More
    KreuLetërsiBibliotekëZija Çela: Pilisama Selfie (fragment nga romani)

    Zija Çela: Pilisama Selfie (fragment nga romani)

    Në romanin “Pilisama Selfie” shkrimtari Zija Çela ndërton një qytet gjysmë provincial, të mbushur deri në grykë me vanitete njerëzore autentike, të cilat marrin jetë nga përballja me marrëzitë dhe lajthitjet kolektive, ku gjedhja letrare parodiake plekset me prirjen tashmë të sprovuar të autorit për të përqeshur pa mbarim bashkëkohësit e vet.

    Një depërtim i hollë, alegorik, pak cinik dhe më shumë i parodizuar, në realitetin politik dhe mentalitetin e korruptuar të ditëve të sotme. Një realitet onomastik dhe topografik tërësisht i sendërgjuar, por me lidhje të forta me përditshmërinë shqiptare në të gjitha nivelet, deri edhe më i fundit, “patronazhistët” që kërkojnë diktatin e tyre mbi jetën e njerëzve. Një botë e mbyllur në iluzionet e veta, iluzione tashmë të komprometuara nga shpërputhja e madhe e ëndrrave të parealizuara dhe një jete meskine, ku çdo gjë merr pamje grotesku, veçmas projeksioni i gënjeshtërt i së ardhmes.

    Me një lehtësi të jashtëzakonshme, autori sjell një galeri personazhesh metaforike, të cilat barten nëpër situata të ndryshme, gjithnjë duke manifestuar cilësi dhe karaktere njerëzore, që përfshihen në prirjen kolektive të kotësisë dhe shpresave të rreme. Një rrjet hekurudhor që duhet të kalojë pa ndërprerje në disa komunitete, pra edhe në atë pilisam, bëhet sinonim i zhgënjimit, i ëndrrave të parealizuara, mbi të gjitha sinonim i pamundësisë për të arritur hapin e prosperitetit dhe civilizimit. Duke qenë kuptim universal i shpresës dhe dështimit për Pilisamat e ngjashme të botës, ajo bëhet gjithashtu garë stigmatizuese për pushtet, prestigj e rang shoqëror, madje edhe për të arritur kuptimet e pamundura të universit.

    Mehmet Kraja


    Libri i Hapur

    Disa besojnë se ka qenë Adura, drejtori i bibliotekës së qytetit, i cili më pas u kërkoi katër njerëzve të letrave t’i shkruanin mbresat e tyre mbi atë periudhën gjithë tronditje që kaloi vendlindja e përbashkët, Pilisama. Me gjithë zënkat e pashqitshme mes tyre, qyteti i mbante të katër për intelektualë të sprovuar.

    I pari, Andrea Metani, drejtor gjimnazi dhe autor dramash urbane, tha se nuk e merrte përsipër, pasi po t’i shkruante rrëfimet, patjetër do t’ia nxirrte bojën atij egoistit Terenc Mikelini. I dyti, pikërisht Mikelini, publicist dhe analist aktiv, e priti ftesën gjithë turinj ngaqë, para se zotërisë së tij, kërkesa i qe bërë mediokrit Metani. I treti, historiani i moshuar Hasan Alla, u tregua më gjakftohtë. Ai tha se nuk mund t’i hynte kësaj barre duke u yshtur nga tjetërkush, por ndoshta një ditë rrëfimet do t’i nxirrte në dritë prej inspirimit të vet, çka nuk e bëri asnjëherë. Drejtori i bibliotekës nuk mundi t’ia kthente mendjen as të katërtit, i cili kishte arsye për kundërshtimin. Dhe vërtet, ndonëse me spikamë më të vogël midis kolegëve, shì në vlimet e asaj periudhe Ylber Dauti s’i kishte lidhur duart, por ishte hedhur në aksion me Poemën e tij, duke e bërë edhe më lëmsh vendlindjen.

    Sipas Agjencisë Botërore të Kohës, e cila kishte filialin e saj në Pilisamë, në dy vjet e njëmbëdhjetë muaj sa u shtrinë ngjarjet, diagrami i kohës së dobishme kishte qenë fort i pakënaqshëm. Ndërsa pilisamët, me zakonin e përhershëm të mëdyshjeve (Ishte apo është? Ku ishte dhe ku është? E mundshme apo e pritshme? Kokë apo pilë?), vetëm pak më parë kishin dalë nga ankthi i Diskut të Akullt, një imazh saturnian. Atij që thoshte se, nëse hëna goditej nga një trup i madh qiellor e kthehej së prapthi, rruzullin do ta qarkonte një qerthull akulli, këtu do të krijohej oqeani global dhe asgjëkund s’do të mbetej zonë toke, sepse do të binte shi për treqind vjet.

    Deshi Zoti e përmbytje të përbotshme nuk pati, madje në Pilisamë nuk ra shi as tri ditë rresht. Kështu që sindromi posttraumatik i Diskut kaloi si kaloi. Por në periudhën pasuese, përgjatë atyre tridhjetë e pesë muajve, prapëseprapë në sytë e Terenc Mikelinit pilisamët sikur u përmbytën kolektivisht. “A thua nga balta që jemi mësuar të krijojmë vetë?!” – do të ironizonte me cinizëm në një emision televiziv.

    Për të gjithë banorët e qytetit ngjarjet qenë po ato, por historinë e përgjithshme, ngjashëm me ndodhitë e përditshme, lindjet, dasmat e vdekjet, secili e tregonte ndryshe. I ndodhur para këtij mishmashi dhe kundërshtimeve të pakthyeshme, Pandush Adura u detyrua t’i hynte punës vetë. Ai takoi shumë njerëz, mblodhi shumë dëshmi, zbardhi intervista të ekraneve e të radiove, fotokopjoi artikuj gazetash dhe përveç raporteve me shkrim që kishte hartuar personalisht për kreun e bashkisë, hodhi gjithashtu shënime të bollshme.

    Megjithatë, as ky nuk është rrëfimi i drejtorit të bibliotekës, por i mbështetur në atë lëndë. Veçse është për t’u çuditur që, bash si në dosjen e tij, ngjarjet fillojnë me një lajm të gëzueshëm, i cili u synua të kthehej në festë për qytetin.

    1

    Sapo Gerhard Hirson u pa duke iu afruar ndërtesës së bashkisë, teksa kryepari i Pilisamës (siç i thonë këtu kryebashkiakut) po i dilte përpara krahëhapur, vetëm pak minuta u deshën që fjala të përhapej gjithandej. Gjer atëherë pilisamët kishin pritur me veshët ngrehur se cilën rrugë do të merrte komisioneri i lartë i Brukselit, nga Martiza do të shkonte në Algur apo, bashkë me shpurën që e shoqëronte, do të vinte drejt e në qytetin e tyre. Nëse vinte drejt, do të thoshte se vendimi në favor të Pilisamës ishte marrë dhe Hirsoni po sillte sihariqin.

    Të shumtë qenë ata që lanë çdo punë për të vërshuar drejt sheshit kryesor. Kaq popull u mblodh atje, sa edhe pa qenë miting, çdo slogan që hidhte ndokush pritej në kor me brohorima. Ndonëse mbrëmja, kur trajtat e shkëlqimeve do të ishin më të forta, sikur po vononte të binte, prej padurimit fishekzjarrët e kërcaskat nuk munguan. Ato hidheshin nga sheshi, nga tarracat dhe sidomos nga ballkonet, ku valëviteshin flamuj. Nuk mbahej mend qyshkur të ishin parë pilisamët kaq të bashkuar, kaq shpirtërisht solidarë e të kënaqur me njëri-tjetrin. Madje, ata po ndienin edhe një mallëngjim të panjohur, njëfarë përmallimi distancash të largëta, që ndoshta u vinte njëherësh nga empatia për tërë njerëzimin. Diçka e tillë u shpreh edhe në fjalët që Ylber Dauti po i thoshte mikut të tij, drejtorit të bibliotekës. “Kështu ndodh kur e mira të troket vetë te dera. Sa e bukur është bota, bujare ngahera!” – bëri dhe një rimë poeti. Tashmë, çfarë më parë ishte gjykuar si lajm i gëzueshëm, po cilësohej Lajmi i Madh, sepse kishte të bënte përfundimisht me një vendim të tillë.

    Po ç’ishte ky vendim?

    Prej shumë e shumë kohësh, njerëzimi ndoshta ka ruajtur vagullt një synim, dëshirën për ta përmirësuar jetesën në provincat e pamatshme të botës. Njëra nga mënyrat vlerësohej lidhja hekurudhore e qyteteve që, duke qenë të papërfillshme nga përmasat, nuk e kishin pasur këtë fat. Mirëpo ideja nuk mund të fantazohej pa fund. Prandaj, siç e donte nderi i tij, kontinenti i vjetër e nisi i pari jetësimin. Pasi kishin fjetur gjatë nëpër sirtarë (projektet ishin bërë dikur në terren pa e shpallur qëllimin), Bashkimi Europian do ta financonte hekurudhën në disa lote. Por financimi vinte kushte. Çdo qytet, ku do të kalonte treni, duhej t’i siguronte vetë shpenzimet për ndërtesën e stacionit, platformën e mbuluar, si dhe dy kilometra hekurudhë në hyrje, dy në dalje. Ky kushtëzim ishte i panegociueshëm, ashtu si detyrimi për të përmbushur në afat të gjithë paragrafët e marrëveshjes.

    Deri në orën kur kryepari Viktor Frankurti shtroi darkë për mysafirin e lartë, Pilisama u mbush me gjithfarë të vërtetash (të konfirmuara, shtonin pohuesit) dhe gjithfarë pandehmash që i vinin në dyshim të vërtetat (por dyshimi shprehej me rezerva). Sidoqoftë, tashmë po zotëronte versioni kryesor.

    Thuhej se të gjitha qyteteve europiane, ku ndërkombëtarët u kishin çuar lajmin deri atëherë, për t’i dhënë projektit sa më shumë tërheqje, u kishin përmendur një veçori të trenit që do të qarkullonte i pari në ato vise. Sipas disa pilisamëve, thënë shkurt, e kishin quajtur “treni magjik”. Sipas disa të tjerëve, kjo fjalë vërtet ishte përdorur nga të huajt, veçse në formën gramatikore “i magjishëm”. Ata kishin thënë se, në udhëtimin e përurimit, treni do të hynte në qytetin e tyre me tre vagonë, të tre do të kishin plot zbukurime, por “veçanërisht lokomotivës do t’i jepej një imazh i magjishëm”.

    Kur të nisej ky tren, mbështetur në një mesazh telefonik, që mëtohej se sapo kishte dalë nga darka me komisionerin, secili vagon do të kishte nga jashtë kutinë e tij postare. Në çdo stacion ku do të ndalonte treni, pasi të zgjidhte vagonin, një përfaqësues i qytetit do të votonte, duke hedhur në atë kuti Kartën e Qytetit. Se cili do të ishte përfaqësuesi nuk thuhej, por thuhej se cilët nuk mund të ishin. Postet e përjashtuara i përkisnin kryetarit të bashkisë dhe prefektit të qarkut.

    Enigma se cili do të ishte përfaqësuesi i Pilisamës ngjalli kërshëri të menjëhershme. Por mister turbullues mbetej edhe qëndrimi që do të mbante ai, domethënë, cilin nga vagonët do të zgjidhte?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË