Pikëtakimi im me Josifi Papagjonin është Teatri: si art, si kulturë, si politikë dhe si jetë. Apo siç thotë ai me afsh: “Teatri është thelbi i jetës sime”. Teksa e lexon këtë libër të vëllimshëm, ai të fut brenda opusit të vet krijues, dijes së etabluar si shprehje përimtësisht zbërthyese, e cila shkon deri në dhembje dhe papajtueshmëri për gjendjen aktuale të teatrit, “gënjeshtrës” së vetme të cilës ne i besojmë. Ky besim i lëkundur prej autorit hidhet në kërkim të një të vërtete ndjesore dhe estetike për të cilën ai këlthet qortueshëm: “Pse po ikim në aventura kinse inovative në dëm të Teatrit si një dhe i pandryshueshëm”. Konstatimi i tij se teatri edhe në këtë kohë epidemie mbetet oksigjen për shpirtrat e lodhur të njerëzve, vjen si ide frymëzuese dhe prijëse që mbush veprën voluminoze “Fjala, loja, imazhi”.
Libri ka një natyrë përfshirëse për të gjitha artet; flitet për letërsinë, kinematografinë, artet pamore, koreografinë, një opus i gjerë prej mbi 700 faqesh. Krahas veprave e krijimeve konkrete, Papagjoni flet edhe për personalitete të artit; në artet pamore: Velo, Leka, Ahmeti, Jonuzi, Shima, Hado, Theodhosi, Spahia, Nimani, Gjikopulli, Rusinovci, Hudhri; në letërsi: Kadare, Agolli, Zeqo, Bejko, Mustafai, Lera, Medi, Dino, Velaj, Zhupa, Marku, Peza etj.; në teatër: Mani, Prosi, Ndrenika, Arbana, Paçrami, Çapaliku, Basha, Xhuvani, Llakaj etj; në kinematografi: Anagnosti, Gjika, Milkani, Xhuvani, Shanaj etj; në koreografi, Prevazi. Falë tempertaturës së lartë të analizës, Teatri mbetet për mua maja e interesimit. Andaj do të cek disa nga idetë e Papagjonit mbi të.
1. Kush po e rrënon Teatrin si godinë dhe kush si art? Protesta e Papagjonit artikulohet në paradoksin dramatik pse u rrënua teatri (Teatri Kombëtar në Tiranë)? Sido që teatri si art nuk përfaqësohej mirëfilli me godinën, brenda saj ishte gjithsesi vetë thelbi i përfaqësimit. Rrënimi nxori simbolikën e zezë të shpërfilljes së tij si art. Duke e parë shembjen e Teatrit Kombëtar si një veprim politik të pastër, kritiku vëmendëson faktin se kjo nuk është çështje ekskluzive e elitave, e çfardo provenience të jenë, ku disa syresh bëjnë narcisin e kënaqur. Teatri vërtet është elitar porse çështja e trajtimit të tij si i tillë nuk ka të bëjë thjesht me spektatorin potencial, por me diferencimin estetik dhe shtjellimin tematik i veçuar nga rëndomësia, përndryshe rrezikojmë të biem pre e vardisjes në ngarendjen për të fituar spektatorë pra kriter, e në fund t’i humbim të gjitha: edhe teatrin, edhe spektatorin. Studiuesi na bën me dije se kjo dukuri asesi nuk do të thotë që Teatri duhet trajtuar si mbimundësi dedikuar vetëm të “diturve”. Përkundrazi fuzionimi i të ndryshmëve mundëson pikëtakimin tek e vërteta ndikuese, te ndjesitë dhe shqyrtimet e mendimeve të cilat provokojnë. Me të drejtë Papagjoni konstaton (lexo alarmon), rrezikun e stërkeqjes së shijes nga ata që shije nuk kanë. Pra produkti që nxjerr vardisja nuk mbart besim te Teatri, përveçse përçmim, siç mjerisht në faza të caktuara ka ndodhur, aq më keq po ndodhë edhe sot. Shi për këtë kritiku ynë i shquar nxjerr sentencën thelbësore mbi ekzistencën e vetë Teatrit, qenësinë e tij: “Teatri lipset ta tërheq publikun e jo publiku Teatrin”. Teatri kështu merr pjesë aktive në atë që mund ta quajmë edukim të demokracisë, krahas asaj që është esenca e tij, edukimi emocional. Andaj sipas Papagjonit, teatri “…ecën drejt sallave ku përpunohet shpirti dhe jepet kënaqësia, jo drejt shesheve ku bërtitet e ulërihet në fushata elektorale, ku thyhen xhama dhe u vihet zjarri objekteve, si për “sport politik””. Andaj dhe ai kërkon që teatri të mbetet si një puntori ku modelohet shpirti, shqyrtohet veprimi, lexohet historia, ku mësohet dashuria për njeriun, me të qeshura e me lot, ku deshifrohen e thyhen kode morale të epërme e të rrezikshme, ku nga zemrat e ligështuara lirohet e keqja dhe përjetohet liria si përmbajtje shembëllyese, duke mbetur një dedektor i së vërtetës. “Por kur do të vijë vallë kjo situatë kreative, e domosdoshme për ta çuar Teatrin tutje rëndomësisë dhe peshës së lehtë që shpesh ai ka?”, pyet i shqetësuar autori. E pra rëndomësia na çon tek njëjtësimi me spektatorin, që do të të thotë ndërrim rolesh. Spektatori ngjitet në skenë sepse autori ka zbritur poshtë saj. Kështu vdes Teatri. Ai thjeshtëzohet te thënia: “Vend ku shikohet”. Humbet kësodore mendimi, emocioni i thellë, fuqia katarsike e tij.
2. Kush është premisa për ta kthyer spektatorin në Teatër? Papagjoni sugjeron, më së pari, përzgjedhjen e një dramaturgjie cilësore, me peshë, si nga ajo klasike, filluar me antikët grekë, Shekspirin dhe të tjerët, gjer te dramaturgët modernistë e postmodernistë. Një sërë analizash vijnë të tretura në mendimin e tij falë shfaqjeve, dramave e autorëve të zgjedhur. Pra Teatri do duhej të ushqehej nga pjata kryesore e repertorit botëror, përmes shfaqjeve të riaktualizuara në konkekstin kohor. Sigurisht regjisori dhe inventitviteti e peshkon spektatorin. Mirëpo mendimi regjisorial sipas kritikut tash për tash është i infektuar nga pandemia e përtacisë, e që pastaj kreativitetin e “ushqen” duke shikuar YouTube me plagjiate gjithfarëshe… Duke kërkuar shprehjen e vërtetë teatrore si një këndshikim të dritës mes errësirës, Papagjoni na hap sirtarin vleror të autorëve të tillë kreativë si Piro Mani, Mihal Luarasi, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Albert Minga, më pas Altin Basha, Hervin Çuli, Spiro Duni, Milto Kutali e gjer tek më të rinjtë si Elma Doresi në Shqipëri, duke shtuar këtu mëpastaj edhe Muharrem Qenën, Sefo Beto Krasniqin në Kosovë, të cilët atëbotë, në fillimet e vështira, e ngritën nivelin e shfaqjeve tona duke e funksionalizuar gjuhën e teatrit (pasi në një masë të madhe teatri ishte i letrarizuar, pra i bazuar kryesisht në veprime foljore). Krahasuar me këta regjisorë, sot sikur mungon fantazia shprehëse. E kjo do arrinte të përcillte në skenë riformulimin e problemeve, por në kontekstet e sotme kohore, sikurse dhe dinamikën me të cilën ato ngjasin në jetë. E kur kjo mungon, atëherë sulmohet gjuha. Dhe vjen prishja e standardit gjuhësor. Degjenerimit të gjuhës dhe kulturës që po i bën muzika tallava e rep-i, jo rrallë i mbanë ison edhe teatri. Në njëfarë mënyre Teatri, sipas kritikut, duhet të jetë një “lektor” gjuhësor kundrejt teprimit të të folurit dialektor dhe shprehjeve të “rrugës”, me arsyetimin tepër banal se kinse kjo na qenka “gjuha e personazhit”. Teatrit, përveç të tjerave, i takon të jetë shkollë e gjuhës standarde, shenjë identitare e përkatësisë. Dilema se a duhej rrënuar teatri dhe nëse po kur (?), është e strukur edhe në mendimet e J. Papagjonit. Sigurisht kjo “kur” lidhet me godinën e re të premtuar me të cilin u joshën artistët. Qasjet e dyzuara të komunitetit artistik nuk arritën ta mbrojnë godinën brenda të cilës qenë të tatuuar shumë emra artistësh të shquar, dhe as të bindin palën tjetër pse duhej shembur për t’u ndërtuar një i ri. Godina megjithatë është dashur të ruhet sepse përmbajtja e teatrit janë performuesit si pjesë e kujtesës, interpretimet e tyre, bukuria e shprehjes artistike dhe ky akt, siç thotë Papagjoni, nuk “përsëdytet”. Pahetueshëm duke bërë rivlersëimin e mendimit se godina nuk është esenca e teatrit por janë artistët që djersiten aty duke interpretuar, qeshur e qarë, “e ndau në një ëndërr besën me besimin”. Fundja dhe varrezat duhet të mirëmbahen, sepse ato flasin për të kaluarën dhe kulturën, hija e atyre që pushojnë aty bie mbi jetët tona. Në këtë ndryshueshmëri qëndrimesh, rrënimi i Teatrit i shkakton Papagjonit një trishtim traumatizues sepse aty ai kishte parë thuaja të gjitha shfaqjet për 50 vite me radhë.
3. Po teatri si art ku qëndron sot dhe a mund ta këndellin festivalet? Disa nga shqetësimet e Papagjonit dhe frika për vdekjen e teatrit dalin në sentencën se “teatrit i ka ikur aroma, sqima” derisa publikut i servohet “tallava, banalitet dhe “kultura vulgata” duke i ngjarë politikës. Për ta dalluar nga tallavaja ai thërret në ndihmë dramën shqipe, e cila është përfaqësuesja më besnike e asaj çka ndodh ndër ne. Por çështja është se si ta avancojmë, ta stimulojmë e ta inskenojmë këtë dramë. Mundësinë ai e gjen te festivalet si një hapësirë sprove e vlerësimit për nivelin e saj. Shumica e festivaleve e kanë hequr nga projekti mendimin kritik për shfaqjet si formë e organizaur debati. Si gara artistike kreative të autorëve më të mirë të dramës shqipe ato shndërrohen në parakushte të këndelljes. Kjo është ideja së cilës i mëshon me argument Papagjoni duke sugjeruar një format reprezentativ në kryeqendrat tona kulturore: Tiranë, Prishtinë, Shkup, pa përjashtuar këtu edhe festivalet e tjera që organizohen në qytetet e hapësirës mbarëshqiptare. Me shembullin e tij, prof. Papagjoni ka qenë përherë i pranishëm në këtë trekëndësh (Tiranë-Shkup-Prishtinë) me një kontribut të jashtëzakonshëm e domethënës për Teatrin shqiptar. Përvoja e tij e gjerë në laboratorin e dijes teorike, kualiteti i mendimit bën që ai të nxjerr përfundime të duhura si atëhere kur jep argumente me natyrë polemike, edhe atëherë kur sjell qendrime pohuese e shqyrtime kritike racionale. Gjithësesi ai të cyt në mendime, të pushton me “Uaaaa kjo është!”, sikurse ti ngjall sakaq një debat aktiv me vetveten për çështjet që trajton e ku teatri, përveçse dashuri është edhe dije. Duke analizuar aspekte të largëta të dramaturgjisë shqiptare autori vë shenjën e pikëpyetjes dritëruese rreth marrëdhënies së prishur regjisor-dramaturg, prishje që pastaj ka sjellë mungesën e dramës së mirë shqipe. Regjisorët e gjejnë më të lehtë të mbushin skenat e zbrazta me shfaqje nga Yutube apo plagjiate të tjera gjithfarëshe. Andaj dhe i ikin dramës origjinale! Si njeri i teatrit mua më kanë emocionuar rradhët për kritikun Miho Gjini, njeriun e mirë të teatrit, i cili (krah me Nebi Islamin dhe J. Papagjonin) i ra shqiptarisë cep më cep dhe mblodhi e dha dije për teatrin. E dhimbshme dhe kontradiktore ka qenë jeta e dramaturgut Fadil Paçrami, disident që shkundi pluhurin dhe mykun nga “Marrëzia e madhështisë”. Stefan Çapaliku në penën e Papagjonit vlerësohet si shkrues “ndryshe”. Tek ai spikat ironia, shakaja e ngarkuar me pezm, përqeshja e hapur dhe parodia, gjetjet e mprehta dhe intelegjente duke e dekontaminuar gjendjen e shoqërisë postkomuniste dhe duke ecur, sipas Papagjonit, “…nga liria si retorikë, propagandë dhe mit i kamufluar, në lirinë e keqkuptuar që krijon zhgënjim, vetmi, braktisje, dëshprim, absurd dhe një mit të ri social tashmë të desakralizuar, që çon në kaos dhe gënjeshtër”. Duke e lexuar Papagjonin, përkatësisht duke e përcjellur kodin e tij të leximit të veprave dramatike dhe shfaqjeve teatrore, ai na shpalos platformën e vet estetike, kriteret, karakterin, idetë, dëshirat. Erudicioni i tij shkon shpesh përtej veprës dhe vërshon me trajtesat e tij të mprehta estetike, shpesh të munguara në jetën tonë artistike, sidomos në teatër. Ai ka prirjen e natyrshme të shpërndarjes filantropike të dijes. Ky libër, pos kënaqësisë, më shpije vetiu edhe te mirënjohja e falenderimi për Josif Papagjonin dhe privilegjin e njohjes dhe miqësimit me të.