More
    KreuLetërsiBibliotekëTregime nga Ylli Pango

    Tregime nga Ylli Pango

    LUMTURIA – HOVET E ZEMRËS

    (Tregim cinik, mbase i ngjarë)

    Ajo ishte nga ato, që siç thoshte shoqja e saj e ngushtë, (vetëm ajo ia “vidhte”, të gjitha sekretet), “as vetes nuk ia tregonte tradhtitë që i bënte të shoqit”…Të shoqit i pat thënë se nja tri-katër orë do të bënte flokët…do të qe tek parukierja… Kish radhë… Ndërkohë e kish fiksuar më parë orarin. Shkoi e filloi menjëherë…Mbaroi me flokët e mori kohën që teproi… Shkoi tek i dashuri…

    …Kreu me shije adulterin dhe po kthehej kur…rrugës i filloi zemra. Ishte kardiake. Itinerari i kthimit që po përshkonte s’qe ai parukeri-shtëpi. Po të rrëzohej (…vdiste…?) papritur nga ataku kardiak, i shoqi ndoshta do të dyshonte. Kur t’i thoshin ku e gjetën…

    …Me zor arriti deri te fund-kryqëzimi i dy rrugëve. Po i quajmë, njërën “rruga e parukieres” dhe tjetrën ajo “e dashnorit”. Së andejmi vazhdohej për në shtëpi. Tamam aty edhe u rrëzua. Po i merrej fryma. Krahu iu mpi. Njerëzit-kalimtarë iu grumbulluan mbi kokë, për ta ndihmuar. Ishte vonë…

    …Ia kish dalë. I shoqi nuk mund të dyshonte tashmë. Vdiq relativisht e lumtur. I ndodhi tamam aty ku duhej…në kreun e rrugës së shtëpisë. Kur t’i thoshin ku e gjetën, i shoqi përsëri, edhe këtë radhë, nuk do të merrte vesh gjë.

    …Askush nuk e mori vesh pse i pushoi zemra. Nga nxitimi apo nga gëzimi se ia doli mbanë. Ritmi a hovet e zemrës, në këso rastesh, janë pothuaj të njëjta.


    I PANGOPURI

    E veshi rrobën e politikanit dhe nuk e hoqi më kurrë. Kaloi rininë, pjekurinë, u bë me nipër e mbesa, kaloi moshën e pensionit por rrobën nuk e hoqi.Rroba u bë pis, u zhubravit, u vjetrua, u hollua, u konsumua, u rreckos. Nuk mbulonte më gjë. Tani të gjithë, edhe të verbrit e shihnin. Mes rreckave filloi të dukej mishi i rrudhur, i zbehtë, anemik i trupit të një njeriu që kish vite që nuk shihte më dritë të vërtetë. Pastaj trupi u squll, u flashk, pastaj u tha si mëlçi pijaneci, derisa mbeti vetëm lëkura, lëvozhga, pa asgjë brenda. Se shpirti kish kohë që kishte fluturuar.

    Fytyra ishte e vetmja që ende shihte njerëz, diell. Në pamundësi për ta mbuluar, veshur, fshehur për të mos ia vrarë drita, ai vuri maskë. Maskë mimike, maskë plastike. Mimika-plastika. Aktori më i madh i vendit e mësoi ta përdorte. Fliste,qeshte, qante, shprehej, mbante fjalime, qante halle me maskë. Maskë-mimikë. Së fundmi dhe maska u drobit. U rrudh, u zhubravit, u tëhollua, u tha. U bë PERGAMENË. Kur vdiq e zhveshën. Hoxha u vu ta lajë. Nuk mundi. Lëvozhga e pergamena u kthyen në fije. U shkërmoqën, u bënë thërrime, grimca. Pastaj u bënë pluhur. Pluhuri u shpërnda. Fluturoi. Të afërmit tentuan ta kapin në ajër, ta mbledhin (t’ia fusnin në kuti) por pluhuri u dredhoi. Iu shkau ndër duar, u shmang, prapë dredhoi e së fundmi shkoi e u tret në vrimën e lavamanit.

    Kështu iu plotësua dëshira e jetës. Dhe amaneti i fundit: Të shkrihej për popullin…


    DILEMAT E ELISABETËS

    (Ngjarje të vërteta)

    Shofer mikrobusi qe. Por ishte italian. Italion. Dhe të ta luante një italian-italion aso kohe…

    …Jemi akoma në fillimvitet 90. Kush iku, iku. Të parët me ambasada. Pastaj të tjerët… Me anije kapicë… që sa nuk mbyteshin… Po ikën në kohë. Për ca vjet, ia hodhën. U bënë italianë me dokumente.

    Kush mbeti në këtë anë të bregut, mbeti. O ishte i vonuar, o nuk pati guximin e duhur. Ose pastaj, si shumica, ndihej rutinor. Nuk dilte dot nga rrjedha e monotonisë, jeta e mërzitshme po njëlloj. Gjithsesi, i sigurt, në shpi t’vet. Në guaskë t’vet, domethënë.

    …Ajo, së paku deri në jetën e atyre ditëve të konferencës në Itali, ishte bashkëshorte shembullore, me një burrë për së mbari e me një gocë të vogël si kukull. Nga pamja do ishte më mirë ta kishin quajtur Përkora. Quhej Elisabeta.

    …Shoferi italion i mikrobuzit që i shpinte çdo ditë nga hoteli në konferencë apo i gjezdiste pasdite për të parë qytetin, s’ia ndante sytë. I kishin rënë në kokë ato tiparet e saj prej madone province. Trupi e gjithçka e mbledhur. Jo shpërthyese, por pa defekte. Bukuri e fshehtë. Sa duhej e si duhej. Përsosmëri nëpër masa të vogla ku as amësia, as mosha, s’kishin daltuar dot vraga. “N’trup (a n’mish), t’vet” thonë shkodrant. Kishte hyrë në të dyzetat.

    …Kaluan tre ditët e po afrohej kthimi ke burri. Ke shpia…

    …Ai shoferi, nuk po i ndahej. I tregoi si rastësisht, se kishte dhe një si punë shtëpize të vogël trashëguar nga gjyshja në breg të detit.                                                                  

    “Non è un granché… però…” (Jo ndonjë kushedi…megjithatë…)

    …Nuk ish se e kish burrin të keq, Elisabeta. Veçse disi gri, monoton. Nuk ia nxinte goja e brendshme t’i thoshte vetes “i mërzitshëm”. Bir ish-partiaku PP. Prapë partiak – PD. Dredharak me masë. Serioz. Me shkollë të lartë, me biografi stabël. I përmbajtur e fjalë pak. Aq sa kish për të thënë. Mediokër ke Zoti. Me punë të mirë.

    …Ai shoferi, që nuk duhet ta harroni, ishte dhe italian, i propozoi ta merrte një ditë për një drekë në Luka…

    …Vetëm atë ditë Elisabeta u kujtua për dy shoqet e tjera të grup-delegacionit “Gratë me iniciativë”. Për ato me veshët bigë. Ato nuk dinin italisht sa ajo. Po thithnin çdo fjale n’ajër, edhe kur nuk merrnin vesh. Me vesh truni. Se gratë janë për t’u nxjerrë sytë. Sidomos me sho-shoqen, nuk u shpëton gjë…

    “Shko” i tha e para.

    -Uaaa. Po ça thua mi. Po Sotirin ku ta le?… Po gocën? Pse mi ça jam unë?..”                                           

    “Mos shko” i tha e dyta, Xhevita Pullumi, që kish ngrejtë n’Shijak nji biznes me nji punishte pastash, “ti e di si jon’ kto pune…ku i zehet bes’ taljonit”

    Kësaj, të dytës, Elisabeta, nuk ju përgjigj…

     …Në fakt Elisabeta u lidh me shoferin dhe përfundoi në një qytezë të largët të Basilicata-s. Dikush, një emigrant i hershëm nga Çaja e Kukësit, i kishte parë vjet, me shoferin italjon, tashmë të plakur, në një kafe të sheshit të vogël të qytetit. Një tip kafe, veç era thashetheme e provincializëm, nga ato të filmave të Tornatore-s . Mërzi e gjallë…

    …Ia fusni kot. E vërteta është se ajo e përdori shoferin sa për të marrë pasaportën. Më pas e la dhe tërhoqi Sotirin dhe vajzën ne Itali. Variantin me Sotirin nuk e kam t’sigurt (e pse do t’i duhej më Sotiri, tani që ia mbushi mendjen edhe vetes sa e zonja ishte për çfarëdo lloj burri në botë… Ndofta tërhoqi vetëm vajzën… më vonë… nuk e di mirë…)

    …Në fakt e vërteta tamam nuk është as kjo. E vërteta është se ajo e flaku shoferin shpejt e shpejt, kapi një bos dhe e rregulloi jetën e vet për bukuri… Goca pastaj kur u rrit e u zbukuru, e gjeti vetë mamin e vet n’Itali. Rrugët të hapme ishin…

    …Edhe ju mo, kot folni, të gjithë. Se ajo shoqja, Xhevita Pullumi, i ka pa me ato dy sy, Elisabetën me Sotirin përkrahu te pedonalja. Nja 30 vjet më vonë. Ai i gërmuqur. Ajo edhe pse, mbi të 60-at, n’mish t’vet, siç thonë shkodrant…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË