Nëntori 1957.
Në drejtim të Ersekës u nisën dy makina “Zis” me ushtarë nga Kukësi, mes të cilëve isha edhe unë, një 20-vjeçar që bashkoja qiellin me tokën.
Më zgjodhi komisari Spiro Robo mes ushtarëve dhe për dy vjet qëndrova në këtë batalion. Isha shkrues. Në stërvitje shkoja vetëm kur doja vetë, kur s’kishte stërvitje dhe kontrolle speciale. Gjithsesi, unë organizoja gjithnjë aktivitete të tjera, politike, artistike dhe sportive, që bateria jonë të ishte nga më të dalluarat.
Në lumin e Taçit, që buronte në themelet e malit madhështor të Gramozit, çdo të diel ushtarët lanin pecet, kambalet e gjëra të tjera personale. Unë shkoja veçmas, gjithnjë më vonë. Njëherë, një vajzë rreth 18–20 vjeçe kaloi aty pranë meje, ndërsa unë po laja pecet; më përshëndeti dhe u kthye, pasi i la lopët në pyll, e më pyeti se nga isha. Unë, me sinqeritet, i tregova se isha nga Kukësi. U përshëndetëm me njëri-tjetrin, më tha ditën e mirë dhe, kur u largua, e ndoqa me sy deri poshtë, kur u fut mes pemëve të lagjes e të shtëpisë së saj.
Ishte vërtet një vajzë e bukur, hyjnore, trëndafil me ngjyra, me trup të drejtë; sytë e faqet sikur nxirrnin shkëndija. Pas dy javësh, unë përsëri u gjenda po në atë vend dhe kolonjarja kaloi përsëri me lopët drejt pyllit. Më përshëndeti përzemërsisht; edhe unë e përshëndeta po ashtu. Kur po zbriste për në fshat, më tha se mamaja e saj i kishte thënë: “Merr atë ushtarin, që t’i japim të hajë si në shtëpinë e vet: përshesh me kos.” Gjithashtu, mbi kapelën time, që po thahej mbi një gur, ajo më vendosi një dorë me thana, dy dardha e ca kumbulla. Vendosa të shkoja, jashtë çdo rregulli ushtarak, në shtëpinë e saj.
Në shtëpi më priste nëna e saj, po edhe ajo, e gjallë e bukur, si portreti i brishtë i vajzës së saj.
Më pyetën hollë e gjatë. Më bënë një tas me përshesh, vetëm me kos, pa ujë. Nuk kisha shumë uri, por më e madhe ishte kureshtja, qoftë për mobilimin e shtëpisë, oborrin e gjithçka tjetër. Them se kam qëndruar gati një orë e gjysmë. Teshat e mia i kisha lënë në breg të lumit dhe u thashë se do të ngrihesha; ato qenë dakord.
Në një letër më mbështollën djathë të njomë, bukë misri, dy vezë dhe një shami të qëndisur me gajtan. U bëra gati të nisesha, siç isha, pa kapele dhe pa rripin e mesit.
Nëna e vajzës doli përpara dhe ne pas saj. Ajo vajzë, te dera e dhomës, ku ne ishim shumë pranë njëri-tjetrit, më puthi në faqen e djathtë, se ashtu ishte pozicioni ynë. Unë u trondita shumë; trupi më mori flakë, por edhe ajo u trondit, gjithashtu. Më përcollën me sy derisa u ngjita në shkëmbinjtë e lumit që buronte nga mali i Gramozit.
U ktheva në repart dhe atë ditë, por edhe natën, jetova me atë vajzë nga Taçi i Sipërm i Kolonjës.
Në mëngjes, pasi ishte e hënë, kreva të gjitha veprimet e radhës. Bateria shkoi në stërvitje, ndërsa unë u ktheva në zyrë. Pas një ore erdhi korrieri i shtabit dhe më tha se më kërkonin në komandë.
– Po kush? – e pyeta unë.
– Vetëm kaq di, – m’u përgjigj ai.
U rregullova, mora kapelen dhe gjithçka tjetër dhe u paraqita te oficeri i rojës. Pyeta se kush më kërkonte. Pas disa minutash më thanë të paraqitesha te shefi i sigurimit. Ashtu edhe veprova.
Shefi Koço më priti disi ashpër. U ula. Më pyeti, në radhë të parë, se çfarë bëja në bateri dhe cila ishte detyra ime, pastaj kaloi te shkolla, te karakteristika familjare dhe te pyetjet nëse isha i fejuar, i martuar, i dashuruar etj. Pasi i mori gojarisht të gjitha të dhënat, më pyeti se si njihesha me atë vajzën nga Taçi. I tregova me shumë hollësi si njihesha me të dhe deri ku kishin shkuar marrëdhëniet tona. Unë i shpjegova me ndershmëri gjithçka, ashtu siç ishte e vërteta, por përqafimin me vajzën jo.
– Ti, – më tha shefi i sigurimit, – je komunist, njeri tepër i besuar për komandën dhe për ne. Ajo vajzë e ka babanë në Amerikë dhe vëllanë e tij në Greqi, të arratisur nga pushteti popullor. Pra, janë me biografi të keqe dhe ti as që duhet t’i flasësh, e jo më t’i shkosh në shtëpi. Po qe se ti nuk do të shkëputesh nga çdo marrëdhënie me të, menjëherë do të të transferojmë në Vlorë. Gjithashtu, nuk do të shkosh më t’i lash teshat në lumin e Taçit. Besoj se u kuptuam. Tani gjithçka e ke ti në dorë, – përfundoi shefi Koço.
U ndamë dhe, kur po më jepte dorën, përsëri më porositi: – Besoj se jemi kuptuar dhe gjithçka mbaje tepër sekret.
Pasdite më takoi komisari im, Spiro Robo, që më donte si djalin e tij. Veç të tjerave, më pyeti nëse kishim marrëdhënie intime me atë cucën. Komisarit i thashë ashtu siç kishte ndodhur, se ajo vetëm më kishte puthur në faqe. Qeshi shumë; vërtet qeshi shumë komisari im.
– Tani, Zylfi, e kupton edhe vetë: me atë çupën shkëputi të gjitha marrëdhëniet, – më porositi ai.
Ashtu veprova. Ajo vajzë kishte pyetur disa ushtarë për mua, vetëm me emrin Zylfi, pa e ditur mbiemrin. Kur kalonte afër repartit ndërsa ne luanim futboll, unë, sapo e shihja, shtrihesha në tokë që të mos më shikonte.
Një histori e largët, plot 60 vjet më parë.
Para pesë vjetësh, së bashku me shokët e mi Ylber Elezi dhe Zyber Jata, shkova në Kolonjë, ku unë, 90-vjeçari, u befasova dhe u mrekullova nga ndryshimet që ishin bërë. Me shumë mall shëtita nëpër repartin tim ushtarak dhe, me nostalgji e tepër i mallëngjyer, kalova edhe andej nga lumi i Taçit, afër shtëpisë së vajzës së mrekullueshme nga Kolonja dhe afër Ersekës së vogël, plot dritë e përballë Gramozit legjendar.


