More
    KreuLetërsiBibliotekë"Takimi me kanibalët", tregim nga Tibor Sekelj

    “Takimi me kanibalët”, tregim nga Tibor Sekelj

    Përktheu nga esperantishtja Bardhyl Selimi

    Me një ekspeditë të vogël prej katër anëtarësh- dy burra dhe dy gra-ne po hulumtonim pjesën lindore të Bolivisë, kur takuam një grup kërkuesish të kauçukut. Ata na vunë në dijeni për ekzistencën e një tribue kanibalësh në pyjet e lashtë të Brazilit, jo larg kufirit me Bolivinë.

    Me qënë në atë kohë etnologët nuk e dinin me siguri në se në kontinentin amerikan ka apo jo kanibalë, e quajta me shumë interes të shkoja tek ta, të merrja vesh në se vërtet ata hanë mish njeriu, dhe në se po, pse dhe qysh e bëjnë këtë gjë. Nuk është çudi që unë, po atë ditë, vendosa të nisem për ta gjetur tribunë Tupari. Çudi ishte se edhe tre anëtarët e tjerë të ekspeditës vendosën të më shoqërojnë dhe t’i nënshtrohen fatit tonë të pasigurt.

    Një mijë e pesëqind kilometrat, që na ndanin nga ajo tribu, me helikopter mund t’i mposhtnim brenda një ose dy ditëve. Kuptohet, në se do ta kishim një mjet të tillë modern transporti. Por me që nuk e kishim, udhëtimi ynë zgjati tre muaj.

    Dhjetë ditët e para ne i shijuam gjatë ecjes së ngadaltë me qerre buajsh nëpër savanet e pafund.  Kur pylli i lashtë i ndali  mjetet tona të udhëtimit, ne u hipëm kuajve që i patëm marrë si rezervë dhe mbi ta e rrahëm udhën përmes xhunglës për dymbëdhjetë ditë. Kështu mbërritëm në një moçal me bimësi të dendur, ku kuajt zhyteshin në çdo hap gjithnjë e më shumë Atje na u desh t’i ndarrojmë kuajt me buaj, me të cilët kaluam edhe tetë ditë të tjera. Vumë re se buajt nuk zhyteshin thellë në baltë sa kuajt. Udhëtimi ishte tepër i mundimshëm. Por ishte gjithsesi më mirë mbi buaj se në këmbë nëpër baltë deri në brez  për tetë ditë.

    Kështu mbërritëm te lumi San Migel. Që atje i kthyem buajt dhe kuajt me një shoqërues dhe në vend të tyre blemë nga vendasit një pirogë (varkë të ngushtë të bërë prej një trungu të vetëm). Ngarkuam në të bagazhet dhe veten dhe rremuam sipas rrjedhës së lumit. Ditë për ditë rremuam nga mëngjesi herët deri pasditë vonë. Një herë gjatë lumit  Itenez, pastaj kundër rrymës në lumin Guapore që e ndan Bolivinë nga Brazili dhe në fund gjatë  lumit që derdhet në të, Rio Branko, po ashtu kundër rrymës.. Ky itinerar zgjati plot 31 ditë. Ndërkohë, pothuajse pa e vënë re- dhe sigurisht pa u vënë re- e kapërcyem kufirin pa pasaportë dhe pa vizë. Ndodheshim tani në Brazil.

    Duke kujtuar se ndodheshim afër tribusë që po e kërkonim, zbritëm në breg dhe nisëm marshimin nëpër xhungël në këmbë. BImësia ishte kaq e dëndur sa na duhej të hapnim shtegun duke përdorur vazhdimisht thikat tona të gjata 80 cm, satrat, armë dhe mjete të dobishme të brazilianëve të vendit. Nuk i hoqëm kurrë nga duart ato, sepse nuk e dinim kurrë në se në sekondat që pasonin ato do përdoreshin për të prerë degët që na bezdisnin, për të larguar nga rruga kaçube plot gjemba apo për t’i prerë kryet ndonjë gjarpëri.

    Më shpesh, pas një marshimi disa ditor, ne mbërrinim në ndonjë fshat indigjenësh. Kështu për një muaj ndeshëm në katër tribu, fqinjët më të afërt të Tuparive, të vetmit që quheshin kanibalë.

    “Mos shkoni te Tuparitë, do t’ju hanë!” na këshillonin të gjithë nga fqinjët e afërt me tuparitë. Ne i falenderonim për këshillën dhe vazhdonim rrugën sipas planit. Zakonisht dhjetë shoqërues bartnin sendet tona të lëvizshme. Ne i kishim punësuar ata te ndonjë tribu dhe kur mbërrinim te tribuja e radhës i kthenim ata  me disa dhurata për ta përsëritur punësimin te tribuja e re.

    Në fund, kur erdhëm rreth treqind metra pranë shtëpisë së madhe të tuparive, bartësit tanë i hodhën poshtë sendet e ngarkuara, gati për t’ia mbathur. Pasi na u drejtua njeri syresh, arriti të na bëjë të qartë: “Në se doni t’ju hanë, hyni te tribuja. Ne nuk duam, sepse u kemi premtuar grave tona se do kthehemi.”

    Mbetëm ne të katërt për të kryer detyrën e brishtë të takimit me kanibalët.

    Duke u zvarritur, arritëm të afroheshim njëzetë metra para shtëpisë së përbashkët të tribusë dhe të rrinim galiç prapa një vargu kaçubesh. Që andej ne vëzhgonim pa marrë frymë lëvizjet e tuparive. Ata dilnin nga kasollja e stërmadhe- një banesë kjo për dyqind vetë-, hynin brenda saj, duke u fjalosur pa merak, burra, gra, fëmijë. Të gjithë ishin krejt lakuriq, ndonjë me vija të zeza ose vizatime të tjera në trup.

    Ndenjëm ashtu galiç, gati pa marrë frymë për gjysëm ore, deri sa mundëm ta frenonim disi emocionin. Zemra më rrihte si lodër.

    Tani ishte momenti për të provuar besimin tonë te teoria që  e pata përpunuar që më pare, falë të cilës guxoja të sfidoja të gjitha paralajmërimet.

    Teoria imë ishte që edhe njerëzit më primitivë nuk janë të këqinj, por që bëhen agresivë nga frika ndaj një armiku më të fortë. Tuparitë nuk kishin parë kurrë më parë njerëz të bardhë, por dinin për ekzistencën e tyre nga tregimet e të tjerëve që i kishin takuar ata. Ata e dinin që të bardhët kanë një shkop që bubullon dhe që në takimet me indigjenët i kanë përdorur për keq këto shkopinj. Ata dinin edhe që të bardhët janë njerëz të egër. Madje, edhe pse kjo duket e  çuditshme, të mos harrojmë se konflikti ndërmjet të bardhëve dhe indigjenëve vazhdonte pesë shekuj..Gjatë kësaj kohe shumë pushtues kanë vrarë në masë indigjenët, ua kanë rrëmbyer gratë e tyre, fëmijët, truallin, gjuhën e tyre dhe fenë e tyre, pra gjithçka të shenjtë pë rata. Nga njëherë të ardhurit kishin qëllime të mira- të martoheshin me gratë, i dërgonin fëmijët në shkollë, krijonin plantacione, u njepnin një gjuhë të përbashkët, një zot dhe fe të re “të vërtetë”. Por nga kjo dhunë, edhe pse disa herë më qëllim të mirë, ka mbetur vetëm armiqësia. Dhe në këtë rast gjithnjë tjetri është njeri i egër, tjetri është mizor, i padrejtë.

    Dhe tani mbërritëm ne- ata njerëzit e egër- me shpresë të takohemi me njërën nga tributë më agresive dhe për të mbetur gjallë nga ky takim. Por qysh?

    Si ta prishim këtë traditë të tmerrshme dhe të padyshimtë në një moment vendimtar?

    Gjaku na ziente nga emocioni. Djersë të ftohta pikonin nga hunda ime dhe nuk guxoja të lëvizja për t’i fshirë ato. Dridhja më e brishtë e gjetheve mund të na zbulonte.

    Dy të rinj lakuriq vrapojnë njëri pas tjetrit duke lozur. Një grua që barte në shpinë një rrjetë të plotë hyn brenda përmes hyrjes së vetme të shtëpisë së stërmadhe në formën e një gjysmësfere, mbuluar me gjethe palme.

    “Nuk na kanë zbuluar, megjithë instinktin e tyre të fortë natyror”- mendoj unë,  dhe ky mendim më trimëron dhe më jep pak vetëbesim. Me bisht të syrit vështroj anëtarët e tjerë të ekspeditës. Vëmendja është tendosur si në transhe.

    Mbase kaloi gjysëm ore kështu. Apo mbase një përjetësi. E ndjeva që gjunjët nuk më mbanin dot më në pozicionin galiç. Atëhere befas dhashë shenjë me dorë për miqtë e mij dhe kërceva nga vendi i fshehjes. Rosa, Maria dhe Rikardo kërcyen menjëherë pas meje.

    Në vështrimin e tuparive të dalldisur- sipas një plani të fiksuar që më parë- i hoqëm pushkët nga supet dhe revolet nga brezat dhe i hodhëm përdhe. Unë i ngrita të dyja duart lart dhe thirra në gjuhën tupari të vetmen fjali që kishim mësuar nga një anëtar i tribusë, i mërguar: “Ne jemi miqtë tuaj!”

    U bë një panik i tmerrshëm. Gratë duke bërtitur me të madhe i morën fëmijët dhe vrapuan prapa shtëpisë. Burrat luftëtarë nxorën thirrje luftë të paartikuluara duke vrapuan andej këndej. Në këtë hutim  zhurma e madhe i mbyti krejt deklaratat tona të përsëritura për miqësi. Na tradhëtuan edhe kordat e zërit. Disa nga burrat kapën harqet dhe shigjetat dhe i drejtuan kah gjokset tona me qëllim për t’I larguar sulmuesit e rrezikshëm.

    Ishte momenti i fundit që të vetëdijësohemi dhe të reagojmë sipas mënyrës që e kishim planifikuar në rast se ndodheshim në një gjendje të ngjashme.

    Po të ktheheshim për t’ia mbathur, shpinat tona do bëheshin tabelat më të mira të qitjes për shigjetat e tyre. Jo, nuk guxuam t’ia mbathnim. Përkundrazi, sipas planit të fiksuar, ne vrapuam në drejtim të atyre që kishin në duar hark me shigjeta. Me një lëvizje të shpejtë, secili prej nesh e shtyu mënjanë secilën shigjetë dhe, sipas mundësisë, iu afruam indigjenit që na kërcënonte me atë armë. U ngjeshëm pas atyre trupave ngjyrë bronzi duke përsëritur: “Ne jemi miqtë tuaja!”

    Indiani im u tërhoq prapa tri katër metra  për t’u bërë gati të qëllojë. Atëhere nxora nga xhepi një pasqyrë të vockël dhe ia dorëzova indigjenit “tim”. Ai më vështroi me mosbesim dhe në shprehjen e tij të fytyrës dallova një luftë të shkurtër të brendëshme, në se ai ka të drejtë të pranojë nga ky “dreq” një dhuratë të tillë të bukur?

    Provova të buzëqesh. Nuk e di sa sukses pata por nuk mungoi ndikimi. Indiani e hoqi nga dora shigjetën dhe kapi pllakën e vockël të ndritshme, që kish të ngjarë të mos e kish parë kurrë gjatë jetës.

    Momenti ishte i përshtatshëm që unë ta përqafoja kundërshtarin tim, jo fort, sepse kjo do ngjante me një sulm, por më shumë duke trokitur te supi i tij dhe – në mes të buzëqeshjes histerike- më të mirën që arrita ta krijoj, e përsërita deklaratën për miqësinë.

    Duke hedhur vështrim përqark, i pashë miqtë e mij në një situatë të ngjashme me timen. Maria madje mbante në dorë shigjetën, që  e kish marrë thuajse si dhuratë- apo e kish konfiskuar- në shkëmbim të një shamie të kuqe me të cilën “bashkëlojtari” i saj nuk dintë çfarë të niste.

    Por unë nuk kisha kohë për meditim. Para meje një indian tjetër me shigjetë të tendosur në hark kërcente lehtë para dhe prapa, sikurse bëjnë boksierët në ring për të provokuar kundërshtarin. Shigjetës së tij iu afrova unë dhe menjëherë nxora nga xhepi një krëhër të vockël prej plastike, blu.  Ai ishte ndër ato sende që i karakterizonim si “të parezistueshëm” dhe i përgatitëm për ato momente.

    Taktika jonë doli e mirë dhe e suksesëshme. Pas një hutimi gjysmë ore, nuk kishte asnjë shigjetë të drejtuar drejt nesh. Shumica e armëve të indigjenëve shtriheshin përtokë sikurse tonat: duart e tyre  ishin tepër të zëna me sendet e bollshme me të cilat arritëm të blejmë jetët tona.

    Disa prej tyre madje nisën të na përgjigjen me buzëqeshje dhe me trokitje në supe dhe shpinë. Gjithçka po ecte sipas planit.

    Atëhere ndodhi diçka e papritur.

    Në hyrje të shtëpisë së madhe u shfaq një burrë me shtat mesatar, pak i fuqishëm, rreth dyzetë vjeç. Ishte lakuriq si gjithë të tjerët. Vetëm mbi krye mbante një kapele prej lëkure jaguari me dy pupla shqiponje.

    Kur ai doli në skenë, të gjithë bashkëvendasit e tij ndenjën pa lëvizur. Të gjitha vështrimet ishin drejtuar kah ai. Dhe ai nisi të ecë në drejtimin tim me një qendrim të tillë të denjë që nuk dyshova për asnjë çast se ai ishte kryetari i tribusë.

    Kur ndali para meje, unë hoqa nga brezi një satër të vogël të bukur me gjithë këllëf dhe me të dyja duart, sikurse i japin dhuratat, ia zgjata kryetarit të tribusë. Ai e mori atë me të dyja duart dhe menjëherë pas pak iu kthye njërit nga ndihmësit e vet për t’ia dhënë, pikërisht sikur do të bënte një njeri me pushtet në çdo komb të qytetëruar. Ai nuk tregoi as edhe me një lëvizje të vockël të fytyrës shenja kënaqësie për marrjen e kësaj dhuratë të jashtëzakonshme për tribunë që jeton në epokën e gurit.

    U kthye sërish kah unë dhe me një zë miqësor dhe vendimtar, ku ishte fshehur mirë emocioni, tha: “toa-pe”.

    Mu duk se e kuptova që fjala është për përshëndetje. Nuk më erdhi në mendje asnjë mundësi tjetër. Unë, pra, i përsërita fjalët, duke e përshëndetur sërish atë.

    “Toa-pe” përsëriti kryetari i tribusë, tash me një farë padurimi në zërin e tij.

    Dhe për një moment të gjithë heshtën në pritje të lëvizjes së radhës. Abajto- kështu quhej kryetari i fisit- më mori prej krahu dhe filloi të më tërheqë në drejtim të xhunglës.

    Shkova me të. Rikardo më pyeti me gjeste në se duhej të më shoqëronte. Me një gjest tjetër e ndala atë., sepse në çdo rast, ai nuk mund të më ndihmonte në se do isha në një rrezik të vërtetë.

    Duhet të them se nuk ishte e këndëshme për mua i vetëm nëpër xhungël me shefin e kanibalëve.. Por mendova se askush nuk më dërgoi mua këtu, erdha vetë. Tani s’është momenti për t’u penduar as për ndonjë gjest pa shpresë për të shpëtuar.

     Ne ecëm qindra metra nëpër një shteg dhe ndalëm te një përrua shtatë tetë metra të gjerë. Abajto u hodh në lumë dhe nisi të lahet. Ma bëri shenjë me dorë që të lahesha edhe unë. Mu duk sikur në zemër më ra një gur. Çfarë mendimesh të tmerrshme pata në kokë dhe ishte fjala thjesht për të bërë banjë!

    Shpejt i hoqa çizmet dhe u zhvesha. Uji ishte i freskët dhe i kthjellët si kristali. Atë që do ta dëshironte një udhëtar tërë djersë pas një marshimi të gjatë nëpër xhunglën tropikale dhe pas kaq shumë emocionesh.

    Banjo ishte deri në fund e këndëshme në se nuk do më vinte nëpër tru një mendim. Befas më erdhi ideja mos vallë nuk është e mundur që tuparitë e kanë zakon ta lajnë njeriun që vendosin ta hanë?

    Ky mendim ma keqësoi mjaft humorin.

    U vesha dhe u kthyem në fshat.

    Sapo nisa t’u shpjegoj miqve të mij kureshtarë dhe tërë merak për mua se çfarë ndodhi, mu afrua një burrë tjetër, për të cilin më vonë mora vesh se ishte kryemagjistari. Ai më tha:”toa-pe”.

    Tani e dija çfarë do të thosh kjo. Do të thosh afërsisht “të shkojmë të lahemi”.

    Provova ta sqaroj atë se nuk kam nevojë, sepse tashmë jam i pastër, sapo jam larë. Ai sikur nuk e kuptoi sqarimin tim me gjeste, më mori me dorë dhe më tërhoqi për në xhungël.

    U lava edhe me të, ndonëse heqja e çizmeve, zhveshja dhe veshja përsëri në trupin e lagur ishte pak e pakëndëshme.

    Në intervale të shkurtëra më pas erdhën me radhë ndihmësit e kryetarit të tribusë- ata ishin shtatë- dhe të gjithë dymbëdhjetë magjistarët, me “ toa-pe” e vet. Atë pasdite u lava njëzetë herë.

    Kur kolegu im kaloi nëpër të njëjtën ceremoni dhe indigjenet i përcollën dy koleget tona sipas të njëjtës metodë në pjesën tjetër të lumit, “pagëzimi ynë i zjarrit” mbaroi.

    Provimi i parë në takimin me kanibalët, ai që ne kishim frikë më së shumti, u krye.

    (Nga libri “Një botë përjetimesh”)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË