Kreu Letërsi Bibliotekë "Të bërë e të pabërë", tregim nga Ardiana Salihu

“Të bërë e të pabërë”, tregim nga Ardiana Salihu

E mërkurë… dridhem, fërgëlloj… ndjej afshin e mbledhur gjatë javës, ndjej të më lëngëzohen sytë, dhe jo vetëm. Një shqetësi e pakontrollueshme më vërshon në tërë qenien. U dorëzohem përfytyrimeve të ëmbla e drithëruese: së shpejti do t’ia bëj vetes sërish! Kam vendosur t’ia bëj vetes një herë në javë. Pse jo, më zbavit dhe më pushton ethshëm forca e këtij përjetimi të cilin, për një kohë të gjatë, e pata ndryrë diku brenda meje si një tabú të shenjtë dhe, jo rrallë, e kisha kujtuar me lakmi të fshehtë, si një veprim të ruajtur vetëm për guximtarët e zgjedhur. E pranoj se mendimi “t’ia bësh vetes” më ka pushtuar egërsisht sidomos nga pandemia e këtej. S’është çudi, njerëzit duhet të merren me diçka në këto kohë të rënda. Qoftë edhe me gjëra që kalojnë ose çojnë në fiksime. Kudo që ndodhem dhe ngado që shkoj, më ndjek hija e këtij mendimi. Për shembull, shoh njerëz dhe mendoj: “do t’ia ketë bërë vetes, vallë? Apo: do t’ia ketë bërë dikush? Kur, ku për herë të fundit?” (Dhe, nuk ndruhem, as nuk ndihem në siklet, siç më ndodh, bie fjala, në ato çastet e pashpjegueshme kur, teksa ndjek politikanë apo figura tjera publike në media, nuk mund të përqendrohem fare në ato që thonë, sepse, gjatë gjithë kohës, i përfytyroj duke e bërë…) Më “qetëson” ndoshta edhe fakti se kohët e fundit ky veprim është bërë modë e pranuar gjithandej rruzullit dhe praktikohet pa hezitim në mënyra e në vende nga më të ndryshmet: t’ia bësh vetes ndërkohë që të tjerë të shohin; t’ia bësh vetes ndërkohë që të tjerë presin pas derës, të ta bëjë dikush me dorën e vet e të tjerë të shohin a të presin para apo pas derës; madje një nga teoritë e shumta konspirative që zakonisht sjellin situatat e tilla, pretendonte se në firma dhe në institucione të caktuara po organizoheshin orgji të tëra bëja vetes / bëja tjetrit, ku turma njerëzish, në orare të prera me kujdes, me një cfilitje prej adhuruesish sektarë, prisnin në radhë plot shpresë e durim. Me një fjalë, gjithë e shumëçka po ndodhte dhe askush nuk po ndjente më se t’ia bëje vetes, a të ta bënte tjetri në publik, ishin gjëra të pazakonta. Përkundrazi, secili po ndihej disi i ngacmuar, por edhe i përmbushur në mënyrën e vet.

Unë, për veten time, kisha rezistuar një kohë relativisht të gjatë. Mbase, ngaqë jam mësuar të bëj heroin në gjëra krejt të pa kuptim. Ndoshta edhe sepse jam një person disi i tërhequr dhe nuk dëshiroj të hidhem ndër të parët në trendet botërore që, edhe ashtu, s’kanë të ndalur. Por, më në fund, edhe unë kam guxuar dhe nuk kam më turp (morali, morali…) as droje nga thellësitë e lëngëta brenda meje; dua t’i përkëdhel me ëmbëlsi, lehtë, ngadalë, lëmueshëm… Qysh në çastin kur çoj mendjen aty, ndjej se si më rrjedh lëng; së këtejmi nganjëherë kujtoj edhe ato femrat që qëllojnë në “ditët e tyre” kur ia bëjnë vetes, por që nuk duan t’ia dinë fare për këtë. Me të drejtë, sepse të gjithë / të gjitha e bëjnë edhe në “ato ditë”, disa sosh kanë madje një ndjesi akoma më marramendëse gjatë ditëve në fjalë. Dhe, fatmirësisht do të vazhdojnë ta kenë.

Ah, përpak harrova ta përmend: pranvera ka nisë me ardhë. Sigurisht që aromat e saj do të më nxisin t’ia bëj vetes edhe më shpesh, që të flatroj pastaj plot lumturi nëpër rrugët, ndanë lumenjve, ndanë drunjve, të bëhem edhe vetë një si frymë e lehtë mes tyre, një si puthje e lëngët që mban aromë dehjeje lirie, teksa shikoj çapkënçe nëse në sytë e kalimtarëve lexoj pyetjen “t’ia ketë bërë vetes vallë?” dhe t’u përgjigjem po me sy: “mund t’ia kem bërë, mund edhe të mos ia kem bërë!”… Ndoshta e teproj, por, pas kaq kohe, më është mbushur mendja se mund t’i dalloj ata që e kanë bërë nga ata që nuk e kanë bërë. Më duket sikur mund ta lexoj nga niveli i frikës së tyre, kur ecin në rrugë, bie fjala, teksa çapiten përballë teje – ata që e kanë bërë ecin më lirshëm: bashkë me shumë gjëra të tjera, gjatë këtij rituali duket të kenë shkarkuar edhe turpin e mundshëm; për më tepër, këta jo vetëm që duken disi më krenarë, por edhe të shohin si sipëranë ndërsa hedhin shikimin drejt teje me qortim: “Po ti, ç’pret?” ose “Ke guxuar të dalësh pa e bërë? Turp! Papërgjegjësi!” dhe lakojnë trupin për të të qëndruar sa më larg, kjo ndoshta për faktin se këta të bërët priren rëndom të besojnë se janë të vetmit që e kanë bërë dhe sikur kanë frikë se i tërë mundi mund t’u shkojë huq nga një puqje e padiktueshme e hormoneve në ajër. Ca syresh nga ky soj largohen duke hedhur hapat si në një vallëzim amator dhe, në largim e sipër, lënë pas një nënqeshje dinake, sikur duan të të thonë se mbrëmë kanë parë fotot e tua lakuriq në internet; ca të tjerë largohen gati demonstrativisht, sikur të ishin në një marsh proteste, pa t’i shqitur për asnjë grimë shikimet gati vrastare që i drejtohen shkaktarit të të gjitha të këqijave në botë… Kurse ata që potencialisht nuk ia kanë bërë vetes (tashmë sa kohë) duken pakashumë si unë: mundohen të mos bien në sy, por, pikërisht për këtë arsye, bien edhe më shumë; ata janë të kujdesshëm që (të) hiqen si të shkujdesshëm; padyshim gjithë kjo tendosje nuk është e lehtë për t’u bartur, sidomos nëpër vende publike. Edhe unë, bashkë me këta, jo rrallë luaj rolin e të lehtësuarve, por zakonisht aq ngathët, sa nganjëherë, edhe në ato raste kur t’ia kem bërë vetes vërtet, ndodh të harroj se si duhet të sillem dhe vetëm ngjall më shumë dyshime gjithandej.

Sidoqoftë, kam mirëkuptim për të gjitha palët, sepse është kohë e vështirë dhe një çmendi e lehtë kolektive vetëm sa i bën mirë kësaj klime. Tani, edhe ashtu, të gjithë janë disi njësoj më të jashtëzakonshëm, ose ia kanë dalë të maskojnë qenien e zakonshme aq mirë, sa të mos dallohen më. (Jashtë)zakonshmëria është përzier aq shumë, jo vetëm ligjet e shteteve ndërrojnë oreçast, por edhe tek ata të natyrës është thuajse vështirë të mbështetesh si dikur.

Nuk hezitoj të pandeh se edhe njeriu paskësh tronditur një sistem ligjesh të padukshme brenda vetes. Duke ia bërë vetes? Duke mos ia bërë? Tjetrit? Shumë shpesh? Shumë rrallë? Si flinin paskëtaj burrat me gratë e tyre dhe anasjelltas? Një e vërtetë shqetësuese ndërkaq, ishte edhe fakti se ky veprim fatal po krijonte varësi shumë shpejt. Te burrat dhe gratë, te burrat dhe burrat, te gratë dhe gratë. Edhe vetë e ndjej se po shndërrohem në një fanatik të “t’ia bësh vetes”, dhe, sadoqë hëpërhë e bëj vetëm një herë në javë, rreziku se do të mund të filloj t’ia bëj si shtresa më e zellshme e shoqërisë në dy-tri, a ruana Zot, çdo ditë të javës, nuk është aspak larg. Fundja, nga të gjitha statistikat e deritanishme del se, sa më shpesh që të bëhet, aq më e lumtur është shoqëria, madje pa marrë parasysh nëse rezultati i së bërës të kishte dalë i kënaqshëm ose jo për individët veç e veç. Pastaj, në rastet e shumë çifteve, për shembull, kjo dukej se po sillte edhe risi të bukura në jetët e zbehura të shtratit… (Pra, tani edhe ata partnerët që, deri atëherë, ia kishin bërë vetes tinëz dhe kryesisht në rastet kur nuk kishin ndjerë tërheqjen e duhur drejt tjetrit, nuk kishin më nevojë ta fshihnin këtë dëshirë, përkundrazi, mund t’ia bënin vetes sa herë e ku të donin e madje edhe ta shkëmbenin këtë përvojë me tjetrin, gjë që bëhej zakonisht me një si mburrje gati-gati fëminore. Kishte edhe zëra që parashikonin se njerëzimi po shkonte drejt shuarjes, ngaqë gjithnjë e më shumë çifte po e pëlqenin artin e të përmbajturit nga njëri-tjetri, madje edhe nga ai tjetri / ajo tjetra…) Tani rëndësi kishte se si ndjehej shoqëria në përgjithësi, dhe, po të ndjehej shoqëria e lehtësuar, detyrimisht edhe individët do të kishin përfitimet e veta. Për një shoqëri të tillë do të kenë ëndërruar breza të tërë, padyshim, pra, për një shoqëri që e shtyn individin t’ia bëjë vetes sa më shpesh dhe, si rrjedhojë, të lumturohen të paktën edhe disa, për të mos thënë edhe shumë të tjerë. Sigurisht, këto gjëra nuk do të kishin lezetin e tyre e as nuk do të ishte aq e lehtë të bëheshin, sikur të mos përkraheshin nga vetë shtetet, gjegjësisht qeveritë e tyre. Anekënd botës. Ose më dukej mua kështu.

Me sa mbaj mend, në fillimet e veta, shteti, me gjithëpushtetinnuk ia bënte gjithsecilit, mirëpo, me t’ua bërë disave, një pjesë e madhe e shoqërisë vërtetë vërente pasojat e lehtësimit. Më vonë, shteti jo vetëm që ua kish lejuar këtë gjë të gjithëve pa përjashtim, madje edhe fëmijëve, por kishte zënë edhe t’i motivonte të gjithë pjesëtarët e shoqërisë që ta bënin sa më shpesh, ku e kur të mundnin. Disa gojë të liga pohonin ndër dhëmbë se shteti dhe shoqëria, më së voni me paraqitjen e këtij fenomeni, ishin shkrirë në njëri-tjetrën a njëra-tjetrin. Ky pohim mbështetej dita-ditës edhe në faktin se shteti dhe shoqëria po nxisnin njerëzit deri edhe të mbylleshin në shtëpi pa çarë kokën për detyrimet qytetare dhe t’ia bënin vetes me aq sa kishin mundësi. Si rrjedhojë, gojëligat spekulonin akoma më guximshëm, se, së shpejti, “të pabërët” nuk do të guxonin ta hidhnin hapin as matanë pragut (ata të pastrehët as brenda) shtëpisë. Por gojët e liga nuk ishin të vetmet që kujdeseshin për të përhapur shqetësime e trazira ndër njerëz. Një gjë e akoma më e çuditshme, që u pikas gjithandej rruzullit në mes të kësaj turbullire globale, ishte një si ngritje peshë e mediave: këto, përkundër, madje përkrah gjithë halleve të shtuara të përditshmërisë, të rrëmbyera nga një ekzaltim mistik, kishin nxituar ta ngjyrosnin (domethënë t’ia bënin vetes a të tjerëve) këtë gjë sa më politikisht. Kjo qasje, sikur po ua rikujtonte njerëzve se politika vazhdonte të mbetej një shthurje e pazëvendësueshme e llojit të vet.

Nga ana tjetër, etja e shoqërisë për lehtësim nuk kishte të ndalur, ndaj edhe shteti, më në fund, u shtrëngua t’ua mundësonte njerëzve që t’ia bënin vetes, tanimë edhe pa ndonjë shtysë a urdhër, madje edhe pa ndonjë arsye për të qenë. Për më tepër, për të pabërët do të hartoheshin rregulla, ndalesa, ndëshkime, kufizime, pra, shteti nuk dëshironte dhe nuk do të lejonte kurrsesi që qytetarët ta zgjidhnin të pabërën me vullnetin e tyre të lirë. Gojëligat e mësipërme, u ndjenë sakaq të përmbushura dhe filluan të flisnin për ca manuale të përçudshme lidhur me dy a tri mënyra të vetme të lejueshme për t’ia bërë vetes e që shumë shpejt do të dilnin në qarkullim. Thuhej se nga qeveria ishin sajuar edhe metoda profesioniste përmes të cilave mund të zbulohej fare lehtë nëse dikush po ia bënte vetes sipas shembullit të dhënë, dhe, në rast se jo, kjo duhej përsëritur, me gjithë sikletin e mundshëm përcjellës. Çka nënkuptonte se kulmeve të shtirura po u vinte fundi, mbase përgjithmonë. E pra, të imitoje bëmat e qeverisë qoftë edhe ato më të voglat nuk ishte aq e thjeshtë, sadoqë në të parë a me të dëgjuar mund të dukej çuditërisht shumë lehtë për t’u mësuar.

Mbaj mend kur të ngarkuar të qeverisë ma bënë mua për herë të parë: isha kapluar nga një si frikë e pandalshme, një si siklet uuh sa i rëndë, sepse, ngaqë i isha shmangur kësaj gjëje, ndjehesha fort e pasigurt. Dua të tregoj edhe një gjë, sepse kjo s’ka më asnjë rëndësi për shtetin e as për shoqërinë: deri në çastin e përmendur kisha bërë dredha të pabesueshme për t’i ikur këtij urdhri nga lart e që atëbotë edhe do të mund të më kishte kushtuar jo pak. Prandaj, në këto çaste, po dridhesha si purtekë jo vetëm nga ngazëllimi i fillestarit, por edhe nga frika se mos do më zbulonin që kisha qëndruar një kohë të gjatë “e pabërë”. Sigurisht që e dija se herët a vonë do të më vinte radha edhe mua. Por se do të vinte dita kur një gjë kaq intime të ndodhte në një shesh publik s’e kisha çuar mendjen kurrë, jo kurrë! Më parë do të kisha vrarë veten, ose do të hiqja dorë nga të gjitha përfitimet e shtetit a të shoqërisë, se sa ta bëja këtë!

Më vjen turp të rrëfej se si ndodhi e tëra në detaje (sidomos shikimet e afshëta pyetëse të njerëzve rrotull më pas), por për çfarë më vjen shumë, shumë turp, është ta pranoj se, po ta bëri qeveria një herë me dorë të lehtë, ashtu siç ma bëri mua për herë të parë, rreziku për të kërkuar edhe më shumë është mëse i sigurt dhe ti je mëse i mbaruar. E sado që mundohem t’i heq nga mendja skenat e ndodhisë, prekjet e lëngëta brenda meje nuk mund t’i tres dot: edhe sot e kësaj dite i ndjej me po atë afsh e me të njëjtën frikëz si në çastet kur kishin ndodhur. Të mos përmend pastaj përfytyrimet gjatë çasteve kur unë… ia bëj vetes… gati… njësoj…

Me duart që më dridhen do t’ia bëj vetes sot. Së pari, do t’i laj duart me kujdes: sado e çmendur të jem pas lëngjeve të mpiksura, mjaltëpista të kurmit të afshët, duart dua t’i pastroj më parë… (Lëre pastaj që na është bërë edhe fiksim i pashmangshëm.) Por unë e bëj këtë para së gjithash, sepse dua të ndjej sa më thellë çdo gjë… është një ndjesi e ëmbël alarmuese që fëshfëritet mes lëkurës së lehtë dhe mendimit se tashmë e di që do ta bëj; kam gjithë ç’më nevojitet, kam kohën, kam edhe vendin të tërë për vete, kam zjarrin bashkë me shqetësimin e ndrydhur qyshkur… Më pritet, por disi edhe s’më pritet, një dykuptimësi magjike dhe frikëbukur lëvron nga brenda qelizë më qelizë, teksa ndjesia nxiton të shkrihet në ngrohtësinë e heshtur të diellit që përvidhet tej xhamit të dritares – po, pse jo në mëngjes: më ka pushtuar një dëshirë nga ato të mëngjesit, në dukje të fshehura aq mirë, por në të vërtetë aq ngathtë nën lëkurë, sa mjafton një prekje, shpesh edhe një shikim, madje edhe një grimcë mendimi që ta shpalosë deri në thellësinë më të paturpshme e që ta nxisë të marrë rrugën e ëmbël drejt puqjes misterioze…

Mëngjes është, pra, qoftë i bekuar, që më mban në kulmin e ndjesisë, në kulmin e drithërimave çuditërisht të panjohura më parë, i kam mbyllur sytë përgjysmë dhe hamendem një çast, t’i mbyll perdet apo jo, hëëm, vendos t’i lë të lëshuara disi në mes… Zvarritem përtueshëm tek dritarja, dua ta festoj këtë kumt në ardhje me një ofshamë të bukur, pa le ta dëgjojnë ata që krimben pas derës e të tremben një çikë, (po, jam mësuar ndërkohë t’ia bëj vetes edhe kur ka të tjerë rrotull, për të mos thënë se pasioni është edhe më i vrullshëm në këto raste – unë, që dikur isha një fanatik i mbrojtjes së integritetit të njeriut e sidomos i intimitetit të tij, tani po jetoja një pritje të thellë, vetëdorëzuar me një kënaqësi morbide syve e veshëve voajeristë të atyre që nuk ua di as emrat…) po s’mundem ndryshe, dua të shthurem në çastet e shumëpritura të një jave pa fund. Tani nuk kam më ndjesi as dëshirë për ndonjë gjë tjetër…jam zhytur në jermin e shumëpritur të lojës me duar, me gjuhë, me lëng, me… Nuk më duhet as edhe një ndihmesë nga jashtë (madje as nga qeveria), jam fare brenda në elementin tim, ia kam bërë vetes disa herë në këtë mënyrë, nuk jam ngopur kurrë deri në fund, përkundrazi, jam etur për edhe më shumë, për edhe më shpesh; ah, e ndjej se shumë shpejt do të nis t’ia bëj vetes të paktën dy herë në javë… E ndërsa duart e mia prekin ngadalë, dridhshëm e me kujdes gjithë çfarë mund të arrijnë e ndjejnë, herë ftohtë, herë ngrohtë, sipërfaqe të lëmuara, të buta, të forta, ca klithma pëshpëritëse nga hera e parë përzihen në ajër: kujdes, mos e fut menjëherë, prit, hidh ngadalë ca pika lëng, të lutem lage sa më shumë, sa më thellë, kujdes, lëvize lehtë… pranë gjuhës, shtyje në brendësi… ja ashtu, sa më thellë, sa më lagësht, ashtu, ja edhe pak, hë, jepi… përzieji të dy lëngjet tani, atë të gojës dhe atë të… pikërisht, ja ia dole, më në fund…

Disa fëshfërima të mbrame përzihen me ca dromca pëshpëritjesh nga jashtë dhe, sakaq, bie një qetësi e pabesueshme, e padurueshme. Vërej se sytë i kam hapur. Ç’ka nuk shkon kësaj here? Kam mbetur e stepur dhe më duket sikur për herë të parë dyshoj në të fshehtat e kësaj kënaqësie të (pa)përsëritshme. Fjalët e lëngëta më derdhen edhe njëherë të turbulluara nëpër tërë trupin. Qeveria më ngjeth. Është e mundur të kishte arritur deri këtu, me forcën dhe me pushtetin e fjalës? Teksa mendoj këtë, ndjej si rrallë më parë një varësi të pashërueshme. Mos! Me fjalë nga më të ndryshmet po na e bënte qeveria tash e qyshkur dhe po na nxiste t’ia bënim edhe vetë vetes! Dhe kushedi se me çfarë fjalësh do të na ketë pasur në dorë deri më tash dhe me çfarë sosh do të na ketë mbase përgjithmonë… Jo, më nuk jam e sigurtë nëse breza të tërë do të ëndërronin për një shoqëri të tillë, ku shumë a gjithçka mund të lëvizet a ndalet vetëm përmes një fjale të folur nga (një a disa) njerëz – kjo forcë a nuk do të duhej të ishte vetëm e Perëndisë? O Zot! Ky mendim më kthjellon çuditshëm, sytë tashmë i kam katër. Shoh veten dhe, për një çast, e kuptoj se duhet të mbuloj pjesët e turpshme të trupit: shikoj rrotull, kap një cohë të lënë mbi tavolinë dhe mbuloj me të gojën… si s’po gjindej dot një fjalë aq e bukur sa ta mbulonte turpin ose një turp aq i bukur sa ta mbulonte fjalën? Nga dëshpërimi mezi marr frymë…

Mirëpo forca e ëndjes, shkaktuar nga duart e mia dhe nga fjala e qeverisë, më err sytë rishtas dhe unë vazhdoj të përçartem mes një risie që më fanitet mes grilave të dritares si një ëndërr, por që ka të ngjarë edhe ta kem dëgjuar a lexuar diku… Qeveria na paskësh përgatitur një kënaqësi edhe më të epërme, më të afshët, më të thellë… nuk do të ishte më, të më falni për shprehjen, një masturbim i thjeshtë, por… një penetrim… një penetrim i fuqishëm, që thuhej të ishte aq trandës, sa mund të ta ngrinte dhe gjakun në vena. Që do të thotë pakashumë se, do s’do, shteti herët a vonë duhet të ta fusë, në njëfarë mënyre… Psherëtij pavullnetshëm. E di, s’kam bërë aspak mirë që u kam dhënë udhë gjithë atyre mendimeve gjatë këtij çasti kaq të shenjtë: ia kam bërë vetes duke harruar se çfarë ta bën vetja, sta bën askush dhe tani mundohem të sjell ndërmend tërë zhgënjim se kur paskam arritur të mbaroj kaq shpejt. Kam mbetur as ulur, as shtrirë në një si pritje që, fatkeqësisht, pas gjithë këtyre (pë)shtjellimeve, më ngjan disi shumë e zakonshme. Çfarë pres? Mos e kam harxhuar tërë magjinë, edhe të pritjes, teksa po ia bëja vetes ndër gjithë këto mendime? Kohë më parë, pikërisht kjo pritja paskëtaj ishte, si të thuash, një si kulmim i dytë, ishin ato çastet frikëngazëllyese përzier me drojën e lehtë se çfarë do të të lexojnë të tjerët në sy pasi t’u dalësh përpara. Por më duhet ta pranoj se, kësaj radhe, këto pasndjesi po vijnë duke u zbehur e po rrezikojnë të rrëshqasin në njëfarë perceptimi të mefshtë, gati-gati negativ. Dhe, vërtet, pasi pesëmbëdhjetë minutat kanë kaluar tashmë, i afrohem tavolinës dhe shoh se testi i shpejtë antigjen i covidit që ia bëra vetes edhe kësaj të mërkure, ka dalë, fatmirësisht, negativ. E hedh në shportë me të gjitha mbetjet tjera dhe nisem për në zyrën ngjitur, ku më pret puna.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Henri Matisse, “Shënimet e një piktori”, 1908

Një piktor i cili i drejtohet publikut jo vetëm që t’i paraqesë veprat e tij, por për t’i shfaqur edhe ca nga...

Anisa Markarian: Disa pikla dëshmi në oqeanin e kujtesës së përbashkët

Bisedoi Andreas Dushi A.D: Tuj rrëmue n’do gjana t’vjetra / gjeta nji fotografi. Këto dy vargje nga një...

Anisa Markarian: Trupat e rinj

fragment nga romani «15 ditë prilli» – Botime Çabej Tavolina e laboratorit të anatomisë, e gjatë dhe e...

Sevdai Kastrati: Romanet që janë konsideruar gabimisht (pjesa 5)

Më bën përshtypje se si Fotaq Andrea nuk ngurron para hipotezave dhe ec përpara pa fakte. Pajtohem pjesërisht se Konica nuk...

KATEGORITË