I cilësuar nga vetë autori si “roman i vështirë”, Arka e djallit është vepra në të cilën derdhi më së shumti mund shkrimtari Dritëro Agolli. E filloi në fillim të viteve ’80, kur shkroi, si thotë vetë, tri të katërtat e tij dhe botoi te revista “Hosteni” dy kapitujt e parë; e vazhdoi në fund të viteve ’80 dhe e përfundoi vetëm në vitin 1996. Romani u botua një vit më vonë, i plotë, në shtëpinë botuese “Dritëro”.
Siç mund të shihet, një dekadë e gjysmë iu deshën Dritëroit që t’i vinte pikën këtij “romani të vështirë”, i cili mban në fund si datë të krijimit vitet: 1980-1989-1996.
Shikuar nga pikëpamja tipologjike, Arka e djallit është një roman polifonik në kuptimin e plotë të fjalës. Në strukturën e këtij romani gërshetohen plane e perspektiva të ndryshme rrëfimi dhe dëgjohen zëra të shumtë aktantëshe lokutorësh, që sajojnë një mozaik kompleks kompozicional e semantik.
Në themel të romanit Arka e djallit qëndron një konvencë e lashtë sa vetë letërsia: konvenca e dorëshkrimit të gjetur. “Arka e djallit” është dorëshkrimi Shakaja e ndaluar ose Njeriu që e frenojnë kur qesh, i mbyllur në një arkëz druri dhe i fshehur në baxhën e shtëpisë së kulturës të fshatit Qershizë (emër imagjinar i një fshati shqiptar të viteve ’70, në Jug të Shqipërisë), që është skena kryesore në të cilën zhvillohen ngjarjet e romanit.
“Zbulimi” i kësaj arke – arkës ku ruhet dorëshkrimi i Bamkë Dynjasë – nga shkrimtari kryeqytetas, Sherif Abeceja, i cili vjen në fshat për këtë qëllim, shkakton një mori problemesh, si midis banorëve të fshatit, ashtu edhe në relacione më të gjera, që prekin probleme shoqërore, politike, etike, sociale dhe morale të shoqërisë shqiptare të gjysmës së dytë të viteve shtatëdhjetë të shekullit XX.
Dhe kjo ndodh për shkak se autori i dorëshkrimit në fjalë, që është sajesë e shkrimtarit, pra konvencë letrare, është njeri që tenton ta thotë të vërtetën për njerëzit që e rrethojnë dhe kohën në të cilën jeton, duke dalë nga skemat letrare të kohës. “Kur të njihen këto fletorka misterioze (…) do të shohin shkrimtarët e kryeqytetit se si mund të shkruhet e vërteta, që s’ka nevojë të mbahet mbi nagajkat e stolisjes së fjalëve”.[1]
Në sajimin e dy prej personazheve kryesore të romanit, Bamkës dhe Cutes, shkrimtari niset nga dy gjedhe të mëdha të kulturës ballkanike: Ezopi dhe Nastradini. Bamkë Dynjaja, fshatari i zgjuar, që zotëron gjuhën e alegorisë, është personifikim i Ezopit, sepse ashtu siç fliste fabulisti i lashtë për kafshët duke aluduar te njerëzit, ashtu edhe Bamka shkruan për ngjarjet e fshatit të tij duke aluduar në mbarë Shqipërinë. Ndërkaq, Cutja, me shakatë dhe batutat e tij, ta kujton personazhin komik të folklorit turk e ballkanik, Nastradin Hoxhën.
Në pasthënien me të cilën e shoqëron romanin, vetë shkrimtari shkruan: “Dy personazhet e romanit ‘Arka e djallit’, Cute Babulja dhe Bamkë Dynjaja, janë dy personazhet e përjetshëm Ezopi dhe Nastradini. Njëri, shkruan dhe vepron, si Ezopi – Bamka, tjetri vetëm udhëton dhe vepron, si Nastradini, Cute Babulja. Personazhi i tretë, Sherif Abeceja, është kërkuesi dhe zbuluesi i pafat, i zoti dhe i pazoti për të përballuar historinë në përgjithësi dhe individin në veçanti. Është krijuesi”.[2]
Arka e djallit është vepër ku humori, ironia, grotesku dhe parodia janë element fundamental i tekstit letrar, koncept dhe botëkuptim. Si rezultat i këtij përcaktimi, në roman është sendërtuar uniteti i nevojshëm mes personazhit dhe veprimit, që ishte ideal estetik i Henri Xhejmsit, i cili, në artikullin e tij të famshëm, Arti i rrëfimit, shtronte pyetjen: “Ç’është një personazh, përveçse përcaktim i veprimit? Ç’është veprimi, përveçse ilustrim i personazhit?”[3]
Shkrimtari Sherif Abeceja, që është vetëdija qendrore e romanit, mund të quhet bartës i këtij koncepti teorik. Ai vjen nga kryeqyteti në fshat për të shtënë në dorë fletoren e Bamkës, e cila “mund të përvetësohet” dhe “të shëmtohet duke u përvetësuar”, por si pasojë e megalomanisë së tij bëhet vetë dëmtues i saj. (Defteri përfshihet nga flaka në fund të romanit).
Titulli i romanit, Arka e djallit, është një metaforë. Togfjalëshi “arkë e djallit” s’ka të bëjë me demonologjinë popullore, por sugjeron peripecitë që sjell dorëshkrimi i Bamkës pas daljes nga arka misterioze, që i ngjan kutisë së Pandorës. Ky veprim, që zbulon absurditetin e revolucionarizimit të jetës në fshat: kufizimin e bagëtisë dhe të ngastrës para shtëpisë, shkakton shqetësim te njerëzit dhe e shtyn përpara zhvillimin e ngjarjeve në roman, duke e dinamizuar strukturën e tij.
Vetë autori e quan Arkën e djallit “dopjoroman”ose “roman në roman”. “Arka e djallit është një dopjoroman: një i zbuluar dhe një i pazbuluar, njëri për fatin e personazhit, tjetri për fatin e krijuesit, në këtë rast të shkrimtarit. Këtu qëndronte edhe vështirësia e të shkruarit të këtij romani…”.
Në strukturën e romanit hasen dy forma të rrëfimit, të cilat alternojnë njëra-tjetrën. Narratori i gjithëdijshëm, që mban në dorë penjtë e rrëfimit, përdor vetën e tretë, kurse rrëfimi i Bamkë Dynjasë zhvillohet në vetën e parë. I pari synon t’i shikojë ngjarjet nga distanca, pra në mënyrë objektive, kurse i dyti, që është autobiografik, jo.
Rrëfimin e tij për ngjarjet në fshat Bamka ia drejton shokut të tij të shkollës, Hyskë Borobojkës, që është një personazh real i romanit Arka e djallit.[4] Ndërsa për krijimin e personazhit të Cute Babules shkrimtarit i ka shërbyer si prototip figura e gazetarit të njohur shqiptar, Çoti Papuli, për të cilin flitet në pasthënien e romanit. Veçse Cute Babulja i romanit nuk është gazetar, por foklorist; merret me mbledhjen dhe studimin e folklorit; punon në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, por del shpesh në terren; i ka qejf zijafetet, dollitë, mezen dhe rakinë; merret edhe me shkrimin e aforizmave me karakter humoristiko-satirik.
Prania e romanit hipotetik të Bamkës Shakaja e ndaluar ose Njeriu që e frenojnë kur qesh, të cilin ai ia “dedikon” mikut të tij, Borobojka, e bën më dinamike strukturën e romanit. Funksion të ngjashëm kanë edhe aforizmat e Cute Babules;[5] lista e këshillave të tij për burrat; letra denoncuese e Maxhun Xhabalakut dhe shtresa të tjera të tekstit, të cilat e pasurojnë përmbajtjen e veprës dhe e thyejnë linearitetin e rrëfimit.
Episodi i udhëtimit të tandemit Cute-Bamkë në Turqi, për të marrë pjesë në Konferencën folklorike në qytetin e Konias, është një nga episodet më interesante të veprës: një aventurë e vërtetë, me shumë situata komike, që t’i kujtojnë bëmat e Nastradinit. Cute Babulja i Dritëroit është një Nastradin shqiptar i kohëve moderne, i cili vepron në kushtet e një sistemi dogmatik, ku humori dhe shakaja nuk shihen me sy të mirë.
Antipod i tij është kritiku Mitro Karapataqi, personazh i njohur që nga Shoku Zylo, që përfaqëson kritikun zyrtar të realizmit socialist, të cilin shkrimtari tani e karikaturizon plotësisht. Nëpërmjet figurës së tij stigmatizon kritikën panagjerike, që përdor fjalë të mëdha, por boshe (kritikët e tillë nuk i kanë munguar kurrë letërsisë shqipe), ndërsa përmes figurës së rapsodit Gjok Çoku (i njohur po ashtu nga Shoku Zylo) parodizon patosin dhe retorikën stereotipe, që vazhdon të jetë e pranishme në një pjesë të poezisë shqipe.[6]
Nuk mund të flitet për Arkën e djallit pa iu referuar pararendëses së saj: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, që është vepra më e njohur dhe më e vlerësuar e Dritëroit. Pa dashur të vemë në peshojë këto dy vepra, që i lidhin edhe shumë elemente të përbashkëta, mund të themi pa ngurrim se kritika ndaj rendit shoqëror te Arka… është më e thellë dhe më radikale se te Shoku Zylo…; se teknika e rrëfimit është më e sofistikuar, me më shumë linja, ngjarje e episode; se ka numër më të madh personazhesh; se gjuhësisht vepra është më e pasur dhe se në këtë roman, të filluar në kohën e monizmit, por të përfunduar në pluralizëm, janë shmangur personazhet pozitive të futura dhunshëm te Shoku Zylo për hir të kërkesave të metodës.
Shoku Zylo dhe Cute Babulja kanë të përbashkët shpirtin e aventurës, dashurinë për folklorin dhe kulturën popullore, por derisa Zyloja është mediokër (atij ia shkruan referatet Demka), Cutja është njeri me kulturë dhe mendjemprehtë. Hamës i madh dhe pijetar (fjalë e krijuar nga Dritëroi për ta dalluar njeriun që pi nga pijaneci), Cute Babulja është njëkohësisht edhe një pasardhës i largët i Pantagruelit të Rablesë, të cilin Hygoi e quante “Eskili i llupësisë”. Skena e futjes së tij në vallen e dervishëve mevlevinj, është ndër skenat më të bukura të romanit.
Arka e djallit është vepër që zhvillon dialog, në kuptimin bahtinian të fjalës, me vepra, kultura dhe tradita të ndryshme letrare. Sikurse te Shoku Zylo…, edhe këtu, autori u referohet shpesh romaneve të mirënjohura satirike, si Don Kishoti i Servantesit, Panairi i kotësive i Thekerejt, Shpirtra të vdekura të Gogolit, Tartarini i Taraskonës i Dodesë, Ushtari i mirë Shvejk i Hashekut etj., që i konsideron modele të mëdha të këtij lloji letrar – romanit satirik.
Në roman përmenden, në kontekste të ndryshme, shkrimtarët shqiptarë: Naim Frashëri, Fan Noli, Faik Konica, Hasan Zyko Kamberi, Ibrahim Nezimi, Muhamet Kyçyku e të tjerë; poetët persianë: Firdusi, Rumiu, Khajami dhe Saadiu; shkrimtarët rusë: Çehovi, Tolstoji, Dostojevski etj., regjisorë si Fernandeli; gazetat e përditshme turke: “Xhumhuriet”, “Milet” etj.; revista humoristike shqiptare “Hosteni”; citohen proverba të shumtë dhe vargje nga këngët popullore; jepen të dhëna me karakter shkencor etj., gjë që e bën Arkën e djallit një roman me përmbajtje të gjerë shoqërore, politike, letrare, estetike, antropologjike e, deri diku, edhe fetare (veçanërisht referencat për historinë e bektashizmit). Në roman ka referenca edhe për shkrimtarë klasikë si Homeri, Servantesi, Shekspiri, por përmenden edhe shkrimtarë modernë perëndimorë si Oskar Uajlldi etj.
Bie në sy në këtë roman prania e elementit erotik si risi, në krahasim me prozën e mëparshme të Dritëro Agollit, me çka kemi parasysh sidomos skenën e aktit seksual të shkrimtarit Sherif Abeceja me mjeken e fshatit, Anthullën.[7] Do thënë se qëndrimi i shkrimtarit ndaj personazhit Sherif Abeceja, ndryshe nga ç’është trajtuar në kritikën e deritashme (si zëdhënës i ideve të tij), është ambivalent. Agolli sa i aprovon, po aq edhe i ironizon veprimet e këtij shkrimtari “me famë botërore”, që, ndonëse personazh fiktiv, i trilluar nga autori, zgjon, herë-herë, edhe asociacione konkrete.
