More
    KreuLetërsiBotime të rejaUran Butka: Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit

    Uran Butka: Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit

    “Një letër (përmbajtjen e së cilës, duhet jo vetëm ta ndjejmë, akoma

    ta shijojmë) për mua është një luks, një dëfrim i mendjes dhe luksi

    do nge, do qetësi, do një atmosferë të paturbulluar. Luksi i nxituar,

    degjeneron në grotesk. Shkoni dhe shihni qytetin amerikan Alantic

    City, ku harbutësia e një luksi të shpejtë e bën një kontrast aq të madh me bukuritë evropiane të shekullit XVII-XVIII”

    Mid’hat Frashëri

    Letërkëmbimi i Mid’hat Frashërit përbën kurorën e meditimit, të veprimtarisë shkrimore dhe krijimtarisë  së tij: aty shfaqen idetë e reja iluministe të tij në çdo fushë të jetës e të mendimit, sfidat dhe vendimmarrja e tij  në ngjarjet kyçe të historisë së kombit, shqiptarizmi si platformë dhe veprim, përpjekjet titanike në mbrojtje të çështjes shqiptare në krizë, këmbëgulja e palodhur për zgjidhjen më pozitive të saj, humanizmi dhe  evropianizmi si frymë e model, diplomacia si mjeshtëri dhe art, debati me argumente dhe logjikë të pakundërshtueshme, elokuenca dhe sjellja fisnike, bashkëbisedimi dhe polemikat me personalitete të shquara historike shqiptare e të huaja, përfshirë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra, kryetarë forumesh kombëtarë e ndërkombëtarë,  bashkëpunimi e bashkimi kombëtar, haxhiqamilizmi shqiptar, rreziku komunist, lufta për shtet ligjor dhe demokraci, miqësia dhe dashuria, por edhe kritika ekzistenciale,  largpamësia, kultura sipërore, informacioni i gjerë dhe sensi zyrtar, por edhe intim dhe artistik i këtij letërkëmbimi.

    Tre janë kulmet e kësaj pasurie epistolare: koha kur ishte anëtar dhe kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris dhe në Lidhen e kombeve në Gjenevë në mbrojtje të identitetit dhe tërësisë teritoriale të Shqipërisë përkunder politikave pushtuese serbe, greke dhe italiane, por edhe kundër politikave imperialiste të Fuqive të Mëdha shpesh në  mbështetje të tyre, si edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare të Kosovës dhe të Shqipërisë jug-lindore të okupuara padrejtësisht dhe të persekutuara deri në asgjësim;  letërkëmbimi  kur ishte ambasador i Shqipërisë në Greqi, ku mbrojti si askush tjetër çështjen çame, duke u përballur me politikat antishqiptare dhe antinjerëzore të helenizmit për shpernguljen barbare dhe shpronësimin e popullsisë shqiptare nga trojet e tyre në vitet 1923-1925; dhe letërkëmbimi erotik, që zgjati thuajse gjithë jetën, ashtu siç zgjati edhe dashuria e tij.

    Dashuria e Mid’hat Frashërit ishte shpuzë e amëshuar, e mbuluar me hirin e jetës. Ai i caklon dhe i shpupurit me penën-pupël gacat, që vagëllojnë në një dritë të gjelbër dhe i derdh me mjeshtëri dhe art në letrat e tij. Dashuria e tij është e çiltër, e vetvetishme, e magjishme, emocionale. Ai e ka provuar atë me pasion më tepër se një herë, si njeri i lirë dhe i kulturuar, atë ndjesi të brendshme të patjetërsueshme njerëzore, atë prush që djeg e shqerr, si një dritë dhe terr, si shend e vuajtje, si poezi e si dramë, si  forcë njerëzore që e çliron dhe e ndryshon botën.

    “Dashuria, shkruan ai, është kondita e jetës. Po të mos ekzistojë ajo, shkatërrohet lidhka në mes të gjymtyrëve të njeriut, familjes dhe njerëzisë, zhduket shija e gjallërisë dhe e jetës. Pa dashuri s’ka enthuziazëm, s’ka shpresë, nuk kryhet asnjë vepër. Enthuziazmi dhe shpresa, bijat e dashurisë së sinqertë  dhe të thellë, duhet të jenë si ata trëndafilë mëngjesi, që çelin çdo ditë të rinj, si ato lulet, që mbyllen natën, por hapen  nën rrezet e para të diellit

    Letrat e dashurisë mes  intelektuales rumune Angela Romano dhe Mid’hatit zgjasin e dokumentohen për 24 vjet me radhë, pak më tepër se letrat e dashurisë mes Balzakut dhe Princeshës Hanska, por edhe me një pathos të papërshkruar. 

     Pyetjes: Pse nuk u martua kurrë Mid’hat Frashëri, i japin përgjigje letrat e tij dhe të dashurave të tij. 

    E zhuritur  nga malli dhe largësia, Angela Romano e grish në Bukuresht të dashurin e saj, ku i kishte të gjitha komoditetet që të jetonin së bashku “me idhullin e saj, shpesën e  saj të parealizueshme”, siç shprehet ajo në letër. Por Mid’hati zgjedh  midis Angelës dhe Shqipërisë, këtë të dytën dhe ajo ia kthen: “Jam e lumtur për ty dhe për vendin tënd”.

     Mid’hati i përgjigjet së dashurës Emma: ”Ti e di sëmundjen morale nga e cila unë vuaj, ajo mani për t’i analizuar gjërat, ajo ngasje për të gërmuar përherë në thellësi të tyre, duke dashur të shoh larg, ta konsideroj shumë shpesh të tashmen si preokupim të së ardhmes. Një martesë, për mua është e pamundur dhe jam i sigurt se nuk do ta bëja kurrsesi të lumtur”. Në letrën drejtuar Elsës, Mid’hati shkruante: “Të dua të lumtur, Elsa. Po luftoj midis zemrës dhe arsyes, midis dashurisë dhe detyrës, pikërisht në emër të kësaj dashurie”. Elsa: “Mbase është një marrëzi e madhe dashuria ime për ty, që e do aq shumë lirinë, të udhëtosh, t’i biesh botës qark, tek do ndryshimin, jetën pa halle, pa telashe”.  

    Mid’hati ishte një qytetar  i lirë evropian, ndaj përpiqej jo pa dilemma, që pasioni dhe jeta familjare  të mos ia  pengonin  dashurinë e madhe  ndaj atdheut dhe detyrën ndaj  çështjës kombëtare, si edhe të mos lëndonin njerëzit e dashur.

    Mid’hati pati një letërkëmbim të pazakontë, nga përmbajtja e thuktë, por edhe nga shumësia e letrave, që arrijnë në mijëra e mijëra. Të habit fakti që ku e ka gjetur kohën të shkruajë letra pa fund, kur ka pasur një veprimtari tejet intensive atdhetare, politike, diplomatike, pedagogjike, kulturore, studimore, albanologjike, kritike, botuese, letrare, memoriale, bibliografike dhe përshkrime udhëtimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë.

     Ai ka shkruar dhe këmbyer letra nga nevoja e kohës, me personalitete, por edhe njerëz të thjeshtë të botës shqiptare si Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Mehmet Konica, Kristo Luarasi, Gaetano Petrota, Dr. I.Temo, Dr. M. Turtulli, Fan Noli, Sulejman Delvina, Shtjefën Gjeçovi, Gjergj Fishta, Gjergj Pekmezi, Ahmet Zogu, Sotir Kolea, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Dhimitër Berati, Aqif Pashë Elbasani, Eshref Frashëri, Pandeli Evangjeli, Arif Dino, Asdreni, Kolë Tromara, Kostë Çekrezi, Mihal Grameno, Avni Rustemi, Samin Visoka, Branko Merxhani,  Mirash Ivanaj, Seit Kemal, Hil Mosi, Kolë Kamsi, Karl Gurakuqi, Musine Kokalari, Emine Frashëri, Abaz Kupi, Dhimitër Falo, Safet Butka, Sali Mani etj; por edhe me personalitete te shquara të politikës e diplomacisë botërore si presidenti Wilson, Lord Robert Cecil, kryetar i Konferencës së Paqes në Paris, Jules Cambon, kryetar i Konferencës së Ambasadorëve, Eric Drumond, sekretar i Përgjithshem i Lidhjes së Kombeve, D’Estornuelles de Constand, Lloyd George, Aristide Briand, Aubrey Herbert, Edit Durham, Justin Godart, Baron Hayashi, Telford Erickson, Jean Pelissier, I.S. Barnes, Morton Eden, A.J.Balfour, Rene Vivian, K.Ishii, Bill Maklin, Alexandër Kirk, Julian Emer etj. si edhe ministra, deputetë, këshilltarë, ambasadorë, shkrimtarë, kryeredaktorë agjencish, gazetash e revistash, miq dhe armiq të Shqiperisë dhe të Mid’hat Frashërit.

        Po ashtu, pati letërkëmbim me personalitete te shkencës  evropiane si M.Shuflai, G.Weigand, E.Pittard, M.Roques, M. Tomasie, H. Pedersen, N. Jokli, Prof.Meillet, E.Legrand etj

        Letërkembimi është hulumtuar dhe nxjerrë në  Arkivin Qendror të Shtetit,  Arkivin e Ministrisë së Jashtme dhe  arkivat e bibliotekat e Turqisë, Francës, Britanisë së Madhe, SHBA, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë, Zvicrës, Gjermanisë, Italisë, etj, kryesisht në gjuhët shqip, frëngjisht, anglisht.

    Ky letërkëmbim është ngërthyer tek vëllimi VI dhe VII i kolanës “Mid’hat Frashëri- Vepra të zgjedhura” botim i Institutit të Studimeve Historike “Lumo Skëndo” Tiranë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË