More
    KreuLetërsiBibliotekë"Vrasje në plazh", tregim nga Afrim Demiri

    “Vrasje në plazh”, tregim nga Afrim Demiri

    Shkrepja e plumbave pa zë kishin rrëzuar kullat prej zalli të fëmijëve në breg të detit. Në shtratin  e diellosjes prej bezi me lara, Culit i kishin mbetur sytë e mbyllur përjetshëm. Ai kishte qenë duke provuar përflakjen e rrezeve të diellit, duke mbajtur sytë po thuaj të mbyllur, kur plumbi e kishte shpuar tejpërtej dhe shikimi i ishte përgjakur, pa nxjerrë asnjë fjalë.

    Të gjithë njerëzit në afërsi ishin në kostume të larjes dhe asnjërit prej tyre nuk i shihej asnjë armë në dorë. Mos të ishte rrjedha e gjakut të Culit, që po  avullohej në zallin e bërë prush si dhe rrëzimi i kullave të zallit, vonë do të kuptohej se në plazh po ndodhte një vrasje. Asnjë vrapim i dyshuar, përpos hapave të zakonshëm të  vrapuesve të pasionuar, këmbët e të cilëve përplaseshin  nga ndonjë valë rebele e ditës, që lagte rrëmbyeshëm brigjet e detit. Culi ishte i vetëm në plazh dhe plumbi i ardhur nga drejtimi i panjohur ia zgjati vetminë  e përbotshme. Përballë çadrës së tij,  futur thellë në det, kafeteria e improvizuar nuk e ndalte muzikën me ritmin grek. Një vrasje tipike ballkanike, ndodhte në plazh. Vrasësi nuk shihej, i vrari vazhdonte të rrezitej i vdekur, muzika greke dëgjohej, ndërsa shitësi i gazetave bërtiste me gjithë forcë titujt për vrasjet enigmatike, ndërsa shitësit e ullinjëve dhe fiqëve iu grahnin gomerëve.

    Gjaku si dëshmia e fundit e njeriut nuk ndalej dhe atëherë u panë njerëz që e mbuluan Culin me peshqirët e larjes që i kishte marrë me vete. Të tjerët vazhdonin rrëzitjen pranë një të vdekuri që e priste auto-ambulancën. Arritën policët dhe hetuesit me kostume blu, kurse kufoma e Culit u tërhoq në heshtje për në morgun e qytetit turistik.

    Shumë lëvizje pa asnjë fjalë. Zalli gjithkund përvëlonte, kështu që asnjë gjurmë nuk ruhej në të, përveç njollës së kuqe të gjakut të Culit. Askush asnjë fjalë për vrasësin. Kah erdhi, si shtiu dhe kah shkoi? Plumbi e kishte marrë nënsqetull dhe e kishte përshkuar pjerrtas trupin e  Culit, andaj çdo parametër kriminalistik e përjashtonte vetëvrasjen, kurse asnjë gjurmë e vrasësit dhe për shumë asnjë shenjë në atë ditë vezulluese. Si në legjendën e Bajlozit të zi të dalur nga deti, vrasësi filloi të përhumbej në rrëfimet e paformë dhe të pacak.

    Kufoma u tërhoq. Nën çadrën e tij mbeti hija e vdekjes. U mor edhe shtrati i rrëzitjes. Fëmijët filluan t’i ngrinin kullat prej zallli, si dhe bukuroshet filluan lyerjen  e trupit me vajra. Njerëzit nuk donin të humbnin një ditë të detit, për një vrasje anonime. Në fund të fundit kush ishte Culi për ta?! Një viktimë rasti për të cilin filluan përfoljet, që me largimin e trupit të tij.

    Ishte një kriminel, një njeri droge që donte të rrezitej pak, para se ta bënte një transaksion. Për dikë tjetër ishte edhe një person i njësitit efektiv, i cili u vra në mënyrë efektive nga mafia. Përfoljet trazonin edhe valët e detit, përpos që nuk trazonin prokurorinë. Dita u mbyll duke folur për Culin më shumë se për vrasësin. Në fund të fundit Culi ishte parë i përgjakur, kurse vrasësi nuk ishte parë kund.

    Të nesërmen, muzika kishte ndryshuar, tash nën një tallava ballkanike parakalonte rituali i njëjtë,  shitësit me gomarë, palaçot e rastit me ariun e cirkut, shitësit e rrobave kombëtare dhe dikur lajmërohej shitësi i gazetave me pyetjet; “Kush ishte vrasësi i Culit”, “Kë kapën mbrëmë gabimisht policia, si vrasës të Culit”, ‘Bleni, bleni gazeta, mësoni cila është e vërteta për Culin”!

    Unë u zhyta thellë në det, në kokërr të shpinës u bëra vetëm një leckë e lehtë që më barte vala sa andej sa këndej. Zërat nga plazhi më vinin të turbulltë, i turbulltë mbetej edhe rasti i Culit. Nga larg pashë se në çadrën e Culit, ishte vendosur një çift me dy fëmijë.

    Në breg të detit ngriheshin kulla të tjera dhe hidheshin hapa të vrapuesve të vonuar. Një nga ata hapa mund të ishte i vrasësit që vazhdonte të imitonte atletin buzë detit.   

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË