KreuIntervistaDamir Karakaš: Ballkani gjithmonë ka përjetuar një post-përvojë të tragjedisë greke

Damir Karakaš: Ballkani gjithmonë ka përjetuar një post-përvojë të tragjedisë greke

Kadareja është një figurë e madhe e letërsisë. Një nga romanet e mi më të dashur ka qenë ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’. Fakti që nuk e mori Nobelin nuk e zbeh aspak madhështinë e tij.

Intervistoi: Liridon Mulaj

Damir Karakaš është një shkrimtar me një jetë po aq të larmishme sa edhe letërsia e tij. Muzikant, piktor, ushtar, gazetar dhe shkrimtar, ai e ka ndërtuar veprën e tij mbi përvojën, kujtesën, luftën dhe njeriun e zakonshëm që përballet me historinë, shpesh edhe pa e kuptuar.
I lindur në Likë të Kroacisë, një trevë e njohur për peizazhin e ashpër, varfërinë dhe historinë e saj të trazuar, ai e ka kthyer këtë hapësirë në një nga burimet e letërsisë së tij.
Pjesë e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Tirana Gate 2026”, organizuar nga Instituti i Librit dhe Promocionit, ai vjen në Shqipëri për herë të parë me romanin “E kremtë” (“Proslava”), botuar në shqip nga shtëpia botuese Toena. Një histori ku jeta e një njeriu të zakonshëm, ushtarit Mijo, përplaset me mekanizmat e historisë, shpesh pa e kuptuar rolin e tij në të.
Në këtë intervistë për “ExLibris”, ai flet për marrëdhënien e tij me Shqipërinë, kujtimin e shqiptarëve të Kosovës që njohu gjatë viteve të studimit në Zagreb dhe admirimin e tij për Ismail Kadarenë. Flet për Krležën dhe Andrićin, për letërsinë ballkanike dhe mungesën e përkthimeve mes dy vendeve, por edhe për luftën, nacionalizmin dhe përgjegjësinë e letërsisë për të kuptuar njeriun përtej etiketave të “heroit” dhe “fajtorit”.


1. Pas pak ditësh do të vizitoni për herë të parë Tiranën dhe do të merrni pjesë në Tirana Gate, një festival letrar me një traditë 12-vjeçare. Në të njëjtën kohë, libri juaj “E Kremte” (“Proslava”) do të botohet në shqip. Çfarë prisni nga festivali? A njihni shkrimtarë shqiptarë dhe cilat janë përshtypjet tuaja të përgjithshme për Shqipërinë?

Pres me kënaqësi festivalin në Tiranë, përvojat e reja dhe faktin që më në fund do ta shoh këtë qytet, për të cilin të gjithë më flasin me shumë lavdërime. Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri, por gjithmonë kam pasur një dëshirë të madhe për të ardhur. Në Jugosllavi, Shqipëria për ne ishte misterioze; në shkollë na mësonin se ishte plot me tela me gjemba dhe bunkerë, e përfytyronim si një lloj ishulli të mbuluar nga mjegulla. Dy miqtë e mi më të mirë, kur studioja në Zagreb, ishin shqiptarë nga Kosova. Prej tyre mësova shumë për kulturën shqiptare. Në atë kohë shoqërohesha shumë me studentë nga Kosova dhe e di që disa mendonin se edhe unë isha shqiptar. Një nga romanet e mi më të dashur të asaj kohe ishte romani i madh kundër luftës, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i Kadaresë. Edhe pse një koleg më paralajmëroi: “Mos e lavdëro shumë Kadarenë atje në Tiranë, sepse ka edhe nga ata që nuk e duan; e konsiderojnë të privilegjuar, mendojnë se  ka lënë në hije shkrimtarët e tjerë, se ka menduar vetëm për veten”, për mua ai është një figurë e madhe e letërsisë. Pasi nuk e mori Çmimin Nobel, ky çmim, përveç anës financiare, për mua nuk ka më ndonjë vlerë të madhe. Është bërë më shumë një çështje gjeopolitike sesa letrare. Në një intervistë të Kadaresë lexova se Hoxha vishej shumë bukur dhe se Titoja ishte shumë xheloz për këtë. Pastaj edhe Titoja filloi të vishej bukur, kështu që Elena Çaushesku, e zemëruar, i kërkoi burrit të saj që edhe ai të fillonte të vishej bukur, si Titoja. Ato uniformat e bardha të Titos, Mercedesët, purot kubane që pinte, filmat ëestern që shikonte, gjuetitë e arinjve që ia organizonin, dhe gruaja e tij Jovanka nga Lika, e cila, meqë ra fjala, kishte qenë bareshë dhe vishej si ylli më i shkëlqyer i Hollivudit; ndërsa socializmi… e gjithë kjo duket si një film qesharak. Tani është edhe më keq. Prandaj kemi nevojë për higjienë mendore në formën e filmave cilësorë, muzikës, shfaqjeve teatrale dhe, veçanërisht, letërsisë, e cila, sipas meje, nuk është vetëm e dobishme, por e domosdoshme për të kuptuar botën dhe veten, sepse libri është baza; prej tij fillon gjithçka dhe, kur të mos ketë më libra, nuk do të ketë as botë.

2. Kur flasim për letërsinë kroate, shpesh na vijnë në mendje dy emra të mëdhenj: Miroslav Krleža dhe Ivo Andrić. Megjithëse vendet tona janë gjeografikisht shumë pranë, ende ka pak përkthime mes letërsisë kroate dhe asaj shqiptare. Vizita juaj në Shqipëri dhe botimi i librit tuaj janë një mundësi e mirë që lexuesit shqiptarë të zbulojnë më shumë shkrimtarë bashkëkohorë kroatë. Si e shihni këtë mungesë të shkëmbimit letrar mes dy vendeve tona?

Krleža, i cili gjithashtu ishte pranë Nobelit, nuk e donte Andrićin. Mendonte se, nëse Andrići nuk do ta kishte marrë Nobelin, do të kishte mbetur i panjohur. Mendoj se e tepron. Andrići, në rininë e tij, ishte në Zagreb, por mendoj se edhe për shkak të Krležës u drejtua nga Beogradi, sepse mendonte se nuk do të mund të bëhej ai që u bë, përkrah Krležës, i cili që në vitet ’20 ishte një yll i madh. Krleža e futi vendlindjen time, Brinjen në Likë, në letërsi që para Luftës së Dytë Botërore. Në shënimet e tij nga Hungaria shkroi se Franc Jozefi ishte “budalla si postieri nga Brinja”. U zemërova shumë kur e lexova këtë. Por ai më mësoi se duhet shkruar me guxim dhe, nëse është nevoja, edhe me vrimat e hundës të zëna. Ndërsa Andrići dikur tha për këto treva tona se kjo është një tokë me shumë male, por me pak shpirt. Më parë, në Jugosllavi, nuk kishte përkthime sepse librat nga Shqipëria ishin të ndaluar tek ne. Miku im Augustin Palokaj, korrespondent i mediave kroate në Bruksel, përktheu rreth pesëmbëdhjetë vjet më parë romanin e Ben Blushit dhe më tha se i kishin thënë se, gjatë pesëdhjetë viteve të fundit, ky ishte i vetmi përkthim nga shqipja në kroatisht. Librat e Kadaresë në Jugosllavi përktheheshin nga frëngjishtja. Megjithatë, kohët e fundit situata po bëhet gjithnjë e më e mirë. Klubi letrar Booksa i Zagrebit botoi disa vite më parë një antologji të shkrimtarëve të rinj shqiptarë. Do të thosha se mungojnë edhe përkthyesit, sepse shpesh janë pikërisht ata që nisin botimin e librave të disa shkrimtarëve.

3. Jeta juaj ka përfshirë shumë pasione dhe përvoja të ndryshme: keni qenë muzikant, piktor, ushtar, gazetar dhe më pas shkrimtar. A mendoni se një shkrimtar mund të shprehet përmes formave të ndryshme të artit dhe përvojave të ndryshme jetësore? Apo letërsia, në fund të fundit, është një gjuhë krejtësisht më vete?

E gjithë kjo, në njëfarë mënyre, ka të njëjtin qëllim, vetëm se përdoren mjete të ndryshme. E rëndësishme është të punosh shumë me veten, dhe çdo përpjekje të çon në mënyrë të pashmangshme drejt një njohjeje. Por, në gjithë këtë, përvoja është gjithashtu shumë e rëndësishme, sepse ajo që nuk e përjetojmë brenda vetes nuk është aq e thellë. Mund të lexosh shumë libra, vagona me libra, por pervoja është tjetër gjë. Ke Dostojevskin, jeta e të cilit, siç e dimë, ishte një ferr i vërtetë. Ai i përjetoi të gjitha sprovat, jeta e tij ishte një varg fatkeqësish. Por ai është padyshim një shkrimtar që shkoi deri në kufijtë e fundit. Ka edhe shkrimtarë të tjerë që shkuan deri në fund, Niçe dhe Bodleri, të cilët gjithashtu kapërcyen të gjitha barrierat. Për shembull, unë e kam përjetuar luftën. Në luftë mund të vdesësh vetëm një herë, por në jetë mund të vdesësh disa herë, dhe kjo më ka ndodhur edhe mua. Ka pasur shumë fatkeqësi, por sa i përket fatkeqësisë, ajo mund të jetë edhe shumë frymëzuese. Sepse fatkeqësia është më e pasur se lumturia . Lumturia është qëllim në vetvete, ndërsa fatkeqësia duhet të shndërrohet në diçka tjetër, në një libër, film, shfaqje teatrale. Përveç kësaj, te “Odisea” thuhet se perënditë ua dhanë njerëzve fatkeqësinë që ata të kishin çfarë të këndonin.

4. Historia e Mijos në romanin tuaj “E Kremte” është, në njëfarë mënyre, edhe historia e një njeriu të zakonshëm ballkanas: i varfër, i shtypur dhe i përfshirë në ngjarje të mëdha historike, shpesh pa e kuptuar plotësisht se çfarë po ndodh. Ju e tregoni këtë histori në një mënyrë shumë të thjeshtë dhe të përmbajtur, por historia lokale bëhet shumë më e madhe. Pse mendoni se njerëzit në Ballkan kanë qenë kaq shpesh të gatshëm të sakrifikohen në emër të historisë?

Ballkani gjithmonë ka përjetuar një post-përvojë të tragjedisë greke. Luftëra brutale, grabitje të egra, ndarje mes të pasurve dhe të varfërve. Përveç kësaj, mënyra më e lehtë për të shkatërruar njerëzit është t’u mohosh kuptimin e së kaluarës së tyre, dhe te ne, në Ballkan, kjo ndodh vazhdimisht. Nuk duhet harruar as se në shoqëritë tona folklorike në Ballkan, armët kanë qenë gjithmonë rekuizita kryesore. Emil Cioran ndoshta e ka përshkruar më së miri këtë Ballkanin tonë, duke thënë se ai shkon nga humbja në humbje, por se edhe ky është një lloj përparimi.

5. Romani ndjek një strukturë kronologjike të përmbysur. Fillimisht e shohim Mijon si ushtar që fshihet në pyll, i frikësuar nga autoritetet e reja, dhe vetëm në fund shohim se si ai, në mënyrë naive, hyri në luftë. Pse zgjodhët ta rrëfeni  historinë nga fundi? Si e ndryshon kjo strukturë mënyrën se si lexuesi e kupton dhe e gjykon Mijon?

Po kërkoja një mënyrë se si ta rrëfeja  gjithë këtë sa më mirë dhe kronologjia e përmbysur m’u duk varianti më i mirë, veçanërisht sepse thelbi është se ne vazhdimisht sillemi në një lloj rrethi.  Edhe sot jetojmë në një rreth nga i cili nuk kemi dalë prej njëqind vjetësh, dhe kam frikë se nuk do të dalim as për njëqind vitet e ardhshme. Dhe kjo nuk është vetëm çështje e Ballkanit, por edhe e botës. Lufta e viteve ’90 që ndodhi tek ne nuk u prodhua në vitet ’90; ajo u prodhua në Luftën e Dytë Botërore, madje edhe shumë më herët, sepse shumë gjëra gjithmonë janë shtyrë nën qilim. As tani situata nuk është më e mirë, sepse kudo në këto ish-shtete të Jugosllavisë mbizotëron një nacionalizëm serioz. Askush nuk dëshiron të shohë  në mënyrë kritike veten. Dhe nëse i mohojmë krimet që janë kryer nga pala jonë në të kaluarën, hapim rrugë për krime të reja në të ardhmen. Kështu është në Ballkan, kështu është në Evropën Lindore, në Rusi, Ukrainë, Izrael, Palestinë, në Lindjen e Mesme… E gjitha është e njëjta matricë. Pandryshueshmëria, pikërisht si ajo pamja në roman kur ustashët joshin rekrutët duke i frikësuar me komunizmin, për të cilin fshatarëve analfabetë u thonë se është një sistem ku “vëllai kap motrën”. Ndërsa të vegjlit grinden mes tyre, të mëdhenjtë pasurohen. Dikush përfiton shumë nga të gjitha këto luftëra dhe vuajtjet e  të tjerëve. Ndërsa sot ndoshta më shumë se kurrë më parë duket se kjo as nuk i prek njerëzit; ata janë më të interesuar se çfarë do të jetë në trend nesër dhe ku ka ulje çmimesh në qendrat tregtare.

6. Titulli “Proslava” (“E Kremte”) mbart një ironi të thellë dhe tragjike. Ai i referohet si ardhjes së regjimit të ri, ashtu edhe entuziazmit naiv të fshatarëve në fillim të luftës. Çfarë do të thotë kjo “kremte” për njerëzit e zakonshëm që jetojnë në varfëri dhe izolim? Çfarë po kremtojnë në të vërtetë?

Ideologjia dhe politika janë gjithmonë aty, janë edhe tani aty dhe, duam apo nuk duam, ato ndikojnë në mënyrë të pashmangshme në jetën tonë. Kështu ndodh edhe me historinë e ushtarit Mijo, i cili, ashtu si te Dostojevski, është njëkohësisht edhe xhelat edhe viktimë. Unë u përpoqa të hyj në labirintet e ndërgjegjes së një personi të tillë, por në mënyrën që na këshillon Montenji: për të kuptuar dikë, duhet ta ndjekim gjatë dhe me kureshtje gjurmën e tij. Meqë ra fjala, një historian i ri danez, Emil Kjerte, kohët e fundit bëri një studim në Kroaci se kush ishin ata që në ato vite shkonin te ustashët. Ai zbuloi se një pjesë e madhe e ushtarëve iu bashkuan për arsye shumë të thjeshta: për një vakt të ngrohtë, një shtrat, një palë çizme të reja. Romani im flet pikërisht për këtë: se si një i ri, që nuk ka arsimim të mjaftueshëm dhe që jeton me një pasiguri të caktuar ekonomike e jetësore, bie lehtësisht në një ideologji të tillë të ekstremit të djathtë. Edhe pse këtu bëhet fjalë për një  histori se si fashizmi rritet mbi tokën e paditurisë, mendoj se pikërisht kjo po ndodh edhe sot, kudo në botë. Një ushtar i ri që sot ose nesër do të luftojë në ndonjë front përjeton një fat të ngjashëm, ashtu si një ushtar tjetër në anën kundërshtare, i cili është rritur në varfëri dhe që regjistrohet në ushtri për të pasur mundësi arsimimi dhe, për shembull, sigurim shëndetësor. Janë interesante edhe ato “Kremte” që zhvilloheshin në atë kohë, në fillim të luftës, në Likë. Pas krijimit të Shtetit të Pavarur të Kroacisë, në zonat rurale dhe fshatrat e largëta organizoheshin kremtime që shërbenin për rekrutimin e të rinjve në ushtri. Organizonin një panair të madh dhe gjithçka ishte falas, ushqimi, pijet, diçka si një fushatë PR.

7. Në pjesën e fëmijërisë, skena me qenin e familjes tregon ashpërsinë e mbijetesës, ku uria lë pak hapësirë për mëshirë. Ku e shihni kufirin mes moralit njerëzor dhe instinktit të mbijetesës në kushte të tilla ekstreme rurale? A mund ta gjykojmë një njeri me të njëjtat standarde morale kur mbijetesa bëhet shqetësimi kryesor?

Sigurisht që duhet të kemi kritere të ndryshme, por është interesante gjithashtu se si, në këtë botë të ndërtuar sipas modelit kapitalist, edhe kjo është përmbysur në mënyrë të shëmtuar: njerëzit do t’ia falin më shpejt abuzimet e mëdha korporative një tipi elegant me kostum, sesa do të kenë mirëkuptim për një hajdut të vogël e të varfër.

8. Mijo nuk udhëhiqet nga ndonjë ideologji e madhe politike. Ai përfshihet në luftë pothuajse pa e kuptuar atë, i shtyrë nga rrethanat, frika dhe mungesa e njohurive. A mendoni se letërsia duhet t’i shohë figurat historike jo vetëm si “heronj” ose “fajtorë”, por edhe si qenie njerëzore të zakonshme që, në një moment të caktuar, thjesht gjenden brenda historisë dhe duhet të zgjedhin një krah?

Shumë njerëz si Mijo as nuk e dinin për çfarë po luftonin. Shkuarja e njerëzve te partizanët në vitet e mëvonshme në territorin e ish-Jugosllavisë dhe lufta kundër fashizmit ishte disi më e qartë, sepse lufta tashmë kishte filluar, por në atë fillim njerëzit nuk e dinin se çfarë do të ndodhte. Dhe këtu në histori hyjnë uria, varfëria, patriarkalizmi. Para se të fillonte xhirimi i filmit bazuar në roman, për skenarin e të cilit ndihmoi edhe fituesi i Oskarit, Pavel Pavlikovski, ekipi i filmit kërkonte një fshat në Likë që do të paraqiste me besnikëri arkitekturën e njëqind viteve më parë. Kishin frikë se nuk do ta gjenin dhe se një pjesë e madhe e buxhetit do të shkonte për ndërtimin e skenografive. Por pastaj e gjetën, jo vetëm një, por qindra të tillë. Me dysheme prej dheu nëpër shtëpi, me stalla, me kafshë të kequshqyera. Të gjitha këto vetëm 50 minuta larg kryeqytetit të një shteti evropian. Në libër është edhe episodi i vrasjes së gjyshit, anëtarit më të vjetër të familjes, të cilin e lënë në pyll që të ketë një gojë më pak për të ushqyer. Ishte diçka e përcaktuar nga rregullat patriarkale. Edhe babai i Mijos vërtet duhet të marrë disa vendime që jeta të vazhdojë, që fëmijët të kenë çfarë të hanë. Uria dhe varfëria përcaktonin gjithçka. Prandaj arsimi është i rëndësishëm, prandaj librat janë të rëndësishëm. Njerëzit duhet të ndërgjegjësohen për modelet që çojnë drejt luftërave, në mënyrë që luftërat të mos ndodhin më, që të mos ketë këmbësorë dhe ushtarë që vdesin për interesat e dikujt, duke e ditur se këto interesa në të vërtetë nuk janë të tyret. Ndoshta atëherë nuk do të kishte as luftëra.

 Stili juaj është shumë minimalist, me fjali të shkurtra dhe përshkrime të përmbledhura të emocioneve dhe shqisave. Sa ka ndikuar vendlindja juaj, rajoni i Likës, me peizazhin e ashpër dhe jetën e izoluar rurale, në mënyrën se si u zhvillua gjuha juaj letrare dhe stili juaj narrativ? A mendoni se një peizazh mund të formësojë edhe mënyrën se si shkruan një autor?

Kam lindur në rajonin malor kroat të Likës; ajo, si topos, është një kornizë e fuqishme formuese e identitetit dhe punës sime. Ajo ka qenë gjithmonë e njohur për varfërinë, dimrat e ashpër, ujqërit, por edhe për shpikësin e famshëm botëror Nikola Tesla. Ashtu si në Ballkan, edhe në Likë, gjatë historisë, gjaku ka qenë gjithmonë ai që ka lulëzuar më fuqishëm. Njerëzit në Likë kryesisht ishin ushtarë që luftonin për zotërinj të ndryshëm dhe e gjithë kjo në mënyrë të pashmangshme ndikoi edhe në mentalitetin e tyre. Ata ishin fshatarë, bujq, por në çdo çast ishin të gatshëm të merrnin armët dhe të shkonin në luftë. Gjyshi im, stërgjyshi im, babai im, të gjithë kanë qenë ushtarë. Edhe unë, i ri, kam qenë ushtar në luftën e kaluar, edhe pse nuk e dua luftën, për të cilën Majakovski thotë se është një marrëzi horizontale dhe vertikale. Në romanin tim të fundit, “Sunčanik”, kur nipi dhe gjyshi udhëtojnë përmes malit për të parë djallin që, gjoja, e kanë kapur barinjtë dhe duan ta pyesin diçka, kalojnë pranë një vendi ku janë varrosur ushtarët. Kur nipi e pyet gjyshin nëse ata ushtarë nën tokë janë tanët apo të tyre, gjyshi i përgjigjet: “Të gjithë ushtarët janë tanët, vetëm shenjat në kapele i kanë të ndryshme.” Meqë ra fjala, kur fillova të merresha me letërsi tridhjetë vjet më parë, e dija se, nëse letërsia është e vërtetë, ajo nuk duhet të ketë mëshirë për askënd, e aq më pak për autorin. Sigurisht, një lloj i tillë letërsie krijon edhe armiq. Dhe vërtet kam kaluar shumë gjëra gjatë karrierës sime letrare, e cila ndonjëherë ka qenë një luftë për jetë a vdekje. Më e keqja ishte padyshim kur u sulmova, u plagosa rëndë dhe humba edhe një organ jetësor. Por mirë, ndoshta është pozita e natyrshme e shkrimtarit të jetë në konflikt me mjedisin përreth. Në përgjithësi, sot jetojmë në një gjendje të pafundësisë së keqe, në një shoqëri të gjymtuar, pa empati. Njerëzit janë të mbushur me zbrazëti të brendshme, të kalbur nga politika; në sytë e tyre shihet çdo libër i palexuar. Sistemi arsimor ka dështuar, prandaj gjithçka rreth nesh është plot me injorantë, dhe injorantët dinë më së miri nga të gjitha të urrejnë. Por, sido që të jetë, letërsia është shumë e rëndësishme për mua. Siç thotë Floberi, e vetmja mënyrë për ta përballuar këtë jetë është të hysh në letërsi si në një orgji të përhershme. Ajo është gjithashtu territori i lirisë, dhe për lirinë duhet të luftojmë dhe të mos lejojmë që jeta të na burgosë në asnjë mënyrë.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË