KreuLetërsiShënime mbi libraMigena Kapllani: Shtëpia, rruga dhe kërkimi i vetvetes

Migena Kapllani: Shtëpia, rruga dhe kërkimi i vetvetes

Oriola Gjetaj – “Rruga mbaron te shpija jeme”

Tetëdhjetë poezi janë të përmbledhura në një libër prej njëqind faqesh, botim i Shtëpisë Botuese “Dudaj”.

Titulli i librit të Oriola Gjetajt, Rruga mbaron te shpija jeme, të sjell ndërmend poezinë “Udhëtimi për Itakë” të Azem Shkrelit. si simbol i destinacionit të njeriut, i kërkimit të vetvetes, i ëndrrës dhe i udhëtimit drejt së panjohurës. Një referencë që lidhet edhe me mitin e Odiseut, ku udhëtimi nuk ka të bëjë vetëm me mbërritjen, por edhe me përvojën, ndryshimin dhe zbulimin e vetvetes.

Kjo ide tek Oriola Gjetaj, merr një tjetër trajtë. Rruga “mbaron” te shtëpia, si të thuash, te zanafilla e secilit. Një paradoks që përfshihet që në titull dhe që shpreh gjithçka që mund të kuptohet me fjalën “shtëpi”. Aty fillon e mbaron çdo gjë. Me shku në shpi, si me thënë, është me shku te vetja, te ajo që ke qenë dhe që vazhdon të jesh, edhe kur je larguar saj.

Siç thotë poetja diku: “Sa ma larg shkojmë, / humbet natyra, / shtohen performancat.”

Ku e kemi shtëpinë sot ne që jemi me vite larg atdheut? Cila është shtëpia e kujtdo që ka marrë valixhen e është larguar në të tjera vende, me të tjera gjuhë? Në cilin vend u impostuam si natyra njerëzore? A e kemi të njëjtën jetë e të njëjtin trup në të tjerat vende?

Poetja në poezinë e saj, e lidh veten me vende e përmallur prej mungesës së tyre. Janë larg si vende e larg si ndjesi, vende që të mungojnë e nuk kanë si “kthehen” më. Por bashkë me to, të mungon edhe vetja në momente pauze dhe kërkon ta kthesh shiritin për ta riparë atë nga lart, “në dritare, / që në brrak pasqyruese / diçka don me dijtë”.

Fjala rrugë është pjesë e kërkimit të saj. E gjejmë në “aromën e tokës”, “shtri në kodrina”, te pamja e “vetes në dritare”, në dimensione të ndryshme: “rrugën e preferueme”, “perëndim mes dy rrugësh”, “tue ecë” si me thanë që tërë lëvizjet tona janë të përhumbura. Na duhet një rrugëtim plot aventura për të shkuar aty ku duam e jo ku duhet.

“A ka rruga krye?” është pyetja për rrugën drejt vetes. Një kërkim që nuk është i lehtë, por përvëlon si magmë nën lëkurë.

Poezia “Në udhëtim” apo “Vera pat ardhë për mue” e kthen poeten në fëmijëri, nëpër shtigje të rrethueme e kopshte të ndalueme, ku hapen dyer të ndryshkuna me aromat si kujtesa ma e hershme e ma ndjellëse.

Tri togjet që më tepër gjen në këtë libër janë: shpi/rrugë, zgjanim/zgjanohem, nalt/naltsim. Janë fjalë që përsëriten dhe ndërtojnë një lëvizje të brendshme të poezisë: largimi – kërkimi – zgjimi dhe kthimi. Rruga dhe shtegu, edhe kur marrin një shpjegim matematikor, janë strukturat e mëdha brenda “rrjetës” së kërkimit të saj. Në këtë rrjetë ndërtohet e rregullohet një nënstrukturë e rregullt për veten dhe shtëpinë; një strukturë e rregullt: vetja mos me u humb. Sepse, sado kaos të ketë përqark, gjithë ajo hapësirë “sistemohet” dhe pyetjes “A ka ma ku me u kthye / kur ikë prej shpie?” (poezia “Kush, un?!”), i jepet një tjetër shpjegim në poezinë “E thotë Ramsey”. Çdo poezi duket se na thotë “un shkoj në shpinë teme” (“Verë e ngathët 1”), “Un jam zog që jam largue” (“Verë e ngathët 2”); një kontradiktë dhe një luftë e përditshme në rrugë e shtigje për të gjetur rregullin në këtë kaos.

Gjuha paradoksale: matematika, loja dhe kundërshtitë

Paradokset e shoqërojnë poezinë që në titull; rruga mbaron aty ku gjithçka ka filluar, te shtëpia. Paradoksi shfaqet edhe kur çdo gjë është në qetësi, por poetes i fillojnë zhurmat.

Si në pikturën e Dalisë, akrepat e orës habiten me sytë e saj të drejtuar mbi ta dhe i “pengojnë” të ecin lirisht e me shpejtësi, siç ndodh për çdokënd tjetër që “ndigjoj” që “flen i qetë”.

“Ato (akrepat) më shohin tanë habi e më kthehen se

nuk sillen lirisht se un i lajmërokam qëllimisht”. Kjo marrëdhënie me paradoksin vjen edhe si lojë fjalësh. Është mënyra se si poetja e sheh dhe e vë në dyshim realitetin. Edhe kur gjërat duken të qarta, ajo gjen një tjetër këndvështrim, një kundërshti që e bën të zakonshmen të duket e pazakontë.

Poezia “Një katror” është ndërtuar e tëra me gjuhën e matematikës. Paradoksi “rreth i drejtë” si përkufizim për dikë, është i trishtë, ndërsa ajo “pikë që zgjatohet deri në fund”, si e pamundshme, por ja që në poezi marrin jetë. Kjo ndodh kur kërkon të ndërtosh kështjella “që nuk të çojnë askund”, prandaj duket si pikë që zgjatohet, me sakrificën e një Rozafe që ndërton ditën me të e i prish natën andrrat bashkë me hanën.

Një tjetër paradoks shfaqet te “Mbas lentes”: “perëndim si lindje, ngatërron dhe zogjt”.

Paradokset i preferon ma së shumti dhe i sjell edhe si lojë fjalësh:

“Me i marrë gjanat shumë seriozisht, nuk asht mirë, përveçse kur asht mirë.” ( “ S k i c a t ë zhigatuna”)

Një nga veçoritë që bie në sy (siç u tha pak dhe më lart) është përdorimi i fjalorit matematikor, i cili zgjeron gamën e fjalëve dhe ndihmon shtjellimin e mendimeve. Në poezi gjen shpesh fjalë si: katror, dimension, orbita elektroni, figura ma komplekse, trajektore, infinite, rregulla të përcaktueme, shtoj vlerë mbi vlerë, strukturat e planimetrive, projektime, plane, qendër graviteti, teorema e Ramsey, x, y apo z.

Ky fjalor e vendos mendimin poetik në një hapësirë tjetër. Matematika, me strukturat dhe rregullat e saj, duket se i shërben poetes për të kërkuar një rregull brenda kaosit. Rruga, shtegu, katrori, pika, trajektorja apo qendra e gravitetit bëhen njëkohësisht terma matematikorë dhe mjete për të menduar marrëdhënien me veten, me hapësirën dhe me botën.

Pasuria e poezisë qëndron edhe te zgjedhja e dialektit, me të cilin e sjell poezinë, si dhe te fjalori i saj: zhaurimë, me fjetë, pa dashtë me qenë, e kam marrê, i zhigatun, rrush çylek, kêm, mollatarta, prân, heshtim, gjypner, shujta etj.

Poezia shkrihet me atë që ka marrë prej vendit, dikur e diku thellë në atë që quhet shpirti i tokës, me gjuhë zanash e legjendash, plot përralla e bestytni, por të sjella me një shtresim të hollë, gati të padukshëm, si një vel vetjak i shkrirë me atë të zanafillës (“Loja e hijeve”).

Kështu, dialekti nuk është vetëm zgjedhje gjuhësore. Ai është edhe kujtesë, përkatësi, një mënyrë për ta mbajtur gjallë atë që mund të humbasë nga largësia. Edhe vetë fjalët e zgjedhura duket sikur e mbajnë brenda tyre shtëpinë.

Disa lexime konkrete: poezitë dhe mënyra si ndërtojnë kuptim

Bukuri më vete është poezia “Një ditë e gjysëm”, kur poetja dhe poezia janë “një”, në marrëveshje për të thënë veç të vërtetën. Por e vërteta shpesh e humbet kuptimin, sepse të flasësh në poezi për ndjesi është si të shesësh veten. “Ç’vlerë kanë fjalët për diçka që tanë e shohim ndryshe. / E ç’vlerë kanë fjalët kur ashtu e shoh veç un.”, thotë poetja. Gjuha “mungon” për ta thënë ashtu siç “na rrotullohet ndër mend” e na “përdredh stomakun”. Dhe, si në vargje epi, ajo thotë për mendimet e hedhura ndër letra: “e do edhe i kam besue, / e do edhe i kam ba të besueshme.”

Kjo është një nga ato poezi ku poetja duket se vë në dyshim vetë mundësinë e poezisë për të thënë të vërtetën. Sa mund të besojmë te fjalët kur ajo që ndiejmë nuk arrin të marrë formën që duam? Sa mund të jetë e vërtetë ajo që shkruajmë dhe sa e bëjmë të besueshme përmes shkrimit?

Poezia “Naltsim”, nga e bukura dhe e thjeshta, shkon te hapësira që lartëson shpirtin përmes forcës së “shprehnisë së t kuptuemit”.

Një poezi me paradokse e metafora të kërkuara është “Vesa e mëngjesit”, ku e freskëta lyhet me të (vesën), çuditërisht, që të bëhet e panjohun, “për me i kput fijet” që e tërheqin. E si nuse me të bardha, që si Doruntinë, i thonë nëpër mjegull: “kena ardhë me t’çue te shpija jote”. Këtu imazhi i Doruntinës dhe i kthimit në shtëpi e sjell sërish atë ndjesinë e përkatësisë, por edhe të një thirrjeje që vjen nga larg. Shtëpia nuk është gjithmonë një vend ku shkon me dëshirën tënde; nganjëherë është edhe diçka që të thërret, që të tërheq drejt vetes.

Poezia “Heshtojmë” apo “Ritëm ritualesh” të bëjnë të mendosh se poezia nuk mund të shpjegohet gjithmonë pa humbur diçka nga vetja. Poezia e ka të bukurën në mënyrën si e shpreh veten në vargje. Përpjekja me i dhënë një tjetër formë, s’ka asnjë kuptim. Këtë mendim të përçojnë vargjet e saj kur i lexon këto poezi, ku çdo fjalë e thënë për to të çon sa afër, aq edhe larg asaj që duhet thënë.

Në tërësi, poezia e Oriola Gjetajt është poezi e imazheve dhe zërave me ngjyra e thirrje. Ajo ndërton një botë ku vendet, kujtesa, fëmijëria, largësia dhe kërkimi i vetvetes bashkëjetojnë. Rruga nuk është vetëm lëvizje në hapësirë, as shtëpia vetëm një vend fizik. Të dyja janë pjesë e një kërkimi të vazhdueshëm, ku largimi dhe kthimi nuk janë domosdoshmërisht të kundërta.

Ajo që mbetet gjatë ecjes është pikërisht kjo përpjekje për të mbërritur te vetja. Tek ajo shtëpi që nuk është gjithmonë e dukshme, por që vazhdon të ekzistojë brenda kujtesës, gjuhës dhe ndjesive.

Dhe, ndoshta, më shumë se në çdo poezi tjetër, kjo përpjekje për të parë përtej asaj që duket përmblidhet te “Mrapa shpie”:

“Me nji gur marr e i thej lodrat, për me pa se çka kanë mbrenda.”

Një poezi e vogël, por më e madhja, sepse, në fund, kthimi në shtëpi është edhe një mënyrë për të zbuluar se çfarë kemi mbrenda vetes. Një kthim që nuk është thjesht te vendi, por te kujtesa dhe te nevoja për të zbuluar çfarë fshihet brenda gjërave. Ndoshta pikërisht këtu nis edhe kërkimi i poetes: te dëshira për të parë përtej sipërfaqes, për të thyer “lodrat” dhe për të zbuluar çfarë ka “brenda në to”.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË