Adil Olluri i përgjigjet pyetësorit “Librat e jetës sime”
Libri që po lexoj ndërkohë
Libri me poezi “Thasë” i Blerina Rogovës më ka bërë zap, më mori peng për dy ditë më radhë dhe më bëri për vete. Është një vepër poetike që e nderon letërsinë e sotme shqipe dhe do t’ia sugjeroja secilit lexues të “ExLibrisit.” Libra të tillë letrarë nuk botohen shpesh në Prishtinë. Para se ta lexoja poezinë e Blerinës, u kënaqa së lexuari edhe përmbledhjen me tregime “Mbretëria e ëndrrave” të Ndue Ukajt, romanin “Mirë se vini, zoti ambasador!” të prozatorit Ardian Haxhaj, romanin “Katalogu i njollave” të krijuesit Avni Alija, si dhe romanin triller “Gjithçka që ke” të Enkelejd Lamajt”. Janë katër rrëfime artistike të shkruara në mënyra të ndryshme, por shumë të vlershëm për t’u lexuar dhe diskutuar nga lexuesit dhe dashamirësit e librit shqip.
Libri që më ka ndryshuar jetën
Nuk është një, janë tri vepra, të cilët me kënaqësi do t’i përmend në intervistën për gazetën e dashamirësve të librit. Me ta filluar shkollimin e mesëm (që ta dini unë kisha filluar shkollimin në shkollën e mesme profesionale të mjekësisë, pra kisha synime që të bëhesha mjek), që në javët e para, mësimdhënësi i gjuhës dhe letërsisë shqipe, Rrahim Sadiku, ma dhuroi librin e tij me poezi, të cilin sapo e kishte botuar. Libri kishte titullin “Kujt t’i flas.” Ishte libri i parë që më dhurohej drejtpërdrejtë nga dora e autorit dhe një gjë e tillë ndikoi shumë tek unë. “Kujt t’i flas” mund të mos jetë vepër e rëndësishme e poezisë së sotme shqipe dhe krijuesi i saj krejtësisht i panjohur, por ishte vepra e parë që më tundoi për të lexuar sa më shumë poezi. Fillova të lexoj poezi më shumë e më me qejf se sa librat shkollorë.
Ndërkaq, takimin me prozën e mirëfilltë artistike e kisha në vitin e dytë të shkollimit të mesëm dhe atë me mesitninë (ndërmjetësimin) e profesorit tashmë të ndjerë, të mrekullueshmit Fahri Hysaj. Ai m’i pat dhuruar dy romane, “Qytetin e fundit” të Petro Markos dhe “Kronikë në gur” të Ismail Kadaresë. Leximi i tyre ma shfaqi para vetes tashmë jo vetëm një dritare, por një derë në të cilën doja të hyja me gjithë dëshirë e kureshtje. Tashmë tundimi im për t’u marrë me letërsi po merrte formë. Doja të bëhesha shkrimtar dhe nuk e shihja më veten si mjek. Profesor Hysaj më dhuroi edhe shumë romane të vlershme të letërsisë shqipe dhe asaj botërore, por tronditjet estetike dhe tundimin e madh tashmë e kisha kaluar me dy romanet e sipërpërmendura. Me romanet e tjera që m’i dhuronte mrekullohesha edhe më shumë, shijoja dhe mësoja edhe më shumë nga oqeani i pafundmë i artit letrar. Tashmë isha zhytur në këtë oqean dhe çdo ditë e çdoherë zhytesha thellë e më thellë. Ndoshta edhe synimi im për të shkruar më shumë për motive të veçanta të luftës së fundit në Kosovë rrjedh nga një refleksion i nënvetëdijshëm i tronditjeve të hatashme estetike që m’i kanë shkaktuar këto dy vepra.
Libri që do të doja të kisha lexuar
Gjyshi im, ndjesë pastë, gjithnjë më fliste për një kopje të “Lahutës së Malësisë” së Gjergj Fishtës, të cilën e kishte blerë në Prizren gjatë kohës sa ishte nxënës mejtepi në vitet 1943/45. Këtë kopje ia kishte dhuruar një miku të tij që jetonte në Prishtinë, por që ky i fundit kishte harruar t’ia kthente. Gjyshi më thoshte se ia kishte dhuruar fshehtas para viteve të 60-ta të shekullit XX, kur në Kosovë mbretëronte mizoria rankoviqiane. Para disa viteve e kam takuar në Prishtinë këtë mikun e gjyshit, tashmë mbi tetëdhjetat, i cili duke e fshehur librin nga komunistët serbë dhe kosovarë të kohës, nuk e dinte se ku i kishte mbetur. Doja ta lexoja “Lahutën…” e blerë nga gjyshi. I kam lexuar botimet e reja të kësaj vepre madhore të kulturës sonë, por gjithnjë kisha një peng, një vullnet të papërmbushur, një amanet të pakryer ndaj gjyshit. Gjyshi im ishte imam, por me mendje të hapur ndaj të tjerëve, ndryshe nga imamët e sotëm që bëjnë thirrje për t’iu shmangur përafrimit të çfarëdoqofshëm të besimtarëve të fesë sonë me të tjerët që nuk besojnë si ne. Gjyshi im, përpos literaturës fetare, lexonte shumë edhe literaturë historiografike. Ai nuk lexonte letërsi artistike, por “Lahutën…” e Fishtës e kishte lexuar dhe e çmonte si një vepër të një atdhetari dhe të një personaliteti të rëndësishëm historik shqiptar, gjë që nuk ngjet shpesh me imamët e sotëm shqiptarë.
Libri që pati ndikimin më të madh në shkrimet e mia
Romani “Emri i trëndafilit” i Umberto Ekos më nxiti që të mësoj më shumë rreth ligjësive të artit letrar dhe mënyrave të rrëfimit artistik. Ishte pikërisht ky roman që më nxiti që përpos letërsisë artistike, t’i lexoj shumë edhe teoritë letrare dhe veprat monografike që flisnin për yrnekët e shkrimit të bukur. Më pëlqeu dhe më intrigoi shumë ky roman, andaj për ta kuptuar më mirë e më thellë, hyra në botën e teorive letrare, duke i lexuar teoricienë dhe dijetarë të mëdhenj, që dorën në zemër janë mësuesit e njëmendtë të atyre që duan ta studiojnë mirëfilli letërsinë. Pra, “Emri i trëndafilit” më nxiti që të marrë edhe rrugën e studiuesit të letërsisë dhe pati ndikim në formësimin tim në këtë fushë.
Libri që më ndryshoi mendjen
Kisha një bindje të gabuar se shekulli i ri, i 21-ti, nuk do të prodhonte më romane të mëdha që kanë dashurinë në qendër të rrëfimit të tyre. Pra, mendoja gabueshëm se një rrëfim dashurie nuk prodhon më romane e romancierë të mëdhenj. Leximi i romanit “Muzeu i pafajësisë” të Orhan Pamukut ma ndryshoj tërësisht mendjen dhe e pranova në vete se kisha paragjykuar padrejtësisht. Është një roman i madh që të rrëmben, të fut thellë në kthinat e tij rrëfimore dhe të lë gojëhapur me mjeshtërinë dhe gjeturinë artistike.
Libri i fundit që më bëri të qaj
Për të qarë nuk mund të them, por më ka ndodhur që gjatë leximit të kem njëlloj ndjesie të veçantë për fatin e keq të disa personazheve. Kur e kam lexuar “Komedinë hyjnore” të Dante Aligherit më dukej sikur e ndjeja dhimbjen e Kont Ugolinit për familjarët e tij, pastaj për fatin e Esmeraldës te “Katedralja e Parisit” të Viktor Hygos e shumë personazhe të tjera e të veçanta, të cilave autori i veprës, krijuesi i tyre, ua ka qëndisur fatin e lig. Është e vërtetë që personazhet janë karaktere të trilluara, të imagjinuara nga krijuesi, megjithatë kur vuajtja e tyre na duket e mirëqenë dhe e besueshme, ne si lexues nuk mund të kalojmë pandjeshëm pranë tyre.
Libri i fundit që më bëri të qesh
Kam qeshur shumë herë me veprimet dhe fjalët e Cute Babuljes në romanin e “Arka e djallit” të Dritëro Agollit. Është njëri nga personazhet më të veçanta të letërsisë sonë.
Libri që më vjen turp që s’e kam lexuar ende
Romanin “Vilet e zemërimit” të Xhon Stajnbekut e kam blerë para pesëmbëdhjetë viteve dhe ende nuk e kam lexuar. Librat që i blej ose m’i dhurojnë i lexoj brenda pak ditëve, më së shumti javëve, por nuk e di as vetë se si e kam lënë anash këtë roman mjaft të vlerësuar nga kritika amerikane e botërore. Nuk arrij as vetë ta kuptoj qartë psenë e shmangies nga leximi i këtij romani, kur kam gjetur kohë të mjaftueshme për shumë e shumë vepra që nuk janë lavdëruar e vlerësuar sa ky roman i Stajnbekut. Gjithnjë më dilte ndonjë vepër a ndonjë punë përpara dhe ia zinte kohën këtij romani. Kështu që, sa herë e shoh në rafte këtë roman, fajshëm e uli kokën dhe nga turpi i shmang sytë nga ballina e tij.
Librat që kam dhuruar
Kam dhuruar shumë libra, qoftë si huazime të përkohshme, qoftë si dhurata të përhershme. Tash së voni ia kam dhuruar një miku romanin “Pëllumbat i vrasin natën” të shkrimtarit tonë të veçantë, Virion Graçi. Pak më parë ia kam dhuruar një miku tjetër librin me tregime “Kur këndonin gjelat e tretë” të Agron Tufës. Të dy këto vepra i kam dhuruar në huazim dhe pres të m’i kthejnë pasi ta lexojnë këtë intervistë në “ExLibris.” Ndërsa, si dhuratë të përhershme kam dhuruar mjaft vepra, por si më të veçantat i kujtoj përmbledhjen me poezi “Tabuti sarajevas” të Abdullah Sidranit dhe “Mesnevinë” e Rumiut. Por, më së shumti kam dhuruar libra të mi. Më dhimbsen shumë kopje të dhuruara nga botimi i parë i romanit tim “Bartësi i shpirtrave të përzënë” (2015, Prishtinë), sepse një numër jo i vogël i marrësve të kësaj dhurate nuk janë bërë të gjallë për të më treguar në e kanë lexuar apo jo romanin. Para gjashtë viteve isha pak më i ri se sa sot dhe kisha njëlloj entuziazmi që sot nuk e kam. Doja që libri im të ishte në duart e atyre që i vlerësoja, gjë që është gabim, madje i pafalshëm. Libri duhet të jetë në duart e atyre që duan ta kenë atë, jo në duart e atyre që parapëlqehen nga autori. Shkrimtari nuk mundet dhe nuk ka të drejtë ta përzgjedhë lexuesin, sepse ky i fundit është ai që e përzgjedh atë dhe librin e tij. Kjo kulturë e dhurimit të librave autorialë që është e stërpranishme në Prishtinë, në Tiranë më pak, është duke i dëmtuar shumë krijuesit dhe shtëpitë botuese në kryeqendrën kosovare. E them këtë me plot bindje, sepse vetë kam hasur lexues që janë të bindur se librin e një krijuesi kosovar nuk kanë nevojë ta blejnë në librari, sepse ai do t’ua dhurojë vetë në ndonjë ditë kur do të takohen, qoftë spontanisht, qoftë me planifikim.
Libri me të cilin dua të mbahem mend
Si krijues, natyrisht se dua të mbahem mend me romanin tim “Bartësi i shpirtrave të përzënë”, të botuar nga shtëpia e mirënjohur botuese “Onufri”, 2020.
Libri që me bën të ndihem mirë
Përmbledhja me tregime “Shumë rrugë dhe një rënie” më bën të ndihem mirë, sa herë që flitet për të dhe sa herë që ndonjë prej tregimeve të tij publikohet dhe ripublikohet në revista, gazeta letrare dhe medie online. Është libri im i parë artistik (2013, Prishtinë) dhe pritja e mirë që iu bë atij më nxiti që ta vazhdoj edhe më më shumë vullnet e dashamirësi rrugën e nisur të një prozatori.
Libri që mendoj se është më i nënvlerësuar
Nuk do të thosha që janë nënvlerësuar, por në letërsinë shqipe, sidomos atë të botuar pas vitit 1990, ka shumë vepra që nuk janë vlerësuar sa duhet e si duhet. Ta zëmë, poezitë e bukura e të thella të Rudian Zekthit nuk duken në horizont, që do të duhej të ishte e kundërta. Romani “Pëllumbat i vrasin natën” të Virion Graçit, që është një kryevepër rrëfimtare e letërsisë së tashme shqipe, nuk e ka marrë ende vlerësimin dhe vëmendjen e merituar. Nuk dua të vazhdoj më tutje, sepse do të na dilte një listë e gjatë e veprave të mirëfillta të krijuesve të sotëm shqiptarë, që nuk e kanë marrë ende vlerësimin e duhur dhe të merituar.