More
    KreuOpinionShkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të...

    Shkrimtari i ri përballë kohës, vendit dhe besueshmërisë (Refleksion para “Panairit të Librit”) nga Andreas Dushi

    Muaji i librit, tetori, dhe muaji i Panairit, nëntori, më bënë të mendoj se si një shkrimtar i ri qaset në realitetin e letrave të një shoqërie e cila, sipas statistikave, mban në gjirin e saj mbi njëmilion jolexues aktiv. Në një realitet deti të tallaztë, varkat e brishta, ashtu sikurse janë varkat e reja, e kanë të vështirë të notojnë përkrah atyre me të vjetrave, përballur me sa e sa stuhi, ndaj u parashtrohen dy mundësi:

    E para, të kapen pas ndonjë tjetër varke, më të vjetër duke u lidhur me ushkurin e reklamimit për të çarë dallgët;

    E dyta, të presin sa të qetësohet deti (me shumë mundësi kurrë!) dhe të hidhen ndër ujëra.

    Pjesa më e mirë e shkrimtarëve të rinj bëjnë zgjedhjen e tyre, ndërsa një pjesë tjetër, e vogël dhe e pafuqishme, e ka kuptuar drejtë misionin e letërsisë, ndaj edhe thyen mundësitë dhe bën zgjedhje të tjera si përshembull, futet në atë det me një sërf. Të tilla vendime mbrujnë atë që njihet si “letërsi bashkëkohore”, aq e shpeshtë për nga kronologjia, por aq e rrallë për nga logjika. Tetori i Librit duket sikur u interesua më së tepërmi për kronologjinë se sa për logjikën, duke prodhuar takime herë pas here shterpë, me jopërfaqësues të letërsisë shqipe në çdo moment kohor të saj.

    Qysh pas botimit të “Marrja e Gjakut” (Onufri, 2018), iu kushtova më tepër leximit të letërsisë shqipe dhe vura re një element: mungesën e hapësirës. Ngjarjet nuk ndodhnin në asnjë vend, ndaj edhe mund të vendoseshin gjithandej. Kjo gjetje letrare (jo zbulim!) është kaq e pranishme në konkretizimin fizik të frymëzimit në libër, pasi shkrimtarit shqiptar i mungon hapësira! Ngjarjet, vendet e takimit mes personazheve dhe pikat ku ndodhin veprimet janë të shumta në roman, ndërsa në realitet, mundësitë janë më të pakëta, ndaj edhe shkrimtarët “shpikin” qytete, ose romanin e vendosin në një tjetër vend, jo në habitatin e tij të natyrshëm. Të tillë shkrimtarë janë të guximshëm!

    Tjetër çështje që mbush me boshllëk letërsinë bashkëkohore shqipe është besueshmëria në të. Fillimisht, botuesit. Unë kam pasur fatin që të përballem me botues të cilët e mbështesin letërsinë shqipe, sepse botojnë nga idealet, jo nga fitimet, por ka të tjerë që përballen me turiçë të cilët buzëqeshin në fytyrë, sapo japin shifrat që duhen për të shtypur librin. Kam dëgjuar njërin syresh që i tha autorit (nuk e them kush është autori!) kur i dha kopjen e parë të librit: Besoj do të jetë i mirë, ndonëse të të them të vërtetën, akoma nuk e kam lexuar!

    Pastaj të fitosh besimin e librashitësit. Ai është i detyrar ta mendojë dy herë ta marrë apo jo librin, pasi falë politikave shtetërore, u shit apo nuk u shit kopja e marrë, librashitësi paguan një taksë! Kështu, shkrimtari i ri përballet me besim/skepticizmin e atyreve të cilët u është vënë në fyt laku prej njerëzve që kanë humbur çdo grimcë besimi nga populli, pjesë e të cilit edhe dy personazhet e këtij paragrafi janë!

    Së treti, besimi i lexuesit. Një shkrimtar që thotë se shkruan pavarësisht a lexohet apo jo nuk ngjan i sinqertë, pasi po të mos i interesonte lexuesi, ai do të mbante ditar, nuk do të shkruante libra. Lexuesi është ai që gjendet pas portës së botimit, portë në të cilën troket shkrimtari i qullur me shpresën që të gjejë pak çaste prehjeje. Nëse porta hapet, marrëdhënia mes shkrimtarit të ri dhe lexuesit është në udhën e mundësisë për të gjetur një fund, të lumtur apo jo. Nëse porta nuk hapet dhe shkrimtari i ri nuk e kalon pragun e saj, ura mes udhës kthehet në mur, porta në asgjë dhe shiu shton shpejtësinë me të cilën rigon mbi shkrimtarin e ri, tanimë të zhveshur.

    Çështja qëndron në mënyrën që shkrimtari i ri do të zgjedh për të bindur lexuesin t’i çelë portën. Të trokasësh shpesh, nuk është gjëja e duhur. Ai do të mërzitet dhe do e hapë veç për ta zbuar me ndonjë status facebooku të tipi “Shkrimtari Iks Ypsiloni boton nga një roman/dramë çdo muaj!” Edhe të hedhësh fletëpalosje – reklama nën portë para se të trokasësh, nuk është gjëja e duhur; ato lexuesi, më e shumta do t’i përdorë si kaushë për fara të ngrëna ndër takime – tallëse me kolegët e shkrimtarit të ri.

    Mënyra më e mirë është të ndërthurë kohën dhe vendin për të nxjerrë “të duhurën absolute”, realitetin në të cilin shkrimtari i ri i paraqet lexuesit vetveten kur ky i dyti, ka interes për të parin. Pastaj, diskutimi mes lexuesve sjell suksesin, dështimin apo turpërimin e shkrimtarit të ri.

    Ky çast dhe kjo kohë prodhojnë Panairin e Librit në të cilin, shpresoj që e denja, e bukura, harmonikja dhe cilësorja të bashkohen si degëza ullinjsh nga treva të ndryshme të Jerusalemit mbi kokën e hyjnores letërsi.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË