More
    KreuLetërsiShënime mbi libra13 gabime që hasen rëndom në kritikën letrare dhe si të shmangen...

    13 gabime që hasen rëndom në kritikën letrare dhe si të shmangen ato

    Jay A. Fernandez shkruan për disa gjëra të gabuara

    Përktheu nga origjinali Engjëllushe Shqarri

    Kuptohet lehtë se përse të shkruarit e kritikës letrare tërheq aq shumë autorë, aspirues apo të njohur, apo dhe studiues të tjerë të letërsisë: për mundësinë që ajo na jep për të vënë në dukje dashurinë për librat, duke treguar ndërkohë zotësinë tonë si shkrimtarë dhe mendimtarë. Interpretimi mendjendritur i jetës letrare të botës është bërë pjesë e diskursit publik që 2.500 vite më parë dhe luan një rol gjallërues, thelbësor në shëndetin e arteve dhe të shoqërisë sot. Është një veprimtari e admirueshme, frymëzuese, e cila e lidh komentuesin me një traditë zanafilla e të cilës shkon deri tek Aristoteli.

    Unë e dua gjuhën dhe adhuroj gjithkënd që punon për zotërimin e arteve gjuhësore. Është një përpjekje e vështirë, befasuese, shpërblyese, e cila i përligj dilemat e veta. Letërsia mund të jetë pafundësisht elastike, por kritika e librave ka praktikat dhe parametrat e veta më të mira, të cilat nuk janë më pak të fuqishme për faktin se mund të mos jenë të shkruara. Ajo është një formë që mund të mësohet, një zanat që mund të përmirësohet dhe rafinohet. Si shkrimtar dhe redaktor prej më shumë se 20 vitesh, kam vënë re disa praktika mbizotëruese që e  prishin një shkrim kritik, që ndryshe do të ishte i mrekullueshëm, edhe pse mua vetë më siguron jetesën përmes një pune që e bëj me shumë kënaqësi.

    Duhet të them se njohja nga ana ime e këtyre gabimeve trashanike e ka zanafillën tek angazhimi im i hershëm për të mos i përsëritur ato. Puna ime e parë e vërtetë ishte si ndihmës redaktor në seksionin e kritikës letrare në The Washington Post, Bota e librit. Kjo ka ndodhur nga mesi, deri fundi i viteve ‘90të, kur kam pasur fatin e madh të dëgjoja përditë debatet letrare të një grupi të shkëlqyer njerëzish të apasionuar pas letërsisë, të moderuara nga dy redaktorë të kritikës që kishin fituar Çmimin Pulitzer për kritikat e tyre të mrekullueshme—Jonathan Yardley (1981, kur punonte në The Washington Star) dhe Michael Dirda (1993), që të dy autorë librash. Burra dhe gra të tilla shkruanin kritika për emrat më të mëdhenj të letërsisë, e megjithatë, nuk druheshin për asnjë çast të sugjeronin ndryshime të nevojshme që e përmirësonin një pjesë letrare. Ata u treguan shumë bujarë që më lejuan të provoj dorën me këtë zanat, duke më drejtuar në punën time të hershme si kritik letrar.

    Në ditët e sotme, politika e internetit, sipas të cilës të gjithë mund të bëjnë gjithçka, ka nxitur përhapjen e epidemisë së terrorizmit sintaksor. Ka shumë pak rojtarë editorialë dhe, me sa shihet, shumë të diplomuar në artet e bukura, të cilët arrijnë të zotërojnë teorinë por jo mekanikën e kritikës. Gjithashtu moria e pafund e materialit që Interneti të lejon të kopjosh, ua bën gati të pamundur shumicës së redaktorëve, qoftë edhe atyre vërtet të mirë, të gjejnë kohë për të diskreditur si duhet kopjimet dhe për të bërë komente gjithëpërfshirëse rreth saj. Dhe kjo është e turpshme, sepse reputacioni i botimeve vuan kur shkrime jo cilësore arrijnë të shohin dritën e botimit, ndërsa kritikë potencialisht të mëdhenj përfundojnë duke mbledhur komente jo cilësore për shkak se të shkruarit e tyre të pakujdesshëm nuk ka arritur të përthithë vitet e përpunimit të kritikës, që sistemi i vjetër do të kish kërkuar me këmbëngulje prej tyre.ideo list is empty.

    Ne të gjithë i jemi futur kësaj pune të vështirë për shkak të dashurisë për gjuhën dhe të përdëllimit që kemi ndjerë sa herë që kemi hasur ndonjë frazë të mrekullueshme. Që do të thotë se të gjithë jemi të një mendjeje me idenë se një shkrim – i kujtdo qoftë – duhet të këndojë. Sigurisht,  leximi i shkrimeve të kritikëve të mëdhenj, duke nisur nga Harold Bloom, Martin Amis, dhe John Updike e Michiko Kakutani, Doris Lessing, dhe Susan Sontag, do të ishte me dobi të pafund. Gjithsesi, këtu po ju jap disa udhëzime të mia për t’u qëndruar larg gabimeve më të zakonshme (Lëshimet gramatikore do t’i lëmë për një ese tjetër).


    1. Pretendime të mëdha

    Fillimi i një kritike me një ndjenjë hiperbolike—kam parë fillime të tilla si, “Autori filan është një shkrimtar i cili arrin që të çajë tejpërtej pëlhurën e kohës për të zgjidhur të fshehtat e jetës”—mund të tingëllojë mirë, por çfarë kërkon të thotë, realisht? Për më tepër, është një pohim kaq i fryrë, sa lexuesin e shtyn të kujtojë një listë tepër të shkurtër autorësh për të cilët mund të ketë pretendime të tilla, listë e cila nuk e përfshin autorin filan i cili sapo ka botuar romanin e tij të dytë. Kështu që, përpara se të ketë përfunduar së lexuari fjalinë apo paragrafin e dytë, lexuesi ka nisur të dyshojë tek një gjykim i tillë. Ulini kërkesa të tilla dhe sigurohuni që të jenë të qarta dhe të mbrojtshme.

    Një aspekt tjetër, është niveli i njohurive tuaja.  Nëse keni ndërmend të shpallni diçka si më të mirën e vitit, apo aq të shkëlqyer sa nuk ta rrok mendja, do të bënit mirë që më parë të lexonit të gjitha romanet që kanë dalë atë vit dhe të njiheshit si një kritik që jeni provuar si një prej më të lexuarve në botë. Modestia dhe përmbajtja do të ishin në të mirën tuaj. E kundërta do t’ju bënte të dukeni qesharak.

    2. Mungesë qartësie

    Shumë shkrimtarë, përshi edhe mua vetë, ndonjëherë janë fajtorë që e lënë imagjinatën të marrë krahë, me një gjuhë me fjalë të hatashme nga pikëpamja zanore dhe rrokjesore, por që në fakt nuk të thotë asgjë. Që të tregohem i mëshirshëm, zakonisht, ngasja impulsive është që lexuesin ta impresionosh me një gjuhë befasuese, të bukur dhe për këtë: bravo. Që të jem më pak i mëshirshëm, kjo është një orvatje jo konsensuale, e nxitur nga egoja juaj për ta detyruar lexuesin t’ju shohë tek masturboni i shfrenuar me përdorimin e fjalëve. Në një rast të tillë, duhet të punoni për vendosjen e kufijve!

    Një paralajmërim, në këtë pikë, truri juaj do të refuzojë të shoshitë me kujdes një fjali apo frazë të caktuar nga frika se mos do t’ju duhet ta ndryshoni.

    Koklavitje të tilla këmbëngulëse shumë shpesh e errësojnë kuptimin dhe e futin lexuesin në grackën e leximit me vëmendje të çdo fjalie shatë herë, vetëm e vetëm për të gjetur atë që mund të kishin dashur të thoshit. Për të vlerësuar në mënyrë të paanshme punëdoren tuaj të lezetçme, pas fluksit fillestar frymëzues, kërkohet një qëndrim i vendosur kundër broçkullave dhe fjalëve mikluese. Një paralajmërim, në këtë pikë, truri juaj do të refuzojë të shoshitë me kujdes një fjali apo frazë të caktuar nga frika se mos do t’ju duhet ta ndryshoni. Në këto raste, kthehuni mbrapsht: rishkruajeni idenë në prozë të drejtpërdrejt të klasës së tretë dhe pastaj nisni e zbukurojeni.

    3. Përsëritje dhe fjalë të tepërta

    Zakonisht kjo ndodh për shkak të shtysës së brendshme për t’u siguruar që lexuesi të mos e kalojë pa e vënë re atë që kërkoni të thoni, e cila sipas jush është jashtëzakonisht e zgjuar. Fatkeqësisht, ajo që përsëritja në fakt tregon është pasiguri lidhur me një argumentim dhe kjo e pakëson besimin e lexuesit tek ju. Edhe nga këndvështrimi i lexuesit, është e lodhshme; njëlloj sikur ta detyrosh të ecë mbi ujë, ndërkohë që është në mesin e një noti të bukur, të hijshëm.

    Një paragraf që qarkullon të njëjtën ide përmes disa përsëritjeve ngjason me një kumtesë kolegji që zgjatet e tejzgjatet deri sa të kapë kufirin minimal të fjalëve për faqe. Nga ana pozitive, në të shumtën e herëve, atë që kërkoni të thoni, e keni thënë më së miri që herën e parë. Hiqeni pjesën tjetër dhe pasurinë tuaj të vyer të patundshme përdoreni për gjëra të tjera. Mundësia tjetër është që nuk jeni shumë të sigurt se ku doni të dilni dhe keni vendosur të jepni disa goditje të shkurtra, në vend që të punoni shumë për të dhënë një grusht të fortë drejt e në shenjë. Bëni mirë të numëroni deri në tetë, para se ta provoni dorën edhe një herë.

    4. Narcizmi i rastësishëm

    Këtu ka një paradoks të çuditshëm të cilin e has vazhdimisht. Po, ju jeni ai që po bën kritikën e librit. Përgëzime! Por, dreqi e mori, nuk keni pse të tërhiqeni vëmendjen për këtë gjë.

    Thënë troç: bëhuni i padukshëm shkrim. Një arsye për këtë, nëse nuk jeni Chimamanda Ngozi Adichie ose Michael Chabon, nuk e keni statusin në botën letrare që të meritojë interesimin e lexuesit për pikëpamjet tuaja të përgjithshme. Prandaj, deklaratat në vetën e parë janë më së shumti vetë-lavdëruese dhe shpërqendruese. Përqendrohuni tek puna që duhet të bëni. Dua të them, duke qenë shkrimtar, mund ta shihni situatën nga ana tjetër: Keni punuar një vit, ndoshta edhe tre, duke u djersitur për të shkruar atë roman dhe befas, del një student çfarëdo i arteve të bukura që gjysmën e kritikës prej 1500 fjalësh e shpenzon për të shkruar mua kështu, e unë ashtu. Është e pahijshme, e gabuar dhe, do të thosha, harbute.

    Edhe diçka tjetër: është një punë krejtësisht e panevojshme. Emri juaj është në artikull, zakonisht mu në krye! Pra, kuptohet që çdo mendim i shprehur është një opinion juaji. Më besoni, përmes një zëri të sigurt, të fuqishëm, transmetohet një autoritet më i madh se sa përmes komenteve të mendjengushta personale, që lexuesi nuk ka arsye t’i marrë parasysh. Fjala është për një kritikë libri, prandaj mbajeni mend: misioni juaj është t’i shërbeni së pari, lexuesit dhe së dyti, autorit. Nuk bëhet fjalë për ndonjë afishe ku të shpalosni budallallëqet tuaja, që do të ishte një shenjë e sigurt amatorizmi. Nëse shkrimi juaj lexohet sikur të ishte shkruar për një blog, atëherë e ka vendin në një blog.