Është e veçantë mënyra si i formon emrat e personazheve Dritëro Agolli. Në këtë plan ai ndjek parimin e karakterizimit të tyre nëpërmjet emrave: Sherif Abeceja (sherifi në SHBA është funksionar i policisë, kurse ABC-ja është simbol i diturisë); Bamkë Dynjaja (mbiemri Dynjaja shpreh interesimin për botën dhe qëndrimin realist ndaj saj); Mitro Karapataqi me mbiemrin e tij të gjatë, shumërrokësh, shenjon zhurmën që prodhon kritiku doktrinar në vend të kuptimit dhe përmbajtjes; Spiro Arhitrari (Arhi+trari, që në shqip do të thotë “kryetrari”), njeri me karakter të lig e konservator, që ruan dorëshkrimin e Bamkës, të cilin e cilëson në mënyrë keqdashëse me fjalët: “thashetheme për krahinën, për fshatin, për mua, për ty, për atë…”; Tahir Kapedani, Jashar Guna e Faslli Gropa, tre burra pleq e me mustaqe, që mbahen si veteranë të luftës, të cilët ngërthejnë në emrat e tyre elemente te kulturës materiale e shpirtërore shqiptare dhe të mjedisit ku jetojnë; Zyber Shtufa, kryetari burokrat i këshillit të fshatit, njeri pa karakter (shtuf – gur gëlqeror); ngjyrim pezhorativ ka edhe emri i berberit të fshatit Alush Karkanaqja etj.
Romani ka referenca të shumta nga folklori shqiptar dhe mitologjia popullore shqiptare, por edhe nga letërsia shqipe dhe e huaj; nga historia e fesë dhe e qytetërimit; nga shkencat e ndryshme etj., aq sa mund të thuhet se është paksa i rënduar me elemente të tilla. Agolli është shkrimtar që nuk ka paragjykime për kulturat. Vend të veçantë në roman zë filozofia e poetit persian të shekullit të 13-të, Muhamed Xhelaledin Rumi, i mbiquajtur “Mevlana” (mjeshtër) dhe “hazreti” (profet), i cili muzikën dhe vallen i konsideronte mjet të arritjes së dashurisë hyjnore.
Arka e djallit është një thesar gjuhësor jo vetëm nga aspekti leksikor, por edhe nga ai frazeologjik, stilistik etj. Personazhet e Dritëroit janë “njerëz të krisur”, kokëkrisur, babaxhanë e aventurierë, kurse teksti i tij shumë herë del nga skemat dhe kallëpet e kohës.
Si roman polifonik, ku dëgjohen shumë zëra dhe ku, thënë me gjuhën semiotike, “një mori të shenjuarish bashkëjetojnë në gjirin e një shenjuesi të vetëm”, Arka e djallit mbetet një vepër e hapur për lexime e interpretime të shumta e të ndryshme.
(Tekst i paraqitur si kumtesë në “Javën e albanologjisë” të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbajtur më 6 qershor 2002)
[1] Dritëro Agolli, Arka e djallit, Botimet Dritëro, Tiranë 1997, f. 34.
[2] Dritëro Agolli, “Pak histori dhe pak kujtesë për lexuesin”, pasthënie e romanit Arka e djallit, f. 462.
[3] Tzvetan Todorov, Poetika e prozës, Tiranë 2000, f. 27.
[4] Hyskë Borobojka, pseudonim i shkrimtarit Gaqo Veshi, njërit nga bashkëpunëtorët e rregullt të revistës “Hosteni”, autor i disa veprave letrare e publicistike, i njohur për shkrimet e tij me frymë humoristike.
[5] Të ndara në: Aforizma shoqërore, Aforizma politike dhe Aforizma kulturore.
[6] “Nj’ai prag i ngrohtë i Bamkës,/ Kur vjen miku djeg prej flakës,/ Djeg prej flakës, djeg prej zjarrit/ Siç i ka lezet shqiptarit”.
[7] Arka e djallit, f. 410.