Romani i Donal Ryan i përkthyer nga Renato Kalemi Zha-nri sjell një histori, sa të ëmbël, aq dhe të hidhur, që na kujton se në jetë jemi të rrethuar nga shpirtra të thjeshtë, të cilët shpesh janë më të thellë e më të mençur se ç’mund të mendojmë. Romani “E veçanta e dhjetorit” rrëfen një vit nga jeta e Xhonsi Kanlajfit, një djalosh i vetmuar, pa përvojë, pa miqësi apo ambicie, që jeton në po atë zonë rurale të Irlandës ku ndodhin ngjarjet e romanit “Zemra vërtitëse”, shkruar nga i njëjti autor. Megjithëse i botuar pas këtij të fundit, ngjarjet e paraqitura në romanin “E veçanta e dhjetorit” janë më të hershme: ato zhvillohen para krizës financiare të vitit 2008, që përfshiu jo vetëm Irlandën, por gjithë Europën. Romani është i ndarë në 12 kapituj, ku në secilin prej tyre përshkruhet një muaj nga një vit jetë e Xhonsit. Teksa ekonomia e vendit është në vlim dhe makutëria kthehet në normalitet, Xhonsi përpiqet dëshpërimisht të ruajë atë çka i është familjare, e njohur dhe e ngrohtë, megjithëse ndërkohë ka humbur të gjithë ata që e kanë mbrojtur nga egërsia e jetës. Pas vdekjes së prindërve, Xhonsi trashëgon fermën e familjes dhe një llogari bankare të majme, megjithëse është i paaftë për t’u kujdesur për to. “Gangot” e fshatit dhe mashtrues të ndryshëm e përndjekin, e megjithëse copëza dashurie hyjnë në jetën e tij në vendin dhe kohën më të çuditshme, Xhonsi mbetet njeri i vetmuar, i cili ka vështirësi t’i rrijë pas botës që lëviz me ritme marramendëse. Në rrëfim gjurmohen me zgjuarsi shkaqet fillestare të rritjes së pakontrolluar të çmimeve të pronave të patundshme, të vuajtjes së shumë të pafajshmëve, si dhe shfaqet shkatërrimi i komuniteteve, që dikur jetonin në harmoni.
Kritika shkruan se libri i shpie lexuesit në mendjen e një njeriu që ka vështirësi të çajë në një botë, të cilën nuk arrin kurrë ta kuptojë plotësisht. Nëse romani i parë i Donal Ryan “Zemra vërtitëse” ishte kandidat për Man Booker Prize dhe fitoi çmimin “Libri i vitit, 2012” në Irish Book Aëards, çka shihet si një fillim jo i keq për karrierën letrare, e vetmja anë negative ishte se ai përveshi mëngët për sfidën e romanit të dytë. “Fakti që ai ia doli mbanë, dhe me shumë zhdërvjelltësi madje, dëshmon se kemi të bëjmë me një prej shkrimtarëve të rinj më të talentuar bashkëkohorë”, shkruante “The Independent”. Autori Donal Ryan (1976) është një ndër shkrimtarët irlandezë bashkëkohorë më premtues. Ai ka lindur në Nenagh, në Kontenë Tipperary, në Irlandë. Ka qenë nëpunës i sektorit publik për shumë vjet. Dhe vetëm më 2014, pas suksesit që korri “Zemra vërtitëse”, romani që e shkroi gjatë mbrëmjeve të verës së 2010-ës, i është kushtuar tërësisht krijimtarisë letrare. Romani i tij i parë u refuzua nga 47 botues, derisa më në fund arriti të gjente një të tillë. Dy romanet e tij të para “Zemra vërtitëse” dhe “E veçanta e dhjetorit” kanë arritur majat e kritikës irlandeze dhe europiane. “Zemra vërtitëse” ka fituar The Guardian First Book Award, Çmimin Europian për Letërsinë (2015), titullin “Libri i Vitit” në Çmimet e Librit Irlandez. Donal Ryan është diplomuar në Universitetin e Limerick-ut.