Intervistoi: Violeta Murati
Ndonjëherë ia vlen të niset nga e para, ku kujtesa mban ngjarjet më të rëndësishme të jetës, e në rastin tuaj atë të shkrimtarit: cilat kanë qenë kujtimet tuaja me të para ala prustiane?
Agron Tufa: Ndoshta ka vlerë për gjithkënd vargu i T.S. Eliot në poemën “Katër kuartetet”: “Në fillimin tim është fundi im” (dhe anasjelltas). Në rastin tim nuk mendoj se ka ndonjë gjë të pazakontë. Fëmijëria, adoleshenca dhe rinia e parë kaloi në një nga provincat me të humbura verilindore të Shqipërisë, treva e Kastriotit të Dibrës, në një familje krejt të zakonshme fshati. Me vëllezër e motra, nënë, gjysh e gjyshe. Kozmosit shtëpiak i mungonte një njeri i rëndësishëm, që përmendej shpesh nga të rriturit, por nuk ishte i pranishëm fiziksht: im atë. Me kohë u mësuam, derisa ai u kthye nga burgu politik i Spaçit, kur unë isha 9 apo 10 vjeç. Në kujtesën time kanë mbetur perceptimet dhe qëndrimet e ndryshme që mbanin njerëzit jashtë shtëpisë ndaj nesh dhe familjarët brenda shtëpisë. Jashtë, me kohë, kemi dëgjuar të na thërrasin (ndër to edhe ndonjë mësues) “reaksionar”, “bir i armikut të partisë e të popullit”, ndërsa brenda, sidomos gjyshja, sa herë qortonte, tundte gishtin e bënte apel: “dhe kurrë, kur mos harro, bir i kujt je!” Jashtë, në rrugë, në shkollë, na shihnin “ndryshe”, aq sa një ditë të zakonshme shkolle të klasës së parë e kuptova shkakun, kur një bashkëmoshatare, e nxehur me mua shpalli, duke bërë një gjest dëbues me dorë: “iiiii, ik, ik, ik! Ju jeni ‘të prekur’!”. U trondita. Nuk e kuptoja se ç’kuptim kishin ato fjalë, ndaj sapo hapa derën e madhe të oborrit i thashë tim vëllai më të madh se unë: “Ylber, pse na quajnë ne ‘të prekur’? A na ka prekur kush me duar me pis?”. “Jo mor budallë, – ma preu ai, – na quajnë kështu për shkak se baba jonë është në burg”. “Po pse është në burg? Çfarë ka bërë?”, – këmbëngula ta di. Im vëlla, që vazhdimisht gjuante një top llastiku duke e përplasur pas mureve të shtëpisë, mezi m’u përgjigj shkurt e thatë: “sepse ka qenë kundra!”. Unë doja të di diçka më shumë se kaq, dhe e pyesja vazhdimisht të dija: “si ka qenë kundra?”. Im vëlla vazhdoi të gjuante më me tërbim topin pas mureve, por kur pa se nuk i shqitesha, i la gjuajtjet dhe m’u kthye: “Ka folur kundra pra, bashkë me disa shokë… me ata shokë, sa herë inatoseshin me shtetin, mblidheshin fshehtas dhe flisnin kundra”. “Po si e dinin ata se duhet të flisnin kundra?”, – ka qenë pyetja ime e fundit. Por im vëlla, me sa dukej ishte shumë më i ndriçuar se unë, sepse m’u përgjigj: “Ata kishin një parrullë. I afroheshin njëri-tjetrit te puna dhe i thoshin të veshi: xhundra-bullundra, a flasim kundra?”. Kjo përgjigje më bëri edhe më shumë konfuz, dhe nuk guxova ta pyes më; im vëlla i ishte kthyer gjuajtjeve të topit për mur me një furi të re.
Gjithmonë, jo se e kam vuajtur, por e kam ndjerë se, në lidhje me tim atë, kujtesa ime fillon pas ardhjes së tij nga burgu, kur unë isha relativisht i rritur. Ndjeja boshllëkun e peridhës para arrestimit. Motra dhe dy vëllezërit më të mëdhenj e mbanin mend, unë jo. Unë nuk i kisha mbushë tre vjeç, ndërsa vëllau i vogël, ferrishte në djep, s’kishte asfarë shansi ta mbante mend. Kështu e kisha lënë… por kujtesa ka kapriçot e veta. Sesi një ditë, në një nga qindra pasditet e shëtitjeve të mia, pas mësimit, në Institutin e Letërsisë “A.M. Gorki”, ndërsa endesha nëpër rrugët e Moskës, filloi të më vizatohej në kokë një si tablo, e gjitha nën ndikimin e të kënduarit nën vete të një kënge të vjetër. Sa më fort merrja e rimerrja melodinë dhe fjalët e këngës, aq më e qartë bëhej tabloja, e mandej nisi edhe të lëvizë, si një kuadër i stërvjetëruar filmi. Kur dola në krye të rrugës ku hapej sheshi “Patriarshie prudi” (Gjolet e Patriarkut), hyra në barin e parë me pamjen që shihte në një pistë akulli ku luhej hokej. Ishte diçka fare pa lidhje pamja që kisha përballë, përtej xhamave, disi të avulluar, dhe tablosë që kishte ndaluar në kokën time. Sërish motivi i këngës dhe tabloja e marrtë nisi të kjarohej, madje të lëvizte. Një gjysmërreth burrash me kësula, të ulur këmbëkryq në sofër, ndanë zjarrit të oxhakut, kokat e të cilëve projektoheshin në murin kundruall nën dritën e butë të dy llampave me vajguri, ndërsa në anën tjetër të sofrës, përballë burrave, qëndron tek, një burrë tjetër, me kësulë e mustaqe të holla spic. E njoh: ai është im atë. I bie çiftelisë dhe këndon për njëfarë Mahmud Daci. Është pikërisht kënga që këndoja nën vete atë pasdite shëtitjeje dimërore. Një këngë trimërie, pabesie dhe amaneti. Ndërkohë që i bie çiftelisë dhe këndon, ka në fytyrë një shqetësim, një bezdi, ngase fëmija që vrapon rrotull nëpër dhomë po ia prish solemnitetin e këngës, duke lëshuar gjithë e më fort britma të forta: “E Daci, more Daci! Daci bre, Daci!”, – i çuditur, me gjasë, se si mund t’i këndohej me aq përkushtim një maçoku, sikundër quhej maçoku në dialekt. Im atë ka rrudhur vetullat vertikalisht mbi hundë dhe kërkon me vështrim ta parandalojë fëmijën, t’i kanoset, por kalamani rrotullohet e bërtet, derisa i afrohet te vegla muzikore dhe ia kap. Atëherë i ati e zë për veshi, ia tërheq fort dhe e shtyn, duke i bërtitur: “përjashtë, edepsëz! Hyn në dhomë e ëma dhe e heq djalin prej andej.
“Kur ka ndodhur kjo?” – pyesja veten, – dhe “a është e vërtetë?” E fiksova përshkrimin e kësaj ndërmendjeje në letër, por nuk isha i sigurtë. Mos ndoshta është ndonjë kujtim i simuluar, një nga ato kujtime “mashtruese”, një rreng i kujtesës nën ndikimin e ndonjë ëndrre? Por kisha nga ana tjetër një siguri, që ma jepte pamja e tim eti, instrumenti, vetullat e mbledhura vertikalisht. Kur ktheva për pushimet e verës e pyeta tim atë, sa i vërtetë është ky kujtim. Ai qeshi: “është krejt i vërtetë, nuk është rrenë. Burrat me kësula janë Allamanët e Matit, që kanë pasë ardhë miq, me rastin e hymjes në shpinë e re. Janë ata, me të cilët jam dënuar mandej në të njëjtin proces politik. Këngën e këndova pas darkës në shenjë nderimi, ndërsa llampat kanë qenë me vajguri, sepse ende nuk ishin kryer instalimet elektrike. Edhe veshin ta tërhoqa se ma prishe qejfin e këngës së Mahmud Dacit”. U ndjeva shumë mirë. Kisha mundur të riktheja një kujtim, para se baba im të arrestohej. Kisha zgjeruar mbretërinë time të kujtesës, duke e bërë atë të pavdekshme. Dhe dihet se kujtesa është e vetmja që lidh skajet e identitetit të njeriut. Këtë gëzim e ngazëllim ndjejnë dhe personazhet e Marsel Prustit, kur i luftojnë Harrimit copëza të vogla nga përjetësia e kujtimeve.
Si ka nisur ideja, shkrimi, botimi i parë…? Si e zbuluat zërit tënd?
A.T: Kam qenë një lexues i magjepsur nga librat. Leximin e kam nisur nën ndikimin e vëllait të madh. Ai lexonte libra të trashë, kur unë ende nuk dija të lexoj, por kur e shihja të veçuar, të shtrirë përmbys tek lëvrinte në heshtje buzët, i përpirë nga ato mistere të veshura me shkronja, e ndjeja veten të privuar rëndë. Im vëlla më tregonte ndonjë histori dhe unë ua tregoja moshatarëve të mi, duke i zbukuruar shumë ato. Pastaj vetë, shumë shpejt, krijova një varësi të tmerrshme nga leximi. Një varësi e cila krahasohet me atë të duhanxhiut, alkoolistit apo të narkomanit. Kjo ishte ana e keqe, sepse në shtëpinë tonë të varfër, nuk kishte libra. Kështu, që për t’i siguruar ato, kam ndërmarrë një sërë aksionesh: grumbulloja shishe të boshatisura vaji, i laja me ujë të nxehtë me një shkop që kishte në majë një shtupë lecke me sapun dhe pasi i shisja, blija libra në Peshkopi, e më vonë në Kastriot. Një burim tjetër ishin vezët, që i mblidhja të shtëpisë, apo nëpër plevicat e lagjes. Sepse pula ta bën me dije kur lëshon vezën… Pastaj ka pasur burime të tjera: bimët mjekësore, grumbullimi i lekëve të dhuruara, shokët, më të rrallë në bibliotekën e shkollës, dhe kur nuk më kanë dhënë as në bibliootekë, edhe i kam vjedhur, duke qenë i ndërgjegjshëm se kjo aventurë është e dënueshme. Ëndrrat e mia të fëmijërisë, që kanë vazhduar gjatë (e ndonjëherë më shtiren dhe sot), janë parajsa bibliotekash të larmishme. Shkurt, një njeri që ka varësi të tillë nga leximi, heret a vonë do të shkruajë. Nuk kisha vendosur të bëhesha shkrimtar, por një ditë (duhet të kem qenë në klasën e gjashtë), më doli krejt papritur e solemnisht pohimi. – A ke menduar se çfarë do të bëhesh në jetë mor djalë? – më foli i pezmatuar im atë një pasditeje, kur pa se nuk e kisha fare mendjen në zejen që po më mësonte. Asokohe im atë mendonte t’i mësonte zanatin e marangozit, të paktën njërit prej nesh. Na e kishte thënë shpesh: “Ju shkollë nuk ju japin. Të paktën mësoni zanatin, se do të kalbeni në punët pa bereqet të kooperativës. Nuk do t’ju hiqen nga duart kazma e lopata dhe nuk do të bëni dy jaka bashkë”. Nuk e di pse ma kishte vënë mua syrin si “marangoz i ardhshëm”. Tash më vjen keq njëmend që nuk e dëgjova. Në Shqipëri, më besoni, është shumë herë më mirë të jesh marangoz, se shkrimtar. Po ja, qe e humba këtë mundësi të artë… Pra, atë pasdite kur im atë më pyeti se “çfarë e ke ndërmend të bëhesh”, i përqendruar në një radiodramatizim të romanit “Djaloshi zezak” të Riçard Rajt, pa e pritur as vetë, thashë: “shkrimtar!”. Ka shumë gjasë që përgjigja ime të ketë qenë një nga replikat e ndonjë personazhi, por këtë më duhet ta verifikoj. Megjithatë, pasi e thashë, vërtet mendova se s’ka gjë më të bukur se të bëhesh shkrimtar. Si nuk më paska shkuar ndërmend më parë?
-Si the, si the… ? – pyeti prapë im atë, që tashmë kishte lënë zdrukthin dhe më shihte i habitur, me duar në mes.
-Shkrimtar do bëhem… ke për ta parë, – thashë, sikur të ishte ky një kërcënim.
Nuk po e kuptoja. Im atë filloi të qeshë grafllueshëm, në fillim pa zë, pastaj shpërtheu në një të qeshur, që nuk mu duk normale për atë, që qeshtë rrallë.
-Çfarë ka, – thashë. Por ai vazhdoi të qeshte. Ndalej e vazhdonte sërish.
-Shkrimtar! Posi… shkrimtar, zotnija jote! Shkrimtar si Gjergj Fishta?
Unë ngrita supet. Tani nuk qeshte më.
-A e di ti ku e kanë vendin shkrimtarët?
-Në libra… – thashë, i pasigurtë.
-Jo në libra! Ta them unë se ku, – tha, duke m’u avitur misteriozisht, me gishtin tregues ndër buzë: në burg! Kam pasur plot atje… shkrimtarë… Ishte njëri, i katandisur, vesveseli. Sapo i afrohej ndonjëri, bërtiste: “Iiiik! largohu! Të ka sjellë Sigurimi i shtetit!” Dhe askush nuk i afrohej. Tani më thuaj, çfarë shkrimtari do bëhesh? Se ka dy rrugë për shkrimtarët: o do të shkosh në burg, o do t’i këndosh Partisë. Ti në burg nuk do të shkosh, kështu?
-Jo, nuk është ndonjë qejf i madh nga sa na ke treguar vetë…
-Atëherë do t’i këndosh Partisë… S’ke rrugë tjetër!
-Po mirë, e pastaj? – thashë i revoltuar.
-Pastaj!? Ti mund t’i këndosh Partisë, po a të zë besë kush…? Ta them unë, askush! Dhe kur nuk të besojnë, prapë në burg do përfundosh…
-Nuk e di.. Nuk e di, – mërmërita, – por unë do bëhem shkrimtar dhe pikë!
-Mirë, de mirë… ashtu e lëmë… po atë pikën, hiqe.
Unë kam shkruar, si shumë kush, në shkollën e mesme, nën ndikimin e rasteve, miqve të mi të ngushtë dhe nga ideja se mund të shkruaj më mirë nga sa botohej asokohe në shtypin letrar. Miqtë e mi, që gjithashtu ishin në fillimet e tyre, kanë qenë mbështetje e madhe. Sidomos miqësia me shkrimtarin Ramiz Gjini.
Në gazetën lokale të Dibrës nuk të botonin për arsye biografie, por botimet e vargjeve të para i kam pasur në gazetën lokale “Jeta e Re” të Shkodrës, ku redaktor i faqes letrare ka qenë shkrimtari Ridvan Dibra, me të cilin asokohe nuk njiheshim. Në shtator 1989 dhe 1990 kam botuar cikle të gjera poezish tek gazeta “Zëri i Rinisë”, mandej dhe tek “Drita”. Nuk mendoj se do të kisha botuar ndonjëherë në “shtypin qendror”, pa ndihmën shumë dashamirëse e vendimtare të dy poetëve: Ilirian Zhupa dhe Preç Zogaj.
Mendoj se çështja e “zërit tënd”, diksionit, nuk zbulohet menjëherë, sepse ai është një proces i vazhdueshëm, si i rritjes kulturore, aq dhe i përvojës me “zbutjen” e bishës së shkrimit. Sepse shkrimi është një bishëz e egër dhe ti duhet t’i avitesh me ëmbëlsinë e zbutësit, nëse do të të shërbeje me bindje e besnikëri.
Të ikim pak në kohë, pse keni zgjedhur të jetoni këtu? Në Shqipëri, në Tiranë…e rrallë po të shohësh se si në këto 30 vite liri të gjithë (pothuaj shkrimtarët e artistët) jetojnë në kryeqytet, kanë braktisur qytetet e lindjes.
A.T: Nuk është çështje zgjedhjeje. Është çështje infrastrukture: puna, mundësitë, kushtëzimi pastaj, pas krijimit të familjes, etj. Në fund të ciklit 7 vjeçar të studimeve të mia në Rusi (1994-2001), kisha mundësitë të mos kthehesha në Shqipëri. Kisha një vend pedagogu në katedrën e Europës Juglindore ku jepej gjuhë, folklor e letërsi shqipe në Institutin e Mardhënieve Ndërkombëtare (MGIMO, Moskë). U ktheva në atdhe, si shumëkush tjetër, besoj, i ngarkuar me ëndrra, besim e shpresa për të dhënë më të mirën që mendoja se di të bëj. Kjo ka ndodhur gjithmonë, që nga fillimi i shekullit XX, deri në fund të Luftës së Dytë Botërore: intelektuali që kthehet të shërbejë natyrshëm në vendin e vet. Se, ç’kuptim ka? Pse e more gjithë atë shkollim? Ndjej se dhe unë i përkas një kategorie të tillë. Do duket pak si patetike, por nuk di si ta formuloj ndryshe, përveçse kështu: nuk është se na tradhëtuan ëndrrat, na tradhëtoi realiteti. Realiteti shqiptar është një gjë e tmerrshme, e pistë, mosmirënjohëse. Edhe pas kaq vitesh, shohim se nuk shterr së gurgulluari jashtë e keqja. Do thoja, një realitet i “zgavruar”. Dhe çdo zgavër është e mbushur me helm, të depozituar ndër breza, kohëra e tradita. Nuk është pra, se na kanë tradhëtuar ëndrrat. Janë po ata. Dhe unë po ai: realiteti shqiptar do sforcim e përpjekje të madhe të ndryshojë, do aleancë njerëzish të dituar e idealistë. Do solidaritet. Dhe ndonëse jetojmë në një nga fazat më dëshpëruese, që nga koha e diktaturës, edhe pse shumica e shqiptarëve ka ikur e në mendje ka të ikë, prapë mendoj se ky vend do të ndryshojë për mirë, për të kapur ritmin e vet të natyrshëm, pavarësisht gjithë katalogut rekord të veseve e skrupujve politike, historikë e shoqërorë. Dhe besoj se ka shumë shqiptarë që mendojnë se ky vend mund e duhet të mbërrijë përputhjen e nivelit të natyrës dhe klimës që ka me nivelin e ndërgjegjes njerëzore. Ideale, sigurisht, do të ishte të jetoje në vendlindje. Atë e kam shtyrë si projekt, ndoshta për të kaluar pleqërinë.
Çfarë ka mbetur nga Dibra jote, vendlindja?
A.T: Thuajse asgjë. Por kurrë nuk kam thënë se Dibra ime ishte një vend ideal. As i mirë, as i keq. Ishte një vend vuajtje. Një trekëndësh Bermude i komunizmit shqiptar. Sigurisht është tjetër të flasësh për traditën, virtytet, zgjuarsinë, me të cilën Dibra ka krijuar një identitet të veçantë, por mos harrojmë: ishte një realitet persekutues. Me plot njerëz të ligj, përndjekës, që më mësuan të njoh, para së gjithash, mungesën e zemërgjerësisë, vogëlsitë, fanatizmin absurd politik, servilizmin, pabesinë, në një kohë kur varfëria ishte shokuese, kushtet e jetës tepër të rënda dhe shpresat nuk ekzistonin në horizont. Dibra ishte një vend skllav, e tëra bujkrobëri komuniste me feudalët e kuq lokalë. Tani ekziston një Dibër tjetër, e përçudnuar si më parë nga varfëria dhe emigrimi. Nuk vuan për mbijetesë ushqimore, por nga lumpenizimi, papunësia, varfëria, mungesa e perspektivës. Me se e mbajnë veten gjallë ato banorë? Me çfarë shpresash? Dibra është një vend i izoluar, si më parë. I pasur në prodhime e burime, por krejt pa mundësi t’i konvertojë ato në mirëqenie. Një popull i keqpërdorur nga politikanë lokalë e qëndrorë, të cilët i shëmbëllejnë një bande fantazmagorike: është krijuar një marrëdhënie shitje-blerje midis popullit dhe politikanëve, çka ka çuar në një alienim ekstrem të njerëzisë, e cila përpiqet të mbijetojë…
Ju njiheni si një ndër përfaqësuesit e avangardës së viteve ’90 në Shqipëri, që patët për mision shkatërrimin e sintaksës dhe kanoneve skematike të socrealizmit. Grupimi e kreu misionin, po me shkrimtarët çfarë ka ndodhur, jeta e tyre letrare nisur aq stuhishëm…
A.T: Grupimi i parë letrar në Shqipëri, i organizuar si shoqatë poetësh me titullin “E për-7-shme”, me një gazetë jetëshkurtër me të njëjtin emër, u përftua vetvetiu nga botimet e cikleve poetike në vitin e fundit të diktaturës 1989-1990. Ishin ndër më të talentuarit. Fati e deshi që vetvetiu u mblodhën në Fakultetin Filologjik të Tiranës, ndër të cilët kanë qenë dy Rudat (Zekthi dhe Erebara), Mark Marku, Ervin Hatibi, Eneida Topi, i ndjeri Ilir Belliu, Pëllumb Zekthi dhe Dritan Xhelo. Në kohën kur shoqata jonë thurte plane, po dilnin parti të ndryshme politike dhe një natë, bashkë me Mark Markun, Rud Zekthin e Ilir Belliun, u fol seriozisht për krijimin e një partie politike, të cilës do t’ia vinim emrin “Partia e shkatërrimit të strukturave gjuhësore”. Ideja e themelimit të një gjuhe të re na tërhiqte vazhdimisht. Them u fol “seriozisht”, sepse asokohe nuk ia varnim shumë, ku fillonte e ku mbaronte serioziteti. Po në këtë kohë nuk ishin vetëm këto emra. Kishte një orbitë të talentuarish bashkëmoshatarë, që kishin shumë karakteristika të afërta shkrimi, siç e gjykoj unë sot. Mbresë të thellë më kanë lënë asokohe poezitë e Luljeta Lleshanakut, Lindita Arapit, Virion Graçit, Alban Balës, Florion Hidës, Gent Gjokolës, Arian Lekës e më vonë, të Parid Teferiçit, Gentian Çoçolit, Romeo Çollakut, Ledia Dushit, Olimbi Velajt, etj., të cilët i kam konsideruar si e njëjta frymë në variacione të ndryshme. Është e vërtetë, që metaforat, gjetjet figurative, idetë e ndjeshmëria, vetë koncepti poetik dhe sidomos sintaksa e vargut, dallohej radikalisht nga traditat e mëparshme të poezisë shqipe. Pra është më mirë të flasim për një gjeneratë të ‘90-s, se sa për një grupim poetësh. Grupimi letrar në fillim të krijimtarisë është një gjë jashtëzakonisht nxitëse, por me kalimin e kohës ai ka efektet e veta negative, që çojnë në influencimin e ndërsjelltë të njëri-tjetrit. Por unë u largova i pari, me 1994 me studime në Moskë dhe, me kohë, atje, zbuta marrëdhëniat e mia të acaruara me format klasike të poezisë, muzikalitetin, ritmin, rimën etj.
Mendoj se, të gjithë këta poetë kishin një alergji të theksuar nga gjuha dhe klishetë e realizmit socialist. Në letërsi po vinte një tip i ri artisti, me një gjuhë e vetëdije tjetër, me një uri kulturore dhe me një theks të spikatur metafizik. Kjo ishte avangarda, ndonëse askush nuk ishte koshient për termin. Kohëzgjatja e saj, nga viti 1990 deri me 1994 është korniza kohore klasike e këtij grupimi. Ndërkohë disa prej këtij brezi të viteve ’90, filluan të botojnë librat e parë poetikë: Rudian Zekthi “poezi” (1990) Ervin Hatibi “Përditë shoh qiellin” (1990); Ilir Belliu “Vetmi me njerëz” (1992); Lindita Arapi “Kufomë lulesh” (1992); Virion Graçi “San Valentino” dhe romanin “Të çmendur në parajsë” (1993); Luljeta Llshanaku “Sytë e somnambulës” (1993) dhe “Kambana e së dielës” (1994). Shumë nga këta emra janë sot poetë e prozatorë të konsoliduar me nga 10-15 vepra. Të tjerë, disa të paktë kanë zgjedhur heshtjen. Gjë krejt normale.
Kujtoj publikimin e antologjisë emblematike të nëntë autorëve të grupimit, me titullin “O moj Shqypni dhe të tjera lirika”, në një dyvjeçar ’93 –’94 të njëjtët poetë u mblodhët rreth revistës “Zëri i rinisë”…
A.T: E para antologji e grupimit “O moj Shqypni dhe lirika të tjera” u shtyp në nëntor 1991 në Elbasan. Një broshurë e hollë me 63 poezi të nëntë poetëve me nga shtatë poezi secili. Natën, kur dy thasë me këtë antologji erdhën në konvikt, godina 21, qe festë, por që zgjati shumë shkurt. Të nesërmen thesi i mbetur, u vodh. Kështu që mbetëm pa të. Mua më ka mbetur një ekzemplar. Mendoj jam ndër fare të paktët që e kam. Shoqata jonë “E përshtatshme” nxorri dhe një gazetë letrare me këtë emër, një lloj surrealizmi a dadaizmi mund ta quash drejtimin, stilin e konceptimin të saj, por që, ne, as nuk ia kishim idenë asokohe, sepse nuk i njihnim këto shkolla të avangardës. Kishim një zyrë të shoqatës ku kishim një sasi markash gjermane. Këto i vodhi një sekretar i shoqatës (një tip që s’po ia përmend emrin, i cili nuk botoi kurrë më poezi) dhe me këto para u arratis në Hollandë për të vazhduar studimet, të cilat, dhe ato nuk i mbaroi. Thonë u mor me tregëti a dallavere të tjera. Nga viti 1993 deri në qershor 1994 thuajse të njëjtat pena u mblodhëm tek “Zëri i Rinisë” (ndjesë pastë kjo gazetë!). Asokohe punoja vetëm unë tek “Zëri”. Me ardhjen e M. Markut si Drejtor administrativ, gazeta konsiderohej e lirë për botimin e secilit nga grupi. Atë vit unë drejtoja suplementin letrar të “Kontrapunkt” të “Zërit të Rinisë”, një suplement me 8 faqe format i madh, e mandej me 16.
Nga një poezi e fundit e juaja, me nënshkrimin Prishtinë, 2018 ndajmë vargjet: Koha e mahnisë mbaroi…/dhe flaka që digjet, nuk djeg… Reflektimi? Po mendojmë mbi disa procese, ide e vlera që vijnë bashkë me kulturën masive, modernitetin…
A.T: Similituda që e mban këtë poezi është shumë e ndërlikuar dhe unë jam i pafuqishëm të shpik një gjuhë tjetër, që të mund të rivalizonte vetë poezinë. Referencat dhe asociacionet janë nga shkurrja e famshme biblike që digjet, e s’mbaron së djeguri, e cila i shfaqet profetit Moisi në kullotë. Pra është një zjarr që flakëron, por nuk i djeg degët e shkurres. Ajo është një formë e shfaqjes së Zotit dhe Moisiu grishet përmes asaj flake të çuditshme të avitet për të hyrë në lidhje me Hyjin. Poezia ime shenjon procesin e desakralizimit total, e zbrazjes së shenjave nga kuptimet e tyre, e zhvlerësimit dhe inflacionit të fjalës si taksonomi ligjërimi, e alienimit gazmor e argëtues të Babilonit të ri bashkëkohor, rrjedhimisht, dhe e blasfemive të reja.
A mund të flitet, sidomos nga një shkrimtar si ju, se në cilën fazë të krijimtarisë e vendos veten?
A.T: Mendoj se po. Por fazat nuk zgjasin me vite. Mendoj se është diçka tjetër dhe kjo është fryma e një radhe veprash, në të cilën ke përmbushur disa ideale artistike e estetike. Unë e konsideroj veten në prag të një faze të dytë tashmë, me idenë se ka, në dashtë Zoti, një fazë të tretë, të fundit.
Është një punë voluminoze dhe impenjative çfarë keni bërë me monografinë “Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, ku po përgatiteni edhe për dy volume të tjera. Kur institucionet përgjegjëse ende nuk kanë nisur procesin e shkrimit të historisë letrare, pse një nisme e juaja, çfarë varianti parashtron ky botim?
A.T: Po, por kjo është një punë e drejtpërdrejtë, shumëvjeçare, me auditorin e Letërsisë në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Janë leksione të përgatitura ngadalë, ngeshëm, përgjatë 15 vjetësh, jo në stilin e thatë të leksioneve pedante. Përgatitja e çdo leksioni përfundimtar ka hëngër mesatarisht nga 6 muaj lexime e shënime intensive rreth një autori. Ideja ka qenë që të kishte një tekst me tre vëllime për ta njohur letërsinë e huaj të shek. XX në frymën e saj, në proces e rrjedhë, nga zanafilla e modernizmit (simbolizmi), e avangadës dhe postmodernizmit. Tre paradigma artistike, që përfshijnë krejt shekullin XX. Vëllimi i tretë do të jetë antologji me manifeste, traktate, fragmente poemash, novelash, tregime, poezi, drama – si një pasqyrë e shkrimtarëve dhe poetëve nga letërsitë e ndryshme moderne të kulturave kombëtare të Europës dhe Amerikës e më gjerë. Kam menduar se me këtë projekt plotësohet një boshllëk tradicional për këtë lëndë, e cila në vitet e diktaturës reduktohej nga 2 deri në 4 autorë (Gorki, Majakovski, më vonë dhe Fadajev, Furmanov), të gjithë të socrealizmit sovjet. Në vitet ’80-të u shtuan dhe Bertold Brehti e Hajnrih Bëli. Sigurisht, gjatë viteve ’70 – ‘80 ka pasur leksione speciale dhe kurse për letërsinë “dekadente borgjeze”, është folur dhe për Xhojsin, Kafkën, Prustin, Kamynë e Sartrin, por si, për demonë e përbindësha. Ideja ime ka qenë që, me shqyrtimin e krijimtarisë së mbi 20 autorëve (modernistë, avanguardistëm, postmodernistë), ta vë studentin shqiptar në të njëjtat pozita komode, sikur ai të ishte natyrshëm, në çdocilin auditor të universiteteve të Romës, Berlinit, Parisit apo Nju-Jorkut. Por qëllimi i këtij projekti me tre vëllime, që shkon mbi 1000 faqe, shtrihet dhe përtej auditorit të studentëve, ngase synon një lexim të gjerë, intelektual, për gjithkënd që interesohet për letërsinë moderne të shekullit XX.
Kam përshtypjen se rrëfimi i “sagave” familjare nën trysninë e diktaturës ka kaluar tek ne nëpër një proces të shumëllojshëm shkrimi. Mbaj parasysh tri romanet tuaja si “Mërkuna e zezë”, “Tenxherja” mbyllur me “Thembra e akcilit” që përballet me mitin urban, mbetjet nga totalitarizmi, njerëz me delire e paranoja. Larje hesapesh e keni quajtur, por pse kjo sagë?
A.T: Jo gjithmonë. Katër romane të mi “Dueli”, “Fabula rasa”, “Tenxherja” dhe “Gurit të varrit ia rrëfej” janë romane të shkruar me regjistra stilstikë krejt të ndryshëm. Ajo që kanë të përbashkët janë realet e kushtëzuara të diktaturës. Protagonistët janë përherë në kërkim të personalitetit të tyre në përditshmërinë totalitare. Shumica janë në kapërcyellin e adoleshencës dhe e ndjejnë se personaliteti i tyre kërcënohet nga makina shtypëse: para tyre zbulohet tërë lemeri njëfarë farë fuqie e errët, e epërme, që merr trajta satanike. Dhe si e tillë përjetohet. Ajo fuqi zhduk fshin, rrafshon, nivelon, deri në tjetërsim e shpërfytyrim këndet e personalitetit, siç ndodh me shumë prej tyre që rebelohen dhe kërkojnë të mbrojnë të pakompromentueshëm thelbin e tyre të brendshëm. Këto romane përbëjnë sagën e pjekjes në ag të burrërimit dhe ankthin se diç e keqe, e pabesë do të ndodhë me ta. Është një frikë që dhe i irriton, dhe i rebelon; një frikë e ngjashme si ankthi prej kastrimit. Ndërsa romani “Tenxherja” po, është një sagë familjare dhe është shkruar si larje hesapesh me shumë reminishenca që vinin prej së kaluarës. Ai ka mjaft nota biografike. Është shkruar vetëm për të hequr qafe një ëndërr të ankthshme, që përsëritej thuajse e njëjtë ndër vite, sikur donte të më shoqëronte për gjithë jetën. Këtë quaj “larje hesapesh”. “Mërkuna e zezë”, është një roman që s’ka lidhje më me realitetet komuniste, por me fanatizmat dhe frymën autoritare të sektit, cilado qofshin sektet fanatike, fetare, femërore, mashkullore, politike etj.
Gjatë një gjysmë shekulli diktaturë shkrimtarët shqiptarë lanë pa përjetuar në veprat e tyre gjithë frymën tragjike të epokës, duke u modeluar tërësisht pas “romantikës” rozë, që diktonte dogma zyrtare. A nuk ju duket absurde kjo, të cilën duhet ta sqarojë historia e letërsisë sonë? Kush duhej t’i përjetonte, nëse shkrimtari jo?
A.T: Historia e letërsisë sonë më mirë të mos shkruhet njëherë. Sepse është e sigurtë që do të manipulohet, cilidoqoftë kriteri, qasja, metoda. Dhe atë nuk duhet ta shkruajnë duar të pista. Gjithsesi ai do ishte një tekst kryesisht me karakter shkollor/universitar. Një tekst akademik. Duart e përlyera rrinë gati ta bëjnë edhe këtë ndotje të fundit. Ja pse nuk më shqetëson mungesa e një Historie të Letërsisë. Ne kemi gati 30 vjet pas rënies së komunizmit dhe nuk është hartuar një antologji për poezinë apo prozën shqipe. Rënia e ideologjisë totalitare komuniste, nuk shërbeu dot si një kufi i qartë i kriterit të lirisë artistike, që ndan dy epoka. Kihet dëshirë që gjërat edhe në letërsi të përlyhen, të përzihen, të llangosen e të zhyhen në emër të “vazhdimësisë”, të “organicitetit”. Sikur asgjë nuk ka ndodhur. Sikur çdo gjë vijon udhën e vet normale. Stop! Këto dokrra nuk i gëlltit më kush. Dhe kjo alibi, kjo apologji, bëhet për të legjitimuar socrealistët. Vërtet që periudhat letrare nuk kanë “dyer”, që hapen e mbyllen prerazi, duke futur dikë brenda e duke lënë dikë jashtë, por kurrë, kurrësesi nuk mund të barabitësh si të njëllojtë një vetëdije krijuese që hyri e lirë në letërsi, me një vetëdije të cenzuruar e vetëcenzuruar në përshtatje me dogmën ideologjike, së cilës i është përshtatur dhe i ka dhënë haraçin. Prandaj e them prapë: mirë që nuk është shkruar një Histori e Letërsisë, se përsëri do të thirreshin kumbarët e kumbareshat, xhaxhot e byrazerët, nunat e ndrikullat që i prekin thuajse të gjitha punët, duke i ndotur ato. Le të presim them dhe nja 20 a 30 vjet të tjera… dhe le t’i bëjnë këto detyra të tjerë njerëz, të shpëlarë nga zgjyra e shijes, koniukturat, hatëret e tarafet. Ne e kemi humbur besimin. Dhe akoma më keq: kemi humbur respektin për punën e tjetrit. Dallojmë veç të zezën tek përpjekja e tjetrit. E nëse nuk ka të zezë, e nxijmë vetë më zi se kukudhi. Kam shkruar dhe më parë në lidhje me mungesën e përjetimit të realitetetit të vërtetë në Shqipëri për gjysëm shekulli. Pra, letërsie shqipe për gjysëm shekulli ka fshehur krimin dhe kufomat e krimit. Ka fshehur gjithçka, për t’i mbushur fletët e saj me hipokrizinë më të ndyrë të planetit. Idile socrealiste. Shtirje. Propagandë servile. Kjo bëri që të vdesë gjuha e natyrshme e shkrimtarit. Pak role episodike qëndrese pati dhe ndëshkimi për ta qe inkuizicionist. Nuk flasim për ndonjë përjashtim, që përforcon rregullin. Por kishte shkrimtarë shqiptarë jashtë Shqipëria, që nuk e luajtën rolin e palaços. Vepra e Camajt, për shembull, apo “Libri i burgut” i Arshi Pipës. E letërsia në kohë të zeza, kërkon kurajë, burrni, vetëdije flijimi, madje më shumë se çdo fushë tjetër. Por pikërisht kur Ora e letërsisë shqipe kërkonte burra për qëndresë, nga ata, që letërsisë nuk i kanë munguar në të gjitha vendet dhe kohët, letërsia shqipe pati burrecër. Ajo thjesht u zhburrnua. S’kam pse flas më qartë. Flasin tekstet e pambarim, librat, me të cilat sot mund të ngresh një piramidë gjigande turpi. Dhe pyetja që kam shtruar unë është: ç’ndodh me “kodin gjenetik” të një letërsie kombëtare që ka gënjyer, mashtruar, falsifikuar, fshehur, që ka bërë palaçon, kur duhet të merrte kujën, ç’ndodh pra me genet, me ADN-në e saj, kur ka folur vetëm me gjuhën e gënjeshtrës? A do t’i vuajë vallë gjatë pasojat? Dhe cilat janë ato? Jo vetëm letërsia e ka këtë problem mospërjetimi të turpshëm gjysëmshekullor, por edhe artet e tjera. Nuk po flasim për atë epidemi kolerike që quhet film artistik shqiptar i Kinostudios “Shqipëria e Re”, dhe këtë fytyrë turpi e gjeni non stop nëpër kanalet tona sot, me një mbrojtje të veçantë shtetërore. Po për këtë kam folur, sa jam ngjirur.
Flitet ndër shkrimtarë për natyrën pothuaj autobiografike të romanit, ashtu siç ju jeni shprehur: “Ndërsa romani im – jam unë. Cilat janë të vërtetat e tua, që nuk u përkasin gjesteve të jashtme?
A.T: Ka shumë teori mbi dobinë apo dëmin e madh të “autobiografizmit” në roman. Kur them “romani im – jam unë”, kam parasysh atë çfarë kanë thënë mjeshtrit klasikë të romanit, Tolstoi dhe Floberi, në lidhje me heroinat e romaneve të tyre, Kareninë dhe Bovarinë. Po, romani është tejmase biografik edhe kur përshkruan një qenie imagjinare që nuk ekziston në të vërtetë, edhe kur ndërtohet si monolog i ndonjë sendi, ngjyre apo peme. Ky “biografizëm” është i pashmangshëm, përderisa jemi qenie antropomorfe, por nuk mund të bëhet çelës, madje çelës i vetëm shpjegimi e kuptimi për veprën. Kam bindjen se letërsia e mirë duhet të ushqehet nga imagjinata. Trilli artistik modelon një botë të vërtetash artistike, ndërsa biografizmi e ul vlerën letrare të veprës. I jep vlerë reportazhi apo fejtoni artistik. Gjyqi për një roman nuk shtrohet nëse ka gënjyer autori, nëse i ka mbetur besnik një realiteti të caktuar. Këto punë i përmbush zhanri i memuaristikës. Romani është projeksion i imagjinatës mbi të vërteta të brendshme, përmes “gënjeshtrave” sa më të guximshme, gënjeshtrave të “vërteta”.
A mund të kemi një lexim “të fshehtë” të historive që shkruani, si i dëgjoni zërat e personazheve?
A.T: Nuk besoj se i vë vetes një detyrë të tillë kur shkruaj. Përpiqem që historia që rrëfej të më përfshijë vetë në radhë të parë dhe të mos jetë e deshifrueshme, e parashikueshme në asnjë moment. Të mos ia qëllojë lexuesi, se çfarë pritet në faqen tjetër. Përftohet vetvetiu njëfarë thellësie, pa e rënduar dhe sofistikuar tekstin me “dijet” apo “filozofimet”. Përpiqem t’i jap lirshmëri personazhit, ta lë atë të veprojë e të sillet me lirinë që ka dhe kufizimet që ka. Të jetojë. Pa sforco. Ato flasin me veten dhe të tjerët, reagojnë, gjithmonë në përputhje me identitetin që kanë. Gënjejnë, ngrehin rrengje, thurin plane e shpresa, njësoj si çdo njeri normal në botën e madhe të vërtetë. Dhe të vdesin besueshëm. Nuk mund ta vdesësh kot, pa motivim një personazh, meqë ti je autori dhe kështu të teket. Në jetë edhe mund të çmendesh. Të kapësh çiften dhe shtish mbi njerëz të gjallë në rrugë. Por kurrë nuk mund ta bësh këtë çmenduri të papërligjur në letërsi. Krimi në jetë edhe ndodh, por nuk mund të vrasësh në letërsi pa qenë e pashmangshme vdekja e personazhit. Floberi volli një javë kur i dha helmin Ema Bovarisë. Përgjegjësia në art është shumë më e madhe se në jetën e përditshme. Nisur nga këto shpjegime, kuptohet, që zërat e persanazheve të mi janë të dallueshëm në masën e çlirimit të personalitetit të tyre prej meje. Të paktën gjatë kohës që mendoj për ta dhe shkruaj “fatin” e tyre.
Për shumë arsye, këtu në Shqipëri (jo vetëm) mendohet se, shkrimtarët burra janë më të mirë se ato, gra, duke marrë një vel madhështie e rëndësie, çfarë mendimi keni, përse mund të ndodh kjo?
A.T: Unë nuk jam pjesë e atyre që mendojnë kështu. E di, si shumëkush, apo ndoshta më mirë se një pjesë e madhe, se ka prej kohësh një seri të studimeve “gender”, letërsia feministe. Ekzistojnë kurse e programa të posaçme universitare e postuniversitare që trajtojnë “letërsinë feministe”, duke plotësuar një gjenealogji historike të “shkrimit femëror”. Unë mendoj se ka “problematikë femërore”, por jo letërsi për meshkuj e letërsi për femra. Për mua letërsia nuk ka seks. Ose është letërsi e mirë, ose nuk është. Më duket absurde të provosh me indikator cilësinë “fëmërore” apo “mashkullore” të letërsisë. As nisur nga ndjeshmëritë “feminile” apo “mashkullore” nuk rezulton kjo. Jurij Lotman, një ndër semioticienët më të mëdhenj, krahason në një studim ndjeshmëritë “feminile” dhe “mashkullore” të dy poetëve rusë – Marina Cvjetajevës dhe Boris Pasternakut. Dhe e dini përfundimin e studimit? Lotmani argumenton ndjeshmërinë e spikatur burrërore të poezisë së Cvjetajevës, sikundërse ndjeshmërinë tejet femërore të poezisë së Pasternakut. E them edhe njëherë: letërsia e mirë nuk ka seks, d.m.th, gjini.
Cila është gjendja juaj mendore kur nisni të shkruani?
A.T: Pasiguria dhe dëshira. Cila do të fitojë? Varet nga koha. Shpesh mungesa e kohës. Alarmi i agjendës rrënon gjithçka. Madje për vite të tëra në jetën time, tash dhjetë vjet, ndoshta, mbizotëron alarmi dhe agjenda. Është luks të kesh një kohë të pahelmatisur nga radha e pafund e detyrimeve që të presin. Hija e detyrimeve e bën të pamundur të shkruarit.
Keni ndonjë shkrim të hershëm që nuk e keni botuar kurrë?
A.T: Disa dhjetra poezi, ca tregime dhe shumë fillime romanesh, tregimesh e novelash.
Cila periudhë e letërsisë shqiptare ka ndikuar tek ju? Vitet ‘900 nuk kanë vetëm komunizmin. Po nga letërsia e huaj? Me intensitet edhe përktheni, duke iu kushtuar sidomos letërsisë ruse…
A.T: Lexoj pa paragjykim tradita të ndryshme. Zhanre të ndryshëm. Filozofi. Tekste biblike, kuranore, tekste shkencore. Në letërsi zhvendosem nga lirikët e tragjikët antikë tek moderniteti, mesjeta, etj. Jam një makinë leximi, mjafton të kem pak kohë. Mundohem t’i përmbahem një parimi kënaqësie nga leximi: nëse një libër që po e lexon nuk po të dhuron kënaqësi, dhe akti i leximit po shndërrohet pak nga pak në barrë, atëherë si çdo barrë tjetër e meriton të hiqet qafe. Dhe e detyroj veten ta hedh librin. Në traditat tona të letërsisë, mbetet letërsia e viteve ’30. Koliqi, Kuteli, Migjeni. Laj, thaj, vetëm këta dhe Poradeci. Sigurisht ekziston dhe Prenushi, Shantoja, A.Pipa etj. Gjithsesi nuk të zhgënjejnë kur u rikthehesh. Para tyre – De Rada, Mjeda dhe Fishta. Po boll janë, apo jo? A kanë ndikuar tek unë? Si poet, jo. E prapë, ku i dihet? Ndoshta më shumë Mjeda me vargun e strofat neoklasike të përsosura. Po janë ndikime të tjera, që s’kanë të bëjnë direkt me shkrimin. Janë pjesë e ADN-së sonë tashmë dhe kushedi se kur e qesin kryet ndonjëherë…Letërsia e huaj është tjetër gjë. Romani im më i lexuar ka qenë “Don Kishoti i Mançës”. Dikur e kam lexuar çdo vit. Por më afërt e kam ndjerë veten me modernistët – Prust, Kafka, Zamjatin, Bruno Shultz, Bullgakov, Nabokov. Romani i ashtuquajtur i estetikës postmoderniste gjithë e më shpesh më zhgënjen, me përjashtim të Kalvinos dhe Xhon Faullzit. Në poezi harta është shumë e larmishme nga shumë kultura. Por vazhdoj të mbetem e t’i rikthehem Brodskijt. Universi i tij me tërheq njëlloj, si në poezi, ashtu dhe në mendimin eseistik. Brodskij është një universitet i gjallë më vete. Përkthimet e mia janë shpesh mënyra vetiake leximi dhe dëshira për të bashkëndarë me të tjerët gjëra që mua më prekin. Nuk jam një përkthyes që jetoj me përkthimin. Përkthej ato që dua. Kryesisht nga letërsia ruse. Kam patur shumë plane për të sjellë një fytyrë të panjohur të letërsisë ruse të shekullit XX deri në ditët tona, por kjo mbetet deri më tash, jashtë mundësive të mia fizike. Nuk ka kohë për të gjitha…
Çfarë pasojash mendoni se, ka lënë tranzicioni nga regjimi komunist, qoftë në temë por edhe në formë?
A.T: Në letërsi vërshoi një liri kaotike. U dynd një pluhurnajë e madhe kulturore. Gjithkush që pati mundësinë financiare të botojë apo të gjejë sponsorizim, botoi librin e tij. Vërshuan rrëfimet e gjithëfarë lloji: libra për fshatrat, krahinat, dyert e mëdha, kishat, xhamitë e teqetë, për burra të shquar e patriotë, që deri dje nuk njiheshin; libra për mësues, oficerë, ushtarakë, ish-sigurimsa; çdo gazetar nxitoi të botojë librat e vet dhe të imponohet si shkrimtar me vlera. Po kështu veproi çdo politikan, aktor, pensionist, etj. Romane e poezi të autorëve që nuk e kapërcenin nivelin e vetëshprehjes. Në një kakofoni të tillë, shtëpitë-shtypshkronja botuese u sollën si çdo lloj i rëndomtë tregu, duke bërë preventivin e librit, pa e vrarë mendjen se çfarë vlere ka ai. Me kohë vendin e parë e zuri letërsia masovike, përkthimet e këtij zhanri (romanit rozë, i damave, thriller, dedektiv, mistik, erotik, konjukturoro-politik, etj), një zhanër që asnjëherë nuk është konsideruar si letërsi, se njëmend nuk është. Po me kohë iu bashkangjitën edhe produktet e letërsisë masovike shqiptare, edhe ato duke u konsideruar si fjala e fundit e letërsisë, prej ndonjë burri konjuktural me mjekër kombëtare. Të pakta mbeten edhe sot shtëpitë e mirëfillta botuese që mbajtën nivelin dhe qëndrimin e rezervuar të përzgjedhës të autorëve. Lexuesi e krijuesi shqiptar e ka mundësinë të ballafaqohet sot me gjithë emrat e mëdhenj në poezi e prozë. Dhe ky është një shërbim i mirë i botuesve shqiptarë. Sigurisht kjo ka ndikuar për një rikuptimësim të idesë mbi letërsinë si art i fjalës. Ndikimi pastaj ka qenë i ndryshëm, nga epigonizmi tek eksperimentimi i kujdesshëm. Sfera e letërsisë së mirëfilltë vazhdon të elitarizohet. Autorët shqiptarë po krijojnë profilet e tyre individuale dhe mund të flitet për një peizazh mjaft interesant të letërsisë shqipe bashkëkohore. Mirëpo sërish “Thembra e Akilit” mbetet rrjeti i shpërndarjes, i cili është krejtësisht spontan e i gjymtuar. Instanca nga Botuesi tek shpërndarësi dhe librashitësi nuk funksionon, të paktën për autorët shqiptarë. Në fund të këtij zinxhiri, pret surrati vrarëlie i librashtësit, i cili porosit librat me të njëjtin tahmin, sikur zgjedh trangujt në treg. Dhe ne nuk na shkon mendja si autorë, se gjyqtari ynë suprem për ekzistencë në raft, është inteligjenca e librashitësit.
Keni thënë: Kontrata me djallin është një metaforë e vjetër e njerëzimit, që në mënyrën e vet i shtrohet gjithkujt. Letërsia nuk është se i zgjidh këto probleme dhe nuk përçon moral në kuptimin e drejtpërdrejtë: në kontekstualizmin e kësaj, a ka ç’të rrëfejë sot letërsia?
A.T: Letërsia ka ç’të rrëfejë gjithmonë. Temat madhore dominuese janë po ato të lashtat: kthimi i heroit në shtëpi, tema e labirinthit, ndërmarrja e pamundur dhe kontrata me djallin. Sigurisht, ka dhe tema të tjera. Shoqëria e sotme shqiptare është e kapërthyer me të gjitha problemet e këtyre variacioneve tematike. Letësia nuk bën moral, sepse morali është gjë e trashë. Letërsia e mirë fsheh një apel, që ta pëshpërit, si një urdhër i brendshëm, në një vesh ende të pazbuluar: “Bëhu si unë!”
Ndërkohë mbani pozicionin e Drejtorit në Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, angazhim dimensional –politik e qytetar. Përveçse ngjarjeve tronditëse, çfarë ju shqetëson në këtë ndërgjegje sot?
A.T: Më shqetëson shurdhëria e politikës, parlamentit, komisioneve parlamentare dhe instancat e drejtësisë për të mos e ndëshkuar ligjërisht krimin komunist. Më shqetëson tejngopja e institucioneve qëndrore të shtetit me ish-Sigurimsa, një situatë flagrante kur shteti po drejtohet nga ish-Sigurimsat. E shkuara pasqyrohet në të sotmen: bashkëpunimi i ish-Sigurimsave me qarqet e ndryshme të mafies shtetërore. Ata i ke në Parlament, në Policinë e shtetit, në SHISH, në Prokurori etj. Madje dhe vetingu bëhet nga duart e tyre të ndyra, nga po ata ish-oficerë operativë të ish-Sigurimit. Shqetësuese është gjendja e kurrikulave mësimore në shkolla e universitete. Shqipëria ka probleme të rënda me ndarjen nga trashëgimia komuniste. Mungon ndjeshmëria dhe mirëkuptimi për ta bërë këtë ndarje. Shqipëria ka nevojë të zbatojë një Platformë Kombëtare të Dekomunistizimit dhe jo të riciklojë këto mbetje toksike sigurimsash në krye të institucioneve. Ata nuk e kanë më vendin në shoqërinë tonë demokratike. Efekti i kësaj ndotjeje të përgjithshme po na çon në ripërtëritjen e totalitarizmit.
Një kontribut është në atë që e quani letërsi e memuaristikës, që këtë vit pati sërish një fluks botimesh të reja mbi komunizmin, dëshmi e rrëfime…A ka kujtesë të mjaftueshme sipas jush?
A.T: Është bërë një punë e madhe nga Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit që drejtoj unë me botimin e këtij zhanri. Janë studime shkencore tematike e monografike të bazuara mbi arkivat, që evidentojnë harta krimi e gjenocidi. Janë mbi 100 tituj librash memuaristikë të qytetarëve që provuan burgjet dhe internimet. Disa qindra të tjerë që kanë mbijetuar i kemi marrë në rrëfime audiovizuale dhe po botohen të zbardhura nga Luljeta Lleshanaku në një kolanë që quhet “Zërat e kujtesës”. Ka pasur dhe më parë përpjekje dhe ka edhe nga organizata të tjera, po prapë është e pamjaftueshme. Po përpiqemi të shpëtojmë kujtesën e të mbijetuarve, përgjithësisht breza të moshës së tretë, që po vdesin përditë.
Kur në vende të tjera leximet dhe performancat e tekstit poetik janë mjaft të përhapura, për t’i bërë vargjet më të arritshme, këtu për marrëdhënien poet-publik s’ka reflektim, dhe ishte tronditëse sondazhi në fundvitin e shkuar për lexuesit shqiptar. Nuk lexohet.
A.T: Një peisazh letrar kombëtar, pa infrastrukturë, si i yni, nuk të lejon të shohësh vlerat e vërteta. Janë vite të gjata këto dhe gjendja ka ardhur duke u përkeqësuar. Infrastruktura letrare është sociologjia e komunikimit me lexuesin. Janë revistat, periodikët, almanakët dhe gazetat javore. Të gjitha këto media letrare, që tek ne mungojnë, duhet të jepnin një dinamikë të komunikimit. Ne jemi një kulturë pa revista, pa gazeta. Pa Festivale Letrare. Pa studio me emisione të posaçme, që t’i kushtohen cilësisht artit letrar. As rubrika të librit. Por edhe kur kanë qenë në ndonjë TV të madh, të kallte krupën era e qokave. Pyetja është: prej çfarë duarsh na serviret libri? Nga goca konjukturale, nga dama të perënduara ish-hartuese akt-ekspertizash. Kështu nuk ke mundësi të kuptosh se çfarë idesh, prirjesh, tendencash e stilesh mbizotërojnë. Nuk ke mundësi të lexosh një shkrim recensional, cikle poetike, përkthime, studime, sepse mungojnë.
Kjo është shenjë e keqe. Këto lexues që ftohen, që i kthejnë shpinën librit, janë kontigjenti i nesërm i rekrutimit në turma demagogjike, që shoqëria të kridhet në horizonte totalitare.
Si duhet t’i dorëzohesh lexuesit, a e mendoni?
A.T: Lexuesit nuk duhet t’i dorëzohesh, por t’i imponohesh me cilësi e veprave që shkruan. Kurrë nuk ka ngjarë në historinë e letërsisë, që poetët e shkrimtarët t’i dorëzohen masës së lexuesit. Lexuesi duhet “magjepsur” me atë çfarë e mban gjallë, duhet tërhequr me magjinë e letërsisë së mirë, ku ai të gjejë veten, jetën e vet shpirtërore e mendore, dilemat dhe dëshirat që e bëjnë të ngrihet nga banaliteti i përditshmërisë. Lexuesit duhet t’i ofrosh librin që atë e madhon, e bën të meditojë e të trandet thellësisht, të shkundet, të preket e të zgjohet nga përtacia shpirtërore. Duhet t’i ngacmosh sedrën. Diç të ngjashme me atë që thotë një personazh i Orhan Pamuk: “Sesi një ditë lexova një libër, që e ndryshoi tërë jetën time” (“Jeta e re”). A ka mundësi t’i ofrosh një libër të tillë? Do të ishe fatale t’i dorëzoheshe shijes së masës. Do të përfundonim në një letërsi kitch-i. Nuk i është dorëzuar Pushkini, Dostojevski, Çehovi, Hygoi, Prusti apo Kafka nivelit të lexuesit, por ata e kanë ngritur lexuesin në nivelin e tyre. Gjithmonë është fjala për lexuesin elitar, i cili është thuajse bashkautor me shkrimtarin në aktin e leximit.
Së fundi, nëse ju mund të jepni disa këshilla për autorët që aspirojnë, cilat mund të ishin?
A.T: Të lexojnë shumë e vazhdimisht. Të njohin mirë mjeshtërit. E të gjitha traditave. Të ushtrojnë stilin e tyre duke fshirë e grisur sa më shumë. Të shkruajnë “për vete”, pa llogaritur në do t’u përshtaten lexuesve. Gjithçka tjetër mandej, zgjidhet vetvetiu.