Mbi romanin “Prishtina” të shkrimtarit Mehmet Kraja
Nga Liridon Mulaj
“Kam frigë se një ditë ka me ardhë liria:
e unë s’kam m’e njoftë”
Këto janë vargjet e Agim Morinës të shkruara në vitin 1989 të cilat ngrenë një shqetësim metaforik të arsyeshëm por dhe të rëndë njëkohësisht. I kam lexuar këto vargje dhjetëra herë dhe në mes tyre jam munduar ta katapultoj koshiencën time tridhjetë e një vite më parë për në një kohë të mjegullt dhe të pasigurtë, duke dashur të ëndërroj dhe njëkohësisht të parashikoj lirinë si koncept dhe si gjendje.brenda një okupimi shtetëror. Krejt rastësisht këto ditë teksa gjendesha në librarinë Onufri më ra në sy romani i Prishtina i Mehmet Krajës. Duke qënë se Prishtinën e konsideroj dhomën time të preferuar në shtëpinë e madhe që quhet Shqipëri, e bleva dhe pa e zgjatur me të dalë prej aty, zura vënd në një kafene dhe ia nisa leximit. Menjëherë u përballa me prozën e kopsitur, të fortë dhe te rrjedhshme, e denjë për një shkrimtar të kalibrit botëror. (Dua te theksoj se nuk kam dyshuar kurrë në aftësinë e prof Krajës apo në erudicionin e tij si akademik dhe shkrimtar, por me fajin mbi shpatulla dhe me turpin legjitim të fajtorit, e kapërdiva në heshtje këtë gjendje fajësie se pse nuk kisha lexuar më parë diçka nga Mehmet Kraja.) Në fillim nis si një rrëfim i thjeshtë në vetën e parë të një shkrimtari i cili kthehet në Prishtinë menjëherë pas çlirimit të Kosovës. Personazhi kryesor është udhërrëfyesi i cili na udhëheq nëpërmjet një shtegu aq sa të errët dhe kaotik, duke dashur të shndërrohet në një pritë mes lexuesit dhe ngjarjes. Si një prag mbrojtje e justifikuar me faktin se të flasësh për lirinë në një vend të rreshkur nga pushtimi nuk është asnjëherë e lehtë madje është vrastare nëse mjeshtëria e shkrimtarit nuk arrin të zbusë tonet e përshkrimit dhe këtu vihet re qasja gati komike e ngjarjeve. Vihet re një frikë e pezullt,,objekte të shkatërruara, ndërtesa të shkatërruara, jetë të shkatërruara dhe përpjekja e ambientimit me realitetin e ri zhveshur nga guaska e pushtuesit. Ndërrimi i emrave të personazheve apo dyzimi përgjatë gjithë romanit, tregon qartazi mos etiketimin e personazheve ngushtësisht me një emër por duke lënë të hapur shtegun dhe mundësitë për të treguar se të pushtuarit, të vrarët dhe të mbijetuarit nuk janë trajta njerëzore të përvecme por se në këtë histori secilit prej tyre, pavarësisht identikitit, i rëndon në shpirt barra e rëndë e humbjes. Është liria e saporadhur, e fituar me gjak. Liria e cila të ngut të zhveshësh të shkuarën për tu përshfaqur cullak, e dyzuar, infantile, e rëndë, mbytëse. Romani Prishtina është dokumenti letrar i një gjendje fatkeqësisht të pakohë, që vazhdon ende dhe sot duke dalë përtej trajtave të thjeshta letrare për tu shndërruar në një vepër parashikuese, tronditëse që synon të japë të vërtetën lakuriq para lexuesit por dhe para histiorisë. Është roman që dëshmon, rrëfen, ngëerthen dhe më pas të çliron në reflektimet e tua të zgjatura mbi një kohë dhe gjendje të cilën fatkeqësisht e kanë mbajtur mbi shpatulla me gjithë peshën e saj,bashkëatdhetarët tanë. Kraja luan me personazhet, i zhvesh ata nga përgjëgjesia duke i pozicionuar shpesh në një lloj pasiviteti absurd, duke mos dashur të fajësojë askënd si për të treguar se jeta rrjedh, dhe rrjedhën e saj sado tragjikë, nuk mund ta ndalojë askush. Të kërkosh përgjegjësit pas një beteje shekullore është si ti kthehesh së shkuarës me lupë për ta mbajtur peng përgjithmonë. Përgjatë gjithë romanit, do ndjejmë në ajër forcën mbytëse të një lirie të shtirur, jo të plotë, të pistë të çmendur që e kthen romanin në një lojë tragjikomike që më së shumti i ngjan një çmendine kolektive. sesa një situate që zhvillohet në një kryeqytet në zemër të Europës. Gjithçka e shtruar me vërtetësi na jepet si një parantezë e shtjelluar qartë me një ”mallkim”të fshehur në nëntekst i cili na paralajmëron për një rehabilitim që zgjat drejt përmbushjes së plotë të ëndrrës për liri. Sipas shkrimtarit Kraja, ajo çfarë nënkuptohet është se sundimi dhe nënshtrimi janë gropa thithëse të një lirie të cunguar, e cila nuk është e zonja t’i japë drejtim vetes. Që del nga okupimi dhe si zhivë rrëshqet sëerish brënda tij duke përsëritur mekanikisht vetveten përgjatë historisë. Mehmet Kraja është shkrimtari të cilin e kërkojmë jashtë kufinjëve, në analizat dhe recensat e kritikëve të mëdhenj, si tendencë për të përqafuar figura botërore por jo me të njëjtën qasje për shkrimtarët tanë të cilët i kemi por nuk i lexojmë, madje i dënojmë me harresë. Shkrimtar i cili krejt me vërtetesi na jep diagnozën e përdhunimit të një lirie të brishtë e cila ndodh para syve tane si një luftë e çoroditur spunësh të cilët zhveshin lëkurën dhe i përvishen kauzës së çlirimit me pafytyrësi, duke dalë në zhvillimin e atij procesi të cilin e hasim rëndom në vendet e çliruara dhe që zhvillohet tragjikisht mbi moralin dhe dhimbjen e një populli. Ky roman sa brilant aq dhe i domsdoshëm, na e përcjell në çdo faqe fillin e një situate postraumatike të stërzgjatur e cila herë gjendet kudo në madhështinë e një qyteti të përvuajtur e herë në një cep të tij ku siç e thotë dhe vetë autori “liria e Kosovës merrte kuptimin e një orgazme të shpejtë nën kaçubat e dëllinjave në lagjen ulpiana. Drama vazhdon ende dhe sot çka fatkeqësisht e bën këtë roman aktual. por në çdo kohë dhe epokë, pavarësisht emancipimit dhe konsolidimit shtetëror, madje dhe atëherë kur liria do të jetë fakt dhe ajër, ky roman është një pjesë e madhe historie e cila krejt jashtë njerëzores, tragjikisht u zhvillua në Prishtinë, në një kryeqytet dhe metropol në zemër të Europës.