    5. Shpjegimi i tepruar i subjektit

    Mund të jetë një përpjekje për t’iu shmangur mungesës së besimit në aftësitë kritike, ose keqkuptim i misionit të kritikut, por të shkruash një kritikë letrare, që fund e krye përshkruan subjektin, është si t’i përshkruash dikujt dimensionet e sakta të një pishine, pa i dhënë asnjë mundësi të kridhet në ujin e saj. Kjo është njëherazi tepër shumë dhe tepër pak. Detyra juaj nuk është që të jepni një përshkrim të plotë të subjektit të librit, por vetëm të vini në lëvizje fijet kryesore të tij, me qëllim që lexuesi të ketë informacion të mjaftueshëm për të mësuar nëse libri në fjalë i përshtatet më së miri shijeve të tij (dhe ia vlen kështu të shpenzojë kohë dhe para për të). Shikojeni këtë si flirtim: ju duhet të shkoni aq larg sa lexuesi të kuptojë nëse dëshiron ta marrë librin me vete në shtëpi.

    Gjëja tjetër që duhet pranuar është se në fakt, komentet janë ato që përbëjnë  kritikën. Që do të thotë se, nëse të gjitha komentet i keni përdorur për subjektin, atëherë nuk keni vlerësuar temat, personazhet, të fshehtat narrative, dialogun, strukturën, gjuhën, origjinalitetin, rëndësinë për njerëzimin në përgjithësi, kontekstin kulturor, cilësinë e saj si vepër arti, etj. Dhe nëse veproni kështu, atëherë përse lexuesi do të kishte nevojë për ju?

    Ja një këshillë e mirë, e përgjithshme: mos përshkruani asnjëherë konkretisht diçka për subjektin përtej mesit të librit. Nga ana tjetër, shoh edhe shkrimtarë të zotë që zhyten drejt e në fund të kritikës, duke mos dhënë asnjë përshkrim bindës të subjektit të librit. As këtë mos e bëni.

    Pikërisht fakti se mund të shkruani një kritikë letrare prej 3.200 fjalësh, nuk do të thotë se duhet të shkruani aq gjatë.

    6. Gjatësi e tepruar

    Kjo sigurisht është një çështje shijeje dhe jashtëzakonisht elastike, sidomos në epokën digjitale, duke qenë se nuk ju duhet të shkruani sipas formateve të bezdisshme të faqeve dhe kufijve të reklamave, me të cilat botimet e shtypura duhet të përplasen. Por, tekefundit, aty qëndron edhe problemi. Pikërisht fakti se mund të shkruani një kritikë letrare prej 3.200 fjalësh, nuk do të thotë se duhet të shkruani aq gjatë. Këtë lloj vëmendjeje duhet ta fitoni dhe ndodh rrallë që një kritik, apo materiali, ta meritojë këtë gjatësi.

    Deri sa kam arritur këtë moshë, kam pasur mundësi të punoj në kohën që dizajni i një faqeje me material të shtypur, përfshinte kufij (kufij!) në gjatësinë e artikujve. Dua të theksoj se kjo nuk ishte thjesht një funksion i hapësirës fizike. Ishte një pasqyrim vlere. Në kushte ideale, lexuesi ia lë në dorë botimit dhe shkrimtarit që t’ia bëjnë gjykimet e vlerës për të. Dhe është vështirë të gjesh ndonjë arsye se përse kjo gjë duhet të ndryshojë në rastin e uebit.

    Në fakt, shumë mirë mund të thuhet plotësisht e kundërta. Lexuesit sot kanë opsione të pafundshme për të lexuar materiale gjithë ditën e ditës. Prandaj, do të kërkonit tepër shumë duke i bombarduar me mijëra fjalë për një libër të vetëm – përveçse kur ky mund të ishte libri i fundit i një shkrimtari të dorës së parë, ose një rivlerësim i rëndësishëm i një klasiku të madh i bërë së fundmi.  Në të shumtën e herëve, kufijtë e fjalëve e ftojnë një shkrimtar të bëhet më i mprehtë dhe të përdorë sa më pak zakonet e këqija të renditura këtu. Kujtoj kohët e Ditës Botërore të Librave dhe nëse David Remnick dhe Margaret Atwood mund t’ia dalin mbanë me 1.000 fjalë, me siguri edhe ju mund ta bëni.

    7. Argumente pa logjikë

    Kjo nuk është e njëjta gjë si mungesa e qartësisë, ndonëse mund të mbivendoset me të. Njëra përfshin përdorimin e një gjuhe panevojshmërisht ekstravagante dhe ndërtime fjalish galopante për të errësuar një ide shumë të mirë, ndërsa tjetra nuk ka qenë ndonjëherë një temë që ia ka vlejtur për ta diskutuar. Një mënyrë e mirë për ta kapur veten në këto aspekte, është që një lexues i dytë të bëjë rolin e djallit të prozës suaj. Pak a shumë si me përgatitjet për debat, kur doni që pjesa juaj t’i jetë përgjigjur paraprakisht çdo pyetjeje dhe kundërshtimi të mundshëm nga lexuesit.

    Ka një mungesë dëshirë për ta bërë këtë, për faktin se shumë prej nesh krijojmë ato që mendojmë se janë përsëritje të mençura, por neglizhojmë apo refuzojnë të kontrollojnë logjikën e tyre, nga frika se do na duhet të heqim dorë nga një krahasim i mrekullueshëm apo një batutë sarkastike. Zakonisht instiktet nuk na gabojnë: rreshti është vërtet problem. Kërkohet modesti që opinionet t’ia nënshtroni provës së stresit, por si pasojë e kësaj, ju siguroj se shkrimi juaj do të përmirësohet. Përveç kësaj, çdo redaktor i mirë do t’ju thërriste për t’i korrigjuar dhe do të ishit i detyruar ta bënit.

    8. Referenca letrare vetëmikluese

    Kjo është një patericë e veçantë e shkrimtarëve më të rinj në moshë dhe në profesion, që zakonisht vjen nga ngasja për të kompensuar pasigurinë lidhur me kritikën letrare që ju kanë besuar të shkruani (ose, mos e dhëntë perëndia, nga që besoni ndershmërisht se jeni tepër i zoti në botën letrare). E kuptoj, doni të përligjni qenien në një pozitë gjykuese, përmes krijimit të kredencialeve personale, dhe të përdorni referenca bombastike si një instrument për të përmirësuar legjitimitetin tuaj. Puna është se këto gjëra shihen që një kilometër larg dhe bëjnë efektin e kundërt.

    Prandaj do t’ju sugjeroja që t’i shmangeni futjes së këtyre referencave te Herakliu apo Anna Akhmatova,përveç se kur jeni të sigurt se janë organike. Shpesh referenca të tilla kanë shumë pak rëndësi për atë që jeni duke diskutuar. I vetmi qëllim i tyre është t’i tregojnë lexuesit se jeni një kritik me njohuri të gjera, të cilat njerëzit e tjerë do t’i linin gojëhapur. Por, ajo çka ato tregojnë në të vërtetë,  është aftësia juaj për të kërkuar midis Citimeve për të gjetur se ku përmenden shelgjet (ç’kemi Ofeli!).

    9. Supozime të kufizuara

    Rritja e diversitetit dhe një përfaqësim më i paanshëm në botën letrare janë pa diskutim zhvillimi pozitive. Por, edhe nëse, për shembull, romanin e ka shkruar një grua dhe bëhet fjalë për çështje të grave dhe ju jeni në fakt grua (apo e identifikuar si grua) mos e trajtoni kritikën sikur nuk do ta lexonte apo vlerësonte kurrë ndonjë burrë. Dhe e kundërta. E njëjta gjë vlen edhe për letërsinë e shkruar nga autorë gei.

    Pjesa më e madhe e revistave me interes të përgjithshëm lexohen nga të gjithë llojet e njerëzve. Dhe jam i sigurt se autori i librit do të parapëlqente që lexuesit tuaj të ishin sa më të shumtë dhe nga të gjitha fushat. Përsëri, bëni një përshkrim të shpejtë të subjektit dhe një analizë të pikave të forta dhe të dobëta të veprës, që do ta bënin lexuesin të vendoste vetë nëse librin në fjalë do ta përfshinte në listën e librave që do të blente.

    10. Ngërçet strukturore

    Krijimi i një pune të këndshme, të rrjedhshme e të gjallë është një art i bukur dhe kritika letrare ka modelet e saj të natyrshme. Përfundimi i shkrimit në formë të rastësishme dhe tematike, me një fjali që me zgjuarsi të kujton fillimin e tij, është një paraqitje e mençur dhe e kënaqshme, ndërsa paraqitja e subjektit që në fillim dhe rezervimi i gjysmës së dytë të saj kryesisht për analizën kritike, është një strukturë e mirë, por e vrazhdë.

    Padyshim që duhet të jeni krijues, por çelësi është që problemet  e subjektit të shkrihen dhe të rishkrihen me problemet kritike në mënyrë që të gjitha të shtyhen përpara njëlloj dhe në mënyrë efikase, drejt një rryme të vetme, koherente. Një kritikë që përmban blloqe të rastësishme përshkrimi të subjektit të hedhura aty këtu, pa rregull, i kërkon lexuesit të bëjë shumë punë për të gjetur se çfarë ka ndodhur. Por, edhe një kritikë që përfshin që në fillim një masë analize kritike, e lë lexuesin të humbur, pa pasur një kontekst narrativ dhe pa personazhe që t’i vendosë në të.

     11. Përemra mospërputhës

    Kur i referohet lexuesit të mundshëm të romanit (dhe lexuesit të kritikës), tepër shpesh kritiku përdor një përzierje përemrash që e çorienton lexuesin. Nëse ndonjëherë përdorni “ju” dhe ndonjëherë “ne” dhe herë të tjera “Njeriu” dhe diku tjetër “lexuesi” apo “lexuesit”, kjo e bën shkrimin  të rrëmujshëm dhe të ngatërruar. Pastaj, është përemri i tmerrshëm “unë”, për të cilin folëm më sipër. Lexuesi detyrohet të ndalojë dhe të pyesë, kujt po i flet përsëri! “Ju-ja” është juve apo unë? Përse më përfshin edhe mua në këtë “ne”?

    Mendimi im është që të përpiqeni të shmangni përemrin në veten e dytë shumës, dhe duke pasur parasysh Pikën 4 (Narcizmin), përsëri ju inkurajoj që përemrin “Unë” ta lini jashtë, nëse nuk jeni Joyce Carol Oates, ose Michelle Obama. Sa herë që kini mundësi, shkruajeni kritikën duke përdorur “lexuesi” ose “lexuesit” ose, nëse duhet pa tjetër, përdorni përemrin “ne”. Por, e rëndësishme është, që të jeni konsekuentë.

    12. Mungesa e kritikës

    Në gjithë diskutimin për kritikën e librave, kam vënë re një mungesë të vazhdueshme alarmuese të kritikës së vërtetë. Shumë shpesh, kritikat lexohen si të ishin shkrime të shkurtra për kapakun e pasmë të një fletushke së botuar nga një mik.

    Pikësëpari, lëvdatat e mëdha janë logjikisht absurde. Çdo vepër e shkruar ka dobësitë e veta, veçanërisht kur në të futen shijet personale. Është detyra juaj t’i vini ato në dukje,  në mënyrë të qartë, por me takt (dhe taktike), duke e matur veprën me standarde të arsyeshme të letërsisë dhe/ose me zhanrin e saj. Nëse ideja se mos lëndoni ndjenjat e autorit ju bën të ngurroni, kjo është shenjë e mirë që tregon se ka gjasa që të tregoheni i respektuar. Nëse nuk jeni i gatshëm që t’i futeni fare atij rreziku, duhet të mos merreni fare me kritikë letrare.

    Së dyti, me siguri ka të ngjarë që të mos keni lexuar 20.000 libra dhe ajo përqindje e vogël që keni lexuar përfshin një numër të vogël kryeveprash. Po të isha unë, do të tregohesha i kujdesshëm në lëvdatat e veprës së parë apo të dytë të një romancieri të panjohur, duke ua rezervuar ato shkrimtarëve me emër si Dickens dhe Wharton.

    Së treti, si do ta ndihmonit lexuesin duke u treguar tepër entuziast për një libër pa kushedi se çfarë konteksti, duke e krahasuar me vepra të tjera të këtij lloji, pa bërë asnjë koment për mënyrat stilistikore, dialogun, gjuhën, ritmin, strukturën, sfondin, karakterizimin, koherencën narrative apo vërtetësinë emocionale? Më lejoni ta them kështu: kur merrni me lavdërime të kota, mua më vjen të gogësij.

    Thelbi është ky, një kritikë spontanisht keqdashëse, e ushqyer nga zilia krijuese është mizore dhe e pasinqertë. Mos prisni me shpatë nga të gjitha anët, vetëm sepse jeni në një pozitë që mund ta bëni. Nëse vepra që ju kanë dhënë të analizoni është vërtet aq e tmerrshme, këtë e merrni vesh që në 50 faqet e para dhe mund ta refuzoni me mirësjellje atë punë dhe të kërkoni një tjetër.

    13. Konflikti i interesit

    Detektori im i broçkullave bie herë pas here kur konstatoj hollësi biografike, arsimore apo të botimeve në historinë e një kritiku, që tregojnë një mbivendosje të çuditshme me autorin, veprën e të cilit ai bën sikur komenton. Kur kritika është një përrua lavdërimesh të zjarrta, është akoma edhe më e dyshimtë.

    Kjo është e lehtë. Mos bëni kritikën e askujt që njihni apo me të cilin keni pasur një kontakt më të gjatë në jetën profesionale apo personale. Arsyeja për këtë duhet të jetë e dukshme. Ndryshe i bie që autorët t’u kërkojnë mamave të tyre të shkruajnë kritika për ta. Kjo vlen edhe për qejfmbetjet. Kjo lloj prite hakmarrëse është banale dhe dëmton njëlloj si botimin që e bëri këtë të mundur, aq edhe autorin dhe kritikun.

    Sigurisht media sociale dhe bota e tejmbushur me programe për shkrimet letrare, takimet, atelietë e punës i lejojnë shkrimtarët të lidhen me bashkëvuajtësit e tjerë më shumë se më parë. Kjo është diçka e mrekullueshme, duke qenë se shumica jonë jemi izolacionistë vetëdyshues, që druhemi se miqtë e vetëm që kemi, janë ata që na frymëzojnë për krijimin e personazheve të çuditshëm në veprat tona. Por, kjo gjë bëhet shkas për vendosjen e një fare reciprociteti të korruptuar, të kamufluar si mbështetje komuniteti.

    Kështu që, në ndonjë rast të rrallë që e paralajmëroni redaktorin për një marrëdhënie të kahershme por, megjithatë, ai ju ngarkon të shkruani një kritikë, përdorni kartën e Nxjerrjes së Plotë që në fillim të shkrimit tuaj. Lexuesi juaj meriton të dijë nëse keni ndonjë interes dhe nëse jeni neutral lidhur me atë që po shkruani.

    Photo by Fred Kearney on Unsplash

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË