More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAgron Tufa: Mbi mitopoetikën dhe artin e metamorfozave në prozën e Rigel...

    Agron Tufa: Mbi mitopoetikën dhe artin e metamorfozave në prozën e Rigel Rizajt

    Fjala si element primordial i botëkrijimit dhe atribut i Hyjit është trashëguar, në akord me Zanafillën, edhe te njeriu, tok me “trajtën dhe shëmbëlltyrën”. Thënë shkurt: njeriu e ka të trashëguar Krijimin nga Hyji Demiurg dhe krijon botët e veta imagjinare, po me atë element zanafillor: fjalën.

    Kjo m’u ngulit përgjatë leximit (dhe rileximit) të prozave të shkrimtarit dhe poetit të ri, me talent të pazakontë, Rigel Rizaj, konkretisht të librit të tij të parë “Ameba”. Nuk jam unë i pari që e ka vërejtur këtë sugjestion letrar në prozat e tij.
    Kur lexon tregimet (më shumë se tregime, do të thoja mite, legjenda, shpërndërrime e vegime), bindesh se arti i fjalës ka mundësi ku e ku më të pashterrshme nga sa pandehim. Rigeli si krijues është një lloj hyu i metamorfozave, që konfiguron botëra autentike me supersticionin plazmik të fjalës-imazh, fjalës-përfytyrim. Është një Prote modern që pikturon me projeksionet imagjinare të semantikës, duke i tretur fjalët dhe nocionet sikur të ishin kristale të thara bojërash. Dhe ja ku na përftohen tufat dhe pirgjet e imazheve rreth strumbullarit përfytyrues: trajta bio-antropomorfe, zoo-antropomorfe, kozmo-antropomorfe, sikundërse rëndom – trajta principialisht jo-antropomorfe. Të gjitha këto bashkëpunojnë sipas një logjike absurde në një sinkretizëm mistik marrëdhëniesh e bashkëpjesëmarrin si pjesë organike e fiziologjisë sonë, po aq sa si projeksione mendimesh, ndjesish e idesh, duke u rritur në oponencë të brendshme malli te tregimi “Ameba”. Doktor Dafina (një asociacion me Dafnen e mitit) është magu i matricave shndërruese, një Faust i variantit të Rizajt.

    Metamorfoza dhe miti janë enët apo kallëpët e lashta ku derdhen lëngjet kuptimore të përditshmërisë njerëzore që nga  Ovidi deri te Kafka. Në manierën e mitopoetikës së Rigel Rizajt parimi nis me një realitet të esëllt, që alienohet përmes shndërrimeve duke fituar statusin metaforik të mitit dhe legjendës. Janë jehonat e zërit, e gjestit tumirëmbetës që largohet, zbarazëtia, shija e braktisjes, malli dhe makthet që rrëfehen si vegime mitike përmes fjalëve-kristale prej bojërave shumëngjyrëshe. Në këtë rast, fjala ngjyros dhe përvijon trajta imazhesh të cilat dalin befasisht sipas parimit të fishekzjarrit, duke shpërthyer dhe duke u bigëzuar në ajër me një tufë tjetër imazhesh zinxhir. Fjalët dytrupëzohen, tretrupëzohen, projetojnë trajta e shëmbëlltyra befasuese e surreale, diç të ngjashme me pikturat onirike ala Maks Ernst, apo Mark Shagall. Fjala te Rigeli është një konvencion arbitrar që prish shenjimet dhe marrëveshjet e vjetra, duke u lëshuar pa u ndjerë drejtë një jete të re, të dubluar, kentauristike.

    Kam vënë re se kjo prirje e fjalës-kentaur përshkon njëlloj edhe poezinë e Rigelit. Do të doja që kjo mitopoetikë e tij autetinke të vazhdonte të zgjerohej edhe në njësi narrative më të gjata në të ardhmen.

    Zvicër, 25. 4. 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË