Intervistoi: Tacita Dean
“Interview”, 16 dhjetor 2021
Titulli origjinal: Anne Carson Punches a Hole Through Greek Myth
Në poezinë e saj të vitit 2019, “Sappho Drives Upstate (Fr. 2)”, Anne Carson përshkruan një skenë pastorale qetësuese me dy kuaj të bardhë në një fushë, një tablo idilike jashtë kohës. Pastaj vijnë dy vargjet e fundit, si një tronditje që të përshkon të tërin: “Gjithë kjo — ti hape një të çarë, fute krahun përmes saj, shtype çelësin.” Kjo fjali mund të shërbente si një etiketë paralajmëruese (ose si një reklamë intelektuale) për atë që poetja kanadeze 71-vjeçare u bën klasikëve: i shkëput me forcë nga e kaluara, i kthen në jetë me një tronditje si prej rrymës elektrike, i sjell përbindëshat e mitit grek dhe i vë të ecin mes nesh, të rrinë të kërrusur, të godasin me grusht, të puthin, të kthehen në shtrat, të vrasin. Carson është një figurë prej orakulli, sidomos për lexuesit homoseksualë, falë “romanit në vargje” të vitit 1998, “Autobiography of Red”, i cili e ripërfytyron Gerionin, përbindëshin që Herkuli vret gjatë bëmës së tij të dhjetë, si një adoleshent homoseksual të ngathët e të brishtë, të dashuruar me të dashurin e tij trupbukur, Herakliun. Deri më sot, ky mbetet një nga portretet më komplekse e të realizuara me më shumë dashuri në letërsinë bashkëkohore queer. Në veprën e saj, Carson u është kthyer më shumë se një herë Herakliut dhe Gerionit, së fundmi në “H of H Playbook”, duke ripunuar tragjedinë e Euripidit të shekullit V para Krishtit, në të cilën heroi kthehet nga bëmat e tij vetëm për të rënë pre e çmendurisë e për të vrarë gjithë familjen. Libri paraqet edhe punën e poetes si artiste pamore, duke ndërthurur dialogun e saj me vizatime të bëra gjatë një qëndrimi në Islandë. Faqet janë shtresëzime të ethshme teksti, gjurmësh e fshirjesh; abstraksion e figuracion i realizuar me shkumës, bojë akrilike, laps e gomë. Në vitin 2018, Carson u shfaq në një film të artistes britanike Tacita Dean, duke lexuar nga një poezi për Antigonën. Tetorin e kaluar, poetja, e cila jeton dhe jep mësim në Miçigan, bisedoi në Zoom me Dean-in, që po merrej edhe vetë me përshtatjen e një vepre klasike: ishte përgjegjëse për kostumet dhe skenografinë e “The Dante Project” të Baletit Mbretëror të Londrës.
— CHRISTOPHER BOLLEN
* * *
ANNE CARSON: Si po shkon baleti yt? Po i spërkat ende valltarët me shkumës?
TACITA DEAN: Po. Në dy akte — si te “Purgatori”, ashtu edhe te “Parajsa”. Të merr të tërën. Ti je më e mësuar se unë me këto punët e teatrit.
CARSON: Po. Disave u pëlqen, disave jo.
DEAN: Është e çuditshme se si, një projekt i tillë, të përpin të tërën.
CARSON: Të gjitha vendimet vetë i merr?
DEAN: Jo, unë merrem vetëm me skenografinë dhe kostumet. Por jam pak e stresuar, sepse kam bërë një film për “Parajsën” dhe dje bëmë provën e parë të plotë; u ndezën dritat poshtë te orkestra dhe e zbehën filmin aq sa pamjet u bënë të turbullta. Unë thirra: “Jo!” Kurse ata thoshin: “Kaq dritë u duhet muzikantëve. Pyet sindikatat.” Pra, edhe në parajsë ka sindikata dhe burokraci.
CARSON: Mirë ta dimë edhe këtë.
DEAN: Siç e dëshmon libri yt i ri, ti je shumë më krijuese se çdo artist që njoh. Është shumë e guximshme — një faqe e mbuluar vetëm me mbetje lapsi dylli.
CARSON: U kënaqa shumë duke e bërë. Pastaj s’mund ta lija, pasi ishte një kënaqësi kaq e madhe ta bëja. Merita i takon New Directions-it që gjeti dikë që mund ta skanonte në mënyrë që të dilte bukur e pastaj ta shtypte.
DEAN: Herën e fundit që folëm, më the se po vizatoje. Kur shkove në Islandë punove me këtë projekt?
CARSON: Morëm një banesë me qira dhe kishte një dhomë të lirë e cila u bë e imja. Kur ke një dhomë më vete, mund të punosh. Kështu ndodhi. Mendova: “Ç’mund të bëj në këtë dhomë?” Dhe ja ku doli. Virginia Woolf kishte të drejtë për këtë. Mjafton një dhomë ku të mbyllësh derën dhe diçka do të ndodhë.
DEAN: Dhe që atëherë ke vazhduar të vizatosh, apo jo?
CARSON: Po, madje edhe më shumë, sepse të shkruarit duket disi i kotë në botën e sotme. Më pëlqen të vizatoj. Nuk e di nëse ty të tremb më shumë vizatimi se shkrimi, por mua po. Të zbulon më shumë.
DEAN: Jam dakord. Nuk besoj se jam në gjendje thjesht të ulem e ta bëj veten të vizatojë. Kohët e fundit e vëzhgoj shumë veten dhe kjo është një tragjedi. Frika se mos dështoj më pengon të ulem vërtet e të lë një gjurmë. Dikur mund ta bëja. Është diçka që e humba me moshën. Ose kur arrita njëfarë niveli profesional.



CARSON: Është e vërtetë. Ka një lehtësi që e humbet kur bëhesh Artiste me A të madhe.
DEAN: Po, ndërsa me shkrimin, për mua, ndodh e kundërta. Kur shkruaj diçka, e kam më pak mendjen te vetja. Mendoja se për ty do të ishte e kundërta.
CARSON: Mendoj se pas shumë vitesh, shkrimi bëhet një vend ku mund të fshihesh. Meqë fiton njëfarë mjeshtërie, ai të lejon të bësh diçka pa e zbuluar veten. Kurse në vizatim, çdo gjurmë që lë të zbulon. Nuk mund ta mbulosh këtë me virtuozitetin teknik.
DEAN: A përpiqesh ndonjëherë, qëllimisht, t’i vësh stërkëmbësh vetes kur shkruan? E ke këtë mjeshtëri dhe i njeh vendet ku mund të fshihesh. Por po dëshira që të zbulesh, a të vjen ndonjëherë? A je e vetëdijshme për dredhitë me të cilat e shmang?
CARSON: I kam mbrojtjet tepër të forta. Por po, ndonjëherë do të ishte më mirë të gërmoja pak më thellë në atë lëndë të papërpunuar.
DEAN: Dhe kur vizaton, mund të gërmosh në atë lëndë të papërpunuar?
CARSON: Epo, kjo është një shmangie. Në fjalë ka më shumë nga ajo lëndë e papërpunuar, por unë s’mund të përballem me të. Prandaj, të kaloj anash, te vizatimi, është një lehtësim. Por pastaj, edhe ai ka këto anë të zbulimit të vetes që të trembin. Nga ana tjetër, sapo i futesh një vizatimi, kënaqesh aq shumë sa të fshihet gjithë ai ngurrim. Çasti kur fërkon shkumësin mbi dërrasë është aq ngazëllyes.
DEAN: Po, kur harron që po e bën, kur gjithçka ndodh pak nën nivelin e vetëdijes. Është vërtet e vështirë ta arrish këtë.
CARSON: Është. Besoj se, për arsye praktike, na duhet të jetojmë me vetëdije shumicën e kohës.
DEAN: Një fjali që e përdor shpesh është: “Papastërtia është lëndë jashtë vendit të vet.” Ta kam marrë ty.
CARSON: Edhe unë e kam marrë nga dikush tjetër atë fjali. [Qesh]
DEAN: Edhe Julie Mehretu sapo i quajti “Metoikos” ekspozitat e saj të reja në Berlin dhe Spanjë; e ka marrë nga unë, unë e kam marrë nga ti, kurse ti e ke marrë nga Sofokliu. Po udhëton. Ti ke vënë në lëvizje një reaksion zinxhir.
CARSON: Këtë shpresoj. Greqishtja është një gjuhë që jehon. Por ka diçka të çuditshme te veprat e artit. Kur bën diçka, gjatë gjithë kohës mendon: “Ç’do të bëhet me të?” Nuk jam nga ata njerëz që mund të shkruajnë një libër, ta fusin në sirtar dhe të thonë: “Ja, kjo është një arritje. Sa bukur. S’ka rëndësi nëse botohet ndonjëherë.” Mua më duhet të mendoj se ku do të shkojë. A të duhet gjithmonë një vend ku ajo që bën të përfundojë, për shembull një galeri a një ekspozitë, ose diçka që e di se është pikëmbërritja e punës?
DEAN: Kjo më mungon nga koha kur isha më e re: mundësia për të kullotur pa qenë gjithë kohës në gara me pengesa. Thjesht të kullotësh pak, pa ndonjë qëllim.
CARSON: A mendon se një pjesë e kësaj vjen nga pandemia, nga qëndrimi në një dhomë të mbyllur për muaj me radhë? Sepse për mua, koha ndryshoi. Çdo ditë ishte e pafundme, por njëkohësisht edhe tepër e shkurtër, pa një midis. Ishte sikur të ishe në një iglu, me shumë dëborë jashtë dhe pa pasur ku të shkoje. Koha kishte një tjetër teksturë dhe nuk e di saktësisht se çfarë ishte ajo. Por më bënte ta ndieja ndryshe të punuarit. Dhe të them të drejtën, ma bënte të dukej edhe më e kotë. Pjesërisht sepse, në botën e shkrimtarëve, sapo filloi pandemia, të gjithë po botonin ditarë të COVID-it.
DEAN: Ose vizatonin autoportrete çdo ditë. Ishte një makth i vërtetë.
CARSON: Ishte. Por pastaj, edhe shkrimi im vazhdonte të zhdukej në atë vrimë, sepse për çfarë tjetër mund të mendosh kur rri në dhomën tënde ditë pas dite, pa parë njeri? Pra po, të kapte njëfarë ndjesie shuarjeje.
DEAN: Ishte goxha e frikshme. Në fillim ishte diçka e tipit: “Ua, dy javë pushim nga gjithçka!” Pastaj u bë e pafundme.
CARSON: Po, një pafundësi me shumë dezinfektues. Meqë ra fjala te ditarët e COVID-it, një gjë pak e sheqerosur që nisa të bëja gjatë pandemisë ishte të mbaja një listë mirënjohjeje. E di, ai mekanizmi psikoterapeutik ku në fund të ditës, përpiqesh të kujtosh të gjitha gjërat e asaj dite për të cilat je mirënjohëse, që t’i kundërvihesh dëshpërimit dhe depresionit. Sado e sheqerosur të jetë, funksionon vërtet. Më pëlqente ta bëja.
DEAN: Deri në ç’hollësi të imëta shkoje? Ishte diçka si: “Jam mirënjohëse për filxhanin e çajit të mëngjesit”, apo “mirënjohëse për atë grifshën blu që sapo fluturoi këtej”? Gjëra të tilla?
CARSON: Zbulova se sa më të imëta të jenë, aq më shumë të bëjnë mirë. Thjesht u rikthehesh atyre kënaqësive të vogla e pa ndonjë domethënie të jetës së përditshme dhe kjo të bën të ndihesh si budiste.
DEAN: Sa gjëra shënoje mesatarisht në ditë?
CARSON: Varet sa kohë i kushton. Në darkë i lë vetes aq kohë sa ke dhe sa të duhet. Vetëm pesë minuta ose tridhjetë sekonda. Nuk mendoj se ka rëndësi sa. Rëndësi ka vetëm të hysh në atë rrjedhë ku e mendon botën si…
DEAN: Jo, nuk ishte pyetje e përgjithshme. Ishte pyetje për ty. Sa të gjata ishin listat tuaja?
CARSON: Do të thosha mesatarisht shtatëmbëdhjetë pika.
DEAN: Mbresëlënëse! A kishte ditë kur nuk ishe fare mirënjohëse?
CARSON: Kishte ditë kur harroja ta bëja, e mbështjellë në veten time të zymtë. Por nuk ishte e vështirë. Kjo më habiti. Nuk ishte e vështirë ta bëje.
DEAN: Duhet ta bëj edhe unë. Do të jem mirënjohëse po t’i rregullojnë dritat poshtë te orkestra. Pra, je në Ann Arbor. Ende shkruan në një dhomë pa rrëmujë? Mbaj mend që dhoma ku shkruaje ishte shumë minimaliste.
CARSON: Në teori. Sigurisht, rrëmuja duket sikur tërheq rrëmujë tjetër gjatë jetës. Ty nuk të pëlqen të jesh në një hapësirë pak a shumë të zbrazët?
DEAN: E kam ëndërr. Por Mathew [bashkëshorti i Dean-it, artisti Mathew Hale] nuk hedh asgjë. Edhe unë i ngjaj pak. Do të doja të isha dikush që mund të jetojë me pak gjëra, por nuk jam. Vazhdimisht, vazhdimisht, vazhdimisht më duhet të merrem me një mori gjërash mbi çdo sipërfaqe.
CARSON: Është një pamje si te Francis Bacon-i, me shtresa e shtresa idesh të vjetra artistike që grumbullohen njëra mbi tjetrën? Tani kam sirtarë plot me vizatime.
DEAN: Dua të them, ç’u bën zhgarravinave? Nuk i kam aq për zemër zhgarravinat e mia. Por, nga ana tjetër, as t’i hedh nuk më bëhet. Megjithatë, i admiroj shumë ata që arrijnë të kenë një shtëpi minimaliste. Duhet të të sjellë njëfarë kthjelltësie. Mendoj se jam tepër sentimentale.
CARSON: Dhe ka të bëjë me vazhdimësinë. Janë edhe pjesë të vetes sate të dikurshme që duhet t’i heqësh qafe.
DEAN: Po rrëmuja e brendshme?
CARSON: Ajo është edhe më keq. Rrëmuja e brendshme pasqyrohet në dhomë. Dje, teksa përpiqesha të rregulloja dhomën e punës, po sistemoja gjithë fletoret e mia. Vizatimet janë mjaft të tmerrshme, por fletoret janë edhe më keq, të mbushura me gjuhë, histori e ide. Kam shumë, shumë, shumë fletore. Dikur fantazoja t’i grisja në copëza të vogla dhe të bëja një mural gjigant me të gjitha mendimet që kisha pasur ndonjëherë në jetë. Por pastaj nuk vendosja dot se si t’i përdorja anët e pasme të faqeve.
DEAN: Mund të bësh një mural dyfaqësh. Mund ta vendosësh mes xhamash.
CARSON: Ah, po. Por kjo është shumë e ndërlikuar. Unë e kisha menduar më tepër: në dysheme, me një ngjitës në formë shkopi. Jo në fabrikë. Ky është halli. Nuk kam kurrfarë aftësie teknologjike.
DEAN: Problemi im është se po, i kam këto fletore, veçse nuk u kthehem kurrë.
CARSON: Epo, duhet t’u kthehesh. Është njëkohësisht paksa e tmerrshme dhe paksa argëtuese. Është si t’i japësh mendimit të çastit një drejtim të rastësishëm, dhe s’ka pse të jenë patjetër fletore. Mund të jenë libra të tjerë që ke nëpër dhoma. Mua më ndihmon. Ma zhbllokon disi çastin.
DEAN: A të ndodh ndonjëherë të bllokohesh e të mos shkruash dot?
CARSON: Më ndodhi gjatë COVID-it dhe kjo na kthen te ajo kotësi. Ka kaq shumë shkrime në botë dhe një pjesë e madhe duken thjesht si e njëjta fjali.
DEAN: Jam e sigurt se ditarët e tu të COVID-it do të ishin ndryshe nga ditarët e kujtdo tjetër.
CARSON: Nuk do të na duhet kurrë ta gjykojmë këtë, sepse nuk do të botohen.
DEAN: Do të hidhen në një formë tjetër, në një epokë tjetër. E di që të pëlqejnë anakronizmat.
CARSON: S’ka gjëra të tillë. E gjithë koha është tani.
Përkthimi © ExLibris


