More
    KreuArte pamoreXhevair Lleshi: Sulejman Pitarka – qiriri i ndezur i artit

    Xhevair Lleshi: Sulejman Pitarka – qiriri i ndezur i artit

    PAK NJOHJE PËR PSIKOLOGJINË E ARTIT
    Artistët janë «movers and shakers»
    Psikologjia e artit, ashtu si dhe sociopsikologjia, mund të fillonte me shprehjen që na ka rritur të gjithëve na ishte një herë e një kohë. Art i kulluar. Atë kohë jetonte një burrë, bashkëshortja e dytë e të cilit ishte një grua e zakonshme dhe egoiste. Personazh ndryshe. Po aty edhe vajza e burrit e ëmbël dhe e sjellshme. E paharrueshmja Hirushe Kjo vajzë e ëmbël dhe e sjellshme, mësoi të duronte poshtërimet dhe të mos ngrinte krye ndaj dy motrave të saj… Përrallë? Po. Që këtej filloi arti. Arti i madh dhe i papërsëritshëm. Arti që krijoi figura të habitshme, ndër to edhe Hirushen, të cilën e bëri zanë, e çoi në një ballo të madhe dhe atje ia mori mendjen një princi të bukur, që e goditi me rrufenë e dashurisë… Gjëra të njohura? Të pabesueshme? Por aty fillon e madhërishmja, pa të cilën as arti dhe as psikologjia nuk bëjnë dot. Se e madhërishmja mbart fuqinë e situatës. Aty ku është njerka shtypëse, Hirushja e bindur dhe jotërheqëse dhe Hirushja e mrekullueshme. E trembur, e bukur, e mrekullueshme. Ecte, fliste dhe buzëqeshte ashtu siç ishte dhe është me të vërtetë. Pa kohë.
    Zhan-Pol Sartr e pranoi premisën Hirushe dhe situatë. Të dy ecin përkrah dhe ndërtuan të madhërishmen. «Ne nuk mund të dallohemi nga situatat tona, sepse ato na formojnë dhe vendosin për mundësitë tona.» Psikologjia e artit është një shkencë që studion ndikimin e situatave te njeriu që bëhet personazh, përkrah të madhërishmes që jeton brenda çdo njeriu, duke paraqitur interes të veçantë për mënyrën sesi ne ndikojmë te njëri-tjetri. «Jetët tona janë të lidhura nga mijëra fije të padukshme», ka thënë romancieri Herman Melvil. Psikologjia e artit ka për qëllim që t’i shpalosë këto fije. Këtë gjë bëjnë të gjithë artistët në fushën e tyre, mbi platformën e fuqisë së situatës, duke lartësuar energji të papara e të tjetërsuara.
    Këtu zënë fill etydet dhe vizatimet psikologjike.

    Do të vemi bashkë në Akropol, i thashë. M’u duk i lodhur. I rrahur nga era. Sytë disi të rënduar. Në cep të buzës varej një mendim, dhe rrinte aty kapur përdore me buzëqeshjen e hollë. Sulë Pitarka ! Kam nja dy të fshehta që dua t’i tregoj vetëm ty. Edhe Violeta Manushi me  Ilia Shytin, teksa drekonim në shtëpinë e ringritur si për pritje në Tabje, aty ku ruhen ende disa nga misteret e Beratit (tani as unë nuk e di se ç’bëhet me to!), as atyre nuk munda t’ua tregoja, sepse vera e kuqe nuk na la të shihnim dot më tej se hunda jonë. E kam vetë merak, mos ki dert. Hë, po, kemi pirë një natë aty, tek Tabja, me Sheri Mitën dhe Ferdinand Radin – i mrekullueshmi për role të pa-bukur, e deri pas orës dy të natës kemi ecur këmbadoras një orë për të gjetur qiririn e ndezur!… Dhe nuk e gjetëm dot! Qiririn e kujt? Thjesht, qiririn e ndezur të artit! Ah, po, e dëgjoj për të dytën herë. Sulë Pitarka qeshte pa zë dhe fytyra që rrezatonte një qetësi të patregueshme, i ndrinte.

    Muzgu na gjeti në Akropol. Binte një dritë që sesi thyhej në shkëmbinjtë e nxehur nga fundi i majit. Dielli ishte fshehur pas faqes veriperëndimore të Shpiragut dhe tek ne vinte pak muzg i ndritshëm që t’i ndryshonte emocionet dhe të bënte për vete. Ja këtu, i thashë, është Akropoli i famshëm, ndërsa aty poshtë shkëmbi Çekbení, rri me sytë ulur nga turpi, sepse këtej zbritën me litar korrierët që duhej të lajmëronin ushtrinë e sulltanit, ndërsa shqiptarët dhe napolitanët mërzenin nëpër ullishtë, duke pritur që portat e kështjellës të hapeshin vetiu. Dhe po që këtej erdhën lajmëtarët osmanë dhe e vunë në gjumë pashain e fshehur në Akropol. Këtë ti mbase e ke ditur, po kështu si ta them unë nuk e ke ditur kurrë. Ai e vështronte së larti Shën Mëhillin e fshehur në gji të shkëmbit, nën Tabie, shihte çatitë e Mangalemit dhe harqet e dritës mbrëmjesore që vraponin sa nga cepi i Goricës, mbi Atik, mbi Gjyn Gjormes, mbi Holek, mbi… Ky është qytet i llahtarisur, qeshte Sulë Pitarka. Nuk e kam njohur dot dhe më vjen mirë që e njoha me ju. Zot, çfarë mrekullie. Po më dukej si i marrosur. Nuk ngopem dot. Se si më rriten përmasat e tij. Zgjatet përpara pa fund dhe kap grykën atje tej pa filluar Çezma e Vodicës, në Mimias, duke u kreshpëruar rreth e qark me një lloj elegance kryeneçe. S’ka, jam i dashuruar tani dhe ky çast magjik s’do të më shqitet kurrë nga mendja. E jashtëzakonshme. I dëgjon zërat që vijnë nga thellësia e Shkëmbit? Nuk i dëgjoj, s’të gënjej dot. Duket sikur dikush me zë të thellë, më të thellë nga zëri im, më lexon një triptik të magjishëm të cilin s’e kisha dëgjuar kurrë më parë. Mos janë faqet e librave të moçëm? Ndoshta. Lum kush do ketë fatin ta dëgjojë këtë mrekulli kodikësh. Një perlë. Zë që vjen nga Lashtësia, nga Mesjeta. Imazh që lëvizte me shpejtësi si zëri i mrekullueshëm i Sulë Pitarkës. Më duket se nuk u çliruam kurrë nga vetvetja. Kjo ka për t’na marrë më qafë. Apo jo Sheri? Lëre, shtoi Nandi, duke i dhënë fytyrës një pamje mosaprovuese e si të egër. Përmasat e Akropolit treteshin dhe më bëhej një harmoni «zërash» gati e pashpjegueshme, duke përftuar një dritë të fshehtë, që s’dihej nga buronte. Ndoshta nga përjetësia e nëntokës së Akropolit. Ndoshta nga sterna e madhe gati mitologjike mes Akropolit…

    Të dukej se ishe në një përqafim të malluar, të etur dhe me një pamundësi të habitshme për ta rrokur. Pra, një tjetër mjegull, e hedhur vende-vende, si enkas për të detyruar që të mbeteshe pa frymë. Vello e hollë, e tejdukshme, por edhe që ta largonte «syrin e keq», të jepte mundësi të kërkoje më tej brenda asaj fshehtësie të mrekullueshme.

    Sa herë vinte në Berat Sulë Pitarka, artisti i madh i skenës sonë, sillte ndërmend kohën kur u detyrua të lidhej me bazën dhe masën me rininë e Kuçovës, me teatrin dhe me naftëtarët, asaj kohe kur shkroi dramën Heronjtë e Linasit dhe bashkëpunonte me Fatmir Gjatën që kish premtuar se do shkruante romane mes bujqve, apo me Ismail Kadarenë që ishte mes tekstilistëve. E megjithatë e ndjente veten të braktisur Sulë Pitarka, sigurisht jo brenda vetes, por me atë që e rrethonte. Dhe kjo nuk e trishtonte, sepse, ashtu si thoshte me qetësi, është e pamundur të jem vetëm, ngaqë më rrethojnë ata që dua, me një kujdes të përkryer, krejt të harruar. Të ishte iluzion e gjitha kjo, se vërtet kjo botë ngjan së tepërmi me iluzionin, të gënjen dhe po aq të bën për vete. Herën tjetër do vemi bashkë te shtëpia ime në një botë të padukshme. Jetoj me imagjinatë. E kam të mrekullueshme. Hm. Më mbron nga çdo gjë e ligë. Qeshi si dinte ai. Kur t’i shohësh mendimet s’do t’u gjesh më thinja! Janë thinjur krejt mendimet e mia, pale që m’i kanë rrëmbyer të tëra dhe unë ndihem shumë mirë që mendimet e mia janë kudo.

    Ata sy, për besë, atë çast nuk e fsheh dot, s’kam arritur t’i shpreh dot, përsosje rrudhash, dritë balli, shprehje mendimi. Më vjen të them me shpirt se brenda meje ushtron trysni një mirësi e madhe që më duket se ma ka dhuruar ime më. Kurrë nuk u mërzit me mua dhe me asnjë tjetër, madje ka një tipar që e kam vënë re shpesh tek njerëzit: «hiqen sikur», domethënë hiqen të mërzitur, hiqen të qeshur e çakërrqejf, hiqen sikur kanë inat… e çë tjetër? Ndaj them se larg këtyre heqjeve gjithçka vete mbarë. Edhe kur kishte edhe kur s’kishte ime më dukej behar! Edhe unë ashtu jam! Zot i madh!

    Dhe kishte të drejtë: i tillë ishte. Nuk mund të ngopeshe dot kurrë kur e shihje. Buronte një mirësi të pavdekshme, fine, të hollë, të çmuar. Edhe kur e vura re edhe njëherë aty në Akropol, mbështetur pas murit të lashtë, mirësia e tij e patreguar nuk u tret asnjë çast, madje mund ta shihje edhe të ildisur me një dhimbje të jeratisur thellë! Dhembje e çuditshme dhe e bukur kjo e Sulë Pitarkës!

    Tiranë, më 20 shkurt 2020

    NJË KOMENT

    1. Çdo shkrim këtu është me vlerë dhe nuk më mbetet vetëm t’i uroj sukses stafit që bën përzgjesdhjen. Esetë e MOLIKOMIT;XHEVAHIR LLESHIT e të ROLND GJOZËS janë njëra më e bukur se sa tjetra. Më befasoti tregimi ANTON PASHKUT me një gegnishte aq të ambël, Vetëm suksese.
      P.S. Sa vë re,nu kini numër kntakti,se me e-mail mund të prcillja ndojë shkrim timin,
      Sidoqoftë, urime!
      Përparim Hysi
      Tiranë,13 maj 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË