More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimAnna Lattanzi: Lidhja e ngushtë mes jetës dhe politikës në librin e...

    Anna Lattanzi: Lidhja e ngushtë mes jetës dhe politikës në librin e Valentina Leskajt

    Politika si ide. Reflektime – është libri i Valentina Leskajt, ish-ministre e Punës dhe Çështjeve Sociale, ish-nënkryetare e Kuvendit të Shqipërisë, i botuar kohët e fundit nga Bonanno Editore, përkthyer nga Ida Xoxa.

    Vizioni analitik

    Politika si ide përmbledh një analizë të thellë të tridhjetë viteve të politikës, që ka kërkuar një periudhë jo pak të shkurtër pune: ai është si një kontenier i të gjitha reflektimeve që ish-politikania ka maturuar gjatë përvojës së saj dhe për të cilën parapëlqeu të fliste pasi u largua nga bota në të cilën mori pjesë aktivisht rreth gjashtëmbëdhjetë vjet. Çështjet e trajtuara dhe të shqyrtuara nga Leskaj lidhen thellë me problemet me të cilat përballet shoqëria shqiptare, veçanërisht pas ndryshimeve demokratike.
    Autorja përshkruan ndërveprimin e dinamikës sociale të Shqipërisë së djeshme dhe të sotme, duke nënvizuar dallimet dhe ngjashmëritë e tyre, duke i parë edhe si një referencë thelbësore për rolin themelor të politikës.

    Njohja e politikës

    Përvoja dhe kontakti i drejtpërdrejtë me politikën i lejuan Valentina Leskajt të kuptonte më mirë disa dinamika, të cilat ajo i shihte krejtësisht ndryshe para se t’i njihte nga afër. Angazhimi i saj i dha mundësinë të vlerësonte pro-të dhe kundra-t, duke ngritur pyetje, duke reflektuar dhe duke hartuar një analizë që shkon edhe përtej objektivitetit të fakteve. Në një çast të caktuar ajo vendosi të largohej nga postet politike edhe se ndoshta mund të mos vazhdonte më me politikën aktive.
    Një nga aspektet më të dashura për Leskajn, që siç pohon në libër, i kanë dhënë mundësinë të njohë thellë Shqipërinë, janë marrëdhëniet ndërpersonale, ato të kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit, si e vetmja mënyrë për të kuptuar realisht se çfarë mendojnë votuesit, cilat janë nevojat e popullsisë, çfarë mund të bëhet realisht për vendin dhe, rrjedhimisht, për të kuptuar më mirë aspektet e vetë politikës.

    Feminizmi

    Në librin Politika si ide, autorja thekson energjikisht rëndësinë e rolit të gruas, duke bërë dy analiza të dallueshme, për të nxjerrë në pah çështjet në gjithë rëndësinë e tyre e për t’u marrë marrë në thelb me të drejtat dhe dinjitetin e njeriut.
    Pjesa e parë e tekstit synon të ofrojë një analizë të thellë të dukurisë feministe, nga viti 1848 deri në vitet 1960, duke i kushtuar vëmendje edhe kontekstit politik dhe social që çoi në lëvizjet e njohura civile të atyre viteve. Ato u fokusuan në të drejtat politike, pa lënë pas dore evolucionin e rëndësishëm të të drejtave civile, si aborti apo divorci etj.
    Analiza e dytë ka të bëjë me Shqipërinë, që thuajse duket si një detyrim dhe detyrë ndaj atyre që kontribuan në krijimin e kombit. Mjafton të mendosh për gra si Ollga Plumbi, për shembull, më e votuara nga Kuvendi i Shqipërisë pas Enver Hoxhës. Ishte periudha e viteve ’30 kur ajo bashkë me emra të tjerë të mëdhenj shkruante rreth të drejtave të grave.

    Dialogu politik

    Ftesa e qartë e Valentina Leskaj për të hapur një diskur politik më serioz, lind nga reflektimet mbi mënyrën se si funksionon politika në Shqipëri, e cila, sipas vizionit të saj, i qëndron parimeve të një demokracie minimaliste. Me fjalë të tjera, duket se mungojnë bazat e një dialogu të vërtetë, duke mos lejuar që politika të shfaqet për atë që është, por të merret së shumti me konceptin e zgjedhjeve, për fat të keq, duke e zvogëluar kështu përmasën e debatit politik e duke e përqendruar atë kryesisht mbi këtë problem.
    Vëmendja e autores çvendoset te marrëdhënia me kohën: merremi shumë me politikën e ditës, politika e “këtu dhe tani”, pa menduar për një periudhë afatgjatë, që të ketë në interes çështje të rëndësishme, siç janë faktet e lidhura me reformat madhore, të cilat duhet domosdoshmërisht të mbështeten nga një debat largpamës, përndryshe rreziku është që gjithçka të mbetet në mëshirën e partive politike, të përkohshmërisë dhe alternimit të tyre në vite, diçka mjaft e dëmshme për vendin.
    Idetë e Valentina Leskajt për politikën dalin mjaft qartë në libër, po ashtu edhe përpjekja e saj për të gjetur një ekuilibër mes politikës dhe historisë. Në analizën rreth kësaj çështjeje ndihet fort përpjekja e diktuar nga nevoja për të mbështetur debatin në ligjërimnin politik, për t’i krijuar dhe hapur atij rrugë të reja. Qëndrimi i Leskajt për diskurin, i kuptuar si jetik për politikën, është tejet i qartë.

    Dhe në fund…

    Ideja për t’i dhënë lexuesit një tekst në formën e një interviste është ndikuar nga nevoja për të lehtësuar narrativën, e cila përbëhet nga fakte mjaft komplekse, po të marrim parasysh argumentet e trajtuara. Nga bisedat del në pah personaliteti politik dhe intelektual i Valentina Leskajt, e cila njëherazi ofron pika të ndryshme reflektimi. Feminizmi, urrejtja, kultura politike, analiza demografike, popullsia: Politika si ide është një rrëfim rreth evoluimit të shoqërisë universale dhe shoqërisë shqiptare në veçanti, me tematika të larmishme, që ndryshojnë në kohë dhe vende e me një kontribut të konsiderueshëm kritik.


    Libri i Valentina Leskajt “Politika si ide” promovohet në Senatin Italian

    Një manual mbi politikën bashkëkohore

    Në muajin tetor të këti viti libri “Politika si ide”, i cili sjell një perceptim mbi politikën si vizion i së ardhmes, i politikanes Valentina Leskaj është promovuar në Senatin Italian, në praninë e Përfaqësuesve të Senatit dhe Dhomës së Deputeteve të Italisë dhe të mjaft personazheve të njohur të jetës politike e kulturore të vendit fqinj. Libri ka tërhequr vëmëndjen për analizën e tij me kulturë të politikës bashkëkohore.  Senatorja Gisella Naturale e quajti librin “një manual për të kuptuar filozofinë e të bërit politikë, shkruar nga një grua e cila përfaqëson vlerat më të larta të sferave të mendimit.”   Deputeti Arnaldo Lomuti, President i Sesionit Ndërparlamentar vlerësoi “temat e trajtuara në këtë libër, që kalojnë hapësirën e një politike kombëtare.”

    “Libri është një refleksion e analizë mbi disa nga çështjet me të cilat përballet shoqëria jonë, po jo vetëm.  Janë çështje që lidhen me tranzicionin dhe mënyrën e funksionimit të politikës, me pjekurinë demokratike të shoqërisë, me kulturën e dialogut politik, zhvillimet demografike etj. Përveçse një analize si i shoh këto çështje, libri ka dhe një dimension krahasues me eksperienca e modele të vendeve të tjera, që kam patur fatin ti njoh edhe për shkak aktivitetit ndërkombëtar. E sjell këtë eksperiencë jo thjesht si kronikë udhëtimesh, po si një nevojë për reflektim në sjelljet e politikës tonë, që në disa raste ka mbajtur peng edhe proceset integruese të vendit, për interesa të ngushta të politikës së ditës”, tha Valentina Leskaj në fjalën e saj.  Sipas saj, jo rastësisht libri hapet me një vlerësim të Vaclav Havelit për demokracinë, i cili thotë se “ Teknologjia e demokracisë, është e pa konceptueshme pa kulturën demokratike”. “A e shohim ne gjithmonë kështu?   Vështirë ta them për një shoqëri me trashëgimi defiçitare në fushën e demokracisë, ku eksperimenti komunist u zbatua në formën e vet më ortodokse ekstreme.

    Po jo rrallë vlersimet tona për zhvillimet ndikohen edhe nga arsye që lidhen me lodhjen e zhgënjime të shoqërive, që dolën nga komunizmi, e që kishin pritshmëri të larta pas rënies së perdes së hekurt, duke e parë demokracinë si një moment, jo si një proces. Ndërkohë që krijimi i një kulture politike demokratike është një proces i gjatë dhe jo i lehtë.

    Vullneti politik, ligjet e mira që kemi bërë, ngritja e institucioneve si garantë, janë themele shumë të rëndësishme.  Gjithsesi kjo është “demokracia teknike” siç e quan Havel”, tha Leskaj.

    Ajo u ndal në proceset trasformuese të vendit, duke thënë se Shqipëria ka bërë ndryshime të mëdha, e pa dyshim që është një vend demokratik, është një faktor aktiv i stabilitetit e sigurisë në rajon dhe kjo është shumë e rëndësishme sidomos në kohën e sotme.  “Ndërkohë ne e dimë që kemi ende rrugë për të bërë për një demokraci, ku ligji të funksionojë sipas parametrave të një shoqërie moderne”, tha Leskaj.

    Ajo foli më tej për konceptet e një politike përtej së majtës dhe së djathtës. “Në libër ka një refleksion mbi të majtën e të djathtën, që te ne shpesh shihet thjesht si  një çështje e raportit të individit me të shkuarën apo me pasurinë. E vërteta është se po të ndjekësh ligjërimin politik, gjatë fushatave elektorale, ku normalisht përvijohen edhe diferencat, vështirë të gjesh vija ndarëse  të mbështetura në parime apo ndarje ideologjike. Ndërkohë besoj se një gjë është e dukshme, prirja drejt një modeli, të ndikuar nga  nevoja e votës.

    Në rastin tonë, dhe përgjithësisht për vendet e  ish-bllokut komunist, që u futën në rrugën e transformimit   të madh të tranzicionit, një pjesë e qëndrimeve më shumë   se sa me ideologjinë e majtë apo të djathtë, kanë të bëjnë me nevojat integruese, me reforma standarde, që lidhen me tregun, financat, politikat sociale etj., të kërkuara nga institucione ndërkombëtare si FMN-ja, Banka Botërore etj., që shpesh kushtëzojnë edhe mbështetjen e tyre. 

    Por ne nuk jemi të vetmit në këtë gjë, edhe pse në mënyra dhe nivele            krejt të ndryshme.  Ka ndodhur dhe në shumë vende me traditë të gjatë të shoqërive pluraliste, ku  shpesh partitë politike adoptojnë politika apo qasje që nuk kanë qenë në ADN-në e tyre.  E vërteta është se sot dallimet janë bërë të diskutueshme.”, tha Leskaj.

    Një nga temat e trajtuar në këtë libër është dhe gjuha politike, apo tjetri jo vetëm si një koncept filozofik por si një çështje që rrit përgjegjësinë në diskursin publik.   

    Raporti delikat midis lirisë së fjalës, fuqisë së teknologjisë për të depërtuar përmes rrjeteve sociale, shpesh edhe në jetën private, dhe respekti ndaj individit janë një sfidë jo e lehtë. Vetë Europa është në një reflektim lidhur me përballimin e fenomeneve, që lidhen me gjuhën e urrejtjes, që kanë si burim ekstremizmin politik, radikalizmin fetar e të tjerë përçues të kësaj gjuhe në mediet sociale. Gjuha e urrejtjes në kohën e sotme të konflikteve në rajone të ndryshme, si ai në Ukrahinë, sulmi ndaj policisë në Veri të Kosovës, sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit, merr përparësi të veçantë, e bën të nevojshëm një debat të gjerë. Propozimi i Manuel Macron-it për nevojën për reformizëm të BE-së e ka vënë theksin edhe në gjuhën e urrejtjes dhe nevojën për ta adresuar këtë edhe me ndryshime ligjore. Edhe pse ky propozim ka shkaktuar kundërshti, besoj se është një çështje që duhet adresuar”, u shpreh ajo në fjalën e saj në Senatin Italian. Si njohëse e mirë e çështjeve sociale, Leskaj analizon në këtë libër dhe zhvillimet demografike në vend e që ka në qendër moshimin popullsisë. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË