Në spitalin 5 të kryeqytetit, e shoqja e përlotur, po i linte porosi Hekuranit si ta rriste vajzën pas vdekjes së saj, ku ta çonte për të mësuar gjuhët e huaja, sa herë ta çonte te varri për të vënë lule.
-Mbaj shënim, Hekuran, – e përsëriti disa herë kërcënueshëm,- pa kaluar të njëzet vitet, mos ma sill vajzën në varreza. Nuk dua të futet në zymtësi. Dëgjon, Hekuran, vetëm kur të ketë mbushur njëzet vjet.
Hekurani u përpoq ta dëgjonte… megjithëse po e humbiste durimin pak nga pak. Nuk deshi ta dëgjonte më kur Sania e këshilloi të martohej pas vdekjes së saj, të mos mbante zi pafundësisht për bashkëshorten fatkeqe.
-Ruaje kujtimin tim me respekt, por martohu, jeta vazhdon, Hekuran, jeta nuk ka mbaruar.
-Ke mbaruar nga trutë, grua, e ke psikologjike, asgjë tjetër s’ke, – i ra shkurt Hekurani. Doli duke përplasur derën. Sania u shkreh në të qara:
-Rrite vajzën me përkëdheli, ta shikojnë jetën me dashuri dhe kurajë. Mos ma sill te varri pa mbushur njëzet vjet, mos qëndro vejan, martohu, jeta vazhdon…Hekurani im i dashur ..të lutem…gjej një grua për sëmbari dhe martohu. Je i ri.
Hekurani u kthye, hapi derën, i briti.
-Do të të çojnë në çmendinë po vazhdove kështu, atje e ke vendin, më duket.
E la gruan në supozimet e saj të frikshme, doli të gjente ndonjë pijetore, nga ato anë rruge ku mund ta pish një birrë pa u ulur. Këtu në Tiranë ka mjaft të tilla, këtu nuk është si te ne, u ngushëllua Hekurani. Ta marrë dreqi punën time, mendoi pas pak, kur e ktheu gjysmë shisheje birrë. Tre vjet martesë dhe e shoqja kish shfaqur rregullisht një ndjenjë të fortë bezdie nga të jetuarit. I lutej perëndisë ta merrte një orë e më parë, ditë për ditë, sa herë grindeshin, sa herë llogaritë e të hollave nuk iu dilnin, sa herë planet optimiste e ambicioze iu dështonin. Edhe kur digjte gjellën, edhe kur lavatriçja bllokohej, edhe kur kanatat e dritareve, të bymyera nga lagështia e ajrit të vjeshtës donin pak forcë për t’u mbyllur, edhe kur cifloste ndonjë gotë qelqi, Sania i lutej perëndisë që ta merrte dhe atë në gjirin e saj, me të shumtët. Dhe perëndia sikur e dëgjoi. Gruaja nuk ndihej mirë, jam sëmurë, thosh, dhjetëra analiza, ilaçet me kilogramë, shërim s’po gjente.
– Jam keq Hekuran, jam keq. Ti jeto për mua.
– Doje të vdisje, vdis, – i tha i shoqi kur u kthyen shpresëhumbur nga vizita të një mjek i ri, i dëgjuar si shërues i padiskutueshëm në qytetin e tyre.
Sania nuk i ishte përgjigjur. Ashtu në heshtje, njëri pas tjetrit shkonin përditë nga një mjek te tjetri, ritual që kish filluar t’ju pëlqente të dyve. Ngjanin si një çift që po shkonte në kinema ose teatër, nga mënyra si visheshin, si ecnin rrugës.
-Sikur një ditë të gjejmë vërtet shërim, – tha me vete Hekurani, do ta kemi problem, sikur u mësuam me këtë lloj jete.
Udhëtimin për në kryeqytet e bënë me makinën e tyre. Hekurani dukej paksa i gëzuar. Kur e kish blerë makinën, argumenti bazë që kish përdorur në familje ishte: Ta kemi për çdo rast, kur shkojmë me pushime, kur sëmuremi, kur shkojmë te të afërm, te miq, te shokë, për të mira e të këqija, pse të mos kemi makinën tonë, pse të rrimë në anë të xhadesë si shkretanë?!… Dhe rasti e solli që rrugën e parë të gjatë me makinën e tyre ta bënin pikërisht për arsye shëndetësore.
Në spitalin rajonal kishin bërë analizat, laboranti ua kish mbyllur në zarf, kish folur në telefon me Profesorin në Tiranë. I kish nisur laboranti:
-Ai do t’ua interpretojë më mirë, po patët nevojë të shtroheni do t’u dërgoj unë një dokument shoqërues me faks.
-E ke të qartë çfarë është faksi? – kish pyetur laboranti Hekuranin kur ky e kish parë me mosbesim, me sy të zgurdulluar.
-Urdhëro?- kish reaguar Hekurani i habitur nga pyetja.
-Të pyet për faksin, – i tha e shoqja, – e ke parasysh se çfarë është faksi?
Hekurani nuk u qe përgjigjur. Hekurani dinte më shumë se sa dukej. Nëna e tij vazhdonte të punonte si infermiere dhe Hekurani ishte rritur korridoreve dhe lulishteve të spitalit. Edhe pijen e kish mësuar në spital. Burra të mërzitur merrnin raki ose fërnet, kur dilnin të çlodheshin pas qëndrimeve të gjata te të sëmurët e tyre. Pija të heq mërzinë, kish dëgjuar turbull Hekurani burrat e rritur, dhe, pa pritur të rritej dhe vetë, nisi të pinte herët. Edhe shprehjen: Jeta është e shkurtër, – që e kish si refren kur thante shishe birre, e kish mësuar që i vogël në ambientet e spitalit.
Me nënën nuk fliste më, pas martesës me Sanien, pak kohë pas martesës. Të dyja gratë, nëna dhe e shoqja u ankuan te Hekurani në ditë të ndryshme.
-Ajo më tha: nuk dua të të shikoj më me sy, – tha secila prej tyre për tjetrën, sikur ta kishin bërë me fjalë ta fusin Hekuranin e gjorë në një labirint melankolie. Fjalë të njëjta, Hekurani nuk mund t’i besonte asnjërës, megjithëse e dinte se vetëm njëra gënjente. Kështu u ndanë me nënën, për së gjalli. Lindja e vajzës, sëmundja e Sanies qenë raste të mira për t’u afruar sado pak, por Hekurani qe trembur. Më mirë larg sesa me frikën e përditshme, mos grinden tani, mos grinden pastaj.
– Dua të shërohem, – tha rrugës Sania.
– Do përpiqemi dhe… do të shërohesh, – e mbështeti vullnetin e saj Hekurani, – do t’i shkrijmë të gjitha mundësitë, qoftë dhe zoti me ne.
-Dua të shërohem,- përsëriti gruaja. Një gëzim i brendshëm po e bënte të shfaqej ndryshe, krejt ndryshe.
-E mora vesh.
Në ndalesën e parë, kur thau birrën e tretë, Hekurani pyeti:
-Ti sikur bëje lutje të ikje nga kjo botë, më ke lodhur me fjalime, jetë e padurueshme, jetë qeni.
-Sot fola me mamanë.
-Me…mamanë ….me mamanë?
-Me mamanë.
-Me…mamanë…time?!.
-Me tënden, në spital, kur mora zarfin me analizat. E dinte se do iknim në Tiranë.
-I fole ?
-Më foli, i fola.
-Të lumtë, – u gëzua si rrallë herë Hekurani, – zoti qoftë me ty.
-Madje më përqafoi. Më përqafoi, më puthi në faqe, – tha Sania me të njëjtën ndjesi ku përzihej habia me gëzimin. – Më përqafoi dhe më puthi.
Hekurani nuk u përmbajt. Në ndalesën e dytë, pranë një gomisterie, i telefonoi nënës. E pyeti për ngjarjen e mëngjesit.
-E vërtetë, – tha nëna, e vërtetë, u takuam.
Hekurani donte ta pyeste hollësisht, ta falënderonte. E kuptoi se ajo ishte mallëngjyer, s’qe mirë ta bënte të qante, aq më tepër që ishin larg njëri tjetrit dhe nuk shiheshin dot sy më sy .
-Do të rri me vajzën sa të vini ju, – dha lajmin e dytë të mirë nëna.
-Me vajzën tonë ? Do të shkosh ta marrësh?!
-Patjetër!
-Të njeh vallë? Thua se do të rrijë urtë me ty? – pyeti Hekurani.
-Mirardhshi, – foli nëna e vendosur. Biseda u mbyll. Hekurani mori frymë thellë, po dilte nga ferri i mrisë me nënën e tij.
Hekurani u kthye pranë të shoqes. Profesori, shëruesi i famshëm i kryeqytetit nuk ishte kthyer nga konsulta. Sania po qante.
-S’ka shpëtim, s’ka shpëtim për mua. Kujdesu për vazën.
Një grua e moshuar, e shtruar në shtratin afër dritares, po mundohej ta qetësonte Sanien. Nuk priti të njihej me Hekuranin, ia nisi drejt e në temë.
-Pse ia ndillni të shkretës, kjo duket e re, e fortë.
-Kush ia ndolli? – u nxeh Hekurani, -fol, kush të ka katandisur në këtë gjendje?
-Askush, – tha Sania nëpër dhëmbë. Mënyra si foli ajo la të kuptonte se e dinte kush ishte fajtori.
-Askush! – briti Hekurani me fytyrë nga gruaja e tij por për ta dëgjuar gruaja e moshuar. Askush!
Hekurani u kthye për të parë efektin te gruaja e moshuar. Ajo nënqeshi, ai u bë tym.
-Është me fiksime, asgjë më tepër, psikologjike.
Hekurani doli në korridor, gruaja e moshuar e ndoqi.
-Dikush i ka thënë se ka sëmundje të pashërueshme, i ka thënë dikush, një person i besuar, me siguri, – i tha gruaja e moshuar. Rrezatonte dhembshuri. Hekurani u përqendrua në fytyrën e saj, ajo qe e mirë, e urtë, mëkat të dyshoje te ajo.
-Kush mund t’i ketë thënë?… Kur..?…Unë nuk di gjë, – tha me sinqeritet Hekurani, – ty çfarë të tha?
-E kish marrë vesh në mëngjes, kaq më tha mua, – pranoi gruaja e moshuar, – sot në mëngjes.
Analizat ishin të mbyllura në zarf. Hekurani e dinte nga mjeku se gruaja vuante nga tiroidet, diçka kronike, e kurueshme, pa rrezik jete. U bë më keq. I briti të shoqes
-Me kë ke folur sot në mëngjes?
-Me asnjë.
-Me asnjë! Dhe më jargavite sikur je para pushkatimit.
-Takova mamanë tënde, vetëm atë.
-Të gëzoi takimi me të?
-U gëzova në fillim.
-A nuk më the se biseduat me përzemërsi?!
-Po. Më vonë e kuptova … me vonesë.
-Ajo të paska bërë kështu?! – shfryu Hekurani. Doli. Në korridor kish parë një aparat telefonik. Formoi numrin e spitalit të qytetit të tij, kërkoi nga reparti i analizave të dilte mamaja. Ajo vonoi ca, doli më në fund duke marrë frymë me vështirësi.
-Ti e ke gënjyer këtë idioten time, mama?!
Mamaja nuk u përgjigj por nuk e mbylli telefonin. Hekurani u xhindos.
-Pse s’flet?! Gjete një idiote si ime shoqe, tallesh me të. Turp.
-Hekuran. E përqafova, vetëm kaq. Dua të pajtohemi. Jam lodhur duke ndenjur larg.
-Pse e frikëson gruan time?! Gjete një idiote dhe tallesh me të.
-E përqafova, nuk e gënjeva. Jam shumë e lodhur dhe e vjetër për të tallur fëmijët e mi, – tha mamaja dhe e mbylli telefonin.
Hekurani u kthye pranë të shoqes. Vendi i vinte rrotull, kish marrje mendsh.
-Domethënë nuk ke folur me njeri.
-Përse?
-Për analizat, për sëmundjen
-Jo. Me asnjë.
-Dhe më qan si idiote. Kush të tha se je me kancer?
-Askush.
-E pastaj pse qan? Nga të shkrepi në kokë sëmundja e pashërueshme?
-Kur takova mamanë tënde. Ajo më përqafoi
-Të përqafoi?! E pastaj..?
-Më përqafoi, më shtrëngoi fort në gjoks.
-Mamaja, ë ?!
-Po. Ajo patjetër di diçka, di diçka dhe e mban të fshehtë.
-Ashtu?! – foli qortueshëm dhe me përçmim Hekurani.
-Po! Pse jo?!,- tha me vendosmëri e shoqja, – përndryshe pse do të më përqafonte ashtu. Mamaja jote kurrë s’më ka shfaqur ndjenja të tilla.
-As ti asaj!
-As ti!
-As unë!
-Po, as ti! –tha gruaja duke fërkuar sytë e skuqur nga lotët.
-Kafshë, kafshë e mallkuar, – mërmëriti Hekurani pa e ditur as vetë për kë e kishte fjalën.
***
Arsyetimi i Sanies e bindi deri diku Hekuranin, nëna e tij i kish parë analizat e Sanies, kish parë se nusja e djalit do ta kish të afërt mynxyrën dhe kish nxituar të pajtohej me të dy. Ia kish thënë dhe të birit në telefon se nuk donte të jetonte më larg tyre. dhe kishte dashur t’i ndihmonte duke ju mbajtur vajzën.
Burrë e grua kishin lënë porosi telefonike te nëna e Sanies për të mbajtur për një periudhë të papërcaktuar vajzën e tyre, kishin marrë analizat nga spitali shtetëror dhe nuk kish humbur kohë me mjekët te “Nënë Tereza”. Kishin shkuar në klinikat private, në dymbëdhjetë të tilla kryen vizita, analiza, konsulta, kurrë nuk dëgjuan të njëjtën diagnozë dy herë. Dymbëdhjetë klinika, dymbëdhjetë variante. Kaluan shpejt tre javë kontrollesh, kontradiktash e zhgënjimesh në klinikat e kryeqytetit.
-Në Turqi, Hekuran, shesim veturën, fitojmë ca vite jetë për mua, -u lut Sania. – Ca vite, Hekuran, sa të marrë vajza njëfarë drejtimi në jetë. Pastaj, ti vazhdo të jetosh…
Në spitalet dhe klinikat e Stambollit procedurat ishin më të ngatërruara. Hekurani mori borxh nga kunetërit, dollarët vinin sakaq me Uestern Union. Kaluan katër muaj në Stamboll po aq shpejt sa tre javët e Tiranës. U kuruan për probleme të ndryshme që nuk e kishin ditur se i mbartnin, duke kërkuar ta gjenin e t’i dilnin ballë për ballë diagnozës së tmerrshme, atë për të cilën dyshonin. Ditën e parë të muajit të pestë Hekurani dëgjoi nga mjeku i radhës atë që i kishin thënë në krye të herës në klinikën e parë turke: “Gjëndrat, tiroidet. Krejt pa gjasa vdekshmërie. Pjesa tjetër problem nervor, psikologjik.”
***
Hekurani kthehej optimist nga Stambolli, me adresën e psikiatrit numër një të Tiranës në xhep kur mori vesh rastësisht, nga telefonata e një miku se nëna e tij kish ndërruar jetë.
-Sa të lë gruan këtu, te një specialist i shquar dhe erdha, për katër orë jam atje, – tha Hekurani.
-S’është nevoja të nxitohesh, -i tha qetësisht miku i tij.
-Pse, kur ka ndodhur?- dyshoi sakaq Hekurani.
-Ka gati dy muaj, dy muaj e gjysmë. Nga një tumor në tru. U diagnostifikua, u diktua masa tumorale nga analiza skaner dhe mori fund pas dyzetë e tetë ditësh. E kishte lënë veten pas dore. Ngushëllime mik, bëju i fortë.
Dyzetë e tetë ditë që u diagnostifikua me tumor në tru, nisi të llogarisë Hekurani duke shfrytëzuar kalendarin e xhepit, dyzetë e tetë ditë i bie të jetë atëherë kur nëna takoi time shoqe në spital, kur e përqafoi, kur shfaqi dëshirën të pajtohej me ne. Sipas një këndshikimi Sania kish pasur të drejtë kur kish dyshuar seriozisht te përzemërsia e papritur e mamasë. Ajo kish ditur diçka.
E lexova me nje fryme” Ajo di dicka” .Kisha ndjesine se po lexoja fragment romani.
Faleminderit per percjelljet tuaja te vecanta.