KreuOpinionPetro Çerkezi: Qytete dhe epoka të Evropës: Melankolia e kohës

Petro Çerkezi: Qytete dhe epoka të Evropës: Melankolia e kohës

Brukseli më priti për herë të dytë brenda një viti. Në dhjetor të vitit të kaluar pata ardhur në këtë qytet për një mbrëmje krijuese letrare, kushtuar promovimit të veprës sime. Këtë herë rikthehesha si i ftuar në një veprimtari tjetër, me një përmasë më të gjerë kulturore: takimin e shkrimtarëve shqiptarë me rastin e Muajit të Letërsisë, organizuar nga poetje Leonora Canja dhe Agron Shele nën titullin domethënës “Ura e Kulturave”.

Ky takim mes shkrimtarëve ishte një përpjekje për të krijuar hapësira komunikimi mes kulturave, për të afruar njerëz që vijnë nga vende, përvoja dhe tradita të ndryshme, por që i bashkon gjuha universale e letërsisë. Në këtë kuptim, veprimtaria merrte një domethënie që kapërcente kufijtë e një takimi letrar. Ajo shndërrohej në një akt të diplomacisë kulturore, në një përpjekje për të ndërtuar ura të qëndrueshme mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes popujve, duke i afruar ata me hapësirën e përbashkët evropiane.

Diplomacia merr jetë edhe përmes një libri që përkthehet në një gjuhë tjetër, një poezie që gjen lexues përtej kufijve të saj, një bisede mes shkrimtarëve apo një mbrëmjeje ku përvoja e një populli bëhet e kuptueshme për një tjetër. Letërsia nuk i zhduk dallimet, por krijon mundësinë që ato të njihen, të respektohen dhe të shndërrohen në pasuri të përbashkët. Kjo është një nga mënyrat më njerëzore për të ndërtuar Evropën: jo duke i bërë popujt të ngjashëm, por duke i ndihmuar të kuptojnë më mirë njëri-tjetrin.

Dhe kur këtë urë e ndërtojnë shkrimtarët, ajo fiton qëndrueshmërinë e fjalës, të kujtesës dhe të krijimit. Por Brukseli, përtej këtij takimi dhe rolit të tij si një nga qendrat politike të Evropës, do të na ofronte edhe një tjetër udhëtim, këtë herë nëpër qytetet, historinë dhe kujtesën e kontinentit. Një udhëtim që, pa e ditur ende, do të bëhej vazhdim i të njëjtit reflektim mbi kulturën, letërsinë, identitetin dhe kujtesën e Evropës.

Ky udhëtim kishte filluar shumë kohë përpara se të mbërrinim në destinacionin tonë. Kishte filluar me kërkimet e shkrimtarit, me biseda të vjetra e të reja, me projekte letrare veprash dhe kujtime, me ide që lindin papritur dhe të ndjekin derisa marrin formën e një udhëtimi, derisa shndërrohen në sinopse veprash. Udhëtimi ynë në Bryzhë ishte njëri prej tyre. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, qyteti na u zbulua jo vetëm përmes arkitekturës dhe historisë së tij, por edhe përmes mendimeve që kishim marrë me vete.

Ishte e shtunë, 31 tetor, kur u nisëm me tren nga Brukseli. Bashkë me mua ishin bashkëshortja ime dhe Miranda Içi, poete që jeton në Bruksel dhe me të cilën më lidh një marrëdhënie e veçantë, e hershme. Miranda ishte nxënësja ime në Shkollën e Mesme të Gjirokastrës. Qysh atëherë kisha dalluar tek ajo një ndjeshmëri dhe një damar poetik që meritonte të kultivohej. Vite më vonë, në vitin 2020, mora përsipër t’i përktheja poezitë e saj në gjuhën greke. Atëherë, nga shtëpia botuese 24grammata, doli antologjia dygjuhëshe “Evropë epokash anonime”, të cilën e redaktova dhe i shkrova parathënien në të dyja gjuhët.

Propozimi për të vizituar Bryzhën ishte i saj. Udhëtimi me tren u shndërrua në një takim të vogël letrar. Bisedonim për poezinë, për librat, për njerëzit dhe ngjarjet, për histori dhe drama që një ditë mund të bëhen pikënisje për një roman. Është e çuditshme se si disa biseda, që në fillim duken të rastësishme, më vonë fitojnë një kuptim tjetër. Një fjalë mund të shndërrohet në imazh, një ngjarje në rrëfim dhe një përvojë njerëzore të gjejë vendin e saj brenda një libri. Treni rrëshqiste drejt qytetit të vjetër flamand, ndërsa ne udhëtonim tashmë në vende dhe kohë të tjera, në hapësirat e imagjinatës dhe të kujtesës. Nga Gjirokastra në Athinë, në Nikosia, në Bruksel dhe në vende të tjera ku na kishte çuar jeta.

Mbërritëm para mesditës. Dita ishte me diell dhe drita binte mbi çatitë e vjetra, fasadat e shtëpive dhe kullat e kishave. E megjithatë, që në hapat e parë në rrugicat e qytetit, ndjeva një qetësi të çuditshme. Një qetësi që arrinte pothuajse deri në melankoli. Nuk ishte mungesa e jetës dhe as heshtja e një qyteti të braktisur. Ishte diçka më e thellë, një ndjesi sikur koha kishte lënë këtu gjurmën e saj dhe vazhdonte të banonte mes njerëzve.

Bryzhë dukej magjike. Kullat, kishat, urat prej guri dhe shtëpitë e vjetra me çatitë e tyre të veçanta krijonin një skenë që vështirë se e gjen diku tjetër. I gjithë qyteti ngjante me një gravurë të vjetër, nga ato që ruhen në librat e lashtë apo në muze dhe që i shfleton me ndjesinë se mban në duar një copëz kohe të humbur. Megjithatë, kishte edhe një dimension tjetër të historisë së Bryzhës, të cilin nuk mund ta anashkaloja. Qyteti nuk kishte qenë vetëm një nga qendrat më të rëndësishme tregtare të Evropës mesjetare, por edhe një vatër e shquar e pikturës. Në shekullin XV, kur qyteti flamand përjetonte lulëzimin e tij të madh, aty u vendosën dhe krijuan disa nga piktorët më të rëndësishëm të kohës. Ndër ta ishin Jan van Eyck dhe Hans Memling, dy figura të shquara të së ashtuquajturës Shkolla e Hershme Flamande. Pikturat e tyre, me hollësitë e jashtëzakonshme, lojën thuajse të padukshme të dritës dhe paraqitjen e duruar të çdo detaji të vogël të figurës njerëzore dhe të botës natyrore, kapërcyen kufijtë e Flandrës dhe ndikuan në pikturën evropiane. Mendova se ndoshta kjo marrëdhënie e veçantë e qytetit me artin shpjegon edhe diçka nga pamja e tij e sotme. Bryzhë duket sikur është pikturuar nga vetë shekujt. Si një tablo gjigante, ku njerëzit, ndërtesat dhe ujërat kanë gjetur vendin e tyre në një kompozim që askush nuk ka dashur ta përfundojë, nga frika se mos ia prishte bukurinë.

Vetëm se këtu pamjet nuk ishin të palëvizshme. Njerëzit ecnin në rrugët me pllaka e kalldrëm, vizitorët kërkonin këndet më të veçanta të qytetit dhe pas dritareve të shtëpive të vjetra vazhdonte jeta e përditshme.

Në sheshin qendror na priste një tjetër pamje nga një botë që mendoje se kishte perënduar pa kthim. Karroca aristokratike, pajtonë me kuajt e zbukuruar dhe të duruar, prisnin në radhë turistët që dëshironin të bënin një shëtitje në qytetin e vjetër. Prania e tyre dukej krejt e natyrshme në atë skenë mesjetare. Për një çast të krijohej përshtypja se dikush kishte hapur një derë në të kaluarën dhe prej andej kishin dalë pajtonet, karrocierët dhe udhëtarët e një epoke tjetër. Lëvizja e sotme turistike nuk e prishte pamjen. Përkundrazi, bëhej pjesë e shfaqjes që qyteti i ofronte vizitorit.

Përshtypja e parë, megjithatë, mbetej ajo e melankolisë. Ndoshta sepse Bryzhë nuk ta imponon admirimin me gjallërinë e jashtme të një metropoli të madh. Ajo të fiton pak nga pak, me heshtjet e saj, me pasqyrimet e saj, me ndjesinë se pas çdo qosheje fshihet një histori që nuk u tregua kurrë.

Më pas pronotuam një varkë. Për më shumë se dyzet minuta lundruam nëpër kanalet e Venecias së Veriut. Dhe atëherë qyteti nisi të na zbulonte një fytyrë tjetër. Uji u jepte lëvizje pamjeve të palëvizshme të tokës. Urat prej guri uleshin mbi varkë, fasadat e vjetra pasqyroheshin në sipërfaqen e kanaleve dhe kullat e kishave ngriheshin mes çative, sikur të vazhdonin të mbikëqyrnin zotërimin e tyre të dikurshëm.

Humori ynë ndryshoi. Lundrimi na afroi më shumë me qytetin. Nuk e vështronim më vetëm si vizitorë që ecin nëpër rrugët e tij, por si udhëtarë që depërtojnë në brendësinë e tij, duke ndjekur arteriet ujore. Çdo kthesë zbulonte një pamje të re. Një urë guri, një dritare me lule, një fasadë e vjetër që dukej sikur pluskonte mbi ujë. Ishte sikur përpara nesh shpalosej një dorëshkrim i vjetër i ilustruar. E megjithatë, melankolia nuk ishte zhdukur. Thjesht kishte ndryshuar formë. Tani bashkëjetonte me bukurinë, si një anë tjetër e së njëjtës pamje.

Befas m’u kujtua Georges Rodenbach dhe romani i tij “Bryzha e vdekur”. Shkrimtari belg i simbolizmit e kishte shndërruar qytetin në pasqyrë të shpirtit njerëzor, në një vend ku humbja, vetmia dhe kujtesa merrnin një formë të prekshme. Kanalet, kishat, rrugët e zbrazëta dhe heshtja e qytetit bëheshin zgjatime të jetës së brendshme të personazhit të tij.

Tani e kuptoja më mirë se çfarë kishte dashur të thoshte. Nuk nevojitej as mjegulla, as qielli i vrenjtur për të ndier melankolinë e saj. Edhe nën diellin e ndritshëm, Bryzhë ruante diçka nga trishtimi i shekujve të kaluar. Ndoshta sepse bukuria e saj nuk ishte vetëm arkitekturore. Ishte edhe bukuria e një qyteti që kishte njohur lulëzimin, pasurinë, fuqinë tregtare, por edhe rënien. Një qytet që koha nuk e kishte shkatërruar, por e kishte lënë pothuajse të paprekur, sikur të kishte dashur të ruante brenda tij kujtimet e një Evrope tjetër.

Ndërsa endeshim mes ndërtesave të tij të vjetra, mendimi ynë udhëtonte pashmangshmërisht edhe drejt një qyteti tjetër të largët, qytetit tonë që e jetuam aq intensivisht, që na formësoi dhe që mbart në vetvete kujtesën e shekujve: Gjirokastrës. Qytetit të vjetër kështjellor prej guri të Epirit, me shtëpitë e tij karakteristike si kështjella të vogla, çatitë e rënda me rrasa guri, rrugicat e pjerrëta me kalldrëm dhe kalanë që sundon mbi luginën e Drinos. Dy qytete që i ndajnë gjeografia, rrjedha historike dhe fizionomia arkitekturore, por i bashkon diçka më thelbësore: fuqia e kujtesës historike që ruhet në vetë indin urban të tyre.

Bryzhë e ruan identitetin e saj mesjetar përmes kanaleve, kishave gotike, urave prej guri dhe shtëpive flamande. Gjirokastra, “Qyteti i Jugut”, nga ana tjetër, ruan një botë krejt tjetër, të formësuar nga trashëgimia e periudhës osmane dhe gjurmët e historisë më të hershme bizantine. Shtëpitë e saj karakteristike, me çatitë prej rrasa guri, ngrihen mbi shpatet e malit si kështjella të vogla; rrugicat e ngushta me kalldrëm dhe lagjet e vjetra, të zhvilluara rreth kalasë dhe Pazarit, i japin qytetit pamjen e një vendbanimi që duket sikur ka mbirë nga vetë guri dhe është bërë njësh me malin. Në të parin mbizotëron ndjesia e një qyteti që bisedon me ujin; në të dytin, ajo e një qyteti që flet gjuhën e gurit, me kronikën e vet të gdhendur në shekuj. Një kronikë ku historia dhe legjenda, mençuria dhe marrëzia, grotesku dhe melankolia epokale bashkëjetojnë, sikur koha e pamëshirshme t’i ketë skalitur në gur dhe pena e Kadaresë t’u ketë dhënë zë. Nuk është e rastësishme që Gjirokastra u bë edhe bota letrare e birit të saj të madh. Në “Kronikë në gur”, Kadareja nuk përshkruan thjesht qytetin ku lindi dhe u rrit, por rindërton shpirtin e tij, duke i shndërruar shtëpitë, rrugët, zërat dhe kujtimet në një univers të tërë, ku përvoja vetjake takohet me aventurën historike.

Të dyja qytetet janë njohur nga UNESCO si pasuri të Trashëgimisë Botërore. Qendra historike e Bryzhës u përfshi në listë në vitin 2000, ndërsa Gjirokastra u regjistrua në vitin 2005, fillimisht si qytet më vete. Në vitin 2008, regjistrimi u zgjerua duke përfshirë edhe Beratin, me emërtimin “Qendrat historike të Beratit dhe Gjirokastrës”. Bëhet fjalë thjesht për dy dëshmi të veçanta të trashëgimisë historike, arkitekturore dhe kulturore evropiane.

Padashur pyet veten nëse edhe gurët kanë kujtesën e tyre. Nëse i kujtojnë zërat e njerëzve që kanë kaluar nëpër rrugicat e tyre dhe sokakët, hapat e tregtarëve dhe udhëtarëve, gëzimet dhe fatkeqësitë e banorëve të tyre. Në Gjirokastër, ashtu si në Bryzhë, ndien se historia nuk është e mbyllur në muze dhe në libra. Ajo ende qarkullon nëpër rrugë, në oborre, në çati dhe në odat dhe në qilaret e shtëpive të vjetra. Ndoshta për këtë arsye, të dy qytetet, pavarësisht dallimeve të shumta, më krijuan një ndjesi afërsie. Sikur të kishin rënë në një marrëveshje për t’i bërë qëndresë harresës, secili në mënyrën e vet.

Dhe ndërsa reflektoja mbi këtë forcë të kujtesës historike, mendoja se qytetet nuk ruajnë vetëm bukurinë dhe krijimet e njerëzve të tyre. Ato ruajnë edhe konfliktet, kryengritjet, humbjet dhe ato çaste kur banorët e tyre u përpoqën të ndryshonin fatin e vet. Pas gurëve, urave dhe kështjellave fshihen jetë njerëzore që nuk kanë rrjedhur gjithmonë qetësisht. Ka periudha kur historia është shkruar me ankthin dhe gjakun e atyre që kanë kërkuar lirinë, demokracinë dhe përparimin.

Bryzha, për shembull, nuk ka qenë gjithmonë qyteti i qetë, pothuajse ëndërrimtar, që kishim përpara syve. Në maj të vitit 1302 ajo përjetoi një kryengritje të përgjakshme, të njohur si “Mëngjesi i Bryihës” (Brugse Metten), kur banorët e saj u ngritën kundër sundimit francez dhe pranisë së francezëve në qytetin flamand. Disa muaj më vonë, më 11 korrik, konflikti arriti kulmin në Betejën e Nxitësve të Artë, pranë Kortrijkut, ku forcat flamande, me pjesëmarrjen e rëndësishme të milicive qytetare dhe esnafeve, mundën ushtrinë franceze. Pas atij konflikti nuk qëndronte vetëm kundërshtimi ndaj një sundimi të huaj, por edhe kontradiktat shoqërore dhe ekonomike të një epoke kur zejtarët dhe banorët e thjeshtë kërkonin vendin e tyre përballë forcave të fuqishme politike dhe ekonomike.

Nëntëdhjetë e shtatë vjet më vonë, në vitin 1399, një histori tjetër zhvillohej në kalanë e Gjirokastrës. Esau de’ Buondelmonti, me origjinë fiorentine, sundimtar i Despotatit të Epirit, ra rob në duart e Gjin Zenebishit, një zotërues i fuqishëm vendas i asaj kohe. Njeriu që kishte njohur pushtetin dhe kishte qenë në qendër të përplasjeve politike të Epirit, tani gjendej i mbyllur brenda mureve të “kalasë së argjendtë”, në pritje të lirimit të tij. Robëria e tij dhe shpërblimi që duhej paguar për lirimin e tij tregojnë se sa i brishtë mund të ishte pushteti në atë kohë. Kalaja, që sot qëndron mbi qytet si një roje e pandërprerë e historisë së tij, dikur kishte qenë vend burgimi dhe negociatash, skenë e një përplasjeje mes sundimtarëve dhe forcave vendase.

Dhe nga Gjirokastra bëjmë një kërcim historik në Brukselin e vitit 1830. Atje, më 25 gusht, një shfaqje e operës së Daniel Auberit, La Muette de Portici, në teatrin La Monnaie, u bë shkak për shpërthimin e trazirave që u shndërruan në kryengritje kundër sundimit holandez. Opera, me temën e saj revolucionare, preku ndjenjat e spektatorëve dhe shërbeu si shkëndijë në një shoqëri ku tashmë ekzistonin kontradikta të forta politike, ekonomike dhe shoqërore. Kryengritja nuk lindi vetëm nga një shfaqje teatrale. Por aty gjeti një rast për të shpërthyer pakënaqësia e grumbulluar. Disa javë më vonë, më 4 tetor 1830, u shpall pavarësia e Belgjikës.

Tri qytete, tri epoka të ndryshme, tri histori që nuk lidhen mes tyre me ndonjë vijimësi të drejtpërdrejtë historike. E megjithatë, i bashkon një dimension më i thellë njerëzor: dëshira e njerëzve për të përcaktuar vetë jetën e tyre, për t’i bërë qëndresë asaj që e konsiderojnë të padrejtë, për të mbrojtur identitetin dhe lirinë e tyre. Në Bryzhë, banorët dhe esnafet e qytetit mesjetar; në Gjirokastër, zotëruesit vendas dhe sundimtarët që përplaseshin për pushtet; në Bruksel, një shoqëri që gjeti përmes artit shkakun për të shprehur pakënaqësinë e saj. Historia e çdo qyteti ka veçoritë e veta, por pas epokave të ndryshme dallohet e njëjta brengë njerëzore. Ndoshta, në fund të fundit, qytetet në ngjitjen e tyre në kohë kanë historinë e tyre tronditëse, gurët kujtojnë më shumë nga sa përfytyrojmë. Jo vetëm festat, tregjet, piktorët dhe arkitektët, por edhe thirrjet e atyre që dikur u ngritën në protesta e kryengritje, heshtjet e robërve, hapat e njerëzve që dolën në rrugë duke kërkuar një fat tjetër. Dhe kjo është një tjetër anë e kujtesës së qyteteve: ajo nuk ruan vetëm atë që i bëri të bukura, por edhe atë që i bëri njerëzore.

Pas këtyre meditimeve e natyrëshme ishte që mendimi të kthehej te Miranda dhe te libri i saj. Te poezia që i kishte dhënë titullin antologjisë, “Evropë epokash anonime”. Një poezi që nis me mitin e rrëmbimit të Evropës nga Zeusi, i shndërruar në një dem të bardhë, por që shumë shpejt e braktis kohën mitologjike për të kaluar te aventura e njerëzve të sotëm, te refugjatët, mërgimi, te kërkimi i një toke që mund të bëhej atdhe.

“Evropa s’mund të jem unë.

Unë jam Evropë e epokave anonime”.

Këto vargje tani fitonin një jehonë tjetër. Evropa e Mirandës nuk ishte Evropa e kufijve dhe e hartave gjeografike. Ishte Evropa e njerëzve që u larguan, që u detyruan të braktisnin rrënjët e tyre, që kërkuan një vend në toka të huaja, duke marrë me vete kujtimin e një atdheu që i kishte lënduar dhe që ndoshta shumë prej tyre nuk do të kenë mundësi ta shohin më kurrë.

“Dhe tani ku janë rrënjët e mia?

Ku është trupi im?”

Kjo pyetje nuk i përket vetëm poetes. Është pyetja e të gjithë atyre që u gjendën larg vendit të tyre dhe u përpoqën ta rindërtonin jetën në një tokë të huaj. Është pyetja e njerëzve që mund të ndryshojnë gjuhën, adresën dhe atdheun, por nuk arrijnë të çlirohen nga gjeografia e tyre e brendshme.

Mendova se ekziston një kundërvënie e çuditshme mes qytetit që kishim përpara dhe Evropës së poezisë. Bryzha ruante gurët, urat, kullat dhe kujtimet e saj. Dukej sikur kishte gjetur një mënyrë për t’u pajtuar me të kaluarën. Njerëzit, përkundrazi, shpesh humbin gjurmët e tyre ndërsa lëvizin nga një vend në tjetrin. Marrin me vete atë që ka mbetur nga jetët e tyre të mëparshme, me shpresën se diku do të gjejnë një qoshe ku të hedhin rrënjë. Miranda shkruan:

“Ne mbartim një përmbytje të madhe në shpirt, pa një arkë shpëtimi”.

Sa e ndryshme është kjo pamje nga ujërat e qeta të kanaleve të Bryzhës! E megjithatë, ndoshta pikërisht aty takohen të dyja botët. Ujërat e qytetit ruajnë pasqyrimet e një të kaluare që nuk humbet, ndërsa ujërat e poezisë gëlltitin ëndrrat e bardha të atyre që kërkojnë një jetë të re. Në rastin e parë, uji bëhet pasqyrë e kujtesës; në të dytin, shndërrohet në simbol të humbjes.

Dhe mes këtyre pamjeve qëndron njeriu, me nevojën e tij të pandërprerë për të kërkuar një vend ku mund të ndiejë se i përket.

Ndoshta për këtë arsye Bryzha m’u duk aq e afërt, ndonëse e vizitoja për herë të parë. Qytetet e vjetra kanë një mënyrë të veçantë për të të bërë të ndihesh sikur ke kaluar edhe më parë nëpër rrugët e tyre, sikur diku brenda teje ruan një kujtim që nuk e di nga vjen. Ndoshta është fuqia e historisë së tyre, ndoshta imagjinata jonë që kërkon pas gurëve jetët që kanë kaluar, në një skicë të një vepre që ende pret të shkruhet.

Ndërsa shëtitja jonë nëpër kanale po përfundonte, shkëmbyem mendimet tona se Evropa nuk është vetëm ajo që shohim në harta dhe në dokumentet zyrtare. Ajo është qytetet e saj, gjuhët e saj, njerëzit që lëvizin nëpër shekuj dhe shpesh humbasin nëpër labirinthet, kujtimet që kryqëzohen dhe historitë që jo gjithmonë e gjejnë rrugën drejt librave. Ajo është qytetet e vjetra që ruajnë historinë e tyre në gurë, por edhe njerëzit anonimë që mbartin historinë e tyre brenda vetes.

Bryzha na dhuroi bukurinë e një bote që duket sikur është shpëtuar nga koha. Poezia e Mirandës na kujtonte se sa shumë njerëz, në të njëjtin kontinent, vazhdojnë të kërkojnë një atdhe, një strehë, një premtim që nuk u përmbushet dhe u krijon dramën njerëzore.

Dhe ndërsa qytetet e vjetra të Evropës vazhdojnë të ruajnë kujtesën e shekujve, në rrugët e metropoleve të sotme shpërthejnë protestat dhe kryengritje të reja. Të rinjtë dhe punonjësit dalin në rrugë, duke kërkuar një të ardhme tjetër, një shoqëri me më shumë drejtësi dhe dinjitet. Nga kryeqytetet evropiane deri në Tiranë, zërat e tyre kujtojnë se historia nuk ka përfunduar dhe se çdo brez thirret të shkruajë faqen e vet.

Brukseli nuk është vetëm kryeqyteti i Belgjikës dhe një nga qendrat e rëndësishme politike të Evropës. Është edhe një qytet që, në një çast të historisë së tij, u bë strehë për një nga zërat më të mëdhenj të lirisë. Në dhjetor të vitit 1851, pas grushtit të shtetit të Luigj Napoleon Bonapartit, Viktor Hygo u detyrua të largohej nga Franca. Si kundërshtar i vendosur i regjimit të ri, ai u vendos fillimisht në Bruksel, ku gjeti strehë larg përndjekjes politike. Në fillim banoi në një shtëpi pranë Grand-Placit, sheshit të madh historik të qytetit, ndërsa më pas u vendos në Maison du Pigeon, në numrin 27 të sheshit, ku qëndroi deri në largimin e tij nga Brukseli. Ky mërgimtar i madh nuk ishte larguar sepse i kishte humbur besimin vendit të vet, por sepse nuk mund të pajtohej me dhunën e pushtetit, me shkeljen e ligjit dhe me mohimin e lirisë. Edhe larg atdheut, ai vazhdoi të luftonte me armën e tij më të fuqishme: fjalën e lirë.

Prania e Hygoit në Bruksel i jep këtij qyteti një tjetër kuptim, më njerëzor dhe më universal. Ajo na kujton se mërgimi nuk është gjithmonë vetëm largim nga një vend, por shpesh edhe dëshmi e një ndërgjegjeje që refuzon të nënshtrohet. Në historinë e Evropës, rrugët e mërgimtarëve janë kryqëzuar me rrugët e poetëve, mendimtarëve dhe njerëzve që kanë kërkuar strehë për idetë e tyre. Ata kanë humbur shtëpitë e pasuritë, kanë lënë pas vendet dhe njerëzit e dashur, por nuk kanë hequr dorë nga e drejta për të ëndërruar një botë më të lirë e më të drejtë. Duke kujtuar Hygoin në Bruksel, kujtojmë edhe të gjithë ata njerëz të përndjekur që, në kohë dhe vende të ndryshme, kanë marrë me vete vetëm dinjitetin dhe shpresën. Sepse liria dhe drejtësia njerëzore nuk kanë atdhe të vetëm; ato i përkasin çdo njeriu që guxon t’i mbrojë. Ndoshta, në fund të fundit, Evropa e vërtetë gjendet diku mes këtyre pamjeve. Në qytetet që kujtojnë dhe te njerëzit që përpiqen të çojnë përpara shoqërinë e të mos harrohen nëpër geto refugjatësh.

Kur e lamë pas Bryzhën, morëm me vete diçka më shumë se pamjet e kanaleve, kullave dhe urave prej guri.

-Kam ndjesinë se disa qytete nuk i njeh vetëm duke ecur nëpër rrugët e tyre, thotë ime shoqe. Një ngjarje, një histori të rrëmben dhe të çon larg.

Ka shumë të drejtë. I zbulon përmes historive që zgjojnë brenda teje, përmes njerëzve me të cilët i ndan këto përvoja, përmes një poezie, apo një rrëfimi që, papritur, merr një kuptim tjetër. Dhe një premtim për një roman të ardhshëm të mikes sonë Miranda Içi.

Evropa nuk është vetëm e kaluara që admirojmë, por edhe e tashmja që na shqetëson dhe e ardhmja për të cilën vazhdohet të luftohet. Dhe ndoshta kjo është cilësia më e bukur e një udhëtimi: të kthehesh nga një vend duke zbuluar diçka më shumë për vetë botën, për veten dhe për të ardhmen.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË