More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVlora Ademi: Në kërkim të një tjetër lirie

    Vlora Ademi: Në kërkim të një tjetër lirie

    Nji djalë i ri, si Marin Shita, me nji pafajësi të humbun që vihet me e rrëzue diktatorin me sy.

    A e keni parasysh atë lloj romani që me elementet e ndërtimit vazhdon me ju mbajtë vjerrë edhe mbasi t’ia keni mbyllë kopertinën e fundit? I tillë asht romani i autorit Primo Shllaku, titulli i të cilit jo rastësisht ndërtohet me tri P – “Pesha e Padurueshme e Pafajësisë”. Ky aliteracion na krijon nji bashkëtingëllim delikat, tue i ofrue lexuesit cilësi lirike që në titull. Kjo asht edhe nji tjetër dëshmi se kemi të bajmë me nji autor sqimatar, ku çdo bashkëtingëllore e zgjedhun me kujdes rezonon me thellësi poetike.

    Gjuha, gjetjet, qasja, skenat, personazhet, karakteret bindëse, marrëdhaniet emocionale, mënyra e të rrëfyemit, ndërtimi unik, dinamika, komploti tërheqës dhe ritmi i shkëlqyeshëm bajnë që ky roman të vlerësohet si kryevepër e autorit.

    Sot kur vlerat artistike letrare janë të shkërmoquna dhe kemi mungesë kritike të konsolidueme, asht për t’u përshëndetë guximi intelektual i autorit për me e sjellë nji roman të ndërtuem mbi katër shtylla – pafajësinë, lirinë, luftën dhe moralin – që mishnohen drejtpërdrejt me karakterin e individit. Pra, ky roman na e shpërfaq nji autor të mirëformuem, të mirinformuem e të mirëpozicionuem, siç asht Primo Shllaku. 

    Autori shkruen gegnisht, e megjithatë romani nuk asht i gjithi në këtë varietet gjuhësor. Tue synue nji kuadër të ngjyrosun edhe gjuhësisht, autori ka ndërtue edhe dialogë në dialektin toskë, me ç’rast bahet edhe vetëkarakterizimi i personazheve. Asht e qartë se autori këtë e ban me qëllim që të potencojë faktin se komunizmi ishte ideologji me mbështetje të gjanë në jug të Shqipnisë.

    Metadiskursi i përdorun e mban të angazhuem lexuesin gjatë gjithë kohës. Përpos gjuhës poetike, autori njihet edhe për fjalorin e pasun. Përmes konstruktit gjuhësor ai shmang metoniminë, tue na pru fjalë jo aq të rëndomta, si tipare gjuhësore të stilit vetjak: shkrythje; vjegësa; fojleta; bazhgarile; lodërtinë; krahishtonte; jerevi; vandakë; sheneshin; vërgjillta; bizute, e qinda tjera. 

    Skenat, që shtjellohen nga nji pozicion krejt i zakonshëm i nji djali hidraulik e fjalëpak, i vetësakrifikuem pavetëdijshëm në pafajësinë e tij, deri tek energjia shpërthyese e synit të vet, bajnë me kuptue se romani fillon pikërisht me të pazakonshmen. Autori ka ndërtue me saktësi skena të sinkronizueme me dialogje diakronike, nga ku edhe zbërthehet metafizika e romanit dhe doktrina e nji periudhe.

    “Vilja ishte e madhe dhe vjegësa e saj e trashë. Nji herë forma e saj iu duk si hartë, si harta kryeposhtë e nuk e di cilit vend, por ashtu iu duk, si hartë shteti”. (f. 9)

    Romani të ban me e ndie objektivitetin përballë subjektit dhe epokës. Në njenën anë janë vitet 1943-45, e në tjetrën përcaktimi i identitetit të nji brezi. Realisht, periudhë gjatë të cilës asht vuejtë kriza e identitetit. Në veçanti, ajo e identitetit individual. Dhe meqë autori ka nji dhunti të jashtëzakonshme në ndërtimin e personazheve, gjithë barrën e kësaj periudhe ia ngarkon mbi supe kryepersonazhit, Marinit.

    Marini, djalë krejt naiv, ndodhet përballë nji epoke të egër. Jo rastësisht, autori e ballafaqon moshën e tij (19 vjeç) me brutalitetin e kohës. Madje edhe profesioni i tij prej hidrauliku nuk asht përzgjedhë pa u shestue mirë.

    Nuk asht se autori ka përdorë elemente fantastike për ta krijue nji protagonist interesant, por me shumë takt, personazhin kryesor të romanit na e prezanton si nji hidraulik që ka nji fuqi të jashtëzakonshme të synit. Këtu nis intriga dhe tensioni. Këtu njiherësh nis edhe polemika direkte me lexuesin. Marini merr mësysh. Ai shiton. Nga këtu, jo pa dashje, Marini asht Marin Shita.

    “Ndjeu forcën e tij dhe ia tha vetes troç: ‘Unë e këpus vilen e rrushit me sy’”. (f. 12)

    Këtu fillon provokimi i pafajësisë së personazhit. Kjo asht nji nga gjetjet e autorit për me e mbajtë të zgjueme vigjilencën e lexuesit.

    Kjo ndodh me Marinin: rritet, burrnohet. Bie në dashuni (mbase me dy gra njiherësh), njena grue e emancipueme nga jugu i vendit, që për të parën herë e kishte ba me mendue edhe përtej gypave të ujit, dhe tjetra, zgjedhje (e zgjidhje) zakoni. Vihet përballë sprovave të çuditshme – arrestohet në ditën e fejesës, ban burg, lirohet, ballafaqohet me ish-të fejuemen dhe nis e merr vendime krejt të paparashikueshme, tue e vu në pah kapërcimin e vetvetes dhe tanë peshën e pafajësisë njikohësisht.

    “Marini asht nji personazh që ka ra në kurthën ekzistenciale të epokës së vet, asht ba objekt i nji loje mistike e globale, askund pyetjeve që ngren ai mbas kalimit të tij, autori nuk u jep përgjigje, sepse përgjigjja do të kishte randësi për vetë personazhin, e jo për ne që tashma dimë goxha për metonimitë e asaj epoke, si dhe për masat shtrënguese preventive ndaj lirive themelore të njeriut e të individit” thotë autoi Shllaku  në intervistën ‘Aventura e Pafund e Zbulimit Individual’ që bana me te për revistën letrare ILLZ.

    Mirë që autori nuk ka qëllue lakonik. Ngacmimi i imagjinatës së lexuesit dhe krijimi i nji atmosfere ankthi janë mjeshtria e tij. Autori britanik E.M Fortser, Marinin do ta quante ”personazh i rrumbullakët”, e kundërta e “nji personazhi të sheshtë” (ose dydimensional) i cili e mishnon “nji ide apo cilësi të vetme”. Ndërsa “nji personazh i rrumbullakët” sikurse Marin Shita, i përgjigjet ndryshimit: “asht në gjendje me befasue [lexuesin] në nji mënyrë bindëse”. Pra nji personazh i vetëm mundet me shërbye si fokus kryesor i romanit.

    Si protagonist, Marini zbulon, ka sekrete, bind, gabon, ban ndryshime, madje edhe josh.

    Sado që romani provokon edhe skena krejt të tërthorta erotizmi –“Ai e kapi me duert e tij të forta trupin e trumës… . Lidhja u dha dhe ai filloi ta zhdrivillonte trumën e randë prej gize, derisa ajo u lirue krejt dhe i peshoi mbi krah djaloshit” (f. 47) – prapseprap libri asht i privuem nga erosi.

    Me stilin e tij të qëndrueshëm, autori nuk ka sjellë detaje të thella erotizmi, por brydhtas asht ndalë vetëm te joshja si nji akt tundimi, ndikimi e magjepsje, duke ngjallë vetëm shpresë dhe dëshirë. Mbase, si personifikim të kohës dhe rrethanave, autori Marinin na e len veç platonik. Nji djalë që josh me pafajësinë e tij. “Kur Tatjana i kishte thanë haptas që të ngrente shikimin dhe ta shifte në sy, djali kishte pasë idenë se, po t’i çonte sytë dhe ta shifte pak, atëherë sytë e saj apo edhe sytë e tij do të thyheshin copa-copa”. (f. 58)

    Në thelb, në mënyrë paralele, në roman zhvillohen dy lloje konfliktesh. Njeni, i mbrendshmi, që ndodh mbrenda kokave të personazheve dhe tjetri, i jashtmi, që prek personazhet, por që njiherit ndodh jashtë kokave të tyne. Përmbysja shfaqet diku në mes të romanit. Takimi i parë i Marinit me detin e përmbys komplet pjesën e parë të romanit. Mbas këtij takimi, jeta e hidraulikut, personazhit me emnin Marin, ndahet në dy epoka. Kjo asht situata ma delikate ku autori ven në dukje metafizikën e qenies, si përpjekje për me krijue nji përshtatje të Marinit midis vetes dhe pjesës tjetër të realitetit. Për aq sa Marinit – sikurse edhe neve – i duhet të mishnojë orientimin ekzistencial në mënyrë që të ndërveprojë me mjedisin e rrethanat, ai përballet me nji urdhën të pavetëdijshëm nga brenda për me i dhanë kuptim asaj që po ndodh me te dhe me e përshtatë me veten, si pamje e qenies së tij. Në fakt, kjo përballje e përban krejt elementin metafizik të romanit.

    “Marini ishte mbushë plot me detin që e kishte pa për së pari atë ditë dhe po largohej nga bregdeti me idenë se deti kishte qenë i zemëruem dhe ai sa kot ishte hangër sysh me të. Por gjithsesi e hetonte brenda tij nji shqepje të diçkaje dhe nji si fillim të diçkaje tjetër.” (f. 133)

    “Bota po i tregonte Marinit diçka ma shumë nga vetja e saj dhe ai po ndjente interesin e tij të papërballueshëm për ta lanë mbrapa gjithçka që për te kishte qenë nji normalitet.” (f. 134)

    Asht e dukshme se situatat në roman janë vendosë kundër çdo rastësie po aq sa edhe personazhet. Ato kenë emocione të vërteta, janë në ankth dhe pasiguri të plotë.

    -Vidhe, vidhe!

    Zefi nuk u kishte besue veshëve.

    -Si thatë, atë i shenjtë? – kishte shqiptue me çudi të thellë Zefi.

    -Po, po, atë që ndigjove…

    Zefi po e kqyrte priftin si i çakërdisun.

    -Vidhe dhe qetësohu… Përfundishmisht… (f. 244)

    Ky dialog tronditës në roman ndërthur nji filozofi sa biblike aq edhe kafkiane, e megjithatë, veçan dyjave, duket se prej tij buron edhe nji e tretë – ajo e autorit.

    Ndonëse në letërsi tema e pafajësisë shpesh shfrytëzohet si mënyrë me e nxjerrë në pah humbjen e fëminisë, te romani “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, tue iu shmangë me shumë delikatesë emnave e termave, pafajësia portretizohet me figurën e Krishtit. Vlerat e palëkunduna morale të tij theksojnë qartë idenë e pafajësisë, petk që fillimisht i asht mveshë Marinit. Krishtenimi vendos theks të veçantë në konceptin e pafajësisë, i cili asht i lidhun ngusht me idenë e mëkatit.

    Dhe nëse në njenën anë Kafka thotë: Filloni me ate që asht e drejtë dhe jo me ate që asht e pranueshme, në anën tjetër, autori Shllaku thotë: Vidhe dhe qetësohu… Përfundishmisht…

    Me këtë rast, filozofia mbi të cilën autori e ndërton romanin e angazhon lexuesin në nji sentencë që nxit në reflektim ose që çon në njifarë depërtimi a ndriçimi. Në të njejtën kohë, ka situata që edhe nxisin polemika me te. 

    Narrativa e romanit provokon. Situatat e krijueme brenda treqind e katër faqeve, personazhet intriguese si Tatjana e Batoja ose edhe mefistofelikë e cinikë si Zef Vetima, me të cilin Marini njihet gjatë qëndrimit në burg, nxitin diskutime të zhvillueme përmes nji lente filozofike.

    Filozofia e autorit te “Pesha e padurueshme e pafajësisë” na ban me kuptue se liria dhe pafajësia nuk shkojnë bashkë. Liria e mendimit, mandej edhe ajo e veprimit, fitohen vetëm tue e lanë anash pafajësinë.

    “Unë e shof, – i kishte thanë prifti me njifarë kthejlltësie, – se ti nuk ke gja me Manolin. Ti ke problem, ti nuk duroke pafajësinë tande djalosh…” (f. 243)

    I bazuem në idetë e absurdit dhe ekzistencializmit, romani direkt provokon moralin. Metafora e tjetërsimit të individit koincidon me “Metamorfozën” e Kafkës. Po kështu i shpreh ankthet shqetësuese ekzistenciale të ekzistencës tonë dhe të botës në të cilën prap jetojmë kaq paparashikueshëm ne edhe autori i romanit në fjalë, Primo Shllaku.

    Në kërkim të nji tjetër lirie ose të ridemsionimit të lirisë së tij, Marini thyen rregullat e moralit bashkë me frikën.

    Mbasi me sy e kishte rrëzue vilen e rrushit, e kishte praptue kalin e oficerit bashkë me te, e kishte ba copë-copë pasqyrën në burg, e kishte ndrydhë iluzionin për Tatjanën dhe, mbasi ishte përballë edhe me ish të fejuemen, gjendja prej shtatzane e të cilës përgjithnji e kishte tëhuejtë dhe e kishte ndihmue me i nda mendimet, Marini niset drejt kryeqytetit me e rrëzue edhe diktatorin.

    Marinin e kishte tjetërsue pafajësia e vet.

    Kjo asht intriga e fundit që autori ua ban lexuesve. E nis Marinin për në kryeqytet, (mbase edhe me e takue Tatjanën!) dhe këtu e mbaron rrëfimin. Pjesa tjetër i mbetet imagjinatës së lexuesit.

    Sikurse “Lehtësia e papërballueshme e të qenit” e Milan Kunderës, tashma edhe “Pesha e padurueshme e pafajësisë”, tue e sfidue konceptin e përsëritjes dhe virtytin njerëzor, i vendosin këto përballë vlerave të lirisë, tue na ba me kuptue se që të dy, në formë të njejtë, kanë guxue me e sfidue filozofinë niçiane.

    “Pesha e padurueshme e pafajësisë” asht nji roman provokues dhe thellë i menduem, i cili gjatë leximit të ban me u përfshi drejtpërdrejt me filozofinë. Prandaj edhe na le shijen e një romani të përqendruem qartë në filozofi.

    28 mars 2024, Prishtinë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË