Përmes Mesdheut…
Erërat ishin të mbara,
Eoli ish plakur,
s’kish më fuqi
të frynte, hapte kacekët.
Sirenat, po ashtu,
ishin bërë pronare të shtëpive publike,
amazonave harku, shigjetat
nga kohrat u ishin ndryshkur,
Odisea në prehrin e një tjetre kish vdekur,
në sa Penelopa shpresëhumbur
përsëri kish filluar
të endëte…
Ne lundrojmë përmes Mesdheut
e dritëza të largëta
tej dridhshëm vegojnë…
-Kasandra, bijë e Priamit,
a parasheh kund tjetër
ndonjë Trojë?
Kur burrat flenë
Kur burrat flenë
malet mendueshëm
marrin frymë
nën dritën blu
të ditës që sapo feks.
E gratë,
në sa në gjumë qeshin,
në lëndina të lulëzuara
ëndrrat i kthejnë…
Në ag gjithçka hesht
e unë përhumbur,
rri e dëgjoj.
Ti, shkëlqim meteori
Ti, shkëlqim i beftë meteori,
merrmë me vete,
që të harroj si ecën koha…
***
Çantën, këpucët
i kam të modës së vjetër,
peliçen të shekullit të kaluar…
I ruaj nga pluhurat, mola
i vesh në ditë të veçanta
Apo në ditë të diel.
I ndjej tek më shohin me çudi
si sapodalë nga komeditë
e luajtura hershëm..
Po vetë eci me kujtimet e mija
(në ajrin që vallëzon rreth meje)
Si çupërlinë para shumë vjetësh…
Kur largohem nga Shkodra
Ky diell i përflakur më ndjek
duke u fshehur mes drurëve,
plepnajës që lehtas frymëmerr,
kodrave të blerta veshur me kith,
e ujrave të liqenit, ndër shelgje.
Ky diell më ndjek që tej në udhëtim,
skuqur nga malli, dashuria,
fshihet si fytyra e përlotur e nënës
pas perdes në largimet e mija…
Kopsa
Një kopsë të zbërthyer
në bluzën e kaltër
të gruas fytyrëngjëllore
e shigjetojnë vështrime
me zjarr vetëtimash.
Dy pëllumba frymëmarrin
gugasin, gati për fluturim
nën bluzën me kopsën blu,
të hapur si rastësisht.
Aty vdesin vështrimet
me zjarrin e vetëtimave.
O grua fytyrë ëngjëllore
me magji vështrimesh
mbështjellë,
e shpërthim të beftë,
është faji i kopsës së zbërthyer,
i vegimit të shtegut të pranvertë.
Agimi zbret gjithë drojë në Tiranë
Agimi zbret gjithë drojë në Tiranë,
hapësirave mes betonesh,
(gjithë arrna qielli
si cohë e vjetër nderet),
veç një çast arrij ta shoh.
Kokën kthen, më sheh,
s’arrin t’më përshëndesë,
e ikën, zhduket
mes konstruksionesh të ftohtë.
Pyll hijesh më zë shikimin,
trishtueshëm pres më kot
të shoh një zog në fluturim,
Një cicërimë të dëgjoj…
Veten s’e njoha
M’u thye pasqyra
në dhjetra copa.
Dhjetra palë sy shihnin
brenda meje.
Ku të fshihesha?!
Si degë lulevile
zhveshur, rrëzuar nga erërat
mbeta.
Dhjetra palë sy më shihnin.
S’e njoha veten…
Bie shi në Paris
Bie shi në Paris,
nën një qiell gri,
që rrallë di të qeshë.
E çuditërisht fryn
një erë tekanjoze
si e marrë,
si dikur në Lezhë…
Si ky qiell i trishtë
dënes zemra ime,
ndërsa marr metronë
për aeroport,
tek preka në xhep
një shumë të hollash,
që vajza në ndarje
fshehtas m’i kish vënë.
Veç zemra
Shumë gjëra po më tradhëtojnë:
Veshët më janë rënduar
(duket dëgjuar kanë më shumë se ç’duhet).
Sytë më kanë zënë perde
(më shumë se ç’duhet, po ashtu, do kenë parë).
Mendja harron e çfarë nuk sajon,
(siç duket, më mirë të marrë arratinë),
organet me radhë, me radhë…
Veç zemra,
si zog i strukur mes tufanesh,
lehtë më pëshpërit “Tak, tak, tak…,
deri në fund do të jemi bashkë”
Peizazh
Përbindësha, dema të egërsuar
si në arenë përleshen, enden qiejsh.
Gjëmojnë, kapërthehen, shfryjnë,
u shkëndijojnë thundrat në vrapim,
gjithçka lart nxin, nxin.
Mbas ndeshjes si ushtri e shpartalluar
nga fushëbeteja largohen në çdo anë,
qielli hap gjoksin gjithë dhimbje,
dielli në mes si plagë…
Akuarium
Të gjithë si në një akuarium,
me qetësinë, heshtjen e peshkut,
shtyjnë ditët në ujra që s’ndërrojnë,
njësoj ditë-nata, të katër stinët njësoj.
Tej reve të bardha si trëndafilë,
a plepnajës netëve larë me hënë,
tej ditëve, stinëve, ujrave pa jetë,
larg, larg, ku drita zë fill,
i lirë endet një poet.
Në djall google earth
1
Nga malli i hershëm
riçelin jargavanët
e kacavirren në trupin tim,
tufa pëllumbash më pas
pushtojnë qiejt
e këmbët padashur më çojnë
në kopshtet e blertë
plot karafilë…
Në internet kurrkund nuk i gjej.
2
Malli i hershëm
Si fëmijë për dore më merr,
më çon në vende,
ku s’mund të shkoj më,
në vende të përrallta
që veç në hartat brenda meje,
mund t’i gjej.
Kurrkund nuk e gjej atë rrugicë
me shtëpi mes gjelbërimit fshehur
në asnjë program në internet…
Në djall, në djall google earth!
Kur dita feks
Deri në agim të përgjoj
frymëmarrjen,
rrahjet e zemrës
nën dorën time,
mbështetur si zog,
i trembur nga ngricat e para,
në anën e majtë, në gjoks.
Përgjoj,
deri sa nga majat e kaltra
si vajzë e bukur
drita feks
gjithë drojë.
Nën hapat e jargavantë
të ditës, që vjen,
butësisht më pëshpërit:
“Pashë një ëndërr të bukur
Me ty mbrëmë…”
Ti, grimcë pluhuri
Një grimcë pluhuri
endet në ajër.
Tek duket e zhduket
nën rrezet e diellit,
që hyn në dhomë,
e shoh.
Ç’ke qenë ti grimcëz e vogël?