Rrugët që kamët tona rrahin e shkelin kanë medoemos nji histori. Ti ende s’je e vetëdijshme se edhe unë kam orën teme, orën me dëftu për mijëra udhëtarë që rrahë m’kanë, shkelë e shtri mbi mu.
Edhe na kena mbamendjen tonë! Për ne veç shkruajnë atë që na përcakton si shenjë dalluese. “Rruga filan”, e më pas asht e tana nji histori shkrimi e jona, me diktu udhëtarët, herë për nga forca e trupit t’tyne ushtrue mbi ne, e herë për nga puthja e lehtë që na bëjnë, herë për turravrapin e shumë prej tyre, e herë për vjedhacakët qe ndryshojnë ritmet e jetës. Mbi ne shkrujn’ edhe t’dehunit që puthen shpesh me ne. Na shkrujmë për të dashuruarit që ngazëllehen ndjesi marramendëse të instinkteve të tyne, sa edhe dridhjet e lehta ja u ndjejmë. Mbajmë mend tinëzarët që dhe ne tinëzisht na gërvishtin, fodullët që trandin tanë lëkurën tonë tek kacavjerren në picig’jiatim të krekosjes tyne. Mbi ne shkrujnë dhe mosmirënjohësit që na pshtyjnë e derdhin vrer. Për cmirzezët, që mallkojnë e shajnë edhe nji ças lumturie që na e dhuron natyra.
Unë atë ditë, isha rrahë prej shumë kalimtarëve. N’ditë dimri gjithmonë më dhemb lëkura, rradhë shoh njerëz që ecin me taraçillëk, shumë nxitojnë dhe mu m’kërcasin damarët e lëkurës n’vrapin e njerëzve që më shkelin.
Atë ditë ata të dyja çudshëm nuk po çanin kryt për t’fohtin që kapë ngërç i kishte trupat e njerëzve. Edhe m’u më kishte vu një cipë akulli e ma përçonte të ftohtin edhe aty thellë, sa mezi arrija me i mbajte kamët e kalimtarëve, shpesh ato rrëshkisnin për shkak të akullit që nuk mujshe me e shkri.
Harrova tanë kalimtarët e tjerë e u përqendrova tek ato të dyja. Çka ua kishte urtu të ecunin?
Dhe nisa me i ndjekë hap pas hapi bisedën e tyne.
Ku ke qenë gjithë këtë kohë? E pyeti zani ma meliodioz që kisha ni. Në nji udhëkryq, ku rrahesha pa da prej pamundësive të mia me gjete se cilën rrugë duhej me ndjekë.
Kur kjesh pa dije m’kapën dorën e m’thanën, eja ktej, e ti e di ça do me thanë me ta kapë dorën e ma të shënju rrugën që duhet me ba.
Zani melodioz iu përgjigj. Tanë lypim me gjete rrugën e duhun, e fajin nuk e ka rruga që marrim me u drejtu n’se na dështojmë, jena vetë ne njerëzit që n’rrugë ndryshojmë qëllimet, e vëmë da rrjeta merimangash para syve tanë. N’fijet e tyne, na përshtjellohet qëllimi, e na bajnë me na u errësu ideja edhe atëherë kur rruga dëftente veriun, mbrapshtu jena n’jugun tonë.
Ajo rruga jeme asht me gunga shumë, iu gjegj zani i hepum, nji tingull mërzie.
Kjo do thotë se ti hyn te ata njerëz t’kalitun, rrugëve të tilla kur u mbijeton! Do thotë se shpirtin e ke mundu, sfilitë, po ja ku je, ala me mu n’rrugë, pra ia paske dalë, ke mbijetu. E shijoje tesh fitoren tane mbi gungat, por banu gati përthymje t’reja ke me ndeshë. Besoj se ndan të njëjtin mendim me mu, asnjë ditë s’jemi njësoj. Edhe pse i biem të njëjtës rrugë, ajo rrugë nuk na mban mbi lëkurë të veten njëjtë, si do kjoshim.
Rrugës teme, vazhdoi zani i hepum, i ngulën n’shtat do gozhda t’ndryshkuna, që filluen me ja prish gjakun n’çiljen e parë t’agimit.
Paske ça me na dëfty, rruga t’i vret gjunjtë edhe ty që t’ngulën gozhda edhe m’u që u llastova. Po me u çu e me vazhdu a qëllim fisnik. E ti, çe ku keke, do thotë se nji i tillë t’paska rrokë e ftillu, vedit me i dhanë mundësi me u ngritë mbi t’vramet e jetës, e me vazhdu.
Dhe vazhdoi…
I kam dashtë tana rrugët që kam shkelë, asnjanën se kam mallku, e ma tepër as veten se kam gjyku për secilën rrugë që ndoqa. Për secilën kam t’pashlyeshmet, kujtime, brenga, këndellje e do rrugë m’i morën energjitë, do t’tjera marrë m’kanë ma t’shtrenjtat vetje n’tana format, njena dashurinë, tjetra urrejtjen, njena britmën, tjetra t’qeshmen e pamashtri, e t’tana i kam këtu, n’lukth e n’rrasë të ballit që i është mirënjohëse çdo hapi edhe atyne që gjëmën ma bënë. Asht rritje, asht fisnikëri kur t’mirën e t’keqen i rrah me vetje pa u pendu e mbi të gjitha pa e urry.
Zani i hepum, u shtang, deshi me fole, u ul n’cepin tim, u ngjesh për mu, më preku butë me durt që deshtën me u mbajte për mu, dhe ndejti do kohë mbi lëkurën teme të ftohtë.
Ishte dimër.
Zgjati dorën! E n’shrëngimin e tyne e ndjeva peshën e dy jetëve lidhë fort pas dritës, bash mbi mu, nji rrugë me emër t’vume prej tjerëve.