More
    KreuIn memoriamXhevair Lleshi: Kadri Roshi – Dashuri e dehur

    Xhevair Lleshi: Kadri Roshi – Dashuri e dehur

    E zeza, Karabashta e famës së jashtëzakonshme të aktorit tonë të madh Kadri Roshi, na përmbyti me një brizë të hollë sikur do t’na shponte brinjët. Si flinte ai? Ne e patëm lënë dhe ai do të duhej të na priste. E ndjemë se qe zgjuar dhe u vërsulëm brenda. Gryka e gjerë drejt kanalit hijezohej dhe bëhej gati të derdhej hijerëndë në det dhe do të trysej ëmbël dhe kripur një gjatësi të fjetur. Janë ujëra të çuditshme këto, si ajkëtuar i kripur me sheqer. Ujët e tromaksur e të përzierë si ia kishte qejfi bënte edhe ai një sy gjumë të tronditur para takimit me hapësirën që e priste në muzgun e detit të mërzitur s’di pse. Vetë Karabashta, Bashtëzeza, shihte ëndrra bojë trëndafili dhe puthej me hijet levarashe të pyllit të atëhershëm të Divjakës, tretur në hapa murgjish të ardhur apostafat për të parë pikërisht këto puthje të mrekullueshme. Duket këto shihte edhe Kadri Roshi. «Erdhët?» pyeti. «Erdhëm, po verë nuk kemi!» Nënteksti i asaj që nuk u tha, u ndje. Këtu s’mund të vije pa verë e pa femra!

    «Do ta lëshojmë varkën?» pyeti Llazari, i tymtë, i thatë dhe gjithnjë ngacmues. Sheri Mita qeshi me zërin e tij të jashtëzakonshëm, të ngrohtë e të dashuruar. Varkëtari doli nga ferrat atje tej me një shufër të gjatë për t’u nisur me ne. Na dëgjoi dhe erdhi. S’donte ta thërrisje. Themiu ishte gjuhëprerë. Kurrë nuk ia dëgjuam zërin. Po pyesnim me sy njëri-tjetrin, se mos ia prishëm planin. «Jo, mos mendoni ato që çoni në mend. Nuk më keni prishur asgjë. Ia kam prishur vetes… Vetes ia bëjmë gjithnjë të zezën… Hija e saj më ndjek gjer këtu. Dhe unë flas, qesh, këndoj me hijen e saj!…» «Me hijen?» e pyeti Sheri serioz. Kadri Roshi po mbyste të qeshurën me një tingëllim pendese, duke e tundur zërin përbrenda, si zilka të argjendta që do të mbyteshin në ujë duke ndjekur varkën e Themiut memec.

    Shufra e gjatë e Thimit bëri një hark nga pas dhe u ngul fort në ujë, i cili u turbullua. Më pas e nxori bashkë me një ngjalë të stërmadhe. Ajo, e mjera spërdridhej dhe Kadri Roshi e kapi me një qeshje të madhe e të hapur në fytyrë. E plasi mbi dërrasat e varkës dhe atje ajo përdridhej si gjarpër nëpër këmbët tona. Sheri nuk po e duronte fare. «Ah ta piqnim këtu!» belbëzova. «E pjekim më mirë mbi ujë!» E qeshura e tij u zgjat mbi vijën e ujit. «E dini? Këtu do t’i sjellin pleqtë, në pyll, me kuajt hergjele, para se të vdesin. Sa në varka, sa në pyll. Do të ngrenë edhe një kishë, shshsht, do t’u bien kambanave pleqtë, do të falen për shpirtin e tyre, do mbeten pastaj lakuriq, do mblidhen me fiere e me shpëndra dhe do kërcejnë si qëmoti, duke harruar se kamerat do jenë 24 më 24 dhe do t’ua japin bijve t’i shohin etërit e marrosur e të tretur nga malli. Unë për vete këtu do të doja të më sillnin. Pleq e plaka. Kënga e erës, e detit, e pyllit dhe e Karabashtës do të bëjnë korin më të bukur në botë. «Ej, djalë, e kam vërtet. Nuk po tregoj përralla. Se unë flas dhe qesh me hijet, po nuk shoh ëndrra me sy hapur kurrë! As kur dielli është më të perënduar. Janë njëqind e tridhjetë e gjashtë konakë kashte e degësh dushku në këtë pyll Divjake, nëpër këto kodra halli», tregoi ai duke hapur krahët mbi varkë. Aktori i madh hoqi thellë. «Natën këtu në pyll s’ka frymë njeriu. Kullosin kuajt hergjele, kullosin delet e dhitë, lopët, ulërijnë ujqërit e çakejtë, aq sa i zë tmerri edhe peshqit! Ah, moj e poshtër, pse më ike! Dhelpra. Sheri, ju s’e merrni dot me mend se si më rrinte. Sus!… Mendoni pleqtë peshkatarë, tharë në tym si dru thane, duke u marrë me veten, vreshtin e madh të ëndrrave, ujqërit dhe verën…» Po fishkëllente Themiu dhe ia kthente era e butë e Karabashtës…

    Kasollet e eremitëve. Të isha si ty djalosh një roman do shkruaja për to, për femrat e tyre që vinin në muzg dhe largoheshin në mugëtirë. Ah, sa e ëmbël që është, Zot, mugëtira! Eremitët deheshin me zjarrin e femrave të kolme dhe batisnin dheun e kuq ku rriteshin lisat e Divjakës. Nga halli kapërcenin Kanalin e Gjerë të Detit dhe e mbanin frymën në Ardenicë. Lukunia e tyre atje është, në Ardenicë. Keni hyrë aty ndonjëherë? T’i merr flokët Fryma e Detit. Qan era me zë femre dhe tremben ata që shkojnë andej, përpara manastirit të vetmuar që kuqëlon nga Perëndimi. Këto kasolle kanë hequr të zitë e ullirit. Këtu i groposnin në kashtë shalqinjtë myzeqarkat dhe vendet i dinin mirë djemtë e hedhur që u binin pas mëzatkave! Themiu dridhte fishkëllimën dhe puhiza e mbrëmjes i mbante kaba. Një goditje tjetër me shtagën e gjatë që harkohej mbi kokat tona. Ishte e katërta ngjalë…

    Nata po hapej si e ndarë më dysh, duke davaritur re pluhuri dhe tymi nga buza e pyllit. «Si ia bën me gjarpërinjtë, mjeshtër?» «A, me gjarpërinjtë është ç’është, Themiu e di.» Ky thartoi turinjtë dhe shihte tinës nga Kadri Roshi. U bën magji Themiu. Eh si vallëzon me ta! Po ç’vesh muzike që kanë! Ç’të të them, vëllezër! Është çudan njeri ky! Dhe, pale, pale, po ky dhe puthet me ta. Lozin, mo, lozin gjarpërinjtë me trupin e Themiut. Po kur vjen Dhelpra, naze të mëdha luhen. I do djalli, i do… Papritur ujërat e Karabashtës u tundën dhe toka po oshtinte thellë. Kuajt! bërtiti Kadriu dhe u përngreh. Ku vinin gjarpërinjtë? M’u bë sikur pyeta dhe sytë u larguan tutje te ca rosa e çafka, me këmbë të penguara prej ujit, plot trille levarashe, pastaj mund të shihje pelikanët madhështorë të vargoseshin hijerëndë…

    E di ç’thonë eremitët e panjohur (edhe Dhelpra natyrisht!) kur ia behin kështu kaq dendur miqtë e paftuar? Vijnë, thonë, se e ndiejnë aromën e femrës. Është një bar këtu në Divjakë e në brigjet e Karabashtës që ta bënë kokën tym dhe shpirtin dyst prej kësaj arome. Madje edhe ujqit mbeten gojëhapur dhe meshkujt u shalojnë kuajve të egër, si të paudhë që janë dhe jo vetëm njëherë, po sa herë të duan, dhe fluturojnë tutje, larg bashkë me ta e me to… veç kur i gjenin shtrirë mbi rërë, buzës së zbaticës.

    Sa nuk u mbytëm nga e papritura e thirrjes së Dhelprës. Mos u trembni, tha Kadriu dhe doli. Edhe ai imitoi Dhelprën. Iku. S’e ktheu kokën prapa. Ne të tre kishim punë me ngjalat e pafundme, me verën allasoj, të kuqe flakë dhe me një aromë shafrani të patreguar. Do t’i ketë shtruar manxuranë ky i flamosur Themi kasolles së re të Kadri Roshit? Jo? Po atje të shqyejnë gjarpërinjtë. He-he, po hyri Dhelpra, miku im, ikën gjarpri. Nuk e duron dot aromën e femrës ky budalla i frikshëm. Ku e lë Kadriu atë? Se ky i uruar është bërë eremit dhe firar. E dëgjon? Po vjen më duhet. I bëri fërtele gjunjët me hijet e natës! S’la Dhelpër dinake pa futur në shtrungë. Pse, futen edhe Dhelprat në shtrungë? S’e kisha dëgjuar… Nata lëvizte me zërat e saj të fshehur me një mister të padukshëm. Herë pas here vinte së largu troku i kuajve hergjele… Më në fund u ndje kolla e Kadri Roshit. Basi i Sherit  e shkundi kasollen. Kadriu i gjatë dhe i holluar përkuli kokën dhe shtyu lesën. Seç belbëzoi diçka nëpër dhëmbë. Hë, mo, i trembe, apo të frikësuan lanetkat! Zot i bekuar, ajo është nga këto shtojzovallet e pyllit nakatosur me të detit, sirenë. Dhelpër, jo llafe. S’di as ku ta afrosh, herë është ajër, herë është dritë, herë të tjera nxin. Ç’të të them! Nuk tregohen ato të sajat. Vdes i ziu njeri për t’u dashur, trokë bëhet. Po ajo s’pyet. Gafrron, të çjerr si mace, pastaj kthehet në kotele, thotë fjalë të ëmbla, bëhet hije…

    U dëgjuan edhe hapat e Thimit. Tërhiqte bran rrjetat deri te varka. Një kollë e thatë shponte natën e kthyer për nga mëngjesi. E qeshura e Thimit të mbante pezull e si në pëllëmbën e dorës. Mjekra e tij frizohej nga fryma e Karabashtës. Ç’thotë ky, mendoja, çfarë sheh, që mua s’ma zënë sytë? Fliste me vete, i drejtohej ujërave, pyllit, kuajve. As kuptohej se ç’katranoste tjetër ai! Edhe Kadri Roshi kishte ngrirë herek në mes të kasolles. Bënte punë të rëndë ky njeri i madh. U fliste njerëzve nga skena! Zoti ta ndihmonte! Bënte kryq pa e kuptuar, gjente prapësitë e fundit, llogariste me mend mëkatin e radhës… «Qenke akull», i tha Sheri Mita. Mugëtira po hapej duke shembur vende-vende pllanga të përhime si cerga të tymosura merimangash të zeza. Dukej se ishin zhdukur dhe frymët e vdekura rreth e qark nganjëherë sillen në  ajrin e qiqërimtë. U dëgjua përsëri një përngjasim i thirrjes së Dhelprës. «Po kjo?» pyeti Sheri me të qeshur. «Erdhi prapë, duket. U bë esëll. Zot i madh! Po ma merr frymën dhe prapëseprapë do të shkoj. Ma bëj hallall Sheri, për këtë pritje! S’e kisha menduar. Dhelpra ime është e paturpshme!…» Ngriti duart lart dhe thirri me zërin e tij si me lebeti të kobshme. Ishte i veçantë ta bënte këtë. Askush nuk mund t’i afrohej. «U pa puna, ajo do t’më marrë në qafë. E ç’e doni, harrojeni, por unë s’mund ta harroj dot…»

    Iku, pa thënë më një fjalë. I thirrëm, Kadri, ku po shkon… Kadri, eja, po vjen mëngjesi edhe ne do largohemiPo ai iku, ja, atje në gjirin e natës, nuk e pa më askush, vetëm në mëngjes do ta gjenim në kasollen e parë të eremitit. Ishte në gjumë me Dhelprën e tij, krahaqafë. E lamë pas kasollen e Kadri Roshit që ndërkaq po na humbte nga sytë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË