More
    KreuOpinionAgim Vinca: “Letërsi shqipe” apo “letërsi shqiptare”?

    Agim Vinca: “Letërsi shqipe” apo “letërsi shqiptare”?

    Ka vite e dekada që në diskursin tonë kritik, madje jo vetëm në shkrime në shtyp e periodik, por edhe në studime e libra me karakter monografik, haset një dysi në emërtimin e letërsisë sonë kombëtare: letërsi shqipe dhe letërsi shqiptare.

     “Letërsi shqipe”, shkruan njëra palë, që konsideron se gjuha është përcaktuesi kryesor i letërsisë si art; “letërsi shqiptare”, thotë pala tjetër, që mëton se ky term e mbulon më mirë korpusin letrar shqiptar, përfshirë edhe veprat e shkruara në gjuhë të tjera, por nga autorë shqiptarë.

    Si të mos na mjaftonin problemet reale që kemi në studimin e letërsisë sonë, në trajtimin e saj si një e tërë, pra në mënyrë integrale, posaçërisht të letërsisë bashkëkohore, ne i kemi krijuar vetes, me a pa dashje, një problem të paqenë: atë të emërtimit të dyfishtë: të saj (letërsi shqipe – letërsi shqiptare), me të cilin ndeshemi që në start.

    Fjala është për një problem, në dukje të vogël, që meriton vëmendje dhe që kërkon, pse jo, edhe një zgjidhje.

    Mirëpo, para se të merremi konkretisht me këtë problem, duke shfaqur, natyrisht, edhe qëndrimin tonë, le të shohim, shkurtimisht, si paraqitet ai në historiografinë letrare shqiptare.

    Në të kaluarën manuale të letërsisë shqipe kanë botuar kryesisht të huajt ose edhe ndonjë autor arbëresh që për gjuhën, letërsinë dhe kulturën shqiptare ka shkruar në italisht.[1]

    At Justin Rrota botoi në vitin 1925 studimin me titull Letratyra shqype, që konsiderohet si prova e parë e një historie të letërsisë shqipe. Në vitet dyzet, doli në Tiranë libri në formë krestomacie Shkrimtarët shqiptarë I, II,[2] me autorë Namik Resulin, Ernest Koliqin dhe Karl Gurakuqin, të cilët në titull e shmangin përcaktorin “letërsi shqipe”, duke e zëvendësuar me “shkrimtarë shqiptarë”, por në brendi edhe ata, sikurse Rrota, përdornin trajtën “letratyra shqipe”.

    Edhe Xhuvani, Cipo e Çabej përdorin këtë trajtë, me një ndryshim të vogël fonetik: literaturë.[3] (Termi “letërsi” ka hyrë në përdorim kryesisht pas Luftës së Dytë Botërore; më përpara përdorej trajta “letratyrë/ literaturë”).

    Edhe në dy tekstet shkollore të Shuteriqit: Histori e letërsisë shqipe dhe Antologji e letërsisë shqipe për shkollat e mesme, të botuara në vitin 1955, përdoret termi “letërsi shqipe” e jo “letërsi shqiptare”.

    Por vepra kryesore, që krijoi për herë të parë një pamje më të plotë të zhvillimit historik të letërsisë shqipe nga dokumentet e para të gjuhës shqipe deri në prag të Luftës së Dytë Botërore është libri në dy vëllime Historia e letërsisë shqipe I-II, i botuar në Tiranë në vitet 1959-1960 si tekst universitar.[4] Me pak ndryshime, kryesisht të natyrës politike, ky libër u ribotua edhe në Prishtinë (1969), duke shërbyer deri vonë si tekst bazë për studimin e letërsisë shqipe të traditës nga nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e shkollave të larta dhe të fakulteteve, sikurse edhe nga mësimdhënësit e tyre.

    Siç mund të shihet qartë qysh në titull, në këtë vepër, të krijuar kryesisht nën mbikëqyrjen e studiuesit të njohur të trashëgimisë sonë letrare e shpirtërore, prof. Dhimitër S. Shuteriqit, letërsisa jonë kombëtare cilësohet me përcaktorin “letërsi shqipe”. 

    Nga kjo kohë e deri në fillim të viteve ’80 të shekullit të kaluar, në ligjërimin kritik shqip, me gojë dhe me shkrim, është përdorur termi “letërsi shqipe”, që nuk kontestohej nga askush.

    Kalimi nga “letërsi shqipe” në “letërsi shqiptare” ndodh në vitin 1983, në kohën e ideologjizimit të theksuar të shoqërisë shqiptare dhe, rrjedhimisht, edhe të mendimit shkencor. Atë vit doli nga shtypi, si botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, vepra Histori e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare), e bazuar, si thuhet në parathënie, ”në mendimin shkencor të PPSH-së” dhe në “metodologjinë marksiste-leniniste”, hartimi i së cilës kishte filluar vite më parë dhe kishte qarkulluar “në formë maketi nga viti 1976”.[5] Vepra në fjalë, ç’është e vërteta, sillte “disa fakte të reja letrare” dhe saktësonte disa gjëra në krahasim me pararendësen e saj, por interpretimi që i bëhej procesit letrar dhe vetë krijimtarisë ishte tejet i ngushtë, restriktiv dhe dogmatik.

    Qasja e tillë vërehet edhe në trajtimin e shkrimtarëve të pakontestuar si De Rada, Dara i Ri, Serembe, Naim e Sami Frashëri, Çajupi, Mjeda, Asdreni, Noli, Migjeni e të tjerë, por merr përmasa groteske kundruall autorëve “të anatemuar” për shkaqe politike.

    Për ta konkretizuar këtë pohim, po përmendim disa të dhëna. Fishtës në këtë vepër i kushtohen gjithsej 21 rreshta; Konicës 17 e gjysmë. Aspak më mirë nuk kalon as autori i madh arbëresh Zef Skiroi; Koliqi vetëm sa përmendet dy herë në kontekst negativ; Lumo Skendo gjithashtu. Lasgushit nuk i kushtohet kapitull më vete, por trajtohet bashkë me poetë të tjerë të viteve ’20-’30, sikurse edhe Kuteli, të cilit i jepet shumë më pak vend se Foqion Postolit e Haki Stërmillit, kurse asnjëri nga dy autorët pogradecarë nuk jepet me fotografi; Konicës i shënohet gabimisht viti i vdekjes (1941 në vend se 1942), kurse Migjeni dërgohet në shkollim jo në Manastir, por “në Bitolje”(!) dhe, për më keq, flitet edhe për “popullsinë shqiptare të Bitoljes”.[6]

    Por, t’i kthehemi temës.

    Në parathënien e kësaj vepre nuk thuhej asnjë fjalë për përdorimin e togfjalëshit “letërsi shqiptare” në vend të atij të mëparshmit “letërsi shqipe” dhe për arsyeshmërinë e këtij veprimi. Autorët e tekstit në fjalë nuk marrin mundimin të thonë as edhe një fjalë të vetme për këtë ‘”risi”. Ndoshta ngaqë pak vjet më parë ky term qe përdorur edhe në tekstin po ashtu akademik Historia e letërsisë shqiptare të realizmit socialist (1978), duke u bërë kështu term ”zyrtar”.

    As pas ndryshimeve politike të viteve nëntëdhjetë, kur ra censura, për çudi, nuk do të flitet për këtë çështje, ndërkohë që emërtimi i periudhës socrealiste “letërsi shqiptare” do të bëhej pothuajse i zakonshëm jo vetëm në Tiranë, por, aty-këtu, edhe në Prishtinë. 

    I pari dhe, madje, edhe i vetmi që do ta trajtojë këtë problem, shumë vjet më vonë, është pedagogu i Universitetit të Tiranës dhe njëri nga autorët e tekstit të ’83-shit, Ali Xhiku. Në artikullin e tij Histori e letërsisë shqipe apo histori e letërsisë shqiptare,të botuar në revistën “Perla” të fondacionit iranian “Shirazi” në vitin 2009,[7] duke mbrojtur pikëpamjen e përdorimit të termit “letërsi shqiptare”, ky autor pohon se “autorët dhe redaktorët e tekstit të vitit 1983 (mes tyre edhe hartuesi i këtyre radhëve), parapëlqyen këtë të fundit (përcaktorin shqiptare), ngaqë menduan se ç’kishin botuar shkrimtarët shqiptarë në gjuhë të huaja nuk duhej lënë jashtë historisë së kombit të tyre”.[8] Si shembuj, profesor Xhiku përmend romanin Bardha e Temalit të Pashko Vasës, dramën Besa të Sami Frashërit, përmbledhjen Ëndërrimet të Naimit dhe ndonjë vepër tjetër të shkruar në frëngjisht, turqisht, persisht, greqisht dhe italisht. Ky është argumenti kryesor. Argument tjetër janë humanistët shqiptarë (Barleti me shokë), të cilët shkruan, në latinisht e italisht, vepra që nuk mund të quhen beletristikë e mirëfilltë.

     Ndër të tjera, autori i artikullit në fjalë, Ali Xhiku, pohon se historianët iranianë kanë të drejtë të interesohen për Tehajjulat e Naimit, kurse ata turq për Besën e Samiut dhe për ta mbështetur këtë konstatim shkruan: “Askush nuk mund të qortojë historinë e letërsisë frënge se mban për shkrimtarë të vetët romancierin Anri Truaja, që ishte rus për nga kombësia dhe dramaturgun Ezhen Jonesko, që ishte rumun. Ata i shkruan veprat e tyre në frëngjisht dhe kjo mjafton për t’i përfshirë në historinë e letërsisë frënge dhe jo gjetkë”.[9]

    Mirëpo, analogjia nuk është e plotë dhe as e qëndrueshme. Emri i të parit, “romancierit Anri Truaja” (Henry Troyat), mezi përmendet në historinë e letërsisë frënge, ku konkurrenca është  shumë e madhe,[10] kurse “dramaturgu Jonesko”, sikurse edhe shumë shkrimtarë të tjerë të shquar (nga Apolineri e Beketi e deri te Emil Siorani e Romen Gari), që, pavarësisht nga origjina, kanë krijuar në gjuhën frënge (shumica syresh edhe kanë jetuar në Francë, kryesisht në Paris), zë vend nderi në letërsinë dhe kulturën franceze. Fundja, Franca është shtet hegjemon letrar, që asimilon talente nga mbarë bota, sikundër edhe letërsitë e tjera të mëdha (angleze, amerikane, ruse, gjermane etj.), deri edhe letërsia serbe ka jo pak shkrimtarë me origjinë joserbe: hebreje (Oskar Daviço, Danillo Kishi, Filip Davidi), rumune (poeti i shquar Vasko Popa) etj. Shqiptarët, për shkak të kushteve historike në të cilat kanë jetuar, nuk kanë pasur mundësi të përvetësojnë krijues të përkatësive të tjera, por i kanë dhënë botës jo pak figura të shquara në fusha të ndryshme të artit dhe të shkencës.

    Përjashtimi i shkrimtarëve që kanë shkruar në gjuhë të tjera nga historia e letërsisë kombëtare, do ta varfëronte traditën e saj,[11] nënvizon autori i artikullit Letërsi shqipe apo letërsia shqiptare, zoti Ali Xhiku, mirëpo në librin e tij Sprovë për një histori tjetër të letërsisë shqipe (vini re: shqipe! – A. V.),[12] nuk e përfshin atë, çka do të thotë se ndërkohë ka reflektuar dhe ka hequr dorë nga termi që e kishte miratuar dikur (më 1983), bashkë me të tjerë, dhe e kish mbrojtur më 2009-tën.

    Libri Histori e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, 1983), është hartuar nga (emrat e autorëve po i japim ashtu siç janë dhënë në libër): Prof. Vehbi Bala, Doc. Razi Brahimi, Kand. i shk. fil. Klara Kodra, Doc. Ali Xhiku, Shaban Çollaku, nën drejtimin e Prof. Dhimitër S. Shuteriqit, redaktuar nga: Prof. Dh. S. Shuteriqi (Kryeredaktor), Prof. Mahir Domi, Dr. Jorgo Bulo, Prof. V. Bala, Doc. R. Brahimi. (Kjo listë e gjatë emrash ta kujton shprehjen: “Shumë kuzhinierë, gjella pa shije!”).

    Edhe pse në titull përdor përcaktorin “shqiptare”, shqiptarësia e kësaj vepre lë shumë për të dëshiruar. Se është kështu, mjafton të rikujtojmë gafën kur për Migjenin flitet se u dërgua për shkollim “në Bitolje” (në vend se në Manastir – ndërhyrja ime, A. V.) dhe sidomos kapitullin për Sami Frashërin, që mbyllet me fjalinë: “Figura dhe vepra e Sami Frashërit gëzojnë nderim të lartë në atdheun socialist”.[13] Po tani që atdheu nuk është më “socialist”, po “kapitalist”, ç’ndodh me figurën dhe veprën e Sami Frashërit?! (Ka edhe shembuj të tjerë, por edhe këta që përmendëm besoj se mjaftojnë).

    Afërsisht në të njëjtën kohë me Historinë e letërsisë shqiptare të Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë (1983), në Prishtinë botohet vepra Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I-III e akademik Rexhep Qosjes, dy vëllimet e para të së cilës dolën në vitin 1984, kurse i treti dy vjet më vonë (1986). Ndërkaq, në vitin 1995, në Nju-Jork, botohet libri History of Albanian Literature i Robert Elsie-t, i cili në gjuhën shqipe do të dalë nën titullin Histori e letërsisë shqiptare.[14] Përkthyesi i kësaj vepre, Abdurrahim Myftiu (bashkautor i Historisë së letërsisë shqiptare të realizmit socialist), është përcaktuar për trajtën “letërsi shqiptare” e jo “letërsi shqipe” konform praktikës institucionale të ndjekur në Shqipëri, edhe pse vetë autori i librit, Robert Elsi, kur shkruan shqip ose i përkthen vetë shkrimet e tij nga anglishtja, përdor trajtën “letërsi shqipe”.

    Kjo tregon se dualizmi: “letërsi shqipe-letërsi shqiptare” vazhdon edhe pas vitit 1990 dhe nuk ka marrë fund as sot, duke krijuar kështu pa nevojë një konfuzion në studimet tona letare.

    Përfundim

    Duam s’duam, dualizmi “letërsi shqipe -letërsi shqiptare” paraqet një problem për shkencën tonë të letërsisë, problem që, me sa di, nuk shfaqet në letërsitë e tjera ballkanike dhe evropiane.[15]

    Letërsi shqipe apo letërsi shqiptare? Histori e letërsisë shqipe apo histori e letërsisë shqiptare?

    Përdorimi paralel i këtyre dy trajtave jo vetëm në vepra autoriale, por edhe në ato prapa të cilave qëndrojnë institucione shkencore të rangut më të lartë, nuk u bën nder studimeve tona letrare dhe as albanologjisë në përgjithësi.

    Meqenëse gjuha është faktori kryesor i përcaktimit të përkatësisë së një letërsie, termi “letërsi shqipe” më duket më i drejtë dhe më i natyrshëm. (Letërsi shqipe është ajo që shkruhet në gjuhën shqipe, nga vetë shqiptarët, por edhe nga të tjerët, nëse ka të tillë. Ky është rregulli, të tjerat janë përjashtime). Ashtu siç duket e panatyrshme shprehja “gjuhë shqiptare” (e përdorur ndonjëherë në poezi për shkak të rimës),[16] po aq e panatyrshme, në të vërtetë e sforcuar, tingëllon edhe shprehja “letërsi shqiptare”.

    Ata që insistojnë për përdorimin e kësaj trajte, janë viktimë e një lloj “paranoje“ dhe e ndikimit të ndonjë autoriteti, ndër të cilët nga kolegët e mi në Fakultet kam dëgjuar të përmendet shpesh emri i Çabejt.[17] Shuteriqi, Qosja, Arshi Pipa, tre autoritete të studimeve tona historiko-letrare, të tri punkteve kryesore (Shqipëri, Kosovë, Diasporë) dhe, pak a shumë, edhe të proveniencave të ndryshme kulturore, përdorin termin “letërsi shqipe” (Shuteriqi në shkrimet autoriale). Njësoj veprojnë, me ndonjë përjashtim, edhe studiuesit që mund të quhen vazhdues të përvojës së tyre në këtë fushë.

    Edhe nga pikëpamja e traditës ky term është më pranë së vërtetës.[18] Teksti i parë i historisë së letërsisë shqipe i hartuar nga vetë shqiptarët, Historia e letërsisë shqipe I-II, i ‘59-‘60-s, i hartuar në një klimë pak më liberale se ajo që do të pasonte më vonë, mund të na shërbejë si pikë referimi, por jo edhe Historia e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare) e ’83-shit, hartimi i së cilës filloi në kohën (pas Plenumit IV të KQ të PPSH), kur çdo gjë bëhej me diktat dhe imponim.

    Natyrshëm shtrohet pyetja: a kemi ne shqiptarët si komb, a ka kultura jonë kombëtare, një paradigmë të studimeve historiko-letrare? Pa dashur të mohojmë kurrsesi kontributin e të tjerëve, të një plejade të tërë studiuesish, në Tiranë e Prishtinë, por edhe në qendrat e tjera albanologjike, brenda dhe jashtë, që me punën e tyre e kanë pasuruar mendimin tonë kritik, nuk mund të mos përmendim në këtë rast, emrin e doajenit të studimeve historiko-letrare ndër ne, Rexhep Qosjes. Letërsia shqipe ka qenë me fat që ka pasur një studiues me vizion të qartë historik dhe me mundësi të mëdha krijuese, i cili, duke përfituar nga përvoja e parendësve të tij, por edhe nga përvoja e të tjerëve në Ballkan dhe më gjerë, e ngriti në një nivel më të lartë mendimin kritik shqiptar. Vepra si Kontinuitete (1972), Shkrimtarë dhe periudha (1975), Prej tipologjisë deri te periodizimi (1979), Nocione të reja albanologjike (1983), monografitë për Asdrenin (Asdreni, jeta dhe vepra e tij) dhe Naimin (Porosia e madhe),vepra Tri mënyra të shkrimit shqip (2004) dhe në mënyrë të veçantë Historia e letërsisë shqipe, Romantizmi I-III, janë gurë themeli në godinën e historisë së letërsisë shqipe. E bazuar në parimet e shkencës moderne të letërsisë, kjo vepër është, siç është thënë, një “sintezë e madhe historiko-letrare”[19] e njërës nga periudhat më të rëndësishme të letërsisë shqipe – Romantizmit.

    Edhe pse situata e krijuar në Kosovë në gjysmën e dytë të viteve ’80 të shekullit të kaluar dhe sidomos në dekadën vijuese, por edhe riorientimi i autorit kah krijimtaria imagjinative (romani), e penguan realizimin e projektit të madh të një Historie të plotë të Letërsisë Shqipe nga fillimet e saj e deri më sot, të paralajmëruar në parathënien e Historisë së letërsisë shqipe të Romantizmit, kjo vepër mund të shërbejë si një gjedhe e sintezave të ngjashme edhe për periudhat e tjera të letërsisë shqipe. Në vëllimin e parë të kësaj vepre (Poetika), shpjegohet edhe çështja e, si thuhet, “shumëgjuhësisë romantike” dhe arsyet që i shtynë romantikët tanë t’i shkruanin disa nga veprat e veta në gjuhë të tjera, kurse në dy vëllimet e tjera trajtohet në formë monografike krijimtaria e shkrimtarëve romantikë, përfshirë edhe veprat e tyre të shkruara në gjuhë të tjera (italisht, greqisht, turqisht, persisht dhe frëngjisht), të cilat autori i quan “fakte historiko-letrare” të letërsisë shqipe.[20]

    Ç’mund të themi në fund të kësaj kumtese? Cili është qëllimi im? Duke u përcaktuar për këtë temë, autori i kësaj kumtese synon jo vetëm ta riaktualizojë edhe një herë çështjen e praktikës dyshe: “letërsi shqipe” – “letërsi shqiptare”,[21] por edhe t’u bëjë thirrje kolegëve të mi studiues të letërsisë, kudo që janë, për të arritur një pajtueshmëri në emërtimin e njësuar (unik) të letërsisë sonë kombëtare, nëse jo edhe një zgjidhje përfundimtare. Konsideroj se shanset për ta jetësuar këtë synim janë më të mëdha sot (sa janë ende në jetë disa nga etërit themelvënës të historisë së letërsisë shqipe) se ç’mund të jenë nesër.

    Meqenëse gjuha është shenja kryesore që dallon përkatësinë e çdo letërsie, atëherë besoj se pajtohemi që letërsinë e krijuar në gjuhën shqipe ta quajmë “letërsi shqipe”, por pa i përjashtuar prej saj as ato pak vepra të krijuara në gjuhë të tjera, të cilat, falë përkthimit në gjuhën shqipe dhe receptimit nga lexuesit dhe kritika letrare, janë bërë pjesë e sistemit letrar shqiptar.[22] Përveç kësaj, këto vepra janë pak (relativisht pak) dhe përfaqësojnë një përqindje të vogël në kuadër të korpusit letrar, prandaj nuk mund ta cenojnë kurrsesi kriterin themelor të artit letrar, atë gjuhësor.

    (Tekst i paraqitur si kumtesë në konferencën shkencore të mbajtur me rastin e 70-vjetorit të themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, Prishtinë, Qershor 2023)


    [1]  Gaetano Pettrota, Popolo, lingua e letteratura albanese, Palermo 1931. Ky libër në shqip është botuar nën titullin Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare (përktheu Qemal Velija), Tiranë 2008.

    [2]  Vëllimi i parë i këtij libri doli në vitin 1941, kurse i dyti më 1942.

    [3]   Eqrem Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe (1936) dhe Për gjenezën e literaturës shqipe (1939).

    [4]  Si bashkautorë të këtij libri shfaqen, pos Shuteriqit, edhe Koço Bihiku, Mahir Domi, Vehbi Bala, Ziaudin Kodra dhe Zihni Sako.

    [5]  Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Histori e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare), Tiranë 1983, f. 3.

    [6]  Po aty, f. 543.

    [7]  Shih artikullin Histori e letërsisë shqipe apo histori e letërsisë shqiptare, botuar te revista “Perla” (Tiranë), nr. 2, 2009, f. 39.

    [8]  Po aty.

    [9]  Po aty, f. 40.

    [10]  Në veprën Histoire descriptive de la littérature contemporaine française me autor Maurice Bruézière-in, një libër i gjerë në dy vëllime me rreth një mijë faqe, botuar në Paris në vitin 1975-1976, emri i këtij shkrimtari përmendet vetëm një herë (vëllimi II, f. 309), por nuk thuhet asnjë fjalë për të dhe veprën e tij.

    [11]  Vepra si Ëndërrime, Bardha e Temalit, Besa etj., falë përkthimit në gjuhën shqipe dhe receptimit nga lexuesit e kritika letrare, por edhe tematikës së tyre (dy të fundit) janë bërë pjesë e sistemit letrar shqiptar. 

    [12]  Ali Xhiku, Sprovë për një histori tjetër të letërsisë shqipe 1555-1944, Albas, Tiranë 2014.

    [13]Histori e letërsisë shqiptare (që nga fillimet e deri te Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare), f. 175.

    [14]  Robert Elsie, Histori e letërsisë shqiptare. Përktheu nga anglishtja: Abdurrahim Myftiu. “Dukagjini”, Tiranë – Pejë, 1997.

    [15]  Është vendi të theksohet këtu se studiuesit e huaj, ndryshe nga ne studiuesit shqiptarë, nuk e kanë këtë problem, sepse në gjuhët e tjera nocionet letërsi shqipe dhe shqiptare, nuk kanë asnjë dallim: Albanian Literature (në anglisht), La littérature albanaise (në frëngjisht), Letteratura albanese (në italisht), albanska književnost (në serbokroatisht), albanskata literatura (në maqedonisht) etj. E konsideroj fatlume këtë rrethanë dhe mirë që është kështu, sepse e kundërta do të ishte komprometuese për studimet shqiptare dhe bartësit e tyre.

    [16]  Kjo trajtë haset te vjersha Gjuha shqype e Fishtës, jo në titull, siç mund të shihet, por në njërin nga vargjet, për shkak të rimës: “Porsi vala e bregut t’detit,/ Porsi gjâma e rrfés zgjetare,/ Porsi ushtima e njij tërmetit,/ Njashtû â’ gjuha e jonë shqyptare”. (Mrizi i Zânavet, Tiranë 1924, f. 5).

    [17]  Teza e doktoratës e Çabejt, e mbrojtur në Grac të Austrisë më 1933 dhe e botuar më vonë në Shqipëri, titullohet Për gjenezën e literaturës shqipe (1939).

    [18]  Konica shkruante: Kohëtore Letrave Shqipe, ”Albania” nr. 5, 1906. Kuteli gjithashtu te Shënime letrare (1944).

    [19]  Bajram Krasniqi, Sinteza historike letrare e romantizmit, në librin Kode të ligjërimit letrar, Rilindja,  Prishtinë 1988, f. 174-175.

    [20]  Po aty, f. 81.

    [21]  Në Programin e Konferecës pashë titullin e kumtesës së kolegut Kristaq Jorgo: E shkuara në të ardhmen e studimeve mbi letërsinë shqip(tar)e, ku përdorimi i kllapave ka funksionin e leximit alternativ të termit: shqipe / shqiptare.

    [22]Tehajylat, fjala vjen, falë shqipërimit të orientalistit të njohur dhe njohësit të shkëlqyer të stilit dhe botëkuptimit të Naimit, Vexhi Buharasë, tingëllon si të ishte shkruar shqip. (Një shembull tjetër i këtij lloji është edhe poema Zotit e Serembes, e shkruar italisht dhe e përkthyer në mënyrë të shkëlqyer në shqip nga poeti Xhevahir Spahiu).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË