(Shënime për vëllimin e poetit Sokol Zeka) – Botime Princ
Në vend të parathënies
Ka poetë që të bëjnë më zemërbutë, si Ndre Mjeda përshembull. Ka poetë që të bëjnë më burrë, si Gjergj Fishta përshembull. Ka poetë që të bëjnë më rrebel, si Migjeni përshembull. Ka poetë që të bëjnë më intelektualë, si Zef Zorba përshembull. Ka poetë që të bëjnë më nostalgjik, si Martin Camaj përshembull. Ka poetë që të bëjnë më moskokëçarës, si Frederik Rreshpja përshembull. Ka poetë që të bëjnë më sensual, si Primo Shllaku përshembull. Ka poetë që të bëjnë më të përulë, si Sokol Zekaj përshembull…
Poezia si përulësi apo si përvujtni
Në poezinë e Sokol Zekës nuk mund të hysh dot nësë nuk di se ç’është përulësia.
Është interesant sesi e prodhon gjuha shqipe fjalën “përulësi”. Ajo e merr fjalën “Humility” dhe duke i rrëshqitur origjinës tingullore (etimologjike) latine, i bën dredha metoforës dhe prodhon një kuptim shumë më të pingulët dhe të drejtpërdrejtë, pa ekuivoke: Përulësi, Përvujtni apo Përunjtësi. Fatkeqësisht frekuenca e përdorimit në shqipen letrare apo të folur është e ulët edhepse kjo fjalë buron nga e njëjta rrënjë e përbashkët e fjalës “Njerëzi” (Humanitas). Pra nga “humus” (baltë, dhe, tokë) kemi njerzi, jetë, përvujtni. Sinonimi këto të humbura ndër kode të reja morale.
Toma i Akuinit shkruante se: “Rruga që të con lart asht rruga që shkon poshtë”. Këtë e thotë edhe per Krishtin që kalon neper vdekje, por edhe për Shën Palin, kur si oficer i lartë rromak, do i duhet të bjerë njëherë në pluhur e pastaj të ngrihet në besim.
Ndërkaq Francesku i Azisit dëshëronte të ishte si uji, si rrjedha që nuk vërehet dhe nuk bën zhurmë kur lëvizë.
Në gjuhën shqipe sinonimia e fjalës latine formulohet me Përvujtni. Nga i vutë = i rrafshët, i sheshtë. Kështu përshembull kemi struktura si: Me fjalë të vuta. Djalë i vutë. Shtëpi e vutë. Ledh i vutë, etj.
Ndërkaq kultura e komunizmit, ajo që tenton të formojë Njeriun e Ri të paisur me “virtyte të reja” e promovon në një mënyrë krejtësisht të kundërt kuptimin e asaj çfarë thamë më lart. Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe të vitit 1981 fjala “Përvuajtje” ka kuptimin e: “Të qenët i përvuajtur, qëndrim i përulur; ndjenja e nënshtrimit ndaj dikujt a diçkaje, përulësi. Përvuajtje e shtirur. Ndjenja e përvuajtjes. Përshëndeti me përvuajtje”.
Nga ana tjetër nuk duhet gatërruar kurrësesi koncepti “i përulësisë” me atë të “thjeshtëzimit” a por me një farë naiviteti që e shoqëron aparencën e përsonit apo veprës së tij. Përkundrazi. Na duhet që në krye të themi se “Përvujtnija” është pazgjidhshmërisht e lidhur me kulturën e dyshimit. Poshtë siguria. Rroftë Dyshimi! Kishte me qenë motoja e një personi të përulë apo të përvujtë.
Antropologjia e poezisë së Sokol Zekës
Antropologjia e poezisë së Sokol Zekës do ishte marrë me analizën e tekstit letrar, të vështruar si një mjet specifik kërkimi mbi etnografinë e hapësirës dhe kohës në të cilën është krijuar. Lidhja midis antropologjisë dhe poezisë së tij bazohet në zbulimin e dimensionit autonom të shkrimit, i kuptuar si një mjet për të interpretuar realitetin dhe jo vetëm si një përshkrim i thjeshtë i tij.
Teksti poetik i Publiçisti dhe botuesi Frano Kulli nderohet me çmimin “P. Zef Pllumi” për veprën më të mirë në publiçistikë. bëhet vendi ku kërkimi dhe mediumi letrar bashkohen në mënyrë krijuese. Mediumi poetik ofron mundësinë e një analize dhe një reflektimi mbi natyrën njerëzore të autorit, ndryshimet që kanë ndodhur te ai me kalimin e kohës, duke e ekspozuar kështu rezultatin e kërkimit antropologjik metafora të gjallë të tekstit
Qeshë i fortë dhe fatbardhë
që munda të jetoj kaq gjatë
ditë për ditë me këtë shpirt
aspak të besueshëm.
Në këtë katër vargsh kemi edhe pikën e fundit të esencës poetike të Sokol Zekës, veten e tij të dytë para pasqyrës së pashpirt të epokës së vet.
Poemat si forma dramatike dhe prozat poetike
Edhepse kryekreje lirik, prapëseprapë narrative, epizmi kërkon shteg për të poezia e Sokol Zekës. Epika e sendeve të thjeshta hyn në atë masë sa për t’i ofruar lirikës së tij përrallën, apo e thënë ndryshe elementin që ia shndërron poezinë në baladë.
Epizmi përbën një element të pavënëre në poezinë e Sokol Zekës. Ai është si konservanti që mban në jetë produktin estetik. Në poemat si: “Bukurshkrim shqip”, “Poemë për vete”, “Kalimtare e rikthyeshme” etj. Me pak kujdes ndjehet kalimi i konkretes drejt abstraktes , në atë masë sa të mos e prishë komunikimin, përveçse t’a magjepsë atë:
Nisa të mendoj qetë por me dhimbje
Nisa të mendoj me dhimbje por pa emocion
për t’i çmuar gjërat në dritë në pëllëmbën e dorës.
Nisa të shkel mbi dëshirat e mia
Më kot, se dëshirat ku shkelja më bëheshin gurë sferikë
asaj kohe të pjerrët.
Po kështu ndodhë edhe te prozat e shkurtëra poetike, të cilat janë pjesë të çmuara të mozaikut estetik të këtij autori, por dhe jo vetëm të tij. Kështu përshembull edhe në prozën poetike “Kur ra një borë”, Sokol Zeka e nënvizon intuitetin e tij, i cili rëndom fshihet në strukturën idiomatike “se ashtu apo kështu më ra ndër mend”.
“Qeshë ngritë me marrë një libër, se ashtu më ra ndërmend, dhe befas m’u ba se po binte borë! Hapa dritaren: po, vërtet, megjithatë ishte një borë e imtë, po them, pa shpirt ndërsa gati gjysma e qiellit qe e kthjellët. Mendova se ndonjë erë kabahe e kishte zhvendosë këtë re nga lartësia mbi male deri këtu te ky skaj i qytetit, ashtu sikur ne në një shoqëri shtyjmë dikend me dalë dhe me këndue megjithëse ai ndoshta nuk di, apo ndoshta thjesht nuk do me këndue! Dhe kështu gjithçka mbyllet pa gëzim, me një keqardhje. Atëherë më erdhi në mendje dyshimi se ndoshta unë nuk e kisha librin që po kërkoja: ka qenë një libër i hollë i kahershëm që e dija se e kam pasë por… ka shumë kohë…”
Ka një koiçidencë fatlume midis aksionit që lind prej faktit se diçka i ra ndër mend si shkak dhe asaj që gjen, si pasojë. Shpesh mos përputhshmëria midis këtij shkaku dhe asaj pasoje, prodhon atë mrekulli magjepëse që mbart poezia e Sokol Zekës.