More
    KreuIn memoriamXhevair Lleshi: Federico Garsia Lorca - 125 vjetori i lindjes

    Xhevair Lleshi: Federico Garsia Lorca – 125 vjetori i lindjes

    FEDERIKO GARSIA LORKA (Federico Garcia Lorca, 1898-1936), u lind në katundin Fuentevakeros, afër Granadës, në një familje të pasur ku dëgjoi edhe metaforën e parë se edhe kopsat prej mishi janë bërë. Filloi të studiojë letërsinë dhe drejtësinë në Granadë, por që më pas i ka vijuar në Madrid ku edhe jetoi përgjatë shpinës së vetë deri në fund të jetës. Një fragment kohe ka qëndruar në Amerikë (1929-1930) dhe në Argjentinë më 1933 ku kuptoi sekretin si lind dielli në të dy anët e horizontit, po edhe brenda njeriut. Lufta civile e gjeti në Granadë. Një muaj ndenji fshehur, pastaj e kapën dhe e pushkatuan në katundin Viznar afër Granadës, më 19 gusht 1936. Më në fund u puth me vdekjen trimërisht! Dhe kuptoi si rritet niveli i deteve prej urrejtjes, ndonëse në shpirt rritej flladi i pranverës së jetës së dytë…

    Garsia Lorka ka qenë manifestimi më i lartë dhe më i vërtetë i popullit dhe i mjedisit nga i cili ka dalë, aty ku s’bëjnë festë mollët, as hardhitë tek mbushen me frerë të kuq. Ka qenë spanjoll integral dhe deri në palcë e ka ndjerë traditën e gjallë popullore e letrare ku qielli shkëlqen më shumë dhe dielli djeg, ndërkohë që njohësit pohojnë që më shumë ka thithur nga burimet e gjalla sesa nga fjala e shkruar, atje ku ajo zbulohet e tëra dhe mbulohet nga perla dhe era, si me dallgët e egërsuara blu.

    Në vetvete Lorka bashkoi dijen, vetëdijen, magjinë dhe përballjen e pastër të drejtpërdrejtë: si mjeshtër i fjalës, i gjithi konstrukt i shkëlqyer i poezisë, artist i madh, kurse në të njëjtën kohë tek ai ka sunduar instinkti krijues i brendshëm, e, në të njëjtën kohë spontan dhe i pashpjegueshëm ku festë bëjnë të mundurit dhe gratë me tmerrin puthen. Poeti i madh më shumë ka përjetuar instinktivisht dhe në mënyrë shqisore sesa në mënyrë racionale, prandaj është këtilluar “poet të natyrshëm”, duke e dalluar nga ai cerebral, çfarë është po themi Elioti. Edhe poetët bëhen nga nëna, siç bëhen edhe djemtë më të mirë kriminelë… Në përjetimin e dukurive dhe të sendeve ka përjetuar diçka mistike dhe përrallore, nëpër gjurmët e një parashikuesi, madje tërë parandjenja të errëta, ardhur mbase nga ndjeshmëria e tij e tendosur dhe emocionuese. Sepse edhe poetët më të mirë bëhen kriminelë! Mbi tërë këtë thuajse pushon dora e errët e gjykimit dhe e vdekjes. Mjeshtëria e tij e pashtershme i ka dhënë çdo gjëje një shkëlqim të çuditshëm, shkëndija prej takës sate të lartë… Dhe këtë e ka bërë më së shpeshti me ndihmën e figurave poetike dhe të metaforave, ndërtuar në mënyrë të nënvetëdijshme por jo, kurrsesi të rëndomtë, ku çdo gjë e merrte në duar dhe e ndizte me fjalën e zjarrtë si një magjistar i vërtetë, i guximshëm dhe i papërfytyrueshëm.

    Libri i këngëve, (Libro de poemas), vepra e tij e parë është botuar më 1921, dhe me të nuk ka korrur ndonjë sukses të jashtëzakonshëm. Kam frikë, thoshte, se qyteti digjet prej dashurisë sime, pasi prej shpirtit të zjarrtë edhe fjalët marrin flakë. Edhe më vonë fare lehtë e njëjta ndjesi e thellë vërehet. Lorka ka dëshmuar të gjitha tiparet e një karakteri të fortë karakterizuar nga një shpërfillje e lartësuar gjithnjë poetike. Atëherë merrte lotin e së dashurës në qepallë, e shuante në zjarrin e shpirtit që digjej, ku me të qeshur e ku me të qarë. Si violinë e rrallë, me zë kurrë të dëgjuar, telat e së cilës prekin vetëm zemrën, që kurdoherë do të gjejë peshën e duhur edhe romantike edhe këngëzuar, edhe pikëlluese edhe përplot impresione, e mbushur me preokupime e shqetësime rinore, duke vërtetuar ndjeshmërinë e thellë të poetit për peizazhin dhe atdheun, me një emocion dhe sensibilitet të jashtëzakonshëm, gjithnjë të shprehur me afinitetin për muzikën e vargut, plastikën dhe figuracionin e mahnitshëm, po edhe me pasurinë e metaforave inventive.

    Që në çastin kur paraqitet Libri i këngëve, Garsia Lorka ka qenë në rrugë të re, i pasuruar me shprehjen poetike që e zotëronte ai gjenì, duke u dhënë fjalëve flakën me zemër blu të zjarrit, një aureolë vjershe si tërësi e papërshkrueshme. Se syri yt, trupi yt, janë veç çmenduri! Këtë mund ta shkruante çdo poet, edhe më i thjeshti, po në vargjet e Lorkës dukej aq elegante. Sekretin ta tregonte buzëqeshje e tij. Se aty ndihej muzikaliteti, ritmi dhe zjarri, i cili nuk i ka munguar kurrë poezisë së tij, të cilën edhe çmendurisht s’kish për ta humbur kurrë… Një poet, thoshte, kupton dhe nuhat çdo gjë me sy, syri është intuita e tij e mrekullueshme, syri merr e jep vlerë, çdo gjëje i jep vlerë (ha me sy, të ha me sy, kupton me sy, vlerëson me sy, e kapërcen me sy, ta ha syri derisa e bëre!). Poeti modern, thoshte Himenesi, zhytet në këngët popullore, siç bëri edhe Lorka, të cilat i ka dëgjuar nëpër fshatrat andaluziane, sidomos këngët që quhen cante jondo, ku ka vërejtur që poezinë ta ndërtojë me sa më pak fjalë që të jetë e mundur dhe me figura autentike, të qëlluara e të lidhura mes veti, në mënyrë që vjersha të përmbajë fuqinë dhe plotësinë, tërësinë dhe sugjestionin magjik. Kështu ka lindur përmbledhja Poema del cante jondo, e botuar më 1931. Është krijuar në lidhje me cante jondo, mirëpo poeti nuk ka ecur rrugës së imitimit të këtyre këngëve popullore të cilat kanë ligjet metrike dhe strukturën tipike të tekstit. A i ndez një qiri qytetit dhe ikën duke shkelur mbi hi, madhërisht, ashtu siç mbeti në zjarr dhe mbi hirin e kujtesës.

    Kompozimet e veta të vogla ai i ka ndërtuar sipas mënyrës së vet origjinale, duke futur shpirtin e Andaluzisë së tij, ashtu siç e ka ndjerë në këngët e saj dhe siç e ka përjetuar te banorët dhe në peizazhin e saj. Ç›ta dua kur ti s›je? Ka kërkuar atë që është më e thellë, më e errët dhe më e fshehtë në tokë dhe te njerëzit. Sepse s’më ngroh as ky diell i bukur edhe sikur t’i hedh ca shkarpa të ndezura zjarr. Fundja, poeti i fuqishëm ka parë mbi të gjitha një vuajtje të rëndë të brendshme, dhembje dhe mbyllje në vetvete, ndjeshmëri dhe epsh të errët që shprehen ndonjëherë në mistikë dhe në besime të kota, ndonjëherë në dhunë e në krim. Nga kjo botë e brendshme Federiko Garsia Lorka ka nxjerrë në sipërfaqe jo vuajtjen konkrete njerëzore, me shkaqet dhe pasojat e saj, po manifestimet dhe simbolet e asaj vuajtjeje. Metaforën poeti ka ditur ta shprehë thjesht me disa lëvizje të shpejta e të mprehta, në mënyrë të pastër e sugjestive, me amën e duhur të fjalëve e të figurave, duke pasur gjithmonë kujdes që të mos e kalojë kufirin, të mos thotë kurrë trëndafila prej kimie, që të mos na e shkatërrojë kënaqësinë e të fshehtës dhe të pathënës.

       I këtillë, përafërsisht, duke pirë edhe në ujë mbeturinash, anash burimeve të kulluar, është edhe në përmbledhjen Këngë (Canciones), e krijuar menjëherë pas Cante jonda (1921-24), dhe e botuar më 1927 – vetëm se në të ka errësime të ngrysura e fatkobe andaluziane (cigane). Këtu Lorka është shumë më i hapur, më i qartë, ngjyrat janë më të ndritshme (“Kënga do të bëhet dritë” dhe Ti nuk e prishe! Dhe qirinjtë s’janë më mistikë, nuk ndizen në ikona, po thjesht me dritë!); një botë e dukshme, e prekshme dhe më shumë konkrete sesa abstrakte. Në këto poezi ekziston njëfarë gëzimi naiv përpara jetës (Dhe krimbat bëhen të bukur /kur ti vjen!), poeti ka dashur, që madje edhe vdekja e tij të jetë e hareshme, të jetë e kthyer nga jeta. Bomba kaq turpërisht plas dhe kaq dhembshurisht paqja ikën, ndaj lufta është afër nesh! Hasim dy poezi të krijuara në mënyrë të jashtëzakonshme: Lamtumira – Kënga e kalorësit, Gjuetari…

    Sipas mendimit të shumicës, përmbledhja më interesante, dhe ndoshta më e vlefshme e Lorkës, është Romancero cigane (Romancero gitano, 1928), e cila përmban 18 romanca, shumica e të cilave i këndojnë romëve dhe Andaluzisë. Dushet e gjakut shpërthyen si tapa shampanje nga pushkët. Në poezi gërshetohen elementet lirike, dramatike dhe narrative, dhe janë të shkruara për recitim. Romancat e vjetra popullore, detajet, siluetat vetëm sa sugjerojnë ndodhinë e vërtetë, përplot stërpikje të gëzueshme, këngë të një bote barbare instinktive, besimet e turbullta. Njeriu është si i humbur, i mahnitur dhe i ndarë nga realiteti ku jeton. Për rendin logjik të gjërave – si grave që i verbon oksigjeni blu i diellit dhe për këtë arsye kryesisht shprehet me metaforë. Të shprehurit figurativ i poetit i nënshtrohet plotësisht mentalitetit rom dhe mënyrës së tyre të mendimit, asaj frymës primitive dhe jetësore, plot fantastikë, shpërqendrim dhe larushi. Pasioni është fuqia kryesore dhe aty çdo gjë është e ngritur në ekstazë, në atmosferë ëndërrimi… Në asnjërin nga personazhet e veta Lorka nuk ka depërtuar thellë dhe të gjithë ata janë aty si pjesë të një bote të përbashkët të magjepsur, në të cilën poeti shfaq lojën e pakapërcyeshme poetike me kurme hamgjitës! Këto këngë janë vdekje të dhunshme e tragj, brenda flluskave me ylbere verbues, diçka që është dashur të ndodhë patjetër dhe mbi të cilën nuk duhet të qëndrojmë shumë. Kështu, kjo botë e pasioneve, e gjakut dhe e vdekjeve na duket sikur është vënë në një gjendje që nuk dhemb. Në shumë vende është tepër artificiale dhe abstrakte, që mund të na prekë si njerëz.

    Garsia Lorka më 1929 ka udhëtuar për në SHBA dhe ka arritur atje në kohën e krizës, depresionit të madh. Amerikën ai e ka përjetuar ai një botë të madhe të boshllëkut, Harlemin e degjeneruar. Gjithçka e preku thellë dhe për këtë ka shkruar përmbledhjen Poeti në Nju-Jork (Poeta en Nueva York), e cila në tërësi është botuar vetëm më 1940, në Meksiko. Këto poezi janë të ndryshme nga të përparshmet dhe janë të afërta me surrealizmin, e disa përmendin edhe ekspresionizmin. Lorka këtu me vargje të vrullshme e të ashpra ka treguar “të vërtetën e njeriut të përgjakur”, ku s’duan t’ia dinë për asgjë tjetër, ndaj enden dhe enden brenda rrathëve të tyre si ylberët lakuriq, si gjarpërinj, duke e gjykuar e protestuar ndaj saj, kurse në vizionet e hidhura mund të hetojmë edhe kuptimin mesian. Fjalën e vet poetike këtu ai e ka përzier më shumë se kudo me jetën reale të kohës së vet. Kaosin e civilizimit modern e ka shprehur me kaosin e figurave dhe të asociacioneve, siç dinte ta bënte Lorka.

       Pas Poetit në Nju Jork, Lorka është dhënë me gjithë shpirt pas punës në teatër, kurse poezi ka shkruar gjithnjë e më pak. Megjithatë, ka krijuar një përmbledhje të vogël gazelash dhe kasidash: Divani Tamarit (Divani del Tamarit), në të cilat sipas mendimit të kritikës e ka arritur maksimumin e përsosmërisë dhe subtilitetit, duke i kënduar parandjenjave të dhembshme, pelinit të dashurisë, pranisë së vdekjes, gjakut dhe vajit ku më të bukura duken brenda flluskave të qelibarta mbyllur. Nga fundi i jetës, ka shkruar edhe një përmbledhje të vogël Sonetet e dashurisë së errët (Sonetos del amor oscuro), mirëpo vetëm disa janë ruajtur. Ka shkruar edhe poemën e famshme Vaje për Ignjacio Sançes Mehias (Llanto por Ignacio Sánches Mejias, 1935), poemë e fuqishme e prekëse, njëra nga krijimet e tija më të mira poetike.

    Lorka i ka kushtuar kujdes të njëjtë, sa poezisë, teatrit dhe shkrimit të dramës, sidomos pas vitit 1930 dhe, aq sa ka qenë në kohën e vet në Spanjë më i rëndësishmi si poet, ishte më i rëndësishmi edhe si dramaturg. Mirëpo, ai ka qenë edhe në drama mbi të gjitha poet, madje poet i pasioneve njerëzore, i vuajtjeve, dhe i fateve të këqija, i drejtpërdrejtë, plot figurshmëri dhe fluiditet magjik, ku është gati të thyhet qielli. Personazhet e tij kryesore janë gra, barra e tyre e brendshme, sensualiteti, dashuria, amësia, të gjitha këto në rrethanat e paragjykimeve të rënda shoqërore e religjioze. Në Mariana Pineda (1926) – përkthyer në shqip e vënë në skenat tona – ka përpunuar temën mbi heroinën legjendare nga Granada. Këpucarja e çuditshme (La zapatera prodigiosa, 1930), me burrin plak dhe gruan e re, është e afërt me farsën dhe përplot kënaqësi e shpirt. Dona Rozita e pamartuar ose Biseda e luleve (Dona Rosita la soltera o El lenguajtje de las flores, 1935) është një lirikë me ironi të lehtë, ndonëse pa mjaft elemente drame. Më të suksesshme janë tri tragjeditë Dasma e përgjakur (Bodas de sangre, 1933), Yerma, 1934, dhe Shtëpia e Bernarda Albës (La casa de Bernanda Alba, 1936) – edhe kjo kryevepër, përkthyer në shqip e vënë në skenat tona. – Që të tria në prozë, me disa vargje; aq sa janë të begatshme me atmosferë lirike ku dielli prej kënaqësisë shkrihet, duke qenë përplot me dinamikë dramatike, parandjenja të errëta dhe tendosje shpirtërore të personazheve. Në Dasmën e përgjakur mbisundojnë pasionet, rivaliteti, vrasjet, instinktet ku u kujtua dikush i mbushi duart me tufa trëndafilash të kuq.

    Në Yerma e gjejmë fatin e mundimshëm të gruas beronjë. Në Shtëpia e Bernarda Albës, e cila ndoshta është më e fuqishmja dhe dramatikisht më e pastra, nëna tiranike Bernarda Alba me të gjitha forcat përpiqet t’i mbajë nën këmbë pesë vajzat e veta të cilat janë të etura për të jetuar, në atmosferën e mbyllur e të errët të shtëpisë, mbi trëndafilat e freskët u çanë dhe mbaruan shpejt lulet dhe ato prej qiellit ranë! Veprat e veta dramatike Lorka ka ditur t’i ngjyrosë me ngjyrën e vërtetë poetike e kombëtare, u ka dhënë forcën e brendshme dhe kjo i ka dhënë teatrit të tij një vlerë të madhe dhe një sukses të papërsëritshëm, në Spanjë dhe kudo jashtë saj.

    Tiranë, më 21 shkurt 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË