Përktheu nga origjinali Irena Dono
John Keats (1795 – 1821) ishte një poet romantik anglez i brezit të së dytë, ku bënin pjesë edhe Lord Byron dhe Percy Bysshe Shelley. Ai është i njohur gjerësisht për odet e tij, duke përfshirë “Ode për një urnë greke”, “Ode për një bilbil” dhe poemën tij të gjatë “Endymion”. Përdorimi i imazheve sensuale dhe i pohimeve të tilla si “bukuria është e vërteta dhe e vërteta është e bukur” e bëri atë një pararendës të estetikës.
SHPRESËS
Kur ndanë vatrës sime fillikat ulem
dhe mendime të vrerosura ma pushtojnë shpirtin në terr.
Kur ëndrra jo të mira më fluturojnë para “syve të mendjes”
dhe shkurrishtja e zhveshur e jetës nuk tregon asnjë lulëzim,
shpresë e ëmbël, lulenishte flurore vërsho mbi mua
dhe flatrat e tua të argjendta tundmi mbi krye.
Sa herë që endem, në natën që buis,
ku degët e kokolepsura e zënë rrezen e shndritshme të hënës,
a duhet shkurajimi nga dëshpërimi mendimet e mia t’i trembë
dhe t’i zymtojë, duke larguar gëzimin e çiltër,
të agëtijë dobët me rrezet e hënës nëpër çatinë me gjethe të rëna
dhe mbajë atë dëshpërim larg.
Nëse zhgënjimi, prind i dëshpërimit,
lufton që biri i saj të kapë zemrën time të pakujdesur.
Kur, si një re, ulet mbi ajër,
duke u përgatitur të sulet si shigjetë mbi prenë e tij të magjepsur,
largoje atë, Shpresë e ëmbël, me një pamje të ndritshme
dhe trembe atë, ashtu siç tremb natën mëngjesi.
Sa herë që fati i atyre që i kam më të dashur,
i tregon gjoksit tim të frikësuar një histori pikëlluese,
o shpresë me sy të shndritshëm, gëzimi im i butë fantastik,
më lër të të marr hua ndërkaq rehatitë e tua më të ëmbla.
Rrezatimi yt i lindur nga qielli rreth meje derdhet
dhe tund flatrat e tua të argjendta mbi kokën time!
Nëse ata të palumturit e duan dhimbjen e gjoksit tim:
Nga prindër mizorë, ose të ndershëm të pamëshirshëm;
o, më lejo të mendoj se nuk është krejt e kotë
të pëshpërisësh sonetet në ajrin e mesnatës!
Shpresë e ëmbël, lulenishte flurore vërsho mbi mua
dhe tundmi flatrat e tua të argjendta mbi krye!
Në vargun e gjatë të viteve që ikin e vijnë,
më lejo të mos shoh zbehjen e nderit të vendit tonë:
O, lërmë ta shoh tokën tonë ta ruajë shpirtin e saj,
krenarinë e saj, lirinë e saj; dhe jo hijen e lirisë.
Nga sytë e tu të shndritshëm shkëlqim i pazakontë vërshon,
nën flatrat e tua kokën ma mbulon!
Lërmë të mos shoh trashëgiminë e lartësuar të patriotit,
Liri e Madhe! Sa e mrekullueshme je me veshje të thjeshtë!
Me përgjunjjen e një oborri mbretëror të shtypur,
që ul kokën, dhe është gati për t’u zhdukur:
Por lërmë të shoh se si përkulesh nga qielli me flatra
Që mbushin qiejt me argjend vezullues!
Dhe si, në madhështinë vezulluese, një yll
praron majën e ndritshme të një reje të zymtë,
duke shndritur fytyrën e mbuluar përgjysmë prej velit nga larg.
Pra, kur mendimet e errëta shpirti im i fsheh,
Shpresë e ëmbël, ndikim qiellor rrotull meje vërsho
Duke m’i tundur flatrat e tua të argjendta mbi kokë!
A MUND TË JETË VDEKJA GJUMË, KUR JETA S’ËSHTË VEÇSE NJË ËNDËRR
1.
A mund të jetë vdekja gjumë, kur jeta s’është veçse një ëndërr
dhe skenat e lumturisë si një fantazmë kalojnë?
Kënaqësitë kalimtare si një vegim duken,
e prapë më e madhja dhimbje është të vdesësh mendojmë.
2.
Sa e çuditshme është që njeriu në tokë duhet të endet
dhe të bëjë një jetë të mjerë, por të mos i largohet
rrugës së thepisur; dhe as të mos guxojë ta shohë i vetëm
fatin e tij të ardhshëm, që s’është veçse të zgjohet.
O VETMI
O vetmi! Nëse duhet të banoj me ty,
le të mos jetë në mes të grumbullit të rrëmujshëm
të ndërtesave të errëta; ngjite me mua rrëpirën,
vëzhguesen e natyrës – prej nga lugina e pyllëzuar,
shpatet e saj të lulëzuara, fryrja e lumit të kristaltë,
mund të duken si në pëllëmbë; Më lër t’i ngul sytë
midis degëve të ndara ku kërcimi i shpejtë i drerit
e tremb bletën e egër mbi lulekëmbanë.
Por edhe pse me kënaqësi do t’i ndjek këto skena me ty,
megjithatë, një bisedë e ëmbël e një mendjeje të pafajshme,
fjalët e së cilës janë imazhe mendimesh shijeholla,
është kënaqësi e shpirtit tim dhe sigurisht duhet të jetë
lumturia gati më e madhe e njerëzimit,
kur te strehëzat e tua dy shpirtra të afërt fluturojnë.