Kreu Letërsi Bibliotekë "Transistori" tregim nga Adil Olluri

“Transistori” tregim nga Adil Olluri

Dje më humbi diku transistori im. Transistori i luftës. Radioni i vogël i lajmeve të luftës. Për njëzet vjet rresht e kisha ruajtur si kujtim të bukur të një kohe të mynxyrshme. U mërzita shumë, po aq sa ditën kur e dëgjova lajmin për përfundimin e luftës.

Paramilitarët serbë nuk kursenin gjë. Nuk e lanë në këmbë asnjë shtëpi në fshatin tim. Nuk falnin asnjë frymor që nuk e fliste gjuhën e tyre. Jeta e një shqiptari për ta kishte më së paku rëndësi. Askush nuk guxonte të qëndronte në shtëpi. Fshati im dhe fshatrat e tjerë përreth qenë shpërngulur në mal. Një luginë mes dy kodrinash qe shndërruar në strehë shpëtimi për shumë e shumë shpirtra. Një luginë e mbushur me shatorre, që u shndërruan për disa muaj në shtëpiza prej najloni. 

Shpirtrat ikanakë dëshironin të dëgjonin lajme. Të dinin se ç’po ngjet përtej luginës. Të dinin se edhe sa do të zgjasë lufta. Edhe sa mund të përfundojë ajo?! Nuk kishin se me çka dhe ku t’i dëgjonin lajmet. Në tërë luginën vetëm unë e kisha një transistor të vogël, që e mbushja me akumulatorin e veturës së tipit “Jugo”.

U mor vesh se unë e kisha atë që e kërkonin për dy ditë me radhë. U mblodhën të rinj e të vjetër pranë tendës sime.

O djaloo, o djalooo! – më thërriste mixha Fetah, duke mos dashur të hynte brenda, –

Hajde lëshona radionin e ta ngojmë naj lajm! – më thërriste mua, duke e ditur që babai ishte i paralizuar dhe nuk mund të lëvizte.

I dëgjuam lajmet e pasdites në një radiostacion, të cilit nuk ia mbaj mend emrin. Kanë kaluar njëzet vjet dhe shumë gjëra i kam harruar. U ulën të rinj e të vjetër pranë shtëpizës sime prej najloni. Në fillim ishin njëzet burra, por nga çasti në çast numri i tyre u shtua. U bënë tetëdhjetë e pesë vetë. Të gjithë heshtnin, përpos transistorit tim. Ai e bënte ligjin aty. Të gjithë i bënë veshët katër. Nuk donin t’u ikte as edhe një fjalë e folësit të lajmeve. Transistorit herë pas here i humbnin valët. Atij i humbte zëri, ndërsa dëgjuesve u vinte. Pasonin britmat në drejtimin tim.

Mbaje mirë, o djalë! Bash kur u përmend NATO, ti e livrime – foli mixhoku dhe pas

tij, thuajse të gjithë, më bënë fajtor për humbjen e valëve.

Bash në lajmin ma të madh, ti nuk dijte me majtë mirë.

Qysh me e marrë vesh tash se? – përziheshin zërat, sa që nuk e dija se kush fliste më

shumë e kush më pak.

       Të gjithë më pyesnin për lajmet. Isha bërë lajmëtari i luginës. Përcillja te të tjerët çdo gjë që dëgjoja në transistor. I dëgjoja thuajse të gjitha edicionet.  Shëtisja me transistor në dorë rreth e rreth luginës. Më kishte dalë nami shkaku i transistorit. Isha bërë edhe i rëndësishëm, po aq sa komandanti i zonës sonë. Shpeshherë ndodhte që për luftën, më shumë të më pyesnin mua se sa atë. Të mos flasim për ushtarët e tjerë. Nuk i qaste kush kur isha unë aty.  

Më pëlqente të më pyesnin për lajmet. Më së shumti më pëlqente kur më pyesnin vajzat. Mbaj mend të kem shëtitur me transistor në dorë vetëm e vetëm të më pyesnin ato, veçmas Linda. Ajo ishte tetëmbëdhjetë vjeçe, një më pak se unë. Trupi i saj i gjatë dhe flokët e saj të bardha ishin i vetmi shkëlqim në atë luginë, ku i plaknim ditët si beduinët e shkretëtirës.

Tenda ku ishte e vendosur ajo ishte rreth dyqind metra larg simes. Nuk kalonte një orë që të mos rrugëtoja andej me transistorin tim, vetëm e vetëm të më fliste ajo. Të më pyeste se ç’thoshin lajmet, sikur të gjithë të tjerët. Por, jo. Në vend të saj dilte herë babai, herë i vëllai, herë-herë edhe ndonjëri nga kushërinjtë e saj.  Megjithatë, nuk hiqja dorë. Sërish e sërish kaloja andej. Sërish e sërish të njëjtit njerëz pyesnin. Thënë të drejtën, sa herë që nxirrnin kokën nga shtëpizat e tyre prej najloni, i shaja nëpër dhëmbë, përkundër se ishin familjarë të vajzës që e pëlqeja. Kokat e tyre më ngjallnin neveri.

I dëgjova dy motrat e mia tek thoshin se Lindën e pëlqente njëri nga çlirimtarët, ushtari B., që kishte tri vjet më shumë se unë. Motrat thoshin se do të fejoheshin fill pasi të përfundonte lufta. Nisa ta urreja ushtarin B. Do ta ngulfasja po ta kisha afër. Do të isha i pasinqertë nëse nuk do t’ju tregoja se ai ishte i vetmi ushtar që doja të vdiste në betejë me serbët. Aq më bënte po të vritej. Me rëndësi ta bëja Lindën timen.

Prapëseprapë, nuk hoqa dorë. Doja t’i flisja Lindës dhe ta bindja se unë jam më i mirë se ushtari B., se ai nuk është asgjë karshi meje. Shëtisja andej me të njëjtin ritëm si më parë.

Erdhi çasti i shumëpritur dhe Linda, më në fund, doli nga shtëpiza prej najloni. M’u afrua dhe nuk më shikonte aspak mua, por transistorin tim.

A mujmë me digju edhe muzikë me ta? – qe e vetmja në luginë që nuk më pyeti

për lajme. 

Po, mujmë. A ta lëshoj mejherë? – pa humbur kohë fillova të gjurmoja në

radiostacione të ndryshme që mund të lëshonin muzikë.

Jo, tash nuk kam kohë se duhet me i ndihmu nanës. Nesër n’mbramje hajde knej

edhe ngojmë muzikë. Moti nuk kam ngu. Desh sa fluturova nga gëzimi kur i dëgjova këto fjalë. Kanë kaluar njëzet vjet dhe asnjë fjalë nuk më ka tingëlluar më ëmbël se sa ato të asaj paradite. 

       Isha më shumë se i lumtur. Do të dëgjoja muzikë me Lindën. Do t’ia thosha të gjitha. Mezi prisja të ikte kjo ditë dhe të vinte mbrëmja e së nesërmes. Bëja prova me transistorin tim për ta gjetur radiostacionin me muzikën më të mirë. Babai, nëna, vëllai dhe motrat habiteshin dhe e shikonin njëri-tjetrin. Befasoheshin se si më erdhi kjo dëshirë për të dëgjuar muzikë me orë të tëra. Deri në këtë çast, pos lajmeve nuk dëgjoja gjë tjetër.

       Duke gjurmuar radiostacioneve, dëgjova lajmin se lufta tashmë kishte përfunduar. Hyrja e trupave të NATO-s në Kosovë ishte çështje orësh. Pa humbur kohë i njoftova së pari kushërinjtë, për të vijuar me thuajse të gjithë që i takoja në luginë. I kishte ardhur fundi. Do të niseshim në shtëpi. Fshatarët donin të zbrisnin menjëherë në fshat, po sugjerimi i komandantit ishte që të prisnin deri nesër.

       Gjatë paradites të së nesërmes u shëtita si gjithnjë rreth e rreth luginës. Askush më nuk pyeti rreth lajmeve. Askush më nuk më qaste. Madje, as që më përshëndesnin. Tri herë i rashë rreth e rrotull luginës, por njëjtë. Askujt më nuk i duheshin lajmet e transistorit tim. Askujt më nuk i duhesha unë. Të gjithë bëheshin gati për t’u kthyer në shtëpitë e tyre. Askujt nuk i binte ndërmend për mua. Nisi të më mërziste ky fakt. Më nuk isha ai djali me transistor. Djali i lajmeve. Isha thjesht njëri nga djemtë e luginës që po e linim. Nuk guxoja t’ia pranoja vetes, por thellë në shpirt nuk më pëlqente përfundimi i luftës. Mërzia m’u shtua kur m’u kujtua se pikërisht sonte do të dëgjonim muzikë me Lindën. Nuk do të kishte më mbrëmje të muzikës dhe ndoshta të nesërmen ajo edhe do të fejohej.     

Më kaploi një ndjesi pikëllimi dhe tri herë u mundova ta hidhja në një gurinë mali transistorin tim. Nuk munda t’ia bëja këtë. E mora me vete dhe u nisa drejt tendës sime.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Pushkini: Jeta në kohë epidemie

Në prag të kolerës, në korrik 1831, Pletniov i shkruante Pushkinit për vdekjen e plakut Mollçanov, me të cilin ishte i...

Ardian Ndreca: Epidemia e kolerës së vitit 1916 në rrëfimin e Atë Anton Harapit

Tek libri Andrra e Prêtashit, i botuem në Romë në vitin 1959 prej sivllaut të tij Danjel Gjeçaj, me shtypajt që Ernest Koliqi kishte...

Virion Graçi: Vendlindjet e shkrimtarit Romeo Çollaku

Shkrimtarin dhe përkthyesin Romeo Çollaku e kam njohur e lexuar që në hapat e parë të karrierës së tij krijuese; libri i...

Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

1. Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë. Kurrë nuk kemi qenë...