More
    KreuOpinionXhevair Lleshi: Kodet e fshehta të Librit

    Xhevair Lleshi: Kodet e fshehta të Librit

    Unë do të thosha më mirë Libri i nënshtruar, por ja që e çara për ta parë botën (edhe botën që rrethon Librin!) do të ishte tepër e ngushtë. Mos t’ju duket e çuditshme, thotë Lexuesi i madh Flori Karaj, veç të tjerash edhe nëpunës i zellshëm ashtu edhe një nikoqir bisede. Vite më parë kur ndodhesha në Shkodër, më thotë, disa muaj para çlirimit të Kosovës, më ra në dorë libri i Vasa Çubriloviqit, i cili parashtron platformën e gjenocidit serb, i aplikuar në dëbimin e shqiptarëve, më 1989 – 99: “Ne serbët nuk kemi armiq më të mëdhenj se shqiptarët, nëse duhet të ngremë kokën tonë, duhet të ulim kokën e tyre, nëse duhet të ndjehemi të gjerë në territore, duhet të ngushtojmë hapësirat e tyre, nëse duhet të na dojë bota, duhet të bëjmë që bota të urrejë ata, duhet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë, t’ua nxijmë jetën! Të arrijmë deri këtu, së pari duhet t’u mohojmë origjinën ilire, epirote, dardane dhe t’u vrasim krenarinë ilire, t’u shkatërrojmë vatrat dhe t’u ngatërrojmë emrat, t’u njollosim emblemat dhe t’u fshijmë simbolet e lashta ilire, ose t’ua rrëmbejmë trashëgiminë, t’ua përvetësojmë.” Zot! Po ne këto që shkruan ky shqiptar i thekur, po ia bëjmë vetes njëmijë herë më keq. A s’po i bëjmë librat që të mos ekzistojnë. A e ruajmë me fanatizëm pikërisht këtë mallkim, mungesën fatale të librave! Dhe e shikoja Florin në sy. Po tjetër?, e pyeta. Po, or mik, mësova se shkodranët flisnin me kod, për hobi, po edhe ngaqë u pëlqente t’i fusnin ujë nën rrogoz (atëherë sigurimit të shtetit, kurse sot qeverisë neodiktatoriale!). Domethënë edhe për Librin! A funksionojnë bibliotekat? Jo! A kemi Librari? Jo! A kemi lexues? Jo! Atëherë po bëjmë atë donte programi i tmerrshëm i Çubriloviqit! Ja, këtu mbetet problemi dhe lind Ngërçi i madh i sundimit, për ta lënë popullin ulur këmbëkryq para të huajit, pa kombësi dhe pa kulturë. Kaq mjafton për të të dëbuar një orë e më parë! Shkodra, kështu, na jep leksionet e qytetarisë moderniste. Asgjë në këtë qytet, që të vinte edhe me një fije vonesë, të bëhet fort e dashtun! Nga rruga drejt e në shtëpi, në Liqen, në tren e në Tiranë. Aty merrnin frymë barsoletat. Më kujtohet si tani ky moment tejet emocionues, thotë Flori… Vinin për të parë Drishtin dhe Rozafën, leksionet e gjallë të historisë sonë. Me to mund të flisje pa pikën e mundimit, madje edhe në heshtje, ndonëse shpesh e më shpesh me një ndjenjë frike se mos vinte ndonjë urdhër nga lart dhe na nxirrte jashtë loje. Kjo frikë e dëbimit i ngjante ankthit sfilitës: Ç’bënte Shkodra? As e çante kokën fare. Nuk përshëndeste me za, ndonëse të përqafonte fort e me dashni, as nuk thoshte ndonjë gjë të veçantë, por të bënte për të qeshur. E çfarë doje ma tepër? Kurrgja!… Aty në Shkodër mund ta fitoje atë kod, sesi mund të bëje edhe më mirë punët e librit e të leximit dhe të fusje gjithçka që ty të dukej me vend…

    Ne kishim ardhur aty të shihnim me sytë tanë detajet, të kuptonim ç’do të thoshte Shkodra për botën, për letërsinë, për librin, ku nuk vonoi dhe lindi Biblioteka Evropiane për Fëmijë, E Para në atë qytet simbol të kulturës shqiptare, që mua edhe sot më duket se asht’ ba me kode domethënëse! O Zot, pse gjithë kjo kureshtje e lakmuar, ku përzihej frika, misteri, mrekullia? E para aty flitej për gjëra të ndaluara. Tabutë, kodet, Shkodra (vetëm Shkodra!) i mbante në duar dhe i bënte të prekshëm, si diçka krejt njerëzore. Po si ia arrinte këtij shndërrimi të vështirë, gati të pamundur? Këtë e dinte ai qytet magjik që zotëronte dhe zotëron kodet! Me anë të tyre, mund të lexoje midis rreshtave një gjë tjetër të dytë, sa ta gërvishtje pak, sa ta zhvendosje diku një gur apo një tekst, natyrisht me mjeshtërinë e një alkimisti për ngulmimin e vëmendjes. Por pse jo edhe në kontekstin e fshehur bukur. Ky manovrim dukej (dhe natyrisht ende duket!) delikat dhe i rrezikshëm, duhej të ishe ekuilibrist duke ecur në telin e mençurisë natyrore, të falun prej Zotit, duke arritur pastaj të zbuloje mendjen dhe shpirtin e bukur të Shkodrës loce. Aty, në atë qytet s’mund të mos shohësh të pasqyruar në sy dhe në fytyra të etura dhe, për më tepër, duket se shprehet në mënyrë prekëse në Rozafën e ngujuar brenda vetes, ku i ruan me shpirt legjendat, historitë e vjetra, madje edhe rrëfenjat e qiellit të saj. Ajo nuk jepet, nuk dorëzohet, gjithnjë lutet e heshtur e tërë ngashënjim, sikur t’i thotë kujtdo që vjen aty: bëj me mua ç’të duash, jam robi yt! Dhe ti natyrisht që arrin ta kuptosh domethanien, ju lutem, mjaft që ta interpretosh, pse jo, edhe me kod, me kod Shkodre. Duhet që librat, bibliotekën e re, ta bëje me kodin e përmasave të saj…

    Sa herë kisha ardhur në Shkodër dëgjoja pëshpërimën e po atij kodi të fshehtë, që, siç e thashë, e zotëronte vetëm ajo, zonja e hollë. Me krela lëshuar të saj më bëhet se do ta zbuloja një kod. Kjo ndodh sepse ke përpara vajzat e Shkodrës, vajza të bukura e të çlirëta. S’ka të tjera si ato! Jo, një dhe dy, po tre,… të gjitha krejt. Kod ishte buzëqeshja e tyre! Një Magji më vete, kështu që kodi është fare pak. I shihje dhe për to lije kokën! Të zotëronin dhe ti ishe rob  i tyre. Fundja më në fund i zotëroje ato. E pra, nëpërmjet tyre hapeshin të gjitha dyert. Edhe ato të leximit dhe të librit. Unë me ato kode po e njihja Shkodrën. Njëherë, pas një pune të lodhshme në Rozafat, me mend po pyesja për këtë minierë tejet shkodrane. Qe trill artisti? Jo, nuk qe minierë, do t’më thoshte me zë të ulët vetë Shkodra. Kodet nuk janë minierë! As trill, jo. Shkodra asht’ e tana trill! Dihet se sytë e vajzave të bukura shkodrane janë shumë shprehës. Sy smerald me pak dritë diellore, ulli të zinj, blu-det. Ato sy janë në moshën e dashunsë. E gjithë Shkodra asht’ në moshë dashnie! Në këtë moshë ka vetëm natyrshmëri e sinqeritet. Po, natyrshmëria dhe sinqeriteti janë dy kode të tjera për ta njohur Shkodrën, dhe për të parë si e sheh Shkodra Librin dhe Leximin! Mos vallë kodet janë virtytet e njeriut? Këtë e kupton sapo je rob i atyre vajzave të qeshura e plot hir. Dhe mos harroni shkodranet janë të tilla që nuk bëhen kurrë robinja. Tjetër gjë që kështu mund të pandehet. Kjo do të thotë se për të gjetur kodet e arkeologjisë, duket të kalonte përmes vajzave shkodrane. E ç’lidhje ka? Ka shumë, por këtë më mirë se kushdo këtë e kupton ai që ka njohur një prej tyre. Provon veten, sa të tërheq puna kërkimore, sa i durueshëm dhe i pasionuar je… Pastaj te fjala është shpirti. Si shprehesh?… S’ka më gjëra të parëndësishme, as nga ato që interpretohen keq. Pse vajzat kanë veshur golf të bardhë? Pse akcila syresh dukej e zymtë? Pse sot nuk ecnin bukur në shëtitore? E patë, e vutë re buzëqeshjen e mëngjesit të sotëm? Jo? Çfarë paske humbur!… Kjo sigurisht e trondit edhe një arkeolog, sepse ti ke në dorë çelësin, kodet e Shkodrës, kodet e arkeologjisë!

    Shkodra dhe Rozafa e saj nuk janë gjëra të zakonshme dhe të rëndomta, sidomos kur aty nis e ligjëron. Ku pyet Shkodra aristokrate për to. Asaj edhe idiotizmat (me kusht që të jenë të qeshura!), shpesh i duken më të drejta. Ndryshe as që imagjinohet. Ajo nuk i honeps gjërat e mërzitshme, gërvimat, aty ka art të madh. Ja, ky është kodi i Shkodrës. (Me sa duket kodet shkodrane qenkan të pafundmë!) Na çon te fabula me dhelprat finoke që gjithnjë përfitojnë. Po, kushdo që bëhet pjesë e Shkodrës duket se të gjithë përfitojnë, pa e hapur gojën në një marrëveshje a kërkim. Kur je në Shkodër të buhit në shpirt një këngë. S’pipëtin askush kot së koti në Shkodër. Dhe atë çast dëgjohet klithma e një vajze shumë të bukur, një emocion më veteAsaj i pëlqente fort arkeologjia. Domethënë bëhej një çelës për hapjen e dyerve të Shkodrës. Arkeologjisë nuk i bie kurrë të fikët prej vajzave të bukura!…

    Kjo është Shkodra e bukur. Edhe Rozafa e mahnitshme!…Ne e donim shumë Shkodrën tonë. Thjesht e donim. Kjo ndjenjë na i lehtësonte të gjitha punët Aty brenda në muzeun arkeologjik mund të rrish me orë të tëra. Shikon dhe mahnitesh me gjetjet arkeologjike. Dhe mendoja për arkeologët. Sot nuk kanë respekt për ta si për një personalitet. Nuk më çudit zymtia e tyre. Dhe hap e mbyll kodet e Shkodrës si qytet i ri dhe po aq i vjetër në Rozafë. Dhe sepse më duket se janë melankolikë? Ç’kanë? Ç’i mundon arkeologët e mi? Më kujtohet im atë, që më përkrahte në mendimet e mia për arkeologjinë. Po këto m’i thoshte me përkëdhelje dhe humor. A është vepra e Shlimanit një kod më vete? Shlimani? Ai është kryq në tabelën e qitjes. Po arkeologët që zbuluan piramidat e Egjiptit? Po ata, për kureshtje, që zbuluan tabelat me shkrimin kuneiform? Po për faltoret e vjetra, ato më të përmendura në histori?. Të gjithë arkeologët janë dukur, kanë kuruar qytetërimin e lashtë, duke njohur qytetërimin e tanishëm. Për mua ka vlerë të madhe ky kod. Se kod më vete është! Dhe prapë po ai avaz: Shkodra, pse s’ po duket? Kush tha se vdiq ky miku im arkeolog për t’i bërë një vizitë Shkodrës, plasi i ziu, po Shkodra nuk vuan prej asnjë sëmundjeje…

    Disa herë pyesja veten: pse janë të zymtë arkeologët? Shkodra loce e kishte më të vështirë se të gjithë. Ajo kish rënë kurdoherë në dashuri me të gjithë vizitorët, kurse arkeologët i kishte qytetarë nderi. Derisa nëndheu ishte dashuria e tyre e komplikuar, si gjithnjë e paparashikuar. Dhe te arkeologët kish gjetur përfituesit e vet. Nuk është pak që, ekspertët e arkeologjisë botërore, të thonë se, në Shkodër, në Rozafë, në Drisht, Danjë, Lisus… në këto vende të njohura dhe enigmatike, bëhet me shkencë të madhe. Por ama Shkodra dhe Rozafa e saj janë një makijazh fin, i pëlqyeshëm dhe që u shkonte vajzave të bukura, teksa modelojnë mbi Rozafë dhe duke vërejtur pasqyrimin mbi Drin e Bunë. Po për këtë nuk ka faj Shkodra dhe as arkeologjia!

    Me Shkodrën ishte një miqësi nga larg, një pëlqim, po që mund të kthehej në dashuri. Kujdes. Kjo pastaj dol të thotë të marrosesh. Dhe Shkodra nuk të do kështu. Nuk dihet si agonte e nesërmja. Këtë të papritur që mund të sillte e nesërmja, e vuanin të gjithë të ardhurit e ndër ta edhe arkeologët. Dhe me kodet e saj në dorë kërkimi herë afrohej e herë largohej. Po, po bashkë me gjetjet arkeologjike me të cilat mburret vendi, ashtu si me Marubin dhe piktorët e Shkodrës… Si dukej? Gjendjen e kishim në dorë. Vapë, të digjte guri në Rozafë. Ju do të pyesni për vajzat? Po. Mjafton të themi se ne i kemi kodet. Ajo historia e kodeve gjithnjë i është dukur intriguese.

    Kodet dhe vajzat e bukura të Shkodrës u bënë legjendë. Askush nuk i rezistonte dot këmbënguljes së të ardhurve dhe vetëm barsoletat e Tefës dhe batutat e tij mahnitëse mund ta tërhiqnin vëmendjen. Nuk mund ta harroj. Hyn Tefa diku. Ç’ka ka nodh?, pyet. Gjithë shtëpia ziente. Kap një nga vajzat e shtëpisë. E pyet duke ia shtrënguar krahun. Ç’ka ka nodh? Ah, Tef! Mos i thuj kujt. Ka met goca e zotnisë me barrë! Si?, bërtet Tefa. Epo… Mos thuj gja! Njtesh vjen zotni dhe thotë se fajin e ka Tefa!… Të qeshurat zbukuronin qiellin e Shkodrës. Dhe kur! Në kohën kur kushdo priste që më në fund arkeologu më i ri t’i shprehte dashurinë njërës prej vajzave…

    Shkodra na begeniste. Edhe ne e donim. Ne mezi prisnim ta shikonim nga afër kodet e saj. Shkodra i respektonte më fort, të «huajtë», të ardhurit. Të nihesh në Shkodër nuk asht’ e lehtë. Por njeriu i zakonshëm nihet mirë. Si në Shkodër s’ka! Po të mos jesh bërë arkeolog me emër, padyshim që do ta kishe më të vështirë. Eh, ç’bëhej aty. Batutat në Shkodër zbulonin karakteret. Drekat, darkat në atë qytet të famshëm të bënin të fluturoje, të ngrinin në qiell. Aty vërtet të ecte me gjithçka. Muzeu arkeologjik tashmë qe gati të priste vizitorët.

    E donim, edhe për farat, për pëllumbat dhe zogjtë. Aty pranë liqenit dhe mbi Rozafë dukej se kishe fituar botën. Pamja ka qenë dhe mbetet spektakulare. Shkodra për çdo fëmijë të lindur kishte mbjellë një gështenjë në trotuar, me inicialet e emrit të tij, që tani i kacavarej kujtdo. Pema dhe emri i njeriut aty. Dhe gështenjat janë jetëgjata. Nuk bënte shaka Shkodra. Me fëmijët gjithnjë e kishte seriozisht. Ai qytet i shikonte të gjitha, i dëgjonte të gjitha. Pa kamera. Prandaj na pëlqente, se ai ishte si ne, e tërhiqte jeta jonë. Një kod më vete ky.

    Po pse ishin «të zymtë» arkeologët? Askush s’e dinte sesi kish dalë llafi. S’dihej si gdhihej e si ngrysej në Shkodër. Jeta e saj ishte një roman i jashtëzakonshëm dhe ne qemë për fat personazhet e saj. Asnjë fjalë nuk thuhej për «zymtësinë» e arkeologëve. Dikush tha se këtë e kish nxjerrë Tefa. Tefa? Vërtet? E pse habitesh? Kur dilte hapur emri i tij, dukej se qe një ajgare e Shkodrës loce për këdo, shefa, të aftët, të paaftët, për Saturnin, për Thanën, për Edith Durham dhe shtojzovallet e Alpeve. Saturni mendohet. Dhe kjo do të thotë shumë. Që do të thotë se është e tmerrshme. Pothuajse të gjithë duan Shkodrën. Do të kishte qenë një shembull i madh edhe për shkencën dhe artin. Shpesh ajo mbyllej brenda. Bulevardi dhe Kafja e Madhe ngryset dhe gdhihej pa arkeologët, të cilët tashmë i kanë kodet në dorë…

    E megjithatë, mos prisni që gjithçka ta zgjidhin kodet! Le t’i lëmë paksa mënjanë ngjyrat tragjike dhe ato optimiste. Arkeologjia jonë kodin e parë ka pasionin. Kjo natyrisht vlen edhe për Shkodrën. Arkeologët nuk janë as në qerthullin e fatit të keq, as se e kanë në ballë shkëndijën e një ylli. Shkëlqimi i Shkodrës me muzeun e saj arkeologjik i shërbenin këtij ylli. Neritan Ceka si numri një i arkeologjisë shqiptare, i zhgënjyer dhe i zemëruar, në këtë kohë politike të trazuar, bie ngushtë thjesht se askush nuk ngopet me yje as edhe me yje të rremë. Arkeologët, pasionin e tyre të veçantë e shpërfaqin me zemër të dridhur, po edhe të bindur se arkeologjia i jep krenari kombëtare vendit tonë dhe kjo nuk fyen askënd, as merr nëpër këmbë njeri. Ajo shpreh karakter dhe dinjitet për trashëgiminë tonë. Nga ana tjetër Shkodra ka buzëqeshur vetë dhe u ka dhuruar buzëqeshje të tjerëve, enkas që ta pëlqejë perëndimi. Shkodra e Migjenit të madh nuk është në anën e kundërt të nderit dhe zakonit, ajo edhe në pikën më kritike ka bashkëjetuar me ligjet tokësore dhe, ndërkaq, me armiqtë e njohur e të panjohur të rregullit të shthurur, po edhe me varfërinë që e ka ndjekur pas! Dhe gjithnjë duke buzëqeshur, që tek populli ngjallte shpresë dhe optimizëm.

      Të gjitha vijnë prej Shkodrës, thoshin. Po edhe sot thonë. Si është moti në Shkodër, atë temperaturë ka edhe shqiptaria. Por pasioni edhe sot e kësaj dite është nxitja e parë edhe në arkeologji. Sigurisht pasioni është dashuria e jashtëzakonshme për punën që e bën me dashuri të madhe. Ashtu do të jetë deri në fund. Në arkeologji nuk mund të mos thuhet të jemi të kujdesshëm jo vetëm kur paraqitemi në festa, as edhe kur duhet të urrejnë falsitetin, kërkimin e gënjeshtërt, po edhe nëse një arkeolog s’di të kujdeset për maskën e hipokrizisë nga fytyra. Arkeologjia nuk bën dot pa hequr buzëqeshjen servile. Arkeologjia profesionale dhe pasionante nuk krijon katrahurë, as rreziqe. Arkeologjia ndihmohet kur kuptohet në përmasa politike.

    Prandaj dhe u more me politikë? – e pyeta. Po, politika ishte e ndrydhur tek unë dhe atë moment shpërtheu. Po bulonte një jetë ndryshe, falë dështimit të socializmit dhe këmbënguljes së gjatë, shumë të gjatë të Perëndimit. Kështu ndodhte me çdo njeri, Ato çaste magjike të ndryshimit nuk mund të harrohen kurrë! Kam vënë re se aty politikani i mirëfilltë e thyente kurrizin para fjalëve, duke u përpëlitur t’i zgjidhnin, natyrisht duke bërë gafa dhe mëkate që ata e dinë si të pakorrigjueshëm që janë, si kriminelët ndaj së vërtetës, që edhe sikur t’iu vënë litarin në fyt, mbeten po të tillë. Sido, kjo e çmend vulgaritetin siç po degjeneronte politika, njëlloj si të buronte prej marrëzisë, ndërkohë s’qe aq e nevojshme as për të kërkuar rrënjët e saj. Politika e re dukej se nuk bënte dot pa u mbështetur tek e vjetra, merrte hua fjalët, konceptet, dijet, dhe futej në kryqëzimin e një bote trutharësh. Dhe mbeti edhe kjo në dyert e saj e parafabrikuar, jo e zhdërvjelltë, s’u bë kurrë e tillë. Unë kisha pasur fatin të jem në botën e lashtësisë, që me tallje është quajtur «primitive», kam njohur Platonin, Aristotelin, tragjedianët e mëdhenj, po aq edhe komedianët e mrekullueshëm, teksa më është dashur të tëholl frazën, ta stilizoj mendimin, sepse më është dukur më me vend të shkathtësoj konceptet e sotme politike. Ja, prandaj ka ndodhur!

    Dhe vijmë sërish në Shkodër, aty ku jetonte grahmat e fundit ‘gijotina’e diktaturës, ndonëse përpëlitej fort, ndaj dhe u zhvendos sërish diku larg dhe pastaj vinte prapë afër. Por politika ia kishte hedhur kësaj here. Unë dhe miqtë e mi e pamë të kapur për krahu me të vjetrën, duke pëshpëritur me një fije nënqeshje të qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe gjithnjë e më tepër u largohej të vërtetave, duke vërejtur astrologjinë e qiellit më mirë sesa të shkonte lart si për të trokitur në blunë e ndritshme të hapësirës. Politika të trondit dhe nuk qëndron dot në truall të ftohtë, futet në temperaturë të lartë, nën kthetrat e emocionit. S’ka politikë pa këto ethe. Në politikën e fëlliqur nuk mendon kush për shpirtbardhët se aty bëhet pa ardhur uji i ndenjur!

    Politika e sotme s’ka kohë të merret as me frymën absurde, as me epizmin e ndritshëm. Ajo merret me bojën, me fasadën e ndritshme. E, arkeologjia s’është pjesë e saj. S’ka si të jetë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË