Kreu Letërsi Shënime mbi libra Vladimir Muça: Dimensionet metaforike të një romani

Vladimir Muça: Dimensionet metaforike të një romani

Vëzhgime kritike mbi romanin e Mira Meksit “Puthja e Amazonës”

“Lumturia u përket atyre që mjaftojnë vetëveten”

Aristoteli

1. DIJE MITIKO-LIRIKE ME NJË STRUKTURË TË NGJESHUR

I ndjellë nga disa kapituj të botuar në gazetën letrare “ExLibris”, në panairin e librit në Durrës 2022, ngulmova të gjeja nëpër stenda romanin e Mira Meksit “Puthja e Amazonës”. Me një ballinë intriguese, më së fundi e gjeta kopjen e fundit tek stenda “Onufri”, një institucion botues i cili qëmton në shtapën e tij kulturore, vlerat nga më të mirat kombëtare e ndërkombëtare.

Që në leximin e parë telegrafik, romani të josh me trillin fantastik e fantazinë, magjistrinë që rrjedh nëpër faqet e librit nga një varëse kamé e lashtë sa vetë etnia pellazge, nga ku si një përrua malor, rrjedh jetësimi mitologjiko-ilir, më një strukturë të ngjeshur romaneske.

Një stil i veçantë, do të thoja hispanik, me aranzhimin e figurave të shumta, në mbartësi me njëra-tjetrën, në një unison artistik. Vokabolari i përzgjedhur, pasurimi i fjalorit me neologjizma, fjalë të përbëra, plot harmoni dhe detaje të goditura përmes një loje të mitikës dhe të tashmes, ku lexuesi zbavitet dhe përfiton dije mitiko-historike, të sociologjisë së vet etnike, në substanca të ndryshme kohore.

Lexuesi rrugëton me personazhet, mes një atraksioni të një dramaciteti liriko-tragjik, mes jetës e vdekjes, mes reales e surreales, duke eksploruar ndërlidhjet mes dy botëve. Përmes detajeve jetësorë, autorja dyalizon këto dy botë, njërën të nxjerrë nga zhguni mitik, tjetrën përftuar nga përjetimet dhe trilli romanesk.

Meksi loz bukur, me mençuri artistike, me këto dy botë, sa reale aq edhe mitike, fantastike, herë-herë edhe misterioze.

Në leximin e dytë, me pasionin që më ushqen romani “Puthja e Amazonës”, siç e kam bërë zakon në shumë libra, ngulmova me laps në dorë, anë fletëve të përqas disa dukuri të cilat i sillte ky roman, me arkeologjinë e tij letrare, në “drejtimin e ri letrar”, në kulturën e botës shqiptare të letrave.

Rrëfimi romanor, duke shtjelluar përmes një drame lirike, dashurinë e Teutës- Glaukia dhe Skerdit-Amorgesit, rrit dukshëm valencat e një kontradite shpirtërore, në absurdin moral të mosmbajtjes të betimit biblik, në shenjtërinë e një lidhjeje shpirtërore. Një përplasje e tërë ndjesishë dhe vizionesh, që nga zhgënjimi për dashurinë e premtuar, dëshpërimi, ulëritja shpirtërore, si në fundin e një bote ku covidi dhe indet patogjene, kanë mbërthyer si në një humbellë, dashurinë në tërë kompleksitetin e saj.

Në këtë betejë për jetën është Alefi dhe Kaméa me gurin e Agatës, të trashëguar brez pas brezi, si një diell jete, që vjen nga thellësia e shekujve, me kumtin e tyre jetësor, si realitete në themel të jetësimit njerëzor.

Dyaliteti Glaukia-Teuta dhe Amarges-Skerdi, do jenë filli me të cilin do thuret tunika romanore e “Puthja e Amazonës” ku “Harku i mbijetesës” do jetë vegla çudibërëse që artikulon dramacitetin liriko-tragjik.

Ky dyalitet do të hapërojë nëpër rrëfimin romanesk përmes një britme të zëshme shpirtërore, e cila në absurdin e sotëm të shpërbërjes së familjes nga epidemia e divorceve, britmon të çlirohet, të pastrohet nga vuajtjet dhe mëkatet që i ka sjellë ky absurditet shoqëror, të çlirohet nga frika e një nënshtrimi moral e shpirtëror për hir të ndjesive të larta dashurore.

Mira Meksi, përmes një fluide ankthi, rrëqethjeje të Glaukias për në malet e Kolkidasve, në kërkim të Amorgesit, në një udhëtim të pafund, sa real aq edhe irreal, në mitikën e saj, mes jetësimit dhe vdektarisë të dhuntimit trupor, gjen ndjesitë dhe emocionet më të larta njerëzore, ku dashuria e çiltërt, e thellë shpirtërore “nuk vdes, por vret”.

Gjithçka njehsohet me sentencën shekspiriane “të rrosh a të mos rrosh, kjo është çështja”. Rreth këtij qerthulli në filozofinë e jetës, endet Teuta në sallën e operacionit të klinikës “Saint Jean de Djer” të Parisit, nën efektin e narkozës, mes një bote mitike të përngjashme me të sajën, portat e së cilës i hapen nën dritësirën e gurit të Agatës, nën harkun e mbijetesës.

2. UNIFIKIM I ARTIT ROMANOR ME ARTIN POETIK

Qasja e letërsisë së sotme është drejt një unifikimi me artin poetik, si aftësi për të krijuar diçka më ndjenjësore, një buranë më inkandeshente, e cila buron nga subkoshienca njerëzore, duke strukturuar gjithçka universale jashtë unit tonë.

Qasja poetike nënkupton që krahas përzgjedhjes së gjuhës, mbarështrimit estetik të figuracionit dhe të një komunikimi me lexuesin, përmes një vokabolari, sa autentik, aq dhe të përveçëm në arealin përjetues.

Në artin shkrimor, duke folur me disa tipa njerëzorë, në mënyrë që në përbashkësi, arrijmë të krijojmë një prototip artistik, duke perceptuar diçka thelbësore mbi atë metafizike, duke arritur në një përceptim të plotësuar artistik: se gjithçka përbën letërsi, gjithçka mund të ketë frymë poetike, se sipas Aristotelit, veprimi poetik është gjithmonë veprim aktiv. Si sugjerim i një aranzhimi të tillë konkludon esteti i antikitetit: “Lumturia i përket atyre që mjaftojnë vetëveten”.

Në romanin “Puthja e Amazonës” lexuesi ndjehet këndshëm me pasazhet e një ligjërimi poetik. Gjithçka e stisur artistikisht, vjen si një dukuri e romanit modern, si një instrument gjuhësor, vegla e të cilit qëndron si një solfezh brenda rrëfimit, në rolin e një “organizmi” dytësorë, si një nëntekst në të gjithë vokabolarin autorial.

Hera herës, kjo gjuhë e zgjedhur poetike, ngrihet mbi çdo kompleksitet elementësh artistikë, siç janë metaforat, simboli, parabola, paralelizmi  figurativ. Kjo bën që gjuha e romanit të jetë e ngritur mbi kapriatat e një figuracioni kompleks, shumëfunksional, të cilat në përmbajtje të rrëfimit përmbajnë në bërthamë gjuhën natyrale të përpunuar artistikisht.

Ky vokabolar i mbarështruar në rrëfimtarinë e romanit, në thelb është një risi e modernitetit bashkëkohor, mbështetur fortas në traditën e krijuar në fillimet letrare të shekullit 20-të, si një model artistik globalistik.

Nga kjo madhështi e të thjeshtës prozatore, duke maturuar fenomenet e kumtet njerëzore gjer në detaje, del në pah dhe natyra e një drejtimi të ri letrar në të shprehurit hispanik: shkurt, thjesht mendimet në një vepër letrare.

Në këto koncepte, letërsia vjen para lexuesit dhe si një lojë e këndshme jetësore, ku lexuesi ndjen përjetime, kënaqësi shpirtërore, mbushet me aroma ndjenjash.

Në këtë aspekt, duke lexuar pasazhe të tilla si nocione të shumëfishta metaforike ku: “Aulosi heshti, sepse nga disku i hënës zunë të rridhnin gjer poshtë tinguj të argjendtë harpe, që ndillnin paqe shpirti” “gjersa një llavë vullkani shpërtheu fuqishëm nga vetja, duke përmbytur të dy pa shpëtim, duke e rrokullisur honeve pa emër të dëshirës”.

Gjithçka vlerëson, jo vetëm mjeshtrinë artistike, teknikën narrative të shkrimtares Mira Meksi, por edhe subjektivitetin, mesazhet në të cilat lexuesi inspiron për një substanciale të dëshiruar shoqërore. Në këtë mënyrë, përmes një dramaciteti liriko-tragjik, romani i kryen më së miri funksionet  qëllimore, duke paraprirë zhvillimet shoqërore në kompleksitetin familjar, duke e shtrirë si një paradigmë të vetme funksionin dobiprurës dhe kënaqësinë e ndjesive, si bashkë ekzistencë.

3. PSIKO-TERAPEUTIKA E EKZISTENCIALIZMIT NË ROMAN

Romani “Puthja e Amazonës” në “drejtimin e ri letrar”, me inteligjencë, sjell përvoja dhe dije gjeneratore, në lidhje me “zgjimin”, shpirtëzimin e miteve dhe të legjendave, me autoktoninë e tyre. Autorja bën që ato të flasin në mënyrë drejtimore mbi kumte njerëzorë, në kontekste të problemeve të reja shoqërore, drejt për drejt, duke pikasur në thelbin e tyre. Ndaj ky gjenerim shoqëror romani, reflekton një varg misionesh në shoqëri, duke shërbyer me qëllimin e formimit estetik, edukativ, shoqëror, qoftë në sensin pozitivist, qoftë në kuptimin negativist.

Si të gjithë letërsitë avangardë bashkëkohore, edhe këtë roman, me të drejtën time, mund ta quaj, si një njohje e një kumti sa të vjetër mitik, aq të ri në absurdin e sotëm jetësor, ku “dashuria kur nuk vdes, vret”.

Ekzistencializmi pas braktisjes së Teutës nga Skerdi, si shkak i shfaqjes së sëmundjes, përkundër tkurrjes, merr gjenerim më të fortë shpirtërorë ku retorika : “A është luftë kjo? – Nëse është luftë kundër sëmundjes, kundër vdekjes, atëherë gjymtimet në këtë luftë janë krenari”.

Si deduksion psiko-analitik, shfaqet një ekzistencializëm i cili merr rëndesë përmes një psiko-terapeutike. Në këtë aspekt jetësor, duke letrarizuar konceptet frojdiste nën frymën Jung-ut dhe Lakant-it, autorja gjen fillin e mbijetesës ku Teuta: “Të dëgjonte fjalët e tij të ngrohta, paskëtaj t’i qetohej zemra, të kremtonin jetën dhe dashurinë, të ulërinin në kupë të qiellit: “Në djall sëmundja dhe gjymtimi! Rroftë jeta”!

Në nëntekst, autorja me dukuritë metaforike, fsheh në diskursin e saj letrar, një sentencë gjeniale, mbi jetën dhe familjen të Viktor Hygoit ku: “Mjerë ai që ka dashur vetëm frymën,  trupin dhe pamjen, vdekja ia rrëmben të gjitha. Dashuroni shpirtin se do ta rigjeni”.

Teuta e gjen këtë forcë dashurie tek clochardët, në kohën kur ata kishin marrë arratinë, si në birat e dheut nga mortja covid. Ajo (Teuta) “U krodh sërishmi në filmim e Hitchcock-ut, si në një realitet që tani ia kish huajtur Zoti, dhe vijoi lehtësisht vozitjen si një fluturim përmes tij, duke mos ja ndarë vështrimin që sipër taksisë së saj e cila udhëtonte rrugëve, shesheve dhe bulevardeve hënorë të Parisit”.

Një ekzistencializëm i qëmtuar artistikisht, përmes një kinematike të Hitchock-ut e cila përqas lexuesin drejt një dramaciteti të egër shoëqror.

Paralelizmat figurativë, përdorur artistikisht si kundravers i gjendjes shpirtërore, në psiko-analizë, mpleksin historinë e tashme me mitikën, legjendaren, duke e rigjallëruar atë me ndjesitë njerëzore, duke e “ushqyer”prozën romanore me impute artistike.

4. KUR MITIKA NË SUBSTANCËN E SAJ PRESUPOZON REALITETE HISTORIKE

Metafora, herë si një shtjellë që vjen nga Andromedat e shekujve, dhe herë si një rrymim artistik, rrugëton në kapitujt e romanit duke shpërvjelë nëpër to dramacitete lirike. Kjo është një nga gjetjet më të bukura të autores, në arkeologjinë e saj letrare. Metafora është ai madem artistik, i cili i ka dhënë bukurinë e fiksionit rrëfimit romanor. Roli dhe konceptimi i tyre në lëmin realisto-ekzistencial, merr një rëndesë të fuqishme në funksionin artistik, si një lëvizje njerëzore në kontekste të ndryshme kohore e shoqëore. Gjithçka përmes ringjalljes mitike, metafora vjen herë përmes një rrëfimi të thjesht jetësor dhe herë e veshur me tunikën poetike. Poetika e ndërthurur me këto kontekste vjen si risi e prozës moderne, e ngjeshur me një stilizim, veshur me lloje figuracionesh.

Në këtë konceptim metaforik, romani i vjen lexuesit me dukuritë e një stacioni mitiko-historik, në plazmën e të cilit dritëson Kamea me gurin e Agatës ku: gjithçka e trashëguar që nga mitika, nëpërmjet Alefit, ka ardhë në historinë e këtij vendi, definon autorja përmes El Grekos (tatuazhist) “si një mesazh mistik, fetar, magjik, një lloj armature mbrojtëse fizike dhe shpirtërore”.

Këtë ekzistencializëm tradishent, Mira Meksi e sjell që nga mitika, stërgjyshja, gjyshja, përmes medalionit të Alefit, si një trashëgimi e një kulture të lashtë Pellazgo-Ilire, e cila ruan me fanatizëm etno-kulturën brez pas brezi. Suporti rrëfimor, me sentenca të tilla si: “Merreni, hajeni, ky është trupi im! Merreni pijeni, ky është gjaku im!” të përftuara nga librat e shenjtë, të cilat janë burimi i zanafillës së artit shkrimor, janë majaja e brumëzimit romenesk, ia shtojnë hiret tregimtare romanit.

Mitet e sjella në kontekste të reja kohore, me gjenerimin e tyre artistik, vijnë si një dukuri e feminilitetit pentesilian, brenda së cilës fshihet një botë magjike, ku dhe në çastet më tragjike: “Në çastin kur shpata e Akilit hyri në krahërorin e bardhë të Pentesileas, Zotat mbajtën frymën. Afërdita doli vrik në breg që nga shkuma e detit dhe e padukshme për vdekatorët, nisi të afrohej. Po ato çaste dora e heroit nisi të dridhej; zemra përdesh i doli nga gjoksi dhe sytë iu verbuan nga bukuria e pashoqe e mbretëreshës së amazonave që po jepte shpirt”.

Me poliedrikën e saj, Mira Meksi me arkeologjinë letrare që i bën mitikës, depërton në mikrokozmosin shoqëror, duke “vjelur” nga andej gjithçka të trashëguar Pellazgo-Ilire. E natyralizon mitikën me anë të metaforës dhe të simbolit, duke u rrekur të na sjellë nga kjo thellësi shekullore, ide të bekuara të cilat mëkohen nën zhgunin e shekujve të etnisë, e cila u ka dhënë frymë dhe jetë miteve dhe legjendave :” –Legjendat thonë se burimi i gjakut tonë, përpara se të përzihej me atë të Hyut Ares, kanë qenë Pellazgoit”. “ – Harku i mbijetesës gjer në pafundësi të kohrave – Është mbijetesa e gjakut tonë, kohrave që do të vijnë- plotësoi Otrere, gjyshja e Glaukias, nëna e Pentesileas”.

Në këto koncepte estetike, moderniteti borgesian e ai kafkian, përbashkohen me mitin e legjendat rrjedhshëm, pa palimpsestet e stilizimit modern, duke ardhë në kontekste të reja kohore si pjesë e zhvillimit kulturor, historik e social.

Nga një përqasje e tillë estetike vjen dhe një dukuri e romanit, siç është trajtimi artistik i fiksionit dhe i realitetit përjetues, si një surreale drejt një realiteti të dëshiruar, si në aspektin metafizik dhe të botës shpirtërore.

Shembulli më bindës është se në ato çaste nga më të vështirat jetike, Teuta (Glaukia) me atë Alef: “ U ndje e fortë. Gjeti kthjelltësinë e mendjes, njohu shëmbëlltyrën e saj të tretur në muzgun e mijëra viteve të shkuara”.

Në funksion të plotë artistik, autorja si një suport, sjell pasazhin mitologjik, ku shpata e Akilit (bisturia e kirurgut) hyri në krahërorin e Pentesileas (gjirin e Teutës). Dyluftimi për jetën kish filluar si dikur. Akili në zjarrin e betejës nuk kish patur sy të shihte krijesën e madhërishme Amazonë me trupin e mbuluar me tatuazhin magjik ku: “…një vrujim përvëlonjës gjaku shpërthen nga kraharori i Pentesileas, duke përmbytur të dy luftëtarët, me një llavë dashurie vdekjeprurëse”.

Burimoren këto potenciale krijuese e kanë në kurajon hulumtuese, evidentimin e të vërtetave historike, përmes zgjimit të kujtesave etnike, ku një element i së vërtetës e kanonizuar, mund të gllabërojë tërë mistën e saj.

Gjithçka në roman vjen si një ftillizim i të vërtetave, ku përmes tyre, Meksi evidenton se historia e vërtetë ngandonjëherë sfumohet dhe humb; por asgjë nuk humb, çdo gjë transformohet në artefakt në Kimean me gurin e Agatës, i cili ruan me gjuhësinë e kohës gjithçka nga ai dramacitet Pellazgoi- Iliro-historik, sepse siç na mësojnë ligjet e dialektikës, asgjë s’humbet, por çdo gjë transformohet.

Legjenda, miti presupozojnë në substancën e tyre të vërteta historike, duke u bërë vetë një realitet historik. Jo më kot, si një meteor, nëpër rrymimin prozator, Kimea me anë të gurit të Agatës dhe harkut mbijetesës, vijnë si metafizikë e palcës së etnisë së këtyre miteve e legjendave.

Nga analizat e arkeologjisë letrare, ardhja e tyre vjen e përputhur me ADN-në e sotme historike. Unë mendoj se ky është edhe mesazhi, qëllimi, misioni që i ka vënë vetes shkrimtarja Mira Meksi në nocionin atdhetar.

Autorja me “zhbirimet” mendimore nxjerr në pah ekstratet përfaqësuese të etnisë pellazgo-ilire, ku gjallon historia me të vërtetat e saja, në të cilat sot, në analet divulgative, për fat të keq, vakumet historike e mjegulluan në Andromedat pagane.

Me devotshmërinë e një ngulmimi letrar, krahasueshmërinë dhe sinonimitetin që autorja i bën ngjarjeve dhe fenomeneve përmes metafizikës, është një “instrument”, jo vetëm bindës por dhe shkencërisht i pranueshëm ku: “…shoh një lloj shkrimi” – thashë kur pikasa nën këmbët e Pentasileas dhe Akilit germa si kokrrizat e rërës”.

-Po, – u përgjigj El Greko, – kam përshtypjen se është një kumt i shkruar në gjuhën trako-ilire”, definon bindshëm autorja si sintezë të vetme të një gjuhe të trashëguar nër shekuj, ku gjer në shekujt 18-19, në të ashtuquajturën Republika e Moresë (Peloponezi i sotëm) gjuhë zyrtare ishte gjuha ilirishte.

Trilli i të qëmtuarit të miteve dhe legjendës, detajet e jetësimit në kontekst të ri kohor e personazheve, hipotekohen në arshivën romaneske, përmes artit shkrimor në një mënyrë të atillë saqë e kalon cakun e pabesueshmërisë, jetësohen në substanciale të re kohore, duke u zhveshur nga zhguni i përfaqësimit mitik, duke vendosur një detantë midis letërsisë së mirëfilltë dhe kronikave, të trioruara në laboratorin mendimor.

5. GJUHA FOSILE E ARKIFAKTEVE NË ROMAN

Me mjeshtrinë e narracionit, përmes skrupolozitetit të përfolur nga komunikimi letrar globalist, përmes t’hollimit të palimpsesteve mitike legjendare, autorja zbërthen në produkte letrare nënkuptimin e fosilizuar, duke bërë të kuptueshme për lexuesin gjuhën e tyre, heshtjen shekullore të kanonizuar në art.

Në artin e saj romanesk, ajo flet shumë përmes gjuhës fosile, për kulturën, artin, gjenezën e etnisë ne raporte ndëretnike.

Kriptologjia romaneske, me fiksionin e saj, me anë të lojëcakërisë rrëfimore, veçori e Meksit në këtë roman, sjell hapësira nga një e kaluar e largët e Glaukias dhe Amorgesit, në një të tashme të përjetuar të Teutës dhe Skerdit, duke përqasur një irrealitet, në realitete absurde, duke i zhvendosur ata nga papajtueshmëria ndaj njëri-tjetrit. Realja dhe irrealja në këtë papajtueshmëri, krijojnë një simbiozë sa mitike, aq edhe bashkëkohore.

Mira Meksi, kjo arkeologe letrare, do e bënte paradigmë romaneske kumtin referencial, “ah ku brezi i ri” duke ngulmuar me sprovën e lartësuar të një letërsie me sharm botëror, duke shpjeguar në psiko-analitikë, rregullsinë që ndjekin popujt me autentiken e tyre në të gjitha kohërat.

Sipas mendimit estetik të Mira Meksit, në roman ekziston një lidhje e përhershme midis mitikës , epit të shkruar dhe atij të kahmotshëm gojor, me kohën tonë dhe shkencën humane të letrave. Të gjithë në përmbajtësi, vijnë si palcë e artit shkrimor.

Duke u mbështetur në saktësinë e origjinës, autorja përjashton mundësinë e çdo lloj plagjiature në kuadrin botëror, shpreh autentikën bio-shqiptare, duke ruajtur me fanatizëm personalitetin si krijuese.

Në këtë roman, si në romanet “Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë”, “E kuqja e dasmave”, “Profida ballo në Versajë”, “Frosina e Janinës”, aplikimi i artit të krijimit për Meksin nuk vjen me boshllëqe, me fragmentarizime si në artin mitik apo gojor. Duke sjellë në këtë krijim romanesk përvojat botërore dhe ato autentike gojore, proza vjen e artikuluar përmes një moderniteti bashkëkohor.

Në kompleksin psiko-analitik, në terapeutikën e saj, autorja merr ato detaje jete të cilat kushtëzohen nga kumte njerëzorë; ndaj përgjithësisht romani në planin epiko-mitik, e sjell historinë në sensin e një dramaciteti liriko-tragjik, me lëndën e trioruar në laboratorin mendimor, me përgjithësim artistik.

Këto elemente vijnë të ndërlidhura, duke reflektuar dhuntinë e ndodhur brenda tyre. Në këtë kompleksitet, futja e personazheve historikë dhe e vendeve me begraund të plotë historiko-shoqëror e artistik, ia ka shtuar dukshëm vlerat romanit si dhe rrit kërshërinë e lexuesit, duke e futur në mendime, siç është historia e bërjes së tatuazhit të Teutës, të cilët vijnë si një dukuri e veçantë, në estetikën e saj rrëfimore.

Një fjalor i tërë mitologjik rrymon në prozatorinë romaneske i veshur me tunikën e kohës së sotme, më njerëzore, më e shpirtëzuar.

Ky shtjellim i mitikës në realitetet e sotme jetësore, me personazhe jo të ngurtësuara në mermer, siç jemi mësuar t’i shihnim, por të dyalizuara, të njëhsuara me personazhe të sotme realë, duke shmangur disi boshtin legjendar, e ka bërë ndodhinë mitike, më jetësore në substancën e sotme kohore duke binjakëzuar personazhet Teuta-Glaukia dhe Skerdi –Amorges.

Gjuha që përdorin këto personazhe nuk vjen e referencuar në arealin përjetues të kohërave, por me polifoninë e saj, ajo del këndshëm nga harpa dhe timpanet e shpirtit, me emocionin që përcjell përmes ndjesive të aromave shpirtërore.

Çdo ngacmim përjetues nga areali, i çojnë personazhet në shpalimin e diksionit shpirtëror, ku përjetimi është magjeja ku brumëzohet ky atraksion shpirtëror, duke na dhënë portretin e gdhendur të shpirtit si një Alef.

Nëntor-dhjetor 2022

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Dr. Elsa Skënderi: Diskursi dashuror i Zejnullah Rrahmanit në veprën “Deti i Zi”

Libri “Deti i Zi”, i Z. Rrahmanit është një ndër shfaqjet më të epërme të diskursit të dashurisë në letërsinë shqipe. Diskursi...

Ermira Godo: “Shekspiri” u shkrua nga Hygoi në mërgim kurse në shqip u përkthye në internim nga Abdulla Rami

Më 29 janar përkujtohet 50 vjetori i vdekjes së Abdulla Ramit. Një bisedë me mbesën e tij, Ermira Xhomaqi...

Luran Osmani, autori i grafikës: Në një çast meditimi te shtatorja e Skënderbeut në Shkup, lindi kjo grafikë

Bisedoi Nurie Emrullai Artisti ka rol kyç në shoqëri sepse atij i duhet të mbajë gjallë kujtesën historike. Përcjellja...

Kosta Nake: Drama lindore e miqësisë perandorake

(Ismail Kadare, “Sorkadhet e trembura”, Synops për një tjetër art, Vepra 20, f.517) Fati i grave të ish-kampit...

KATEGORITË