More
    KreuArte pamoreMoikom Zeqo: Maks Velo dhe artet

    Moikom Zeqo: Maks Velo dhe artet

    Vdekja e Maks Velos me pikëlloi. Kujtova me ngulm të hovshëm dhe nostalgjik çastet, takimet dhe bisedat me të.  Por është e vështirë të shkruash me një stil epigramatik diçka përfundimtare për këtë artist të  shqetësuar si rrallëkush. Maks Velon e kam njohur dhe takuar për herë të parë në vitin 1970. Fytyra e tij mua më kujtoi portretin e poetit amerikan Ezra Paund. Ja thashë këtë gjë Maksit. Vetëm buzëqeshi dhe më tha: ”Ndoshta!”. Gjatë viteve 1971-1974 takoheshim  shpesh, kryesisht në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe artistëve. Maksi pinte kafe pothuajse i heshtur, por kur fliste, në gjestet e tij kishte një pasion të veçantë. Flokët e rritur, mjekra e tij e spikatur përherë dhe një shpesh ma sillnin në mendje të largëtin Ezra Paund, por kjo ngjashmëri më dukej  gati e pashpjegueshme dhe një “trill” i natyrës. Nga Maksi mësova për artin popullor të gdhendjes në dru-ai kishte bërë një studim sinkronik , me shumë fotografi të figurinave antropomorfe dhe zoomorfe të gdhendjeve-që mua m’u duk i habitshëm.  Kur mua më dërguan pas Pleniumit të IV -për riedukim në shkollën e mesme të Rrogozhinës u kujtova për gdhendjet popullore. Në lagjen periferike të Rrogozhinës ishin shtëpitë e disa  familjeve vllehe. Shkoja shpesh atje sepse kisha nxënës të mi nga kjo lagje. Aty u njoha me një njeri 35 vjeç që quhej Vangjel Kanaci, i cili qe bari dhe kulloste një tufë të madhe me dhi në kodrat e qytetit. Më futi në shtëpi, ku pashë i mahnitur një bufe dhe mobilie të tjera të gdhendura në sipërfaqet vertikale me relieve  të ndryshme. Vangjel Kanaci kishte  bërë në dru bushi shumë skulptura, kryesisht të  heroit kombëtar Gjergj Kastiot Skënderbeut, si dhe figura baritore, por edhe mitike si zanat dhe shtojzovalle, qen molosë, buaj, dallëndyshe, një këndes madhështor, por edhe shumë lugë “me birbil në fund”, si dhe kokën e heroit partizan  Haxhi Qehaj, emrin e të cilit e mbante shkolla e mesme e qytetit. Së bashku me kolegun tim Enver Kushi, bashkëmësues në të njëjtën shkollë, morëm mirëkuptimin e artistit popullor Vangjel Kanaci për t’i paraqitur shumicën e gdhendjeve të tij në një ekspozitë. Ishte Vangjeli që më tha se gdhendjet e tij i kishte admiruar një burrë nga Tirana që quhej Maks Velo. E kam takuar më pas Maksin dhe i kam treguar me fotografi gdhendjet mbresëlënëse. “A m’i jep mua këto fotografi, Moikom, se dua të bëj një album me gdhendjet e Vangjelit?”, më tha. Dhe unë iu përgjigja: Padyshim! Por vëmendja e Maks Velos qe përqendruar në një përmasë të artit popullor në dru, pikërisht në ornamentet, që përbënin një pasuri simbolesh të “ngrira” dhe të “balsamosura” në kohë dhe në hapësirë. Në vitin 1998 Maks Velos i dhurova librin tim studimor -në dy gjuhë: në shqip dhe në frëngjisht të quajtur “Onufri” -që ja kisha kushtuar ikonografit  më të madh të shekullit XVI. Në faqen 166 të librit tim unë kisha botuar dhe një pikturë në pastel të Maks Velos të bërë në  1961 ku paraqitej studiuesja e ikonografisë, Vitori Puzanova në shtrat,- me të shoqin qe lexonte një libër- Maksi i njihte shumë mirë të dy dhe i kishte pikturuar disa herë. Vitori Puzanova qe  ruse në origjinë , kishte lindur  në 1893 dhe qe nga një familje aristokrate. Puzanova e shëtitur në Europë,-, e diplomuar për artin bizantin, por mbas revolucionit të tetorit në 1917 erdhi në Shqipëri ku u njoh me një tjetër aristrokrat rus, Vasilin, që kishte lindur në 1894 ( qe një vit më i vogël  se Vitoria) dhe që vdiq në Tiranë në 30 janar 1964, 70 vjeç. Vasili kishte punuar në Muzeun e natyrësw  në Kryeqytet si specialist i balsamosjes. Vitori Puzanova bëri, që në 1949, studimet e para të kishave të Valshit dhe të Shelcanit në Shpat të Elbasanit ku zbuloi për shqiptarët  dhe krejt botën piktorin gjenial Onufrin e shekullit XVI. Në librin tim unë e kam  quajtur këtë grua “krijuesja e Onufrologjisë”. Vitori Puzanova vdiq në 1967, 74 vjeç. Varret e tyre ndodhen ne varrezën e Tufinës pranë e pranë. Për këto varre të harruar, nuk u kujdes askush, absulutisht. I them Maksit që të shkojmë në Tufinë,- t’i  gjenim varret. Hipëm së bashku në makinë (në atë kohë unë isha Drejtori i  Muzeut Historik Kombëtar) dhe mbërritëm në varreza – në zyrën ku ruhej harta e  pozicioneve të varreve. I gjetëm. Varri i Vasilit qe i rregulluar dhe i modeluar- për këtë ishte kujdesur Vitoria, kurse varri i  saj kishte vetëm një pllakë të vogël betoni dhe qe vetëm dhe. Bëmë së bashku, dhe veç e veç , fotografi në varrin e Vitori Puzanovës dhe  kur u kthyem në Tiranë shkuam në një restorant, ku hëngrëm dhe pimë diçka. Ishim të dy shumë të gëzuar si në një epifani! Shumë të gëzuar! Kam qenë disa herë në shtëpinë e Maksit, e kam shikuar nga afër pikturën më ngjyra të forta pasteli të Puzanovëve, që unë kisha botuar në libër në formë grafike bardhë e zi. Në shtëpinë e Maks Velos ishte një koleksion i madh vëmëndjethithës –  që më kujtonte një  kaledoiskop –  jo aq simetrik se sa asimetrik,- të rrëmujshëm- si shpella e pikturuar e  një asketi të Bizantit. Maks Velo i mblodhi studimet për ikonografinë e Vitori Puzanovës, në një libër të mrekullueshëm- gjë, që e ka bërë vetëm ai.  Një nderim i madh,- post mortum! Unë  e çmoja  Maksin, si një rebel, antikonformist-që kishte bërë një burg absurd në diktaturë, për dashurinë e tij të pakufishme për jetën dhe artin. Një arkitekt i shkëlqyer dhe një piktor i pazakontë. Mua më tërhiqnin në mënyrë të beftë vizatimet dhe krokitë e tij të shpejta dhe tejet lakonike. Një album i Maksit me grafika dhe vizatime nga Parisi  më kujtonte mjeshtrit virtuozë të shekullit XX. Maksi qe artist me kulturë,- i prirë për abstragimin e figurave -dhe të simbolizmit të tyre,- nganjëherë ambikuid,- por gjithmonë- të një “estetike lëvizëse”. Ai qe edhe  shkrimtar, poet, memorialist, por edhe kritik i mirëfilltë për trashëgiminë popullore,- arkitekturën- dhe artet figurative. Maks Velo vdiq në një vetmi vetjake- por jo në një vetmi publike. Ai është dhe mbetet në krijimtarinë e tij, – me letrat kredenciale të shpirtit, të  vetëdijes së kurajës-  më të epërme,- qytetare,- dhe imagjinatës! Amen!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË