More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAdil Olluri: Arketipi balador në dy romane të Kadaresë

    Adil Olluri: Arketipi balador në dy romane të Kadaresë

    Ismail Kadare, emër i përveçëm i letërsisë shqipe, i njohur, i përkthyer dhe i vlerësuar anëkënd globit, tashmë është një pasaportë e letërsisë dhe kulturës sonë në botë. Ai ka shkruar një varg romanesh që edhe sot e kësaj dite lexohen me ëndje dhe me interesimin e pasosur të lexuesit tonë dhe të atij të huaj. Leximi i prozës së tij shkakton atë që studiuesit e cilësuan si tronditje estetike[7]. Është thënë dhe është shkruar se ai nuk është shkrimtar eksperimentues, por shkrimtar që vazhdon ta ruaj fabulën, ta ndërtojë kompozicionin e fortë, ta ketë rrëfimin realist dhe përshkrimin detajist[8], duke u vënë në paralele krahasimi, sa i përket këtij aspekti, me të mirënjohurit e letërsisë së përbotshme, si G. G. Markez, M. Vargas Llosa, G. Gras etj. Gjithashtu, për shkak të rrethanave të krijimit, ai është vënë edhe në paralele të tilla me shkrimtarët disidentë, si M. Kundra, A. Solzhnjecin, B. Pasternjak etj, duke u cilësuar edhe si një lloj “arketip” botëror, që bëri art nën kushtet e një prej sistemeve më drastike dhe që fatmirësisht e kemi gjallë edhe sot mes nesh[9].

    Dy romanet e tij, ndër më të arrirat në planin artistik, “Ura me tri harqe”[10] dhe “Kush e solli Doruntinën[11]” janë të ndërtuara mbi bazën e dy baladave ndër më të njohurat të epikës sonë legjendare, siç janë balada e ringjalljes së vëllait të vdekur apo e njohur edhe si balada e besës së dhënë, si dhe balada e flijimit apo e murimit. Ky shkrimtar ka edhe një sërë romanesh të tjera që mbështeten në folklor, si “Dosja H”, “Tri këngë zie për Kosovën”, “Muzgu i perëndive të stepës” etj, por dy romanet për të cilët folëm më lart janë të dallueshme prej tyre m’u për shkak të substratit legjendar, për dallim prej romaneve të tjera ku substrati i epikës historike është më mbizotërues.

    Shkrimtari për t’i ndërtuar romanet e tij e merr vetëm lëndën e parë, motivin nistor, të cilit i jep kah tjetër dhe e zhvendos në kohë dhe hapësira të ndryshme. Nisur nga kjo, edhe pse arketipi bazik, baladat legjendare, janë të padefinuara në aspektin e kohësisë dhe vendndodhjes, Kadare rrëfimin e tij e përcakton dhe e vendos kohësisht në mesjetë (koha) dhe në aspektin hapësinor ngjarjet e dy romaneve zhvillohen në Arbëri (vendi), si dhe një pjesë e rrëfimit te “Kush e solli Doruntinën” zhvendoset në Bohemi (Evropë qendrore), në mënyrë që të ilustrohet martesa e motrës në një vend të largët, që për të ardhur te të vetët, familja e saj, i duhet trembëdhjetë ditë e trembëdhjetë rrugë, duke i kaluar malet dhe fushat e disa mbretërive. Kjo bëhet edhe për ta arsyetuar mungesën e informatës për tragjedinë familjare nga ana e Doruntinës, meqë e degdisur në një vend aq të largët, që nuk ka asnjë lidhje me vendin e saj të origjinës, një mungesë e tillë del të jetë e motivueshme. Te “Ura me tri harqe”, përpos Arbërit, si vendndodhje konkrete e ngjarjes shfaqet Ujana e keqe, një topos imagjinar kadarean, që është vendi mbi të cilin ndërtohet ura.

    Nëse i rikthehemi edhe njëherë interpretimit të dimensionit kohor të këtyre dy romaneve, mund ta hetojmë se ngjarja e rrëfyer te “Kush e solli Doruntinën” është më e hershme se sa ajo te “Ura me tri harqe”. Këtë e themi duke u bazuar në të dhënën se personazhet e romanit të parë përballën me pushtetarët dhe peshkopët bizantinë, për dallim prej atyre të romanit të parë që bien ndesh edhe me pushtetarët otomanë, të cilët nuk janë të pranishëm në romanin paraprak. Dihet mirëfilli se vendi ynë, Arbëri i romanit, përpara se të pushtohej nga Perandoria Osmane ishte me shekuj të tërë nën thundrën e asaj bizantine, andaj një kërkim i tillë na jep të drejtë në përcaktimin se cili roman e trajton kohën më të hershme e cili atë më të vonë, si dhe na i plotëson pasqyrën e kohështrirjes së rrëfimit në të dy romanet. Ky është një ilustrim i dukshëm i transformimit të arketipit të hershëm të tyre, baladave parake, ku nuk ka ndonjë kohë dhe hapësirë të tillë.

    Përcaktim kohor dhe hapësinor i rrëfimit na dërgon te një dimension tjetër i kuptimësisë së tekstit letrar të shkrimtarit, që siç vihet re ka një intencë ta quajmë të historicizmit. Një qasje e tillë, që është tipike për diskursin narrativ të Kadaresë, i cili, shikuar nga kjo perspektivë, ka për synim që atë që e njohim si mitike, gojëdhënë, substrat folklorik, të mundohet të na i paraqes si një ndodhi historike, të mbështjellë me vellon e nacionales dhe të autentikes. Këtë e themi për shkak se autori duket sikur insiston që duke e shfrytëzuar arketipin balador të na i paraqes përmes diskursit të tij artistik përballjen e njerëzve të vendit të tij me dy perandori, nga më të mëdhatë që njeh historia e njerëzimit.

    Flijimi dhe krimi

    “Ura me tri harqe” është botuar për herë të parë në vitin 1978, si triptik, ku ishin të përfshirë edhe “Pashallëqet e mëdha”, që më vonë u ripagëzua nga autori si “Kamarja e turpit”, dhe “Muzgu i perëndive të stepës”. Është cilësuar si triptik, ngase në të parën flitet për një periudhë bizantine e paraosmane (osmanlinjtë vetëm i ishin afruar Arbërit), në të dytën për atë osmane dhe në të tretën për atë sovjetike, tri epoka që e shënjojnë historinë kombëtar, sikurse tri harqet e urës fiksionale.

    Miti i flijimit është motiv i kahershëm arketipor jo vetëm në letërsinë shqipe, por edhe në atë të përbotshme. Mjafton ta kujtojmë tragjedinë e antikitetit grek “Ifigjenia në Aulidë” të Euripidit, ku mbreti Agamemnon flijon të bijën për hir të hyjnive, në mënyrë që ata t’ia bëjnë më të lëhtë rrugëtimin për në luftë dhe mposhtjen e trojanëve në përgjithësi. Pra, siç shihej flijimet u bëheshin hyjnive apo edhe shpirtrave të paidentifikuar që rrëzojnë themele urash, siç ngjet te “Balada mbi Urën e Shejtit”[12], për të cilën theksohet se është substrati gojor më i afërt në cilin u mbështet Ismail Kadare[13]. Në folklorin tonë ky arketip, përpos që e ka motivin e flijimit e të sakrifikimit, ai e ka edhe atë të murimit të qenies njerëzore, që në disa variante a këngë popullore del në themelet e një ure e në disa në muret e një kalaje. Miti a legjenda e jonë më e njohura e kësaj natyre është ajo e Rozafës a Rozafatit, e ndërlidhur me veriun dhe qytetin e Shkodrës, që flet për flijimin dhe murimin e nuses së vëllait të vogël, bashkëshorti i së cilës ishte i vetmi nga tre vëllëzërit, që e kishte mbajtur besën. Andaj, përpos flijimit e murimit, këtu e kemi edhe motivin e besës, një nga elementet më karakterizuese të eposit tonë legjendar.

    Ismail Kadare, në romanin e tij të lartpërmendur, i rreket procesit të demitizimit të legjendës së murimit, duke na i dhënë një pamje të një vrasjeje të zakonshme, të kryer nga grupe të interesit që kërkonin vazhdimin e dominimit, siç ishte “Lundra dhe trape”, një kompani e transportit ujor, e cila në këtë rrëfim bie ndesh me muratorët apo ndërtimtarët e rrugëve dhe urave. Pra, kemi një ballafaqim biznesor në mes të ujorëve dhe rrugorëve, siç i emërton bukur autori. Është ballafaqim i tillë, meqenëse me ndërtimin e urave pakësohej ndikimi dhe fitimet materiale të “Lundra dhe trape”. Urën e Ujanës së keqe, toposit fiktiv kadarean, sugjerohet se e shembin ujorët dhe rrugorët, në shenjë hakmarrjeje e vrasin njërin nga punëtorët e tyre, Murrash Zenebishin, të cilin e murojnë në themelet e urës, duke u bazuar në legjendën e kahershme të flijimit. Sikundër është shkruar për këtë roman, shkrimtari këtu e zhvesh rrëfimin nga mistikja dhe ngjarjet i kthen në të rëndomta dhe reale[14].

    Murash Zenebishi është viktimë e një konflikti në mes të së resë dhe të së vjetrës, vrasje e të cilit arsyetohet e mistifikohet nga dominuesit e rinj, për të na dhënë idenë se secili sistem diktati ndërtohet mbin themelet e përgjakura, njëjtë sikurse ura e Ujanës së keqe. Ai është një personazh simbolik i këtij rrëfimi, i cili në fillim duket se është fare episodik, duke mos qenë pjesë e veprimit dramatik të romanit, por ajo që i ndodh atij e zhvillon dhe e dërgon tutje veprimin. Marashi është çelësi përmes të cilit zbërthehet dhe zhbëhet mitikja. Ai, siç thotë Mateo Mandala, është një i vdekur pa varr, simbol i mangësisë dhe i dështimit, diku mes jetës dhe vdekjes[15].

    Përpos relacionit intertekstual me eposin legjendar, “Ura me tri harqe” ka një relacion të tillë, madje në formën eksplicite, me “Mesharin” e Gjon Buzukut, që bëhet përmes personazhit-narrator Gjon Ukcamës, që është edhe vetë murg dhe dijetar, dhe si i tillë i identifikueshëm me autorin e librit të parë të shkruar në gjuhën shqipe.

    “Unë, murgu Gjon, biri i Gjorg Ukcamës, tue kujtoum se në gluhën tonë ende s’ka gja të shkrume për urën mbi Ujanën e Keqe e, aq më keq, kur për të vazhdojnë të thuren gojëdhëna e histori të paqena e gjithfarë dokrrash, tani që ajo mbaroi së ndërtuari, madje, që u spërkat dy herë me gjak, në themel e në kulm, vendosta ta shkruaj kronikën e saj.[16]”

    Këtu e shohim një formë të raportit të drejtpërdrejtë mes dy teksteve, që del të jetë e qëllimshëm, meqë edhe te romani është paragraf nistor, sikurse te “Meshari” i Buzukit. Ky paragraf jo vetëm që gërshëtohet dhe bëhet pjesë funksionale e tekstit kadarean, por edhe na jep dy informacione mjaft të rëndësishme, e para ka të bëjë me planin formal, ndërsa e dyta me atë ideor. Së pari, e kemi parasysh tipin e narratorit intradiegjetik[17], që ndodhet brenda ngjarjes dhe rrëfen për gjërat që i ka parë. Po ashtu, qysh në fillim na jepet sinjali për intencën e formës, që natyrisht është intencë fiksionale, që të na i prezantojë rrëfimin si një kronikë të shkruar nga Gjon Ukcama, murg i Arbërit dhe njëlloj këshilltari i udhëheqësit, princit Stres Gjikondi. Së dyti, përmes këtij paragrafi nistor shohim një hyrje të shkurtë në botën e një demitizimi, që do të ndodh më pas, si dhe jepen shenjat e një krimi, për të cilin folëm më lart. Me një fjalë, teksti nistor i këtij romani të Kadaresë mund të lexohet edhe si një formulë, përmes së cilës mund ta interpretojmë dhe analizojmë atë.

    “Besa” e Konstandinit dhe trileri narrativ

    “Kush e solli Doruntinën”, njëri nga romanet kryesore të Ismail Kadaresë, e ndjek linjën e njëjtë të zhveshjes së mitit dhe rrëfimit bazik të marrë si substrat nga balada epike rreth Konstandinit dhe Doruntinës, që në letërsisë tonë popullore del në variante të ndryshme, duke iu ndryshuar emrat e personazheve, zakonisht emri i motrës, që siç e thamë edhe më sipër, përpos si Doruntinë, herë del si Garentinë e herë si Dhoqinë, varësisht prej rrethanave dhe hapësirës gjeografike të shtrirjes së kësaj kënge epike. Madje, motërzimi më i ndryshuari nga të gjithë është “Kënga e Halil Garrisë”, ku përpos ndryshimit të emrit të personazheve, shohim edhe ndryshimin e identitetit religjioz e kulturor të personazheve.

    Demistifikimin e arketipit shkrimtari ynë e bën duke e ndërtuar intrigën e re mbi të vjetrën, të cilën e realizon edhe te romani paraprak, por se këtu e shtron pyetjen ç’do të ketë ngjarë pas rrëfimit legjendar, ç’do të ketë mundur të ndodhte pas asaj që e jep balada për Konstandinin dhe Doruntinën. Andaj, për dallim prej “Urës…” ku shtrohet dilema rreth asaj se ç’ngjau gjatë rrëfimit arketipor, te “Kush e solli Doruntinën” shtrohet dilema se ç’ngjau pas këtij rrëfimi. Gjithashtu, për dallim prej “Urës…” në këtë roman e kemi të pranishëm elementin e fantastikes, të munguar në të parin, në të cilin, edhe pse në një pjesë të tij, flitet për sajesa fantastike, si “shpirtrat e ujit”, ato nuk arrijnë të na fusin në një botë e ambient gotik, siç ngjet te “Kushi e solli…”, që është element atipik për letërsinë e deriatëhershme shqipe.

    Ky roman, për të cilin me elementin mbizotërues dhe më të pranishëm se në veprat e tjera[18] te të njëjtin shkrimtar, e ruan vetëm atë që do ta cilësonim si bërthamë arketipore, ngase edhe këtu, njëjtë sikurse në baladë, vëllai i vogël, Konstandini, ngrihet nga varri dhe e sjellë të motrën e vetme, të martuar në një vend të largët, për ta mbajtur besën që ia kishte dhënë të ëmës. Edhe këtu, sikurse në baladë, i kemi nëntë vëllezërit e vdekur, nënën plakë të mbetur vetëm, si dhe dialogun e saj me Doruntinën, që është i njëjti me atë të legjendës. Procesi i ndryshimit nis nga këtu, nga bërthama, ku për dallim prej arketipit përcaktohet vendi ku është martuar e motra, e që është Bohemia e largët, një vend në Evropën qendrore. Po ashtu, në roman vdes nëna dhe Doruntina, gjë që nuk ngjet në legjendë. Këto janë shenja të vogla të trajektores së zhbërjes mitike, sepse ato të mëdhatë i japin një dimension krejt tjetër romanit, duke e bërë që të duket edhe si triler policor, që e ka pikësynim zbërthimin e një enigme, por edhe si roman me një bazament të fortë të ideologjisë nacionale.

    Që nga fillimi dhe deri në fund struktura e këtij narracioni i rreket një qëllimi që t’i jap përgjigje dhe ta zbulojë një të fshehtë, një enigmë, që ngërthen në vete pyetjen në bazë të së cilës është titulluar edhe romani: Kush e solli Doruntinën? Kësaj pyetje të mbuluar me mister synon t’i jep përgjigje kapiten Stresi, një polic hetues, që është një nga personazhet më të veçanta në tërë krijimtarinë imagjinatave të Ismail Kadaresë. Një qasje e tillë investiguese i jep kësaj vepre të këtij shkrimtari ngjyrime të zhanrit të romanit policor, me elemente të një trileri që e mbanë pezull lexuesin me befasi të shumta. Andaj, zhanri policor, trileri, e befasishmja, sikurse edhe fantastikja, e bëjnë këtë roman të veçantë, jo vetëm në mesin e veprave artistike të Kadaresë, por edhe të mbarë letërsisë shqipe.

    Stresi, kryepersonazhi i romanit, një zyrtar i Principatës së Arbërit, nuk i beson së dhënës së përhapur se Doruntinën e ka sjellë në shtëpi vëllai i saj i vdekur, së cilës i beson shumica e popullit, duke i kënduar edhe këngë edhe duke e shndërruar në një legjendë. Ai, si një tip racional që i beson vetëm faktit të parë dhe të prekur, orvatet që të gjejë shenja të argumentueshme që do t’ia jepnin atij rezultatet për ta zhbërë enigmën. Dyshon se atë e ka sjellë ndonjë njeri që do të mund te ketë qenë i dashuri i saj, por edhe ndonjë i afërm i vëllait.

    Përveç dyshimeve dhe kërkimeve të Stresit, në këtë roman shpaloset edhe një hamendësim tjetër dhe mjaft domethënës. Ndihmësi i Stresit, duke e bindur edhe vetë eprorin e tij, vë dyshimin për një marrëdhënie incesti në mes të Doruntinës dhe Konstandinit, meqë ishte i vëllai që nuk e pranonte asnjë krushqi dhe ishte i vëllai që këmbëngulte për krushqinë e largët, në mënyrë që t’i shmangej kontaktit të shpeshtë fizik me të motrën. Shikuar në këtë aspekt, mund të themi se ndërfutja e motivit të incestit është shkalla më e skajshme e ndryshimit që i është bërë arketipit balador, jo vetëm në mesin e veprave të Kadaresë, por ndoshta edhe në mbarë letërsinë e shkruar shqipe. Po ashtu, hamendësimi i incestit në mes të dy personazheve arketipore të eposit tonë legjendar është një risi motivore dhe thyerje e një tabuje tematike në letrat tona, marrë parasysh kohën kur është shkruar romani “Kush e solli Doruntinën”.

    Është me interes të thuhet këtu se përpos ndryshimeve që krijimi artistik i bën atij gojor, në këtë roman të Kadaresë shohim edhe një ndryshim të karakterit të kryepersonazhit, kapiten Stresit, nga njeri dyshues të variantit legjendarizues në pranues dhe proklamues të tij. Një transformim i befasishëm që në plan të parë të ngjallë habi, duke pasur parasysh faktin se ai ishte ndër të vetmit që dyshonte në atë që thuajse tërë njerëzit besonin, madje kishte mundësi që ta mbyllte rastin hetimor në të mirë të tij në çastin kur autoritetet kishtare dhe ato të principatës e fabrikojnë një kinse të dashur të Doruntinës, i cili ishte i gatshëm që ta merrte përsipër “barrën” e kthimit të saj. Por, nëse e lëxojmë vëmendshëm dhe i përcjellim bisedat me miqtë e Konstandinit na jep të kuptojmë se ky ndryshim është i motivueshëm. Nga këto biseda ai del i bindur se besa ka qenë faktor determinues në atë që ka ndodhur. Kapiten Stresi nga një qenie hamendësuese shndërrohet në një individ të mbushur ideologjikisht. Ai në një fjalim publik e shpall “besën” si platformë nacionale dhe si religjion autokton të njerëzve të vendit të tij. Për lexuesin e kohës së sotme, dyshues e hamendësues sikurse Stresi i fillimit të romanit, kjo nuk është zgjidhje e duhur për ta përmbyllur një vepër artistike, por nëse i kemi parasysh rrethanat në të cilat ajo u shkrua, do të thoshim se është përmbyllja më e mirë e mundshme në suazat e asokohshme. Vladimir Propi nënvizonte se me motivime kihen parasysh si arsyet, ashtu edhe qëllimet e personazheve që i provokojnë në një akt a në një tjetër[19]. Prandaj, nisur nga ky definim teorik mund të pohojmë se Kadare edhe më këtë rast ka arritur ta ndërtojë dhe ta motivojë karakterin e njërit prej personazheve më të spikatura të krijimtarisë së tij letrare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË