Kreu Arte pamore Si e rikrijonte botën në art piktori Lin Delija

Si e rikrijonte botën në art piktori Lin Delija

Nga Ardian Ndreca

Lin Delija e nisi rrugëtimin e tij artistik në klostrin françeskan në Shkodër, ku shpirti i tij prej artisti nuk kishte ra në nji tokë djerrë, mbasi arti dhe kultura mbrujshin vetvetijshëm jetën e atij mjedisi. Muzika, piktura, skulptura, poezia, teatri ishin frymëmarrja e atij oazi drite që mundohej me formue të ardhmen e Shqipnisë.
Rrethanat historike në të cilat u përshkue jeta e tij dhe fati deshtën që në vitin 1954, i sapoardhun në Romë, Lin Delija të takohej me Ernest Koliqin, i cili do ta ndihmonte në hapat e parë tue i gjetë nji bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura.
Atmosfera romane, njohja me rrethet ma në zâ të pikturës së viteve ’50-’60 dhe sidomos primja kah arti i shenjtë (it. arte sacra) banë që veprat e tija të mbusheshin me vedrime shenjtënsh e martirësh shqiptarë, me skena plojash që komunizmi po bante mbi popullin e pafajshëm. Lin Delija ka pikzue tragjedinë e nji kombi e i ka dhanë ngjyrë dënesës së nanave e motrave që vuejshin për bijtë e vëlleznit e vramë, të burgosun, të internuem apo të detyruem si ai me braktisë atdheun.
Në pikturat e tij shndritë gjithnji nji dritë shprese, figurat ma shpresëdhanëse janë ato që prihen me u stërzgjatë drejt qiellit, tue kalue horizontin e dhimbjeve e të territ, të lëshueme kah nji dritë e epërme hyjnore.
Në artin e vet Lin Delija ka interpretue botën në dy përmasat e saja thelbsore: të shenjtën dhe tokësoren. Tokësorja shkëlqen në figurat rinore, përderdhet me tingujt e nji jete të lumtun e plot laryshí – kjo asht pjesa që ai ka përjetue në botën e lirë. Por ka edhe nji realitet tjetër tokësor që zen vendin ma kryesor në shpirtin e tij. Ai përbahet prej kujtimeve vetiake dhe prej rrëfimeve të atyne që kishin ikë prej atdheut. Nepërmjet tyne vijnë deri tek ai lotët, plagët, jeta e burgjeve, kumtet për mësuesat e shokët e pushkatuem, mundimet e nji populli e të nji Kishe heroike. Dikund në nji syzë rafti artisti ka ruejt deri në fund të jetës zhgunin e tij të viteve të kolegjit. Shpirtin e ka pasë të thurun me fijet e ashpra të atij zhguni të lyem me gjak martirësh. Prej atij gjaku ai andrronte shelbimin e nji kombi të shtypun e të nepërkambun.
Vepra e tij asht si kumti i nji të mire të vonueme e shumë të dëshirueme. Ngjyrat e tija ruejnë freski në tonet e ndezuna dhe shprehin vuejtjen e madhe shpirtnore në hijet e randa që përvijohen në fytyra, lëvizje, peizazhe e qiej të randuem me dhimba të pathanshme.
Shkruente për të Ernest Koliqi: “Mënyra piksuese fare origjinale e Lin Delís tërhjek sidomos për reflektimin e nji vegimi të botës ku shfaqen krejt pikpamjet e rrânjosuna në tharme thjeshtësisht e thellësisht shqiptare: nji botëkuptim, në të cilin vlojnë prirjet mâ tipike të Shqiptarit të kulluet, të mertisuna me ngjyra plot fuqí shprehëse. (…) Ai veshë me magjín mâ të lulzueshme të ngjyrave tipa njerzorë dhe pamje jete të kapërthyeme në nji tragjicitet ndiesísh.”
Mbas shumë dekadash Lin Delija po kthehet rishtas në atdhe me artin e tij, i cili asht dëshmitar i nji shpirti të pastër dhe të bukur, i nji dashunije të gjatë që e përcolli deri në kufijtë e amshimit.
Lin Delija kthen artin e shenjtë në gjinin e pikturës shqiptare, ku ky lloj arti pothuejse mungonte qysh prej kohës së Onufrit.
Përshpirtnia dhe ndjesia e së përtejshmes (transhendentales) bajnë që ai me gjuhën e zgjedhun të ngjyrave të sjelli sot mallin për nji t’ardhme që asht, por ende s’ka ardhë tek ne dhe nderimin për nji të kalueme të dhimbshme që s’duhet harrue kurrë.
Delija i ndejt larg qarqeve të industrisë kulturore italiane, shikoi me mosbesim modat e momentit dhe primjet me përfitue prej politikës. Përveç artit të shenjtë ai trajtoi me shumë pasion edhe nudot, në paraqitjen e të cilave tregoi se zotnonte teknikat e traditës ma të mirë të shkollave figurative, pati ndikimet e pikturës venedikase, ato të ekspresionistave francezë dhe të shkollës romane të shek. XX.

Format e kolme, shikimet e ambla, paqa e trupave që dijnë me drejtue dëshirat nëpërmjet nji gradacioni kromatik që i shkrin me peizazhin, aftësia me shkue edhe përtej tue trajtue karakteret – bajnë që Delija të mbesin nji za i përveçëm i pikturës së shek. XX. Nudot e Delisë paraqesin shejtninë e trupit njerzor me nji lirizëm prekës. Erotikja e tij nuk asht asnjiherë vulgare, por mbërrin me elektrizue kanovacën tue instaurue nji dialog piktoresk me trupin.
Në qendër të artit të tij pati njerzoren që e shprehu me vibracione kromatike të rralla, tue parapëlqy si subjekt nudot femnore, dinamikat e trupit, labirintin e dëshirave që komunikojnë jetën dhe vullnetin me u njohtë. Bahet fjalë për figura të çmueshme, të sofistikueme, shpeshherë të papërfundueme si vetë dëshirat që e kanë frymzue artistin përgjatë jetës së tij.
Te Delija ndërthuret kthjelltësia dhe zymtsia, efektet ndriçuese marrin hov prej pranisë së territ, raportet tonale dhe sprovat kromatike shpeshherë janë origjinale dhe bazohen në gjendjen shpirtnore, por edhe në momentet e jetueme. Asht thanë tashma prej zanave me autoritet se piktura e tij të kujton vetvetijshëm Daumier, Degas, Toulouse-Lautrec, Manet edhe pse qëndron përtej post-impresionizmit.
Mes qiellit dhe tokës përshkohen kompozime masive kur domethaniet shtresëzohen dhe sensit figurativ i rrin hijshëm përkrah përdorimi jokonvencional i ngjyrave, gjithnji pa ba që Delija të jetë nji kolorist i randomtë. Mund të themi se Delija e ri-krijon realitetin, siç ban çdo artist i vërtetë, tue e trajtue në terapinë intensive të artit për me arritë me kundruekështu spektaklin e jetës pa u ba rob i realizmit objektiv. Nganjiherë tek ai ndeshim deformime groteske, stilizime të dukshme, hiperbolizime të gjendjeve shpirtnore dhe errësime e ikje nga figura, e gjithë kjo i shërben idesë së artistit vizionar me shkue përtej, tue rrezikue edhe dëshpërimin, por gjithnji i mbajtun gjallë prej besimit dhe forcës shpirtnore.
Lin Delija në tentativën e tij të parë me u kthye në atdhe si piktor nuk u kuptue dhe madje u pengue prej xhelozinave provinciale, arti i tij jokonvencional dhe i panjoftun për nji vend ku kishte mbizotnue realizmi socialist nuk pranohej as në ambientet e tija dhe kjo gja bani që ai të kalonte nga kjo jetë i zhgënjyem. Sot ai meriton nji vend të denjë në qytetin e tij të lindjes. Nëse ky i fundit mton ende me i thanë vedit “djep kulture”, duhet që djepi të mos mbesin shkretë, pse kultura asht ushqim jetik dhe jo diçka që i përket së kaluemes që nuk asht ma.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

E përtejmja e qenies dhe e atjeshmja e poetit (Sprovë për një lexim pragmalinguistik të poezisë “Kur të jesh mërzitur shumë”) nga Tomorr...

Kur të jesh mërzitur shumëKëtu s’ do të jem, do jem larguar; Në tokë i tretur si të tjerët, Në kafenenë...

Alba Kepi: Gjurmë shqiptare në qytetin më antik italian

“Vrimat e zeza” të Levit “Përballë ishte një mal tullac e shterpë me një ngjyrë të shëmtuar gri, pa...

Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e...

“Përshëndetja e nënës”, tregim nga Ljudmilla Petrushevskaja

Përktheu nga origjinali Aleksandër Koli Olegu, një djalosh i ri, kur i vdiq e ëma mbeti jetim. Mbeti...