More
    KreuOpinionShpjegimi e cenon thelbin

    Shpjegimi e cenon thelbin

    Nga Edison Çeraj

    Mos u shpjegoni aspak në qoftë se doni të kuptoheni. (Diderot)

    Ndoshta arsyeja kryesore se pse mundohemi kaq dendur për t’i dhënë shpjegim çdo gjëje është se duam t’i “zotërojmë”, të kemi “pushtet” mbi to dhe kështu të ndihemi më të “sigurt”. Por, sa herë që e kemi bërë, jemi privuar nga thelbi i gjësë, ose e kemi cenuar atë. Jo të gjitha gjërat janë të një rendi, apo të një natyre. Domethënë, ka gjëra që nuk mund të shpjegohen, që janë jashtë domenit të njohjes njerëzore. Kjo është ajo ana tjetër e dijes, ana “mëkatare”, kur ajo u heq aurën (breroren) gjërave, duke na ofruar një botë pa hije, të zhveshur nga aromat, ku njeriu ndihet përherë e më i huaj dhe pikërisht në këtë gjendje tëhuajësuese nis edhe zhveshja – shtresë pas shtrese – nga individualiteti. Fjala vjen, për ta bërë më të përftueshëm subjektin, tjetër gjë është Ungjilli dhe Jezui, tjetër është Kisha dhe Shën Pali në historinë e krishterimit. Me Kishën dhe Shën Palin, krishterimi bëhet historik, duke ngritur institucionin, teologjinë, dogmën si dije; nis klasifikimi i Frymës, përcaktimi i saj. Të njëjtin fenomen ndeshim edhe në rastin e artit, në veçanti me kritikën si dije, e cila ka prirjen e vazhdueshme të na thotë se çfarë kuptimi ka një vepër e caktuar, çfarë është bërë “mirë” në të e çfarë jo siç “duhet”, deri dhe recetën se çfarë duhet bërë në të ardhmen. Qoftë dhe në rastin kur autori i vë një titull veprës, në njëfarë mënyre është bërë shpjegimi, si një syth drejt dijes mbi artistiken. Për aq kohë sa dikush nuk ia di titullin një vepre arti, është krejt i lirë të “fantazojë” shumë e shumë gjëra mbi atë vepër, duke nxjerrë kështu një “përfundim” të cilin e ndan (mbi të gjitha) me veten, si një ritual katarsisi ose si një shteg për të pasuruar vetëdijen. Ama, në çastin që lexon titullin, nuk mund të jetë edhe aq i lirë, sepse deshi apo nuk deshi, çdo gjë që do t’i provokojë vepra, do të jetë i detyruar ta kalojë nga filtri i titullit. Për rrjedhojë, “mesazhi” i veprës vjen duke u ngushtuar. Pa folur pastaj për tekstin shoqërues të një vepre, që në shumë raste të kujton manualet e përdorimit të objekteve elektro-shtëpiake, duke diktuar kështu një marrëdhënie tërësisht racionale mes publikut dhe veprës së artit. Një prej karakteristikave të kësaj kohe është se jemi të rrethuar nga manualët e përdorimit, pothuajse për çdo gjë, qoftë online, qoftë të shtypur. Aq shumë janë shtuar këta manualë, saqë edhe për një gjë/ çështje të vetme mund të gjesh me dhjetëra syresh. Fillimisht imponohen me delikatesë, si “udhërrëfyes praktik”, më pas skematizojnë marrëdhënien tonë me sendet/ gjërat dhe si rrjedhojë, edhe me botën. Puna arrin deri aty sa kemi edhe manualë “turistikë” se si të sillemi kur shkojmë në Afrikë, Kinë, Rusi, në vendet arabe e kështu me radhë, me arsyetimin për të shmangur “keqkuptimet”, duke harruar se keqkuptimet janë pjesë e natyrës sonë, nga të cilat kemi trashëguar shumë gjëra të mrekullueshme, si, fjala vjen, veprat e Shakespeare-it, ku keqkuptimi luan një rol qendror.
    Me pak fjalë, sipas kësaj logjike asgjë nuk duhet t’i lihet rastit, së papriturës, çdo gjë duhet parashikuar. Manualët na ndihmojnë që të mos jemi të papërgatitur.
    Të njohësh kufijtë e tu dhe të ndalosh tek ai cak të cilin nuk mund ta tejkalosh, është dije, madje një dije thelbësore, sepse ndan dy zona: atë që mund të njohim dhe atë që nuk mund të njohim, atë që mund të jetë dije dhe atë që nuk mund të jetë. Në njëfarë kuptimi, e gjithë filozofia është përpjekje për çështjen se çfarë mund të njohim, kurse teologjia është përpjekje për atë që nuk mund të njohim. Por, ato ndërkëmbehen me njëra-tjetrën dhe kjo tregon se që të dyja janë dije, domethënë kërkim për pushtet. Pushteti në këtë rast nuk nënkupton atë që njihet përgjithësisht sot, pavarësisht se prej këtij pushteti derivon edhe pushteti në kuptimin e ngushtë politiko-ekonomik. Pra, shpjegimi/ interpretimi është dije dhe dija është pushteti i pushteteve, më misteriozi syresh. Çdo pushteti tjetër veç dijes, si fillim i duhet të jetë fjalë, ligjërim, pra dije, duke hedhur kështu farën për legjitimitetin e tij, për nevojën që kanë njerëzit për të, dhe më pas thjesht i duhet të përshtatet në varësi të kontekstit.
    Sa më shumë t’i shpjegojmë gjërat, aq më shumë zvogëlohet hapësira e lirisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË