* * *
këtu s’mund të thuash të dua
më parë ajo ka degjeneruar
të gjitha janë krijuar nga të dua
dhe vendasit jane të zinj
dashuria s’shfaqet, po ndjehet
dhe këmbët nxjerrin pendëza
në duar ndjen luspat e mprehta
këtu heshtet
s’ka protestë, trump harrohet
dhe muri i madh me meksikën!
pak rërë në duar
dhe gjen unazën blu të livias
humbur dy mijë vjet të shkuar
octavio august kthehet nga lufta
për dashurinë
ejani në karaibe
deti është puthje!
* * *
këtu vendasit janë të zinj
s’di prej cilit shkak
dhe gratë janë të mëdha e sensuale
s’di prej cilit shkak
këtu s’dashurohet se je i dashuruar
s’puth se të kanë puthur
dhe ka një paqe prej luleje të pakëputur
këtu vendasit janë të zinj
s’di prej cilit shkak
janë djegur njëherë dhe digjen sërish
nga një diell mishi
s’lindin fëmijë, po ngjyra të mahnitshme
salvator dali është ajri
dashuria mish zjarri
të zinj i bën ata që dinë të japin dashuri
ata që s’dinë
të bardhë
si tebeshiri
vijnë këtu të nxihen!
* * *
çdo gjysmë ore bie shi
që s’të lag
dhe shfaqen ylberë dy minutësh mbi kodrat e kaltra
deti rrëqethet prej pritjes
bien me kumb epshe
dalin skena seksi ne ngjyrat e ylbereve qe i prek me dore
më vjen t’i marr me vete
nju jorkun me borë
ta pranveroj!
ç’lajthitje poeti!
atje zoti ka çuar dollarin jeshil
këtu skamjen e zezë
ç’botë trillane dhe e padrejtë!
* * *
në këto brigje pelikanët s’fluturojnë
janë të zinj, të përmotshëm
dhe vigmat i kanë të shuara
ky është ishulli i shën kryqit
pelikanët nga kripa janë verbuar
kur peshkun gjuanin në cektinë
tani japin frymën e fundit
trupat e gjatë drejt i kanë shtrirë
dhe krahët e mëdhenj anash
në ranishten e bardhë ndanë ujërave blu
si shën kryqi
vdesin
nga kripa të verbuar
* * *
jam i pirë
kokë e këmbë jam i pirë
më duket vetja mushkonjë që gjak thith
si grerëz më duket vetja që thumbin ngul në mish
jam i pirë
me alkoolin më të tmerrshëm
bukurinë
vdes në një palmë
ngjallem në një bugonvile
pi dhe pi
bukuri
miliona do të jepja
për pak shëmti!
* * *
në lulet e kaktuseve, aloeve, kokonateve
zogj fare të vegjël si pulse
që iu thonë zuzukama
me të gjitha ngjyrat e ndezura
sa herë i shoh s’kam vertebra
lakuriq zemra
shylla kurrizore kolonadë e koloseut
këndon për mua boçelli
dhe fyte kristali në ajër plasin
i mbush grushtet me to
dhe mbush katedralet e zbrazëta
më iku rinia me valse
me bidëllsat vera në plazhe
me vaçen
dhe rej çarlsin
tani po iu afrohem organove madhështore
të kishave
dhe korit divin
që këndon salve
pata orë të mëdha
tani kam minuta të ankthshme
pastaj do të kem sekonda
atomike
që do të më çojnë lart të lulëzoj si trëndafil i zi në planetin blu të poetëve
do të më këpusë zoti
dhe do të më vërë në hundë
po si bombë do të plas
zotin do ta hedh në erë
rëntë si pleh
në tokën e poetëve!
* * *
ç’dhimbje
që ke zemër njeriu!
midis luleve të tropikut
kaq të lumtura
më mirë të isha lule bugenvile
të bëja harakiri
duke lëshuar petale të kuqe
si njeri s’di të lulëzoj
ç’dhimbje!
* * *
uraganë të tmerrshëm në ajër këtu flenë
zgjohen kur t’iu teket
dhe bugenvilet e kuqe lulëzojnë për tmerr
si një lumturi në ferr
meshkujt kanë ereksione të shpeshtë
ndiejne dhimbje molisëse
lëngje veshtullorë lagin kofshët e grave
me grishje
fuqia, fuqia e uraganeve që flenë në ajër
përbindshëm
i krijon këto gjendje qëniesh mitologjike
dhe ke një ankth të madh
të frikshëm
po dhe të gëzueshëm gjer në ekstazë
po sikur të zgjohen?
të gjithë do t’ia mbathin
ç’dashnorë frikacakë!
* * *
albatrosët shfaqen si bodler
në qiellin e kaltër me hyjnorë
dhe zgjatin krahët si krisht
në shtyllën e ajrit mbi ujë
nuk zbresin poshte tek tokësorët
fluturojnë me krahët madhështor
kanë frikë njeriun e pashpirt
përçmimin dhe lojën prej demoni
krishtërojnë në qiell dhe këlthasin
me gjuhën e tyre na mallkojnë
nuk i harrojne cigaret qe u shtypen
ne trupat e tyre prej qielloresh
madhështor, madhështor, madhështor
veç në ajrin e kaltër pa mëkate
s’e kanë vendin poshtë, ku vulgu
poetin merr nëpër këmbë, e tall
në qiell i ke poetët përgjithmonë
këtë e thotë bodleri blu qiellor
prandaj u shfaqën albatrosët
në shtyllën e ajrit mbi ujë
* * *
këtu vjen turist dhe vdekja
në këtë vend të përralltë ndërron mendje
nuk merr njeri me vete
pi birrë me të vdekurin e mundshëm
në mbrëmje
me dy hëna me ngjyra
njëra e kuqe
në qiell
tjetra e kalter
në ujë
për një me infarkt miokardit
dhe për një tjetër me ishemi cerebrale
skadon afatet fatale
një vajze bionde me kancer
i jep jetën e një orkideje të bardhë
dhe me lulet e verdha të aloes
ndalon dhimbjen e tmerrshme të veshkave
rroftë vdekja!
* * *
çdo gjysmë ore këtu bie shi
si krehër na kreh
si grim i kaltër bie
dhe ngjyrat e humbasin esencën e tyre
shiu kërcen salsa
vertikale
dhe sërish zhduket në qiell
s’janë pika shiu blu
po vajza lozonjare
që zbresin të gjejnë dhëndurë
pastaj del dielli si otello