgjidhur çështjen e një varianti të njësuar (letrar, standard) të gjuhës shqipe, – shtysë e fuqishme për një kongres gjuhësor mbarëkombëtar.
Kongresi mblodhi në kuvend personalitetet më të shquara intelektuale të kohës, nga të gjitha fushat e veprimtarisë krijuese dhe nga e gjithë bota shqiptare. Përcaktimi e formulimi i parimeve të përgjithshme të drejtshkrimit të gjuhës letrare, në pajtim me veçantitë morfostrukturore të shqipes, ishte një nga arritjet më kryesore. Ato udhëhoqën punimet e Kongresit, përligjën zgjidhjet drejtshkrimore e mbështetën shkencërisht rregullat e drejtshkrimit. Por Kongresi e shtriu vështrimin shkencor përtej fushës së drejtshkrimit, si në nënsistemet e tjera të gjuhës, ashtu edhe në fushat e përdorimit të saj. Në këtë vështrim ai është quajtur edhe Kongresi i gjuhës letrare të njësuar.
Kongresi me punimet e veta pati produktivitet të lartë e dha më pastaj fryte të mira, sidomos në dy drejtime:
– Arritja e parë e shënuar ishte shtrirja e përdorimi i gjuhës letrare (standarde) në komunikimin publik e zyrtar, në shkallë të gjerë, të shpejtë e të njësuar, në ato fusha ku është e domosdoshme (si shkolla, veprimtaria administrative-juridike, por edhe një pjesë e krijimtarisë shkencore, publicistike, letrare etj.) në të gjithë hapësirën shqiptare.
– Arritja e dytë po aq e shënueshme ishte hartimi i veprave gjuhësore kodifikuese; pas Kongresit e si porosi të tij, u hartuan, siç dihet, “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe”, “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe”, “Gjuha letrare shqipe për të gjithë” e më tej vepra të tjera madhore, po ashtu kodifikuese, si “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” etj. Me këto vepra iu dha mbështetje edhe kulturës së gjuhës.
Në Kongres u mbajtën kumtesa shkencore nga të gjitha fushat e gjuhësisë dhe për shumë fusha të përdorimit të gjuhës (ligjërimet, të folmet, letërsia etj.), çka i dha atij përmbajtje të gjerë, jo vetëm si kongres drejtshkrimor, por thuajse për të gjitha nënsistemet, siç është pohuar edhe më parë.
Po të ndalemi pak në fushën e leksikologjisë, të tilla ishin kumtesat për leksikun e frazeologjinë shqipe ose për formimin e fjalëve e brenda tyre për semantikën leksikore e mbishtresimet stilistike, ligjërimore etj., që nuk lidheshin formalisht me drejtshkrimin dhe me kërkesat sipas parimeve të përgjithshme të tij, por me kritere të tjera specifike të normës në leksik, duke përfshirë kryesisht tri burimet e pasurimit (fjalëkrijim /neologji/, leksik dialektor e huazim), të lidhura ngushtë edhe me kërkesat e kulturës së gjuhës. Kongresi iu përmbajt parimit themelor për normën në leksik, të zbatuar edhe në leksikografi: Fjalët nuk vlerësohen sipas burimit a krijuesit të tyre, por sipas rregullsisë së ndërtimit në pajtim me natyrën e shqipes dhe sipas vlerave pasuruese që sjellin në gjuhën letrare. Krijimi i fjalëve të reja, po ashtu pasurimi i strukturave kuptimore të fjalëve nëpërmjet përdorimeve të figurshme, – njësoj si fjalëkrijimi, – ngritja në normë e leksikut dialektor e përvetimi i fjalëve të huazuara të nevojshme sipas parimit të mësipërm, pa kufizime të tjera, i nënshtrohen këtij parimi. Pas Kongresit dhe në frymën e tij filloi botimi i revistës për kulturë gjuhe, “Gjuha jonë”, ku rregullisht përmbahej rubrika “Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”, materialet e së cilës më pas u përmblodhën në një fjalor.
Shqipja standarde në ditët tona ka njohur një zhvillim të shpejtë e të gjerë. Por mendoj se, sidomos në fushën e leksikut, para së gjithash ajo ka nevojë për ruajtjen e përligjur të pastërtisë dhe sidomos për pasurim të mëtejshëm. Leksiku dialektor po vjen nëpërmjet fjalorëve të rinj krahinorë, letërsisë artistike, ligjërimit të folur etj. Formimi i fjalëve të reja dhe lindja e kuptimeve të reja (neologjia) kanë një zhvillim të ndjeshëm pasurues. Natyrisht, në kushte të kohës, me hapjen e shqipes e me rritjen e kontakteve me gjuhë të tjera, më shumë nën trysninë e anglishtes, vjen një rrymë fjalësh të huazuara, sidomos në terminologji, por disa pa kriter, pa kontroll e pa nevojë edhe në leksikun e përgjithshëm; nga kjo rrymë shpesh është thyer disi qëndresa për mbrojtjen e shqipes nga huazime të tilla e kështu cënohet identiteti i saj. Sot shprehet me të drejtë shqetësimi për “shfytyrimin” e leksikut të shqipes nga huazimi pa arsye e pa kufi i fjalëve të huaja të panevojshme, çka nuk pajtohet me frymën e Kongresit të Drejtshkrimit. Për të sjellë këtu një rast konkret, po përmendim përdorimin e tepruar të huazimeve të panevojshme këto vitet e fundit, shpesh për snobizëm a si shprehje e “hapjes” dhe e “modernizimit” të shqipes, aq sa në disa fusha të përdorimit të gjuhës, sidomos në medie, por edhe në rrethe a grupe të tjera sociale, po përvijohet një zhargon albangle. Po shmangemi pak nga solemniteti i kësaj ngjarjeje madhore, siç është Kongresi i Drejtshkrimit, duke ndërtuar një dialog të shkurtër me shembuj realë të nxjerrë nga ligjërimi i shkruar e i folur:
ALBANGLÉ
– Hallo, Drin, si ke qenë?
– Hi, mirë, në top formë. Ti?
– Edhe unë mirë. Dëgjo, po të marr në fix, se në mobile më ka përfunduar mbushja. Si e ke ditën sot?
– Isha duke parë Best of pushime on top. Tash jam free, pse?
– Atëherë takohemi live te “Rogneri”, salla numër pesë, five, po qe open. Ke një love nga Nesi, mezi të pret.
– Je vërtet one, apo e bën për show? Si në filmat me happy end!
– Wow! E gjete! Gjithsesi, kur të jesh i disponueshëm, më ço një okej.
– Do të vonohem ca, më duhet të paguaj cash një shumë të madhe diku. Mbrëmë humba edhe derby-n londinez. Arsenali të dilte të paktën për play-off. Nuk më pëlqen trand-i i këtij kampionati.
– E unë sot ndoqa në videocall përshëndetjen e presidentit të Ukrainës. E dhanë live. Pastaj më ndodhi…
– Oh, yes! E di, më ke treguar ç’të ka ndodhur, është vërtet një top story! Por stop me këto. Je krejt out! Kthehu në kohë reale. Nuk dua të bëj big brother-in, por merre shtruar, mos e përjeto kaq keq!
– Për week end ku ishe?
– Ah, në Jalë, ishte vërtet exelent! Shihemi?
– Më mirë e mbyllim on line, mjaft, dil në off line, flasim live kur të takohemi.
– Okej. Me mua ke access në çdo kohë. Këtu më ke, s’jam as për pub-e e as për disco…
Dhe, siç shkruhej në fund të disa artikujve në gazeta të viteve ’30: “Ka dhe më”, domethënë “Vijon”.
Në tabelat e dyqaneve, të lokaleve, të bizneseve, të shitoreve, të merkatove etj. të merr malli të shohësh një në gjuhën shqipe. “Kështu e do biznesi!” thonë! Profesor Edmond Tupe paralajmëron kohë të zeza për shqipen: “Do të vijë një ditë që do të pyesim njëri-tjetrin; ‘Do you parlare shqipish?’”.
Gjithsesi, shqipja nuk është gjuhë e mbyllur, kjo do të thotë se do të marrë terma të huaj të nevojshëm e ndërkombëtarizma, bashkë me sendet që emërtojnë a me konceptet e reja që shprehin. Vetë zhvillimi i pandërprerë i gjuhës shqipe e hapja e saj, mjaft dinamik veçanërisht tre dhjetëvjeçarët e fundit, nxit kërkesën për rishikimin kohë pas kohe gjithashtu jo vetëm të normës leksikore, por edhe të rregullave të drejtshkrimit, siç theksohet edhe në Rezolutën e Kongresit. Veç kësaj, në zgjidhjet që dha Kongresi ka vend, sado pak, për plotësime, për ndryshime të atyre që nuk i kanë qëndruar kohës, për njësime e thjeshtime të mëtejshme rregullash etj., siç e ka vënë në dukje edhe kritika shkencore. Të gjitha këto janë të natyrshme, si për çdo gjuhë e si për çdo veprimtari tjetër shkencore në fushën e gjuhësisë, – më të dukshme pas një periudhe 50-vjeçare. Këto përligjën ngritjen e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, më 2004, i cili studioi, diskutoi e propozoi disa ndryshime, plotësime e përmirësime të mundshme të drejtshkrimit të shqipes në drejtimet që përmendëm e në rrethana të reja të kohës sonë. Vendimet për këto propozime i takojnë një institucioni të lartë shkencor i barasvlershëm me Kongresin e Drejtshkrimit, jubileun e 50 të të cilit e festojmë këtë vit.
Shumë nga firmëtarët e Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit nuk janë më në këtë jetë, por ata janë me ne me firmat e tyre dhe me veprën tyre të çmuar. Përherë e më tutje të gjithë firmëtarët e Rezolutës së Kongresit do të jenë po aq të nderuar e të vlerësuar që na bashkuan më fort me njësimin e gjuhës standarde, sikundër firmëtarët e Kongresit të Alfabetit na bashkuan me alfabetin e njësuar dhe Abetaria e përbashkët gjithashtu.