More
    KreuLetërsiBibliotekë"A ka njeri që ju do", tregim nga Kalin Terziyski

    “A ka njeri që ju do”, tregim nga Kalin Terziyski

    Përktheu: Milena Selimi

    MBLEDHËSI I VLERAVE

    Mbledhësi i vlerave nxjerr nga xhepi i pantallonave të tij një paketë cigaresh të zhubrosura, një nga vlerat që zotëron- dhe ndez cigaren. E ndez me një çakmak ku shihet foto e zbehtë e gruas lakuriq- gjithashtu vlerë.

    Tërheq hundët, pështyn dhe shtyn karrocën gjysmë të mbushur me vlera. Ecën ngadalë në rrugë. Ndërtesat, e rreshtuara në anë janë gri të errta, sepse rruga është e vjetër. Mbledhësi ngjan si i hutuar, por kjo prej tymit të cigares, ka picërruar sytë, por e sheh me kujdes tokën përpara këmbëve, asgjë s’i shpëton. Ja- shikimi i tij bie mbi një send, që mund të jetë interesant- një copë letre paksa e zverdhur- përkulet dhe nxjerr një faqe gazete, e futur mes koshit të plehrave dhe kioskës së braktisur të gazetave, atje ku është zverdhur përgjatë një viti. Po, data është fiks e njëjta, por para një viti. Në faqen e gazetës ka një titull : “Gjatë muajit mars bricjapi do të ketë sukses në biznes, dashi në dashuri”. Në faqen e pasme ka nekrologji dhe një nga fotografitë është e një gruaje të re, me sy të zgjuar”- vlerë, mendon mbledhësi dhe e fut faqen e gazetës mes vlerash të tjera në karrocën e tij. Bën përpara, i frymëzuar nga bollëku i vlerave që i ofrojnë rrugët, trotuaret, kazanët e plehrave, Bota. Gjen një këmbë të kukullës Barbie, një shishe bosh parfumi, e cila ka akoma aromë, një stilolaps pa bojë, një syth karafili i freskët, një pendë laraskaje, gjysma e dytë e novelës “Sonata e Kroizerit” e Leon Tolstoit, një lugë çaji, një pjesë e një aparati elektronik. I vendos të gjitha në vendin e përshtatshëm në karrocë, që ta ketë më të lehtë gjetjen pastaj. Është i kënaqur nga sendet e gjetura dhe i shkujdesur sheh tokën para vetes, më shumë për kënaqësi- tashmë ka mbledhur mjaft vlera për këtë ditë.  Kthehet në shtëpi, ngre karrocën me kujdes deri në katin e dytë, hap derën dhe hyn në mbretërinë e tij të vlerave. Për çdo njeri tjetër ajo mund të ishte një vrimë e neveritshme, vend plehrash, tmerrësisht e mbushur me plehra të neveritshme, por për mbledhësin e vlerave ky është vendi më përrallor në botë. Ai ka mbledhur mbetje të lumturisë njerëzore, trishtim, kënaqësi, punë, dëshpërim, gjenialitet, frikë, budallëk, dehje dhe çmenduri. Mbledhësi i vlerave sheh i kënaqur mbretërinë e tij, I rregullon një orë të tërë sendet e sapo zbuluara, pastaj ulet në dysheme, ndez cigaren dhe nis të lexojë një nga letrat e dashurisë, gjetur para dhjetë ditësh, të lidhura fort në një pako dhe hedhur në shkurret e një kanali. Letra fillon kështu : “I dashuri, i dashuri, i dashuri im, prej tri ditësh nuk të kam prekur, nuk të kam puthur, nuk kam dëgjuar zërin tënd dhe s’kam ledhatuar flokët e tu. Më mungon kaq shumë sa ndiej një dhimbje fizike, njësoj sikur më është shkulur një organ me rëndësi jetike. Aq sa edhe ajrin që thith pa ty s’ka shije, nuk më mjafton dhe mushkëritë i kam bosh. E gjithë bota është bosh pa ty…”.

       “Vlerë”- mendon mbledhësi i vlerave dhe ndez cigaren tjetër, duke vendosur cigaren e porsafikur në vendin e përshtatshëm.


    NJËRA NGA DY RRUGËT

    Ecim në shtigje përpjetë, në majën e ngushtë të shkëmbit, nga të dy anët e të cilit shtriheshin humnera që nuk u dukej fundi. Pas një ore arrita fundin e tehut dhe zbrita në një luginë me bimësi të lagësht. Në fund, pas pemëve dukej një shpellë. Kur u afrova tek shpella, pak anash saj pashë atë që po kërkoja- Njeriu Më i Urtë i Gjallë, Për Të Cilin Thonë Se Di Pothuajse Gjithçka.

    Ai më kishte parë i pari, u ngrit në këmbë dhe më priti me dashamirësi, më ftoi të ulem në një gur, afër atij ku rrinte vetë. Më i Urti kishte një pamje shumë të papërcaktuar- mund të thuhej se është i moshuar, por jo i plakur, kishte një fytyrë të zakonshme- veshur me pantallona gri dhe një këmishë jeshile të zbehtë me mëngë të shkurtra.

    A isha i zhgënjyer ? Sa u ulëm ai nisi të tregojë për vete dhe për fatin e tij të jashtëzakonshëm, kështu që pamja e tij e jashtme sikur u zbeh. Në fakt unë kisha ardhur ta pyesja diçka për veten ime, por ai s’pushonte së treguari. Dhe unë po dëgjoja- përshkrime të një jete të vështirë, përshkrime luftrash për mbijetesë, të kënaqësive të tepruara dhe pa ndonjë qëllim, të dëshpërimeve dhe ekzaltimeve. Kur e ndjeva se historia e tij mbaroi, unë vendosa ta pyes për atë për të cilën kisha ardhur, por ai më ndërpreu me dorë : “O njeri! Unë e di çfarë kërkon t’më pyesësh. Të tregova jetën time dhe ndoshta jetën e shumë të tjerëve. Gjatë kësaj kohe vëzhgoja fshehtas shprehjen e fytyrës  dhe lëvizjet e trupit tënd. Kështu kuptova për çfarë do të të flas. Ja se çfarë do të të them. Nëse ke lindur i pafat dhe pa asnjë mundësi të marrësh qoftë edhe pak lumturi dhe gëzim në vitet që të janë caktuar, besomë, ka shumë njerëz të tillë, ke dy rrugë: Të bëhesh njeri i mirë, i cili e do jetën dhe njerëzit pa kërkuar arsye, ose të bëhesh një monstër i dëshpëruar dhe i lig, që urren gjithë botën. Por do të të paralajmëroj! Pak, shumë pak janë të lindurit si ty, të cilët kanë marrë rrugën e drejtë. Tani mund të ikësh”.

    Unë ika, iu ngjita tehut të shkëmbit dhe mora shtegun e ngushtë, nga të dy anët e të cilit shtriheshin humnera të thella. Duke ecur mendoja për fjalët e njeriut të urtë. Fjalë mjaft të zymta. I përgjigjeshin saktësisht pyetjes sime, por përgjigja nuk më pëlqente. Nuk shikoja mundësi për lumturi dhe gëzime në jetën time, por s’doja të bëhesha  njeri i egër dhe i lig. Aspak nuk doja, hiç fare. Duke menduar kështu, pa kuptuar kisha ngadalësuar hapin. Në fund u ndala dhe ktheva kokën pas. U mendova edhe pak. Isha i ngatërruar. Pastaj mora frymë  thellë, e nxorra me një psherëtimë dhe mora rrugën e kthimit. Arrita përsëri luginën e vogël, zbrita drejt shpellës dhe i dola përpara Të Urtit. Ai po bënte supë në një furnellë gazi të vogël.

    -Thuamë, o njeri! –foli ai duke u drejtuar.

    -Shiko…se kam shumë të lehtë ta kërkoj, por…a mund të qëndroj tek ty për..njëfarë kohe?

    -Përse?

    -Kam dëshirë të flasim pak për shumë gjëra, nëse ti nuk do të mërzitesh.

    -Epo…unë edhe kështu mërzitem shumë, kurse ti mund t’më ndihmosh me mbajtjen e ujit dhe pazaret në fshat…po, s’kam asgjë në kundërshtim që të qëndrosh.

    -Ou…Vërtet? Mund të qëndroj? Faleminderit…Shumë falemnderit! Dua të pyes për shumë gjëra.

    -Me siguri…- tha i Urti i përkulur mbi tenxheren duke përzier supën.

    -E di që…Vërtet gëzohem shumë se ti pranove të qëndroj me ty.

    Ai u drejtua. Më hodhi një shikim dhe buzëqeshi i kënaqur :

    -Domethënë po gëzohesh…

    -Po, po gëzohem.

    -Domethënë ti ndjen gëzim?

    -Po, gëzohem që do të kuptoj shumë gjëra për veten.

    – Ama, a e kuptove që po gëzohesh?

    Unë e ndjeva se po gëzohem dhe kuptova se sa në mënyrë të çuditshme dhe qesharake ndodhi e gjitha kjo- unë, njeriu i pagëzuar, lindur i pafat dhe çdo mundësi tjetër për të gëzuar, po gëzohesha.

    -Ej më kape- i thashë unë dhe gati sa s’më dolën lotët nga një emocion i veçantë.

    -Hmmm, po…Të kapa! – tha ai i vetëkënaqur.- Prandaj më konsiderojnë Më I…s’më kujtohet sesi më quanin. Jam shumë i zoti për kësi punësh! Domethënë po gëzohesh, a? – më ra shpatullave.

    -Po!

    – A do të qëndrosh me mua, që t’i gëzohemi bashkë gjithçkaje, çfarëdo qoftë ajo?

    -Po, shumë do të gëzoj nëse rri pranë teje…

    – A do bëjmë nga pak të mira për njerëzit, ja kështu për kënaqësi?

    -Po, pikërisht këtë dua.

    -Epo mirë- më ra ai shpatullave- Ke cigare?

    -Po.

    -Bjere ta ndezim një, sa të bëhet supa. Pastaj do të hamë dhe do të dremisim pak në diell. Në darkë do shkosh në fshat për birrë dhe ushqime.

    -Po, tani e kuptoj pse ti je Njeriu Më i Mençur Në Botë, i Cili…

    -Pikërisht…sille këtu zjarrin…Faleminderit! – I Urti ndezi cigaren dhe u ul.

    -Eh! – U ula edhe unë në gur.

    -Po! Unë jam Më i Mençuri- mërmëriste me vete ai. – Vite më parë isha njësoj, ama krejtësisht njësoj si ty.

    -Vërtet?

    -Po dhe erdha këtu tek njëri…hajd’ sidoqoftë e lemë.

       Mbaruam duhanin, unë mbusha dy pjata me supë dhe të dy nisëm të gjerbim dhe lugët e fundit i fshimë me kore buke.

    -Jam shumë i gëzuar që ndodhem këtu- thashë unë dhe psherëtita.

    – Tani po gëzohesh, në darkë kur të pimë nga një birrë, të skuqim suxhuk në prush dhe të këndojmë do të ndihesh edhe i lumtur.

    -Seriozisht?- pyeta unë i emocionuar.

    – P-o-o-o-o-o – tha i kënaqur i Urti.

    -Tani shko të lash pjatat!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË