Kreu Letërsi Kritikë Stefan Cvajg: Kriza dhe Metamorfoza te Tolstoi

Stefan Cvajg: Kriza dhe Metamorfoza te Tolstoi

Akti më i rëndësishëm i jetës është njohja e unit tënd dhe pasojat që rrjedhin, bamirëse apo keqdashëse qofshin, sipas asaj se çfarë synohet të njihet, trupi apo shpirti.
Nëntor 1898

Çdo rrezik shndërrohet në mirësi, çdo ngadalësim bëhet ndihmë dhe stimul shërues për krijimtarinë, sepse ato nxitin forca të panjohura shpirtërore. Në qoftë se jeta kërkon të jetë prodhimtare për botën, nuk duhet të ndalet, sepse forca shpirtërore- krijuese, ashtu si ajo fizikja, rritet si rezultat i goditjes dhe kundërgoditjes. Nuk ka gjë më të rëndësishme për krijimtarinë se sa të kënaqurit, puna mekanike dhe rruga e rrafshët. Rruga jetësore e Tolstoit bëhet e veçantë vetëm nga një shkarkesë vetëmohuese, nga lumturia për njeriun, nga rreziku për artistin. Në rrugën e pelegrinazhit drejt vetvetes, vetëm një herë pushon shpirti i tij i pakënaqur në gjashtëdhjetë vjet të ekzistencës së tij tetëdhjetë e tre vjeçare. Vetëm në intervalin e kohës nga martesa deri në përfundimin e romaneve “Lufta dhe paqja” dhe “Ana Karenina”, Tolstoi jeton në paqe me veten dhe punën e tij. Për trembëdhjetë vjet (1865-1878) hesht dhe ditari, kjo roje e ndërgjegjes së tij. Tolstoi i lumtur, i dhënë pas krijimtarisë kujdeset jo për vete, por për botën. Ai nuk pyet, sepse krijon (shtatë fëmijë dhe dy veprat më të fuqishme epike). Atëherë, dhe vetëm atëherë, Tolstoi jeton si të gjithë të shkujdesurit, në atë egoizmin borgjez të familjarit të nderuar, i lumtur, i kënaqur, i çliruar nga “pyetja e tmerrshme – pse”. “Unë nuk gërmoj në pozitën time (grubein është lënë) as në ndjenjat e mia, dhe se vetëm ndiej, nuk mendoj për çështjet e mia familjare. Kjo gjendje më jep hapësirë tmerrësisht të gjerë të mendimit”. Vetëthellimi nuk e frenon punën e tij të brendshme, roja e pamëshirshme e “unit” moral tërhiqet në dremitje dhe i jep artistit liri lëvizje. Gjatë këtyre viteve ai bëhet i famshëm. Lev Tolstoi e shton pasurinë e tij katër herë, edukon fëmijët dhe zgjeron shtëpinë. Veç ky gjeni moral nuk është i kënaqur nga lumturia, nuk është i prerë ai për një gjë të tillë, atij nuk ia turbullojnë vetëdijen as lavdia dhe as pasuria. Ai largohet nga përfytyrimet dhe i kthehet punës së tij kryesore që është krijimi në mënyrë të përkryer i figurës së tij, pa e ndier as shqetësimin e zotave. Por meqenëse zotat nuk e prekin, ai shkon vetë në drejtim të tyre, në kërkim të fatkeqësisë.

Meqë fati nga jashtë nuk i afron atij asgjë tragjike, ai krijon vetë tragjedinë e brendshme. Sepse jeta duhet të jetë gjithnjë në ekuilibër. Kur ndërpriten prurjet e fatit nga bota e jashtme, shpirti gërmon e hap brenda vetes një burim të ri, me qëllim që të mos shterojë rrethqarkullimi i qenies. Për bashkëkohësit është i papritur dhe i pakuptueshëm fakti që, Tolstoit i duhet të provojë në moshën pesëdhjetë vjeçare largimin e papritur nga arti. Kthimin e tij tek feja nuk duhet ta shohim si diçka të veçantë, të shkëputur. Më kot kërkohet ndonjë lloj anomalie në zhvillimin e këtij njeriu të shëndetshëm. Si gjithmonë tek Tolstoi, forca e ndijimeve ishte e jashtëzakonshme. Prandaj përmbysja që pësoi ai në vitin e pesëdhjetë të jetës është një proces që mbetet pa u vënë re tek shumica e meshkujve, dhe kjo ndodh për shkak të aftësisë më të kufizuar që kanë ata për ta shprehur një gjë të tillë. Ky ndryshim ka të bëjë me përshtatjen e pashma-ngshme dhe shpirtërore të organizmit me pleqërinë që po afrohet, ajo që në gjuhën shkencore quhet periudha KLIMAX.

“Jeta u ndal dhe u vështirësua”, e formulon ai vetë krizën e tij shpirtërore. Tolstoi pesëdhjetë vjeçar arriti atë pikë të vdekur kritike, në të cilën aftësia prodhuese për krijimin e plazmës fillon të dobësohet dhe shpirti kërcënohet të mpihet. Ndjenjat tani nuk e mbushin më dot me po atë forcë, masën plastike të qelizave krijuese.
Qartësia e ngjyrimit të përshtypjeve zvjordhet, bashkë me flokët që thinjen gradualisht. Fillon epoka e dytë, e cila na është e njohur prej Gëtes, kur loja e ngrohtë e ndjenjave ftohet dhe lartësohet deri në një kategori të tejdukshme të nocioneve: sendet tek shfaqja, përfytyrimi tek simboli, kënaqësia piktoreske krijuese tek ndërtimi kristalor i mendimeve. Ashtu si çdo shndërrim i thellë i shpirtit, edhe ky lloj ndryshimi shfaqet, para së gjithash, si ndjenjë e pakëndshme e pamundjes fizike, ndjenjë e dyshimtë e afrimit të diçkaje të panjohur dhe të huaj, si frikë shpirtërore përpara të ftohtit. Sëmundja e tmerrshme e varfërimit e përshkon befas shpirtin e trazuar dhe seizmografi i ndjeshëm i trupit shënon menjëherë lëkundjen që po afrohet (sëmundjet mistike të Gëtes në çdo transfigurim). Por edhe këtu në një fushë pak të ndriçuar, në një kohë kur shpirti ende nuk mundet ta ketë të qartë sulmin që i bëhet nga errësira dhe vetëm drithërohet nga ndjenja e frikës për rrezikun e pakuptuar që i kanoset, në organizëm fillon tanimë procesi i kundërveprimit, zhvendosja në thelbin psiko-fizik, pa dijeninë dhe pa vullnetin e njeriut, për shkak të aftësisë paralajmëruese që ka vetë natyra. Sepse, ashtu si trupi i kafshëve mbulohet nga leshi shumë kohë përpara se të pllakosë të ftohtit e dimrit, ashtu dhe shpirti njerëzor në moshën kalimtare, sapo ta ketë kaluar zenitin, mbështillet nga një veshje e re mbrojtëse, nga një shtresë e dendur që nuk e lë të ngrijë në periudhën pa diell të rënies.
Ky kalim enigmatik nga e ndjeshmja tek shpirtërorja, që ndoshta varet nga veprimtaria e gjendrave dhe që sjell lëkundjet e fundit të energjisë krijuese, kjo periudhë klimaksi, të cilën unë dua ta quaj antiburrëri, shfaqet me trauma shpirtërore, që kushtëzohen në po atë masë nga shndërrimet organike dhe që shkaktojnë krizën, ashtu si edhe vetë burrërimi, megjithëse – kujdes psikanalistë e psikologë! – sapo ka filluar të hulumtohet në shfaqjet e veta fizike kryesore, e ca më pak në ato shpirtërore. Tek gratë, të cilave fenomeni i krizës seksuale u shfaqet në mënyrën më të ashpër dhe më klinike, në forma pothuajse të kapshme, në rastin më të mirë janë bërë disa vrojtime. Kurse periudha kalimtare e meshkujve, që është krejt e pahulumtuar dhe që ka karakter më shumë shpirtëror, ashtu si dhe pasojat e veta psikike, presin ndriçim psikologjik të mëtejshëm. Sepse periudha e klimaksit tek meshkujt bëhet epokë e ndryshimeve serioze. Lartësimet fetare, poetike dhe intelektuale janë vetëm veshje mbrojtëse për një qenie me më pak gjak, me ndjeshmëri shpirtërore që është në rënie. Në këmbim të mpakjes së ndjenjave, të dinjitetit vetjak dhe të pakësimit të potencës jetësore, shfaqet rritja e aftësisë për ta ndjerë botën.
Ashtu si në periudhën e burrërimit, periudha e klimaksit është e rrezikshme për të dobëtit, ajo fillon (me vrull tek të vrullshmit, me prodhim tek prodhimtarët) me një epokë të re prodhimtarie shpirtërore që mbart ngjyrime të ndryshme dhe një ripërtëritje më të vonuar midis ngritjes edhe rënies. Tek cilido artist me vlera e hasim këtë çast të pashmangshëm kthese, megjithëse, me thënë të vërtetën, tek asnjë me forcë të tillë shpërthyese, vullkanike, pothuajse shfarosëse, si tek Tolstoi. Po ta shikojmë këtë me nerva të ftohta, me sytë e objektivitetit të thjeshtë, me Tolstoin në moshën pesëdhjetë vjeçare, në të vërtetë nuk ndodh asgjë, përveç asaj që është natyrale për moshën e tij, që ai ndien afrimin e pleqërisë. Kjo është e gjitha, këtu qëndrojnë edhe përjetimet e tij. Atij i bien disa dhëmbë, kujtesa i dobësohet, lodhja nganjëherë ia mjegullon mendimet, gjë e zakonshme kjo për pesëdhjetë vjeçarët. Por Tolstoi, ky njeri i fortë, kjo natyrë që rrjedh, që derdhet jashtë brigjeve, e ndien veten të flashkët dhe të gatshëm për të vdekur që në puhizën e parë vjeshtore. Ai mendon se “nuk mund të jetosh pa u dehur me jetën”. Ndrydhja nevrastenike dhe pështjellimi e kaplojnë këtë njeri të shëndetshëm. Që në shenjat e para të ftohjes jetësore dhe të dobësisë, menjëherë dorëzohet. Ai nuk mund të shkruajë, nuk mund të arsyetojë: “Shpirti im fle, nuk mundem ta zgjoj dot, nuk jam mirë, kam humbur gjallërinë”. Ai, sikur të tërhiqte ndonjë zinxhir pas vetes, me vështirësi e çon deri në fund “Ana Kareninën”, të mërzitshme e të rrafshët. Flokët i thinjen papritur, rrudhat i mbushin ballin, stomaku nuk i bindet më, anësitë i dobësohen. Ai, me trurin e trashur arsyeton dhe thotë: “asgjë nga jeta nuk e gëzon; se nga jeta nuk mund të presësh më asgjë, se ai së shpejti do të vdesë”, ai “me të gjitha forcat shkëputet nga jeta” dhe shpejt në ditar shfaqen njëra pas tjetrës dy shënime të rralla: “tmerri i vdekjes” dhe pas disa ditësh: “Il faudra mourir seul”. Për këtë gjigand të jetës, vdekja të cilën unë u përpoqa ta jap gjatë përshkrimit të forcës jetësore të tij – përbën më të tmerrshmin nga të gjitha mendimet e tmerrshme, prandaj ai drithërohet sapo fillojnë t’i dobësohen disa fije nga shkulmi kolosal i forcave të tij.
Ky vetdiagnostikues gjenial, sigurisht që nuk e ka plotësisht gabim, kur flegrat i ndiejnë erën e kalbëzimit, sepse me të vërtetë, në këtë krizë, një pjesë e Tolstoit të dikurshëm fillon të shuhet. Dhe nuk shuhet njeriu plot forca që njohim ne, por artisti i lirë dhe i shkujdesur, ai që e merrte botën si diçka që ekzistonte objektivisht, të pandryshuar, po kaq të vërtetë dhe pronë të vetën sa edhe trupin e tij. Më përpara Tolstoi nuk e kishte vrarë mendjen për thelbin metafizik të botës. Ai vetëm e kundronte atë, siç bën piktori me modelin e vet dhe, me gëzimin e çiltër të fëmijës, u hapte rrugën ngjarjeve që t’i afroheshin. Ato, të bindura, nuk lëviznin kur ai pikturonte portretet e tyre, duart e tij krijuese i preknin dhe i përkëdhelnin ato lirisht. Ky është një vështrim i pastër krijues, është vetëm një përmbledhje e kopjeve të jetës, të cilën nuk mund ta shtjerë në dorë artisti që ka humbur besimin. Bashkëjetesa naive midis botës dhe “unit” të tij është prishur, aty papritur është hapur një humnerë nga e cila përhapet era e myshkut dhe e të ftohtit.

Fenomenet nuk i jepen krejtësisht, ai e ndien se ato fshehin diçka që qëndron prapa tyre. Mendja e tij e ndritur, për herë të parë ndien praninë e të fshehtës në qenie, të cilën nuk mund ta kapë nëpërmjet shqisave të jashtme, por e merr me mend qenien e saj. Tolstoi për herë të parë sheh se ndien nevojën e një instrumenti të ri, për të kuptuar atë çka i fshihet shikimit, se i duhet një sy më i vetëdijshëm më i mësuar. Tani ai detyrohet të kërkojë në çdo fenomen kuptimin moral të tij, përpiqet të bëjë atë që është më e huaj për të, dhe pikërisht ta bashkërendojë atë me fatin e tij. Shembujt do ta sqarojnë më mirë këtë metamorfozë të brendshme. Tolstoi kishte parë mijëra herë në luftë njerëz në agoni të vdekjes dhe, pa u merakosur për drejtësinë apo padrejtësinë e vrasjes, e ka përshkruar vdekjen si artist, si poet, si një bebëz reflektuese, si një cipë e retinës që kap pasqyrimin. Por papritur sheh sesi në Francë, koka e një të dënuari pritet nga gijotina dhe rrokulliset mbi kalldrëm, dhe menjëherë, brenda tij, forca morale revoltohet kundër gjithë njerëzimit. Njëmijë herë ai, i pushtetshmi, fisniku, konti, teksa vrapon pranë muzhikëve të tij, pranonte mospërfillës, përkuljen e tyre prej skllevërish të nënshtruar, si diçka krejt të zakonshme dhe vazhdonte revanin, pa e vrarë mendjen se pluhuri që ngrihej nga vrapi i kalit mbulonte zhelet e veshjeve të tyre. Tani ai për herë të parë vë re këmbët e tyre të zbathura, varfërinë, ndrojtjen dhe mungesën elementare të të drejtave për ta. Për herë të parë shtron përpara vetes pyetjen: A ka ai të drejtë që, teksa sheh nevojat dhe punën e tyre sfilitëse, të jetojë vetë pa telashe? Kushedi sa herë sanat e tij në Moskë kalonin fluturimthi, përbri turmave të varfanjakëve që ngrinin nga të ftohtit dhe ai as që ua hidhte sytë. Varfëria, shtypja, burgjet, Siberia ishin për të shfaqje aq të zakonshme si bora në dimër dhe uji në fuçi. Tani, befas, gjatë regjistrimit të popullsisë, ai, si të ishte zgjuar nga një gjumë letargjik, kupton dhe pranon gjendjen e rëndë të proletariatit si akuzë kundër pasurisë së tij.

Që nga koha, kur ai gjithçka njerëzore nuk e quan më vetëm material, i cili duhet “vëzhguar dhe studiuar”, rregulli i qetë piktoresk i qenies në shpirtin e tij prishet dhe shkatërrohet nga tërmeti i ndërgjegjes. Ai nuk mundet ta shikojë jetën në mënyrë të ftohtë e shpërfillëse, ai heton vazhdimisht për logjikën dhe palogjikën, për drejtësinë dhe padrejtësinë e çdo fenomeni. Ai gjithçka njerëzore e koncepton tanimë jo duke u nisur nga vetja, në mënyrë egocentrike, por nga pozita shoqërore, vëllazërore, që së jashtmi. Ndjenja e shoqërizimit e “goditi” atë si sëmundje. “Nuk duhet menduar, sepse kjo është shumë e dhimbshme”, ofshan ai. Por përderisa syri i ndërgjegjes u hap, vuajtjet e njerëzimit, mundimet e përjetshme të botës, bëhen pa dyshim çështje thellësisht personale. Pikërisht nga frika mistike përpara boshësisë, hedh shtat drithërima e re përpara gjithësisë. Nga vetëshmangia e artistit, lind detyra që edhe një herë, por tani në planin moral, të ndërtojë botën e vet. Atje ku ai dyshon se është vdekja, ndodh mrekullia e ringjalljes. Lindi ai, Tolstoi që, jo vetëm si artist, por edhe si “njeriu më njerëzor” e hyjnizon gjithë njerëzimi.

Por në atë kohë, pikërisht në çastin e shkatërrimit, në atë çast mëdyshës ‘të zgjimit” (kështu, për t’u ngushëlluar e quan Tolstoi më vonë, gjendjen e tij të shqetësuar), ai i zënë në befasi, nuk dyshon që ka ndodhur thyerja, metamorfoza. Përpara se t’i hapej ky sy i ri i ndërgjegjes, ai e ndiente veten qorr, të rrethuar nga kaosi dhe terri i padepërtueshëm. Bota e tij po shembej. Gjysmë i mbytur nga tmerri ia ngul sytë territ pa kuptim. “Pse të jetosh, kur jeta është kaq e tmerrshme?” – bën ai pyetjen e përjetshme fetare mistike. Pse të punosh, në qoftë se e lëron tokën vetëm për vdekjen? I dëshpëruar ai prek me duar suprinën e kupolës botërore të zhytur në errësirë me shpresë që të gjejë gjëkundi daljen, vetëshpëtimin, një shkëndijë drite, shkëlqimin e shpresës. Dhe vetëm pasi bindet se askush nga jashtë nuk ka për t’i sjellë as ndihmë, as dritë, ai vetë gërmon për vete tunel nëntokësor, gradualisht, sistematikisht, shkallë pas shkalle. Në vitin 1879 ai shkruan mbi një fije letër këto “pyetje pa përgjigje”:

a) Përse jetoj?
b) Cila është arsyeja e ekzistencës sime dhe e kujtdo?
c) Cili është qëllimi i ekzistencës sime dhe e kujtdo?
ç) Ç’kuptim ka dhe përse duhet ai dyzimi i të mirës dhe të keqes, që ndiej unë brenda vetes?
d) Si duhet të jetoj unë?
dh) Ç’është vdekja… Si të shpëtoj prej saj?

Si të shpëtoj prej saj? Si duhet të jetoj? Këtë vikamë të tmerrshme të Tolstoit, thonjtë e krizës e kanë shkëputur nga zemra e tij. Dhe kjo vikamë dëgjohet për tridhjetë vjet rresht, derisa buzët nuk i binden më. Ai nuk i beson më lajmit ogurmirë që i del nga ndjenjat, arti nuk i jep më ngushëllim, shkujdesja u ezaurua, dehja e zjarrtë e kohës së rinisë u zhduk. Ftohtësia shpërthen nga të gjitha anët, nga thellësitë e kalbëzimit dhe nga hapësira e padukshme e vdekjes, që rrethon botën. Si të shpëtoj? Kjo vikamë bëhet gjithnjë e më e dëshpëruar, sepse është e pamundur që ajo, që duket pa kuptim, në të vërtetë të mos e ketë ndonjë kuptim, të paktën kuptim që nuk e prek me dorë, nuk e sheh me sy, nuk e llogarit me dije, me mendim, që fluturon mbi çdo vërtetësi. Arsyeja i mjafton vetëm për të kapur gjallimin, por jo vdekjen, prandaj i duhet një forcë tjetër, e re, për të kapur të paarritshmen.

Dhe, meqenëse ai nuk e gjen atë tek vetja, tek njeriu i arsyes, ky media in vita i panënshtrueshëm, i rraskapitur nga tmerri, i dobësuar nga frika, në mes të udhës së tij, befas ulet në gjunjë pëpara Zotit, hedh tutje njohuritë e tij mbi botën, të cilat gjatë pesëdhjetë vjetëve i kanë sjellë lumturi të patreguar dhe lutet pa pushim për besimin: “Ma fal atë mua o Zot dhe ndihmomë t’ua mësoj edhe të tjerëve ta gjejnë”.

(Marrë nga “Lev Tolstoi”, Stefan Cvajg, Onufri, 2004)

Përktheu: Guri Shyti

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

Viktor Frankl dhe kërkimi për kuptimin

Nga William J. Winslade Më 27 janar 2006, në gjashtëdhjetë e një vjetorin e çlirimit të kampit të vdekjes së...

Pajtim Statovci fitues i çmimit më prestigjoz në Finlandë për letërsi, “Finlandia”

Çmimet më prestigjioze të librit në Finlandë për letërsinë, jo-letërsinë dhe letërsinë për fëmijë u dhanë më 27 nëntor nga Fondacioni Finlandez i Librit...

Shkrimtarët mbështesin Agron Tufën

Te dashur Virion dhe Zoica, Deshiroj te jeni mire me shendet te tre dhe me gjithe familjet tuaja ne Gjirokaster.

Mimoza Hysa: Diktatura kërkon një trajtim nga brenda, me gishtin drejtuar vetes dhe jo tjetrit

Intervistoi Violeta Murati Pas një përvoje tridhjetëvjeçare me përkthimin e autorëve si Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi,...