TUJ IKË DEKËS
Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund,
prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranxash,
pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme. Sa k’tu sa aty.
Përpjetë. Tatëpjetë.
Janë shumë. T’panumërueshëm janë.
Gjithkah. Gjithkund fmijë, gra e pleq
n’karvan t’pakthimit. Humbtinave
kurrë t’njohuna tamam.
Andërrmbytun.
Shpresëvdekun.
Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun,
t’plagosunit n’lese t’sajueme.
T’lodhun e tangall.
T’uritun, te tanë.
Dergjun për nji pikë ujë.
Arnat s’ua mlojnë brinjtë. As kockat.
Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem.
Buzëshkrumbuem. Rrashtëkrisun.
T’mavijosun.
Dielli i përvlon e hana i ngrin.
S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita.
Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri.
Ikanak’ t’zanun n’lak t’kohës t’nemun
nënshtruem i janë fatit,
pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie,
pa kurrnji mundësi me u përvijue…
Ata ik e deka njek!
T’SHTANA BATARE
I hekurti lloz shembet përtokë. Thyhet, shkërmoqet.
Dyertë e bodrumit t’errët çahen dysh prej shqelmave.
Paraushtarak’ n’çetë vërshojnë dhomën,
si lum’ i egër, i harbuem që dhunon gjithçka gjen para.
Hapësinën e mlon nji shtjellë egërshane tërbimi. Vner vjellin,
shajnë e bajnë shamatë, tuj britë, tuj kërcnue. Ulurima
t’pandigjueme ma parë prej bishash t’egra.
Mveshun me ftohtësi akullsisht t’përbindshme,
sytë e lëngshëm pikojnë, rrjedhin epsh. Dhëmbët
ju xixëllojnë. Gojët e jargavituna dojnë gjak.
Lypin gjak.
Fmijtë struken si këlysh n’gji t’nanave.
Mshefin kryet e bahen dysh.
Si fetus n’mitër.
Nanat gurëzohen frike për fmijtë.
As za me i pehatë t’vogjlit s’kanë.
Veç t’dridhuna.
Si përkundje t’mrama djepi!
Urrejtja e ujitun me shekuj
shpërthen si nji i fjetun vullkan.
Llava e papërmbajtshme
kapërdinë edhe foshnjat n’djep.
Ata
dhembshuni s’kanë!
Kanë ardhë veç me vra.
Mas t’shtanave batare…
shuhet vajklithma e fmijve…
E kur asgja ma s’pipëtin,
kris humori e nis gajasja,
n’gjuhë t’huej!
K’TU RRNOHEJ DIKUR
Deri sot n’gjysë dite, k’tu rrnohej. Rrnesë i thançin.
Por çfarëdo t’ketë qenë, tymi dilte prej oxhaqeve,
gatuhej bukë qerepi e fmijtë laheshin te prroi.
Lopë e dele tuj mrizue. Kish gjallni…
Puna e marë o burra, a jeni lodhë,
mund t’ketë thanë ndonji udhëtar që kalue kish anejpari.
Marë paq e bujrum, tash na vjen dreka,
do t’ja kenë kthye ata. Bukë, kryp e zemër. Shumë zemër.
Çka do njeriu ma shumë?
Tuj fshi djersët, do t’i kenë ofru ujë t’ftoftë burimi
e edhe ndonji fjalë do ta kenë ndrrue bashkë…
Për halle për derte…
Masnej do t’i jen’ kthye punës der’ sa t’ish ra muzgu.
Me t’mrrimun n’shpi lokja do t’ju ketë thanë:
Hyni shpejt mrena, se po erret ftoftë…
Kurgjo idilike. Madje as andrrat. Veç jetë me ba…
Deri sot n’gjysë dite, jetë kanë ba
edhe tan’ këta trupa t’gjymtuem gjuejtun pranë përroit…
DREJT PUSHKATIMIT
Burrat rreshtohen para vorreve t’çeluna
me duer t’tyne. Me thonj. Përngeshëm-
edhe pse kondakët e pushkëve mbi krye
fshikullonin për shpejtësi. S’ishin për ngut, deka
kish vakt, bante edhe me pritë pak. Se mos kish
ndonji punë tjetër!
Ishin përhupë andrrash e fantazish burrat,
tuj nxjerr kande t’drejta mjeshtërisht,
tuj lëmue deri n’vizllimë gropat me llum,
si tuj garue mes vete për ujdisjen ma t’hijshme
t’vorrit. Për vorrin ma t’bukur.
Shqelmat nuk ndaleshin.
Ngadalësimi i hapjes së vorrit –
e vetmja rezistencë prej burrash!
Çfarë privilegji hyjnor
me ja sheshue vetes shtratin e fundit!
Kundruell i pret nji togë surratvampirësh
e xhelatësh jargavisun n’gjak.
Me pushkë n’shejë. N’lule t’ballit.
Gati për nji sallatë trurësh fluturue n’erë.
Mos asht kjo pamja e fundit
e dëshirueme prej kësaj bote?
N’atë dert,
thojnë, po u nemitshe.
Po t’u merrke goja,
po t’u nalke fryma.
Por, s’po u trembshe
s’po u lemerisshe…
Po t’jepke zoti gajret!
A tuten t’dekunit prej dekës?
Diçka moti e ditun,
e pritun!
Që n’ADN.
Role t’parashkrueme,
fat i urdhërrëfyem,
fund i paracaktuem
për ata shpirtna t’burgosun andrrash
n’jetnat e tyne prej tokësorësh t’zakonshëm.
Nji e shtanë pa ja huqë n’shej për secilin,
e secili pa i huqë hapat,
brof e n’guvë t’vorrit t’hapun me duer t’veta.
Çfarë koreografie!
Çfarë hedhje elegante drejt tokës s’bekueme,
Çfarë hopi me u kthye n’mitër t’dheut,
e me e ba gjumin e fundit n’ At-Dhè!
S’KISH MENU NANËZEZA…
S’kish menu nanëshkreta që mun’ vjen ajo ditë
kur me ma t’kthjelltin menim kish me e lypë dekën e fmisë.
“Aman mor Zot, merre,
merre nji dakik e ma parë.
T’falem Zot, merre shpejt,
merre e mos e le me hjekë!”
S’kish besue nanëmjera se mun’ vjen ajo ditë
që kish mu gzue kur shpirti i shpirtit t’saj,
zemra e zemrës, loçka e loçkës,
ai qingj i vogël që sa kish marrë kambtë me ecë ledinave,
kish me i mshelë ata sy t’bukur, sy bojëqielli.
Jo me pushue, as me fjetë…
Me i mshelë për mos me i çelë ma.
Kurrë!
Nanëzeza menxi ja kish tubue zorrtë t’birit
zorrtë e çpupurituna si krelanë prej ciflave t’granatës.
“Marova nanë prej barku, mos m’prek…
po m’dhem shumë”…
Si gjylpana n’shpirt deri n’ditë t’vorrit
gugatjet e tij t’fundme